“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27: Gjetja e Shpresës te Drita dhe Jeta e Botës”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27
Gjetja e Shpresës te Drita dhe Jeta e Botës
Ndonëse duam që jeta jonë të jetë e lumtur, ndjenja të herëpashershme zymtie dhe dëshpërimi janë të zakonshme për të gjithë ne. Këto ndjenja mund të vijnë nga mëkati, frika, dyshimi ose humbja. Ato janë thjesht një pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri. Ndërsa studioni, merrni parasysh se si mund të gjeni forcë te Jezu Krishti, i cili “është drita, jeta dhe shpresa e botës” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org).
Pjesa 1
Si mund të më forcojë drita dhe jeta që siguron Jezu Krishti?
Isaia profetizoi se Mesia do të ishte një dritë për botën (shih tek Isaia 49:6; 60:1–3). Jezu Krishti pohoi se Ai ishte Mesia për të cilin u profetizua kur deklaroi: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).
Presidenti Dallin H. Ouks, këshilltar në Presidencën e Parë, shpjegoi:
“Jezu Krishti është drita e botës sepse Ai është burimi i dritës që e zgjon kuptueshmërinë tonë, për shkak se mësimet e Tij dhe shembulli i Tij e ndriçojnë shtegun tonë dhe për shkak se fuqia e tij na bind për të bërë mirë.” (“The Light and Life of the World”, Ensign, nëntor 1987, f. 63, 64)
Kur Jezu Krishti iu shfaq nefitëve dhe lamanitëve, Ai deklaroi: “Dhe vini re, unë jam drita dhe jeta e botës” (3 Nefi 11:11, theksimi i shtuar; shih edhe te Mosia 16:9). Për rolin e Shpëtimtarit si jeta e botës, Presidenti Ouks tha:
“Jezu Krishti është jeta e botës për shkak të pozicionit të Tij të pashoq në atë që shkrimet e shenjta e quajnë ‘plani [i] madh dhe [i] përjetshëm [i] çlirimit nga vdekja’ (2 Nefi 11:5). …
[Ai] është jeta e botës sepse ringjallja e Tij dhe shlyerja e Tij na shpëtojnë nga vdekja fizike dhe shpirtërore.” (“The Light and Life of the World”, Ensign, nëntor 1987, f. 64, 65)
Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tregoi një përvojë që e ilustron rëndësinë e faktit që Jezu Krishti është drita dhe jeta e jetës sonë:
“Zyra ime në Ndërtesën e Shoqatës së Ndihmës ka një pamje të shkëlqyer të Tempullit të Solt‑Lejkut. Çdo mbrëmje, me aq përpikëri sa ora me zile, dritat e jashtme të tempullit ndizen sa bie muzgu. Tempulli është një fener i pashuar sigurie, pikërisht jashtë dritares time.
Një natë, shkurtin që sapo kaloi, si kurrë më parë, zyra ime u errësua shumë kur perëndoi dielli. Kur hodha vështrimin nga dritarja, tempulli ishte pa drita. Dritat nuk qenë ndezur. Papritur u ngrysa. Nuk munda t’i shihja majat e tempullit, të cilat i kisha parë çdo mbrëmje, për vite me radhë.
Kur shihja errësirën ndërsa prisja të shihja dritën, më erdhi ndërmend se një nga nevojat thelbësore që kemi, me qëllim që të rritemi, është që të qëndrojmë të lidhur me burimin tonë të dritës – Jezu Krishtin. Ai është burimi i energjisë sonë, Drita dhe Jeta e Botës. Pa një lidhje të fortë me Të, ne fillojmë që të vdesim shpirtërisht. Duke e ditur këtë gjë, Satani përpiqet që t’i shfrytëzojë trysnitë e botës që has gjithsecili prej nesh. Ai përpiqet që ta zbehë dritën tonë, ta shkëputë lidhjen, ta ndërpresë furnizimin e energjisë, duke na lënë të vetëm në errësirë.” (“Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë”, Liahona, maj 2019, f. 73)
Pjesa 2
Si mund të më sjellë shpresë përqendrimi te Jezu Krishti?
Ushtrimi i besimit te Jezu Krishti si Drita dhe Jeta e Botës mund ta bekojë jetën tonë në shumë mënyra. Një nga ato mënyra është duke na dhënë shpresë.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë një këshilltar në Presidencën e Parë, shpjegoi se si drita dhe jeta e Jezu Krishtit sjell shpresë:
“Drita e Perëndisë është e vërtetë. Është e disponueshme për të gjithë! Ajo i jep jetë gjithçkaje [shih te Doktrina e Besëlidhje 88:11–13]. Ajo ka fuqinë ta zbu[t]ë dhembjen e plagës më të thellë. Mund të jetë një balsam shërues për vetminë dhe sëmundjen e shpirtrave tanë. Në brazdat e dëshpërimit, ajo mund të mbjellë farat e një shprese më të shndritshme.” (“Shpresa e Dritës së Perëndisë”, Liahona, maj 2013, f. 75)
Te Gospel Topics [Tema të Ungjillit] lexojmë: “Në gjuhën tonë të përditshme, fjala [shpresë] shpesh ka një gjurmë pasigurie. Për shembull, mund të themi që shpresojmë për një ndryshim të motit ose për një vizitë nga një mik. Megjithatë, në gjuhën e ungjillit, fjala shpresë është e sigurt, e palëkundur dhe aktive. Profetët flasin për pasjen e një ‘shprese të vendosur’ (Alma 34:41) dhe ‘një shpresë të gjallë’ (1 Pjetër 1:3)” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Hope” [“Shpresa”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Teksa mendoni rreth sfidave që përjetoni, kujtoni që profeti Mormoni jetoi në një kohë kur errësira shpirtërore mbizotëronte në jetën e nefitëve (shih te Mormoni 1–6). Gjatë këtyre kohëve të vështira, Mormoni dha mësim se si ta rritim shpresën tonë.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Mirëbesimi e vetëbesimi te Krishti dhe një mbështetje e gatshme mbi meritat, mëshirën dhe hirin e Tij çojnë drejt shpresës, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, në Ringjalljen dhe në jetën e përjetshme (shih te Moroni 7:41). Një besim dhe shpresë e tillë ftojnë në jetën tonë paqen e ëmbël të ndërgjegjes për të cilën ne të gjithë jemi të etur.” (“Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën”, Liahona, maj 2015, f. 47)
Ashtu si Mormoni, profeti Ethëri jetoi gjithashtu në një kohë sfiduese (shih tek Ethëri 11). Dhe si Mormoni, Ethëri dha mësim se edhe në kohët më të vështira ne mund të gjejmë shpresë te Jezu Krishti.
Për të mësuar më shumë rreth fuqisë së shpresës, lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Uhtdorf ose shikoni materialin filmik “The Power of Hope” [“Fuqia e Shpresës”] (02:11):
“Shpresa është një dhunti e Shpirtit [shih te Moroni 8:26]. …
“[Ajo] … është … [mirë]besimi i qëndrueshëm që Zoti do ta plotësojë premtimin që na ka dhënë. Ajo është [vetë]besimi se, nëse jetojmë sipas ligjeve të Perëndisë dhe fjalëve të profetëve të Tij tani, ne do të marrim bekimet e dëshiruara në të ardhmen. Ajo është të besosh dhe të presësh që lutjet tona të marrin përgjigje. Ajo manifestohet në besimin tek vetja, optimizmin, entuziazmin dhe këmbënguljen me durim. …
Nuk ka rëndësi sa i acartë duket kapitulli i jetës tonë sot, në saje të sakrificës së Jezu Krishtit, ne mund të shpresojmë dhe të jemi të sigurt se fundi i librit të jetës sonë do të kapërcejë edhe shpresat tona më të mëdha.” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 21, 22)