Biblioteka
Njësia 21, Dita 3: 1 Korintasve 1–2


Njësia 21: Dita 3

1 Korintasve 1–2

Hyrje

Pasi mësoi për disa nga problemet që po përjetonin anëtarët e Kishës në Korint, Pali u shkroi atyre dhe i nxiti që ta largonin grindjen dhe të bëheshin të bashkuar. Ai gjithashtu shpjegoi se Perëndia i thërret të dobëtit dhe të përulurit për të predikuar ungjillin e Tij, dhe se gjërat e Perëndisë mund të dihen e kuptohen vetëm nëpërmjet Shpirtit.

1 Korintasve 1:1–16

Pali u shkruan shenjtorëve në Korint dhe u bën thirrje që ta largojnë grindjen dhe të jenë të bashkuar

Mendoni për një familje, një ekip sportiv dhe një grup miqsh.

Pamja
një familje e ulur në plazh, një ekip futbolli, miq duke ngjitur malin

Çfarë mund të shkaktojë përçarje dhe grindje në secilin prej këtyre grupeve?

Si mund të ndikojnë përçarje dhe grindje të tilla në një familje, ekip apo grup miqsh?

Mendoni mbi mënyrat se si mund të ndikojnë në Kishë përçarjet dhe grindjet midis anëtarëve të saj.

Ndërsa studioni 1 Korintasve 1, kërkoni një të vërtetë rreth përçarjeve dhe grindjeve që Pali ua mësoi shenjtorëve në Korint.

Gjeni Korintin në hartën vijuese:

Pamja
hartë, Mesdheu lindor

Gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, Pali udhëtoi për në qytetin e Korintit në Greqi, ku ai predikoi ungjillin. Në atë kohë, u pagëzuan shumë njerëz (shih Veprat e Apostujve 18:1–18). Më vonë, ndërkohë që Pali po predikonte në Efes, ai mësoi se midis anëtarëve të Kishës në Korint kishin dalë probleme për shkak të disa të kthyerve në besim, të cilët po i ktheheshin bindjeve dhe praktikave të hershme të adhurimit të idhujve. Pali u shkroi anëtarëve të Kishës në Korint për t’i forcuar ata dhe për t’u kujtuar zotimin e tyre për t’i shërbyer Zotit.

Te 1 Korintasve 1:1–9, ne lexojmë që Pali u tha shenjtorëve në Korint se ai e falënderonte Perëndinë në emër të tyre për hirin që ata kishin marrë nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili i kishte bekuar në çdo mënyrë.

Lexojeni 1 Korintasve 1:10–11, duke kërkuar atë që Pali i nxiti shenjtorët korintas të bënin.

Për të përcaktuar një të vërtetë të shënuar në këto vargje, përdorni fjalët vijuese për të plotësuar vendet bosh në thënien vijuese: të bashkuar, pret, grindjet, largojmë.

Zoti ____________________ nga ne si shenjtorë që të jemi ____________________ dhe t’i ____________________ përçarjet dhe ____________________.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë bekimesh marrim ne si anëtarë të Kishës kur përpiqemi të jemi të bashkuar dhe t’i largojmë përçarjet e grindjet?

    2. Kur jeni bekuar si rezultat i të qenit të bashkuar në familjen, klasën, kuorumin, apo lagjen ose degën tuaj?

    3. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i larguar përçarjet dhe grindjet në Kishë?

Sipas 1 Korintasve 1:12–16, anëtarët e Kishës në Korint po ndaheshin në grupe në bazë të interpretimeve të ndryshme të doktrinës së Kishës dhe ata i mbështetnin këndvështrimet e tyre duke cituar udhëheqësit e spikatur të Kishës.

1 Korintasve 1:17–31

Pali u mëson shenjtorëve se Perëndia thërret të dobëtit për të predikuar ungjillin e Tij

Gjatë kohës së Palit, Greqia ishte nën sundimin romak dhe shumë grekë jetonin në Korint. Grekët i vlerësonin shumë idetë filozofike dhe diturinë e botës.

Merreni në shqyrtim përse dikush që i vlerëson filozofitë e botës mund ta ketë të vështirë ta pranojë apo jetojë ungjillin.

Ndërsa studioni 1 Korintasve 1:17–31, kërkoni një të vërtetë që mund t’ju ndihmojë të kuptoni marrëzinë e të mbështeturit në diturinë e botës.

Lexojeni 1 Korintasve 1:17–22, duke kërkuar atë që dha mësim Apostulli Pal rreth diturisë së botës përkundrejt diturisë së Perëndisë. Frazat “dituria e të diturve” (1 Korintasve 1:19) dhe “dituri[a] e kësaj bote” (1 Korintasve 1:20), i referohen traditave të gabuara filozofike të kohës. Mund të jetë gjithashtu e dobishme të dini se Pali e përdori frazën “kryqi” (1 Korintasve 1:17–18) për t’iu referuar jetës, misionit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Si mendoni ju, përse jobesimtarët e konsideronin marrëzi mesazhin e Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Lexojeni 1 Korintasve 1:25, duke kërkuar atë që dha mësim Apostulli Pal rreth diturisë njerëzore krahasuar me diturinë e Perëndisë. Perëndia nuk është i marrë, as nuk ka ndonjë dobësi. Pali i përdori frazat “marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit” dhe “dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit”, për të përçuar idenë se dituria dhe fuqia njerëzore nuk janë asgjë krahasuar me diturinë dhe fuqinë e Perëndisë.

Qarkoni të vërtetën që e përshkruan më mirë atë që Pali u mësoi korintasve rreth diturisë së Perëndisë:

  • Dituria e Perëndisë është më e madhe se dituria njerëzore.

  • Një njeri është i fuqishëm kur ai ose ajo është i/e mençur.

  • Shenjat prej qiellit janë më të mëdha sesa dituria e grekëve.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju se mund të ndikojë të kuptuarit që dituria e Perëndisë është më e madhe sesa dituria njerëzore, në mënyrën se si një person kërkon zgjidhje për problemet e tij apo të saj?

Lexojeni 1 Korintasve 1:26–27, duke kërkuar se kë zgjedh Perëndia për ta predikuar ungjillin e Tij.

Përsiatni përse Perëndia zgjedh ata që bota i konsideron të marrë dhe të dobët për ta dhënë mësim ungjillin e Tij.

Te 1 Korintasve 1:28–31 ne mësojmë që Pali dha mësim se Jezu Krishti është shembulli i përkryer i “dituri[së], drejtësi[së], shenjtërim[it] dhe shpengim[it]” (1 Korintasve 1:30) dhe ne duhet të lëvdohemi, ose gëzohemi në Të.

1 Korintasve 2

Pali shpjegon mënyrën se si i mësojmë ne gjërat e Perëndisë

Lexoni rrëfimin vijues që dha Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth një përvoje që ndodhi përpara se të thirrej për të qenë një Autoritet i Përgjithshëm:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Në aeroplan u ula pranë një ateisti të deklaruar, i cili këmbëngulte me kaq rrëmbim për mosbesimin tij në Perëndi, saqë unë i dëshmova atij. ‘E ke gabim’, i thashë, ‘ka një Perëndi. E di se Ai jeton!’

Ai kundërshtoi: ‘Ti nuk e di. Askush nuk e di këtë! Ti nuk mund ta dish atë!’ Kur [e pa] që nuk po dorëzohesha, ateisti, i cili ishte avokat, bëri ndoshta pyetjen më elementare mbi çështjen e dëshmisë. ‘Shumë mirë’, tha ai në një mënyrë thumbuese, mospërfillëse, ‘ti thua se e di. Më thuaj se si e di’.

Kur u orvata që t’i përgjigjesha, edhe pse kisha diploma akademike të thelluara, unë isha i pashpresë për ta kumtuar. …

Kur përdora fjalët Shpirt dhe dëshmi, ateisti u përgjigj: ‘Nuk e di për çfarë e ke fjalën’. Fjalët lutje, dallim, dhe besim, ishin po ashtu të pakuptimta për të. ‘E shikon’, tha ai, ‘në të vërtetë ti nuk e di. Nëse do ta dije, do të ishe i aftë të më tregoje se si e di’.

Pata ndjesinë se ndofta i kisha dëshmuar atij jo siç duhet dhe u ndjeva i përhumbur për atë që duhet të bëja” (“The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 51).

Nëse ju do të kishit qenë në këtë situatë, çfarë do t’i kishit thënë këtij burri që nuk besonte në Perëndi?

Ndërsa studioni 1 Korintasve 2, kërkoni një të vërtetë që do t’ju ndihmojë të kuptoni përse ky burrë nuk mund t’i kuptonte fjalët e Presidentit Paker dhe përse ju mund të keni siguri në njohurinë tuaj për çështje shpirtërore.

Te 1 Korintasve 2:1–8, ne lexojmë që Pali u tha shenjtorëve në Korint se ai nuk përdori diturinë e botës që t’i bindte ata për vërtetësinë e ungjillit. Ai shpjegoi se u dha mësim atyre me anë të fuqisë së Shpirtit, në mënyrë që ata të kishin besim në Perëndi. Pali u tha gjithashtu atyre se jobesimtarët nuk mund t’i kuptojnë misteret e Perëndisë.

Lexojeni 1 Korintasve 2:9–16, duke kërkuar arsyen përse Pali tha se disa njerëz mund t’i dinë dhe t’i kuptojnë “gjërat e Perëndisë” (1 Korintasve 2:10–11), ndërsa të tjerët jo.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Sipas 1 Korintasve 2:9–10, përse Pali dhe njerëzit e tjerë besnikë mundën t’i kuptonin gjërat e Perëndisë?

    2. Sipas 1 Korintasve 2:14, përse disa njerëz nuk janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat e Perëndisë?

Nga këto vargje ne mësojmë të vërtetën vijuese: Ne mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij. Merreni parasysh t’i shenjoni fjalët ose frazat te 1 Korintasve 2:10–14 që na e mësojnë këtë të vërtetë.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Presidenti Paker e përfundoi këtë rrëfim duke shpjeguar se ai u ndie i frymëzuar ta pyeste burrin e ulur pranë tij në aeroplan, nëse ai e dinte se çfarë shije kishte kripa.

“‘Sigurisht që e di’, ishte përgjigjja e tij.

‘Kur e provuat kripën për herë të fundit?’

‘Sapo hëngra darkë në aeroplan.’

‘Ti thjesht mendon që e di se çfarë shije ka kripa’, i thashë.

Ai këmbënguli: ‘E di se çfarë shije ka kripa, ashtu siç di çdo gjë tjetër’. …

‘Atëherë’, i thashë, ‘duke hamendësuar se nuk e kam shijuar kurrë kripën, thjesht më shpjegoni se çfarë shije ka kripa’. …

Natyrisht, pas disa orvatjesh, ai nuk mundi ta shpjegonte atë. Ai nuk mundi ta përçonte vetëm me fjalë, një përvojë kaq të zakonshme siç është shijimi i kripës. Unë i dëshmova atij sërish dhe i thashë: ‘E di se ka një Perëndi. Ju u tallët me atë dëshmi dhe thatë që nëse e dija, unë do të mund t’jua tregoja saktësisht se si e di. Miku im, duke folur në mënyrë shpirtërore, unë e kam shijuar kripën. Unë jam në gjendje t’jua përçoj me fjalë se si më ka ardhur kjo njohuri, po aq sa ju jeni në gjendje të më thoni se çfarë shije ka kripa. Por unë ju them sërish se ka një Perëndi! Ai jeton! Dhe vetëm se ju nuk e dini, mos u përpiqni të më tregoni se unë nuk e di, sepse unë e di!’

Kur u ndamë, e dëgjova atë të pëshpëriste: ‘Nuk kam nevojë ta përdor fenë tuaj si patericë! Nuk kam nevojë për të’.

Që prej asaj përvoje e më tej, nuk kam qenë kurrë në siklet apo i turpëruar, që nuk mund ta shpjegoja vetëm me fjalë çdo gjë që unë e di në mënyrë shpirtërore” (“The Candle of the Lord”, f. 52).

  1. Plotësoni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Renditni disa nga gjërat e Perëndisë që mund të dihen dhe kuptohen vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij.

    2. Përse është e rëndësishme që ne të besojmë se mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij?

Mendoni për një rast kur ju arritët ta dinit dhe ta kuptonit nëpërmjet Shpirtit një prej gjërave të Perëndisë që renditët në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Merreni parasysh atë që mund të bëni tani për të kërkuar ndihmën e Shpirtit, ndërsa përpiqeni t’i dini dhe kuptoni gjërat e Perëndisë.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 1–2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër