“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 18: Marrja e Dhuratës Hyjnore të Hirit të Shpëtimtarit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 18”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 18
Marrja e Dhuratës Hyjnore të Hirit të Shpëtimtarit
A ka pasur raste kur jeni ndier të shkurajuar për shkak të mëkateve, gabimeve, dobësive dhe mangësive tuaja? A i keni thënë vetes gjëra të tilla si: “Thjesht nuk jam mjaft i mirë” ose “Nuk do të jem kurrë në lartësinë e duhur”? Teksa studioni, merreni parasysh se si hiri i Zotit mund t’ju shpëtojë nga të kritikuarit e vetvetes, mund t’i shndërrojë dobësitë tuaja në pika të forta (shih Ethëri 12:27) dhe mund t’ju fuqizojë të jeni më të mirë dhe të bëni gjëra më të mira sesa mund t’i bënit ndonjëherë të vetëm.
Pjesa 1
Përse kam nevojë për hirin e Shpëtimtarit?
Apostulli Pal dëshmoi: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Kjo fuqi forcuese ose aftësuese quhet hir dhe na “jepet nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Grace” [“Hiri”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Shpëtimtari e ilustroi nevojën tonë për hirin e Tij në shëmbëlltyrën e hardhisë së vërtetë.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për këtë shëmbëlltyrë:
“Krishti është gjithçka për ne dhe ne duhet të ‘qëndrojmë’ në Të në mënyrë të përhershme, të patundur, të qëndrueshme, përgjithmonë. Që fryti i ungjillit të lulëzojë dhe ta bekojë jetën tonë, ne duhet të bashkohemi në mënyrë të palëkundshme me Të. … Ai është hardhia që është burimi ynë i vërtetë i forcës dhe i vetmi burim i jetës së përjetshme.” (“Qëndroni në Mua”, Liahona, maj 2004, f. 32)
Të qëndruarit në Jezu Krishtin na aftëson të marrim hirin e Tij që të mund të kapërcejmë mëkatin dhe të arrijmë potencialin tonë të plotë. Lehi dha mësim: “Nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8). Dhe Moroni dëshmoi se nëpërmjet hirit të Krishtit ne mund të bëhemi si Ai – të shenjtëruar, të përsosur dhe të shenjtë (shih Moroni 10:32–33).
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se hiri që vihet në dispozicion nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit “na ndihmon të kuptojmë, të bëjmë dhe të bëhemi të mirë në mënyra që mund të mos i dallonim kurrë apo mund të mos i përmbushnim kurrë me aftësinë tonë të kufizuar njerëzore” (“In the Strength of the Lord”, Liahona, nëntor 2004, f. 77).
Pjesa 2
Çfarë roli luan besimi dhe bindja ime në marrjen nga ana ime të hirit të Shpëtimtarit?
Shqyrtoni dy figurat shoqëruese. Këto figura mund të përfaqësojnë dy pikëpamje për hirin hyjnor. Disa njerëz e shohin hirin si një dhuratë që jepet lirisht pavarësisht nga gjërat që bëjmë në jetë. Njerëz të tjerë besojnë se ne mund ta fitojmë në njëfarë mënyre hirin e Perëndisë nëpërmjet veprave tona të mira. Lidhur me këto dy këndvështrime të paplota, Plaku Holland tha:
“Disa dhurata që vijnë nga Shlyerja, janë universale, të pafundme dhe të pakushtëzuara. Këto përfshijnë shpërblesën e Tij për shkeljen fillestare të Adamit … [dhe] Ringjalljen. …
Aspekte të tjera të dhuratës shlyese të Krishtit janë të kushtëzuara. Ato varen nga zelli i dikujt për zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë. Për shembull, ndërkohë që të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore u jepet lirisht një anulim nga mëkati i Adamit pa asnjë përpjekjeje nga ana e tyre, atyre nuk u jepet një anulim nga vetë mëkatet e tyre në qoftë se nuk zotohen të kenë besim te Krishti [dhe] nuk pendohen për ato mëkate. …
Në mënyrë të qartë, bekimet e pakushtëzuara të Shlyerjes nuk fitohen, por as bekimet e kushtëzuara nuk janë plotësisht të merituara. Duke jetuar besnikërisht dhe duke i zbatuar urdhërimet e Perëndisë, një njeri mund të marrë privilegje shtesë; por ato prapë jepen lirisht, teknikisht nuk fitohen.” (“The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, mars 2008, f. 36–37)
Duke folur për dhuratat e kushtëzuara të hirit të bërë të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, Nefi tha: “Ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23). Disa njerëz janë ndier të shqetësuar nga fraza “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”. Për t’ju ndihmuar që t’i kuptoni më mirë fjalët e Nefit, lexoni thëniet vijuese nga udhëheqësit e Kishës:
“Pyes veten nëse ngandonjëherë ne e keqinterpretojmë frazën ‘pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’. Duhet të kuptojmë se fjala ‘pas’ nuk është e barabartë me togfjalëshin ‘për shkak të’.
Ne nuk shpëtohemi ‘për shkak të’ gjithçkaje që ne mund të bëjmë. A e ka bërë ndonjëri prej nesh gjithçka që ne mund të bëjmë? A pret Perëndia derisa ne ta kemi bërë çdo përpjekje, përpara se Ai të ndërhyjë në jetën tonë me hirin e Tij shpëtues? …
Jam i sigurt që Nefi e dinte se hiri i Shpëtimtarit na lejon dhe aftëson ta mposhtim mëkatin [shih 2 Nefi 4:19–35; Alma 34:31]. Kjo është arsyeja përse Nefi punoi me kaq zell për t’i bindur fëmijët dhe vëllezërit e tij që ‘të beso[nin] në Krisht[in] dhe të pajtohe[shin] me Perëndinë’ [2 Nefi 25:23].” (Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 110)
“Nuk kemi nevojë të arrijmë njëfarë niveli minimal të aftësisë ose mirësisë përpara se Perëndia të na ndihmojë – ndihma hyjnore mund të jetë e jona në çdo orë të çdo dite, pavarësisht se ku jemi në shtegun e bindjes. … Lutja ime është thjesht të mbajmë përgjegjësi dhe të shkojmë në punë, me qëllim që të ketë diçka për Perëndinë me të cilën të na ndihmojë.” (D. Tod Kristoferson, “Të Lirë Përgjithmonë, që të Veprojnë për Veten e Tyre”, Liahona, nëntor 2014, f. 19)
“Dhurata e hirit të Shpëtimtarit për ne nuk është domosdoshmërisht e kufizuar në kohë te ‘pas’ gjithçkaje që mund të bëjmë. Ne mund ta marrim hirin e Tij përpara, gjatë dhe pas kohës kur bëjmë përpjekjet tona vetjake.” (Bruce C. Hafen, The Broken Heart: Applying the Atonement to Life’s Experiences [1989], f. 155–156)
Pjesa 3
Si mund ta ndryshojë jetën time hiri i Shpëtimtarit?
Jezu Krishti ka përjetuar të gjitha dhembjet, tundimet, pasiguritë dhe dobësitë e jetës në vdekshmëri, prandaj Ai e di se si të na ndihmojë (shih Hebrenjve 2:18; 4:15; Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 62:1). Ngaqë Jezu Krishti është një Shpëtimtar si i gatshëm, ashtu edhe i aftë, ne mund t’i “afrohemi … me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:16).