Njësia 19: Dita 1
Veprat e Apostujve 13–14
Hyrje
Pali (më parë i quajtur Saul) u nis në udhëtimin e tij të parë misionar me Barnabën si shoqëruesin e tij. Ata predikuan ungjillin dhe ngritën degë të Kishës në mes të përndjekjes së vazhdueshme. Kur judenjtë refuzuan që ta pranonin fjalën e Perëndisë, Pali dhe Barnaba u përqendruan në predikimin mes johebrenjve.
Veprat e Apostujve 13:1–13
Pali dhe Barnaba nisen në një udhëtim misionar dhe qortojnë një profet të rremë
Figura vijuese përfaqëson përmasën e kundërshtimit që mund të hasë një njeri kur përpiqet ta jetojë ungjillin. Njëra anë e figurës përfaqëson mungesën e kundërshtimit dhe ana tjetër e figurës përfaqëson kundërshtimin e vazhdueshëm.
Shkruani emrin Moisiu në vendin në figurë që mendoni se përfaqëson nivelin e kundërshtimit që hasi Moisiu. Bëni të njëjtën gjë për Jozef Smithin dhe për Nefin. Nisur nga kundërshtimi që keni marrë teksa jeni përpjekur ta jetoni ungjillin, ku do ta shkruanit emrin tuaj në figurë?
Çdo dishepull i Jezu Krishtit do të hasë kundërshtim në kohë të ndryshme dhe në nivele të ndryshme në jetën e tij ose të saj. Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 13–14, kërkoni parime që mund të ndihmojnë për t’ju udhëhequr kur hasni kundërshtim në përpjekjet tuaja për të jetuar me drejtësi.
Te Veprat e Apostujve 13:1–2 ne mësojmë se teksa profetë dhe mësues të caktuar u mblodhën në Antioki, ata morën drejtim nga Fryma e Shenjtë që Sauli dhe Barnaba duhej të thirreshin për ta predikuar ungjillin së bashku.
Përpara kësaj thirrjeje misioni, Pali e kishte kaluar kohën që nga kthimi i tij në besim duke mësuar ungjillin e Jezu Krishtit (shih Galatasve 1:17–18) dhe më pas duke dhënë mësim dhe duke e predikuar ungjillin në Damask, Jerusalem, Tars, Siri, Kiliki dhe Antioki (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pal”). Barnaba ishte një jude nga Qipro, i cili ishte kthyer në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit (shih Veprat e Apostujve 4:36).
Ne mësojmë te Veprat e Apostujve 13:3–6 që pasi Sauli dhe Barnaba u veçuan për misionin e tyre, ata udhëtuan nga Antiokia drejt ishullit të Qipros dhe predikuan në një sinagogë në qytetin Salamina. Që atje ata udhëtuan drejt anës tjetër të ishullit për në qytetin Pafo.
Lexoni Veprat e Apostujve 13:6–8, duke kërkuar atë që ndodhi kur Sauli dhe Barnaba mbërritën në Pafo.
Lexoni Veprat e Apostujve 13:9–12, duke kërkuar atë që i ndodhi Elimasit (të quajtur Bar-Jezus te Veprat e Apostujve 13:6), një magjistari dhe profeti të rremë. Ju mund të merrni parasysh të shenjoni se si dëshmimi i fuqisë së Perëndisë ndikoi te një prokonsull romak, Sergj Pali, te vargu 12.
Një parim që mund të mësojmë nga Veprat e Apostujve 13:9–12 është që fuqia e Perëndisë është shumë më e madhe sesa fuqia e djallit. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë këtyre vargjeve.
Përgjigjiuni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Shpjegoni se si të kuptuarit që fuqia e Perëndisë është shumë më e madhe sesa fuqia e djallit, mund t’ju ndihmojë kur hasni kundërshtim në jetën tuaj.
Renditni dy ose tri situata në të cilat të kujtuarit e këtij parimi mund t’ju ndihmonte.
Vini re që Veprat e Apostujve 13:9 tregon ndryshimin e emrit nga Saul në Pal në shkrimet e shenjta (shih Veprat e Apostujve 13:13).
Veprat e Apostujve 13:14–43
Pali tregon historinë e izraelitëve dhe dëshmon që Jezu Krishti erdhi për të përmbushur premtimet e Perëndisë
Mendoni për një gabim që keni bërë, që do të dëshironit të mund të ktheheshit pas dhe ta fshinit. Ndonjëherë kundërshtimi që hasim, ndodh për shkak të vetë zgjedhjeve tona mëkatare. Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 13:14–43, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë për ta kapërcyer këtë lloj kundërshtimi.
Veprat e Apostujve 13:14–37 shënon që Pali dhe Barnaba u larguan nga Qipro dhe lundruan për në Panfili që ishte në bregdetin jugor të Turqisë së kohës së sotme. Për disa arsye të pashpjeguara, njëri prej shoqëruesve të tyre udhëtues, Gjon Marku, vendosi t’i linte dhe të kthehej në shtëpi. Në Shabat, Pali qëndroi në këmbë përpara burrave në sinagogë në qytetin e Antiokisë në Pisidi dhe iu kujtoi historinë izraelite, duke përfshirë skllavërinë në Egjipt, marrjen e tokës së premtuar, thirrjen e mbretit David nga Perëndia dhe ardhjen e një Shpëtimtari nëpërmjet farës së Davidit. Pali më pas dha mësim rreth jetës dhe misionit të Jezu Krishtit.
Lexoni Veprat e Apostujve 13:32–33, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth Jezu Krishtit. Ju mund të doni të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta se çfarë ai dha mësim rreth Shpëtimtarit.
Lexoni Veprat e Apostujve 13:38–39, duke kërkuar çfarë bekimi dha mësim Pali të cilin ne mund ta marrim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Nga Veprat e Apostujve 13:38–39 mësojmë parimin vijues: Ne mund të falemi për mëkatet tona dhe të shfajësohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Fjala shfajësohej, siç përdoret në vargun 39, do të thotë “të falesh nga ndëshkimi për mëkatin dhe të shpallesh i pafajshëm” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shfajësim, Shfajësoj”, f. 176–177, scriptures.lds.org). Kur një njeri shfajësohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, marrëdhënia e tij ose e saj me Perëndinë bëhet përsëri siç duhet.
Teksa lexoni atë që Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth çfarë do të thotë të shfajësohesh nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, shenjoni bekimet që ai tha se vijnë nëpërmjet pendimit: “Jezusi vuajti dhe dha jetën e Tij për të shlyer për mëkatin. Fuqia e Shlyerjes së Tij mund t’i fshijë ndikimet e mëkatit brenda nesh. Kur pendohemi, hiri i Tij shlyes na shfajëson dhe na pastron (shih 3 Nefi 27:16–20). Është njësoj si të mos ishim dorëzuar, si të mos kishim rënë në tundim” (“That They May Be One in Us”, Ensign ose Liahona, nëntor 2002, f. 71).
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Çfarë duhet të bëjmë që të falemi për mëkatet tona dhe të shfajësohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?
Cilët janë disa njerëz nga shkrimet e shenjta që u falën për mëkatet e tyre dhe u shfajësuan nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?
Nëse keni mundësi përdorimi të një libri himnesh të Kishës, këndoni ose lexoni dy strofat e para të himnit “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 113). Teksa këndoni ose lexoni, kërkoni mënyrën se si shkruesi i himnit e shprehu mirënjohjen e tij për Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe për faljen.
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë ndjenjash keni kundrejt Jezu Krishtit kur mendoni rreth mënyrës se si Shlyerja e Tij bën të mundur për ju që të faleni për mëkatet tuaja?
Ju lutemi ndiqni ndonjë nxitje që mund të keni marrë nga Fryma e Shenjtë për t’ju ndihmuar të merrni falje dhe shfajësim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Veprat e Apostujve 13:40–43 shpjegon që pas predikimit të Palit, shumë johebrenj i kërkuan atij t’u jepte mësim sërish në Shabatin pasues.
Veprat e Apostujve 13:44–52
Pali dhe Barnaba predikojnë me guxim pavarësisht nga përndjekja në rritje
Ditën e ardhshme të Shabatit, gati i tërë qyteti erdhi për të dëgjuar Palin dhe Barnabën të jepnin mësim për fjalën e Perëndisë.
Lexoni Veprat e Apostujve 13:44–52, duke krahasuar sjelljet dhe veprimet e judenjve dhe sjelljet dhe veprimet e johebrenjve ndërsa erdhën për t’i dëgjuar të flisnin Palin dhe Barnabën. “Gra[të e] perëndishme të shtresës së lartë”, të përmendura te vargu 50, ishin ato që shiheshin me shumë nderim në komunitetin e tyre.
Vini re që Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] i Veprave të Apostujve 13:48 qartëson se “të gjithë ata që besuan, u shuguruan në jetë të përjetshme” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Veprat e Apostujve 13:48 [në Biblën në anglisht Veprat e Apostujve 13:48, shënimi a në fund të faqes]). Fjala paracaktuan në këtë varg mund të nënkuptonte që ato u kthyen në besim dhe hodhën hapat e nevojshëm për të fituar jetë të përjetshme. Ato hapa do të përfshinin pagëzimin, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë, bindjen dhe durimin me besim deri në fund.
Veprat e Apostujve 14
Pali dhe Barnaba kryejnë mrekulli teksa predikojnë ungjillin në mes të përndjekjes së vazhdueshme
Si mendoni, përse Zoti lejon që njerëzit e mirë të përjetojnë sprova të vështira?
Teksa studioni Veprat e Apostujve 14, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje.
Veprat e Apostujve 14:1–21 përshkruan disa nga pikëllimet që Pali dhe Barnaba duruan ndërkohë që vazhdonin të predikonin. Lexoni fragmentet vijuese, duke kërkuar se çfarë pikëllimesh hasën misionarët dhe merrni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta:
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mendimesh mund të kishit pasur po të kishit qenë me Palin dhe Barnabën gjatë këtyre sprovave?
Lexoni Veprat e Apostujve 14:22, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth pikëllimit.
Nga ky varg ne mësojmë parimin vijues: Nëse kalojmë përmes pikëllimit me besnikëri, ne do të përgatitemi që të hyjmë në mbretërinë çelestiale.
Përsiatni bekimet që ju kanë ardhur juve ose njerëzve që njihni, ndërkohë ju ose ata kanë kaluar me besnikëri përmes pikëllimeve. Në çfarë mënyrash mendoni se durimi me besnikëri i pikëllimeve mund të na përgatitë për mbretërinë e qiellit?
Zgjidhni një parim që e keni mësuar teksa studionit Veprat e Apostujve 13–14, që do t’ju ndihmojë më shumë gjatë sprovave. Shkruajeni parimin që zgjodhët në një fletushkë shënimi ose një fletë të vogël letre. Merrni parasysh ta vendosni atë ku do ta shihni shpesh (te një pasqyrë, te dollapi juaj në shkollë ose në ndonjë vend tjetër që e shihni shpesh) për t’iu dhënë forcë dhe nxitje teksa hasni pikëllim.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 13–14 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: