Biblioteka
Njësia 11, Dita 4: Lluka 17


Njësia 11: Dita 4

Lluka 17

Hyrje

Jezusi u dha mësim dishepujve të Tij rreth nevojës për t’i falur të tjerët. Më pas, Apostujt i kërkuan Jezusit që ta shtonte besimin e tyre. Në kthim, Shpëtimtari u mësoi shëmbëlltyrën e shërbëtorit të padobishëm. Më vonë, Jezusi shëroi 10 lebrosë, por vetëm njëri prej tyre u kthye për ta falënderuar Atë. Shpëtimtari u përball me farisenjtë dhe Ai dha mësim rreth ardhjes së mbretërisë së Perëndisë.

Lluka 17:1–10

Më pas, Apostujt i kërkuan Jezusit që ta shtonte besimin e tyre

  1. Mendoni për situatat ku juve mund t’ju kërkohet të ushtroni besim, të tilla si kërkimi i një bekimi të priftërisë, pagimi i së dhjetës ose dhënia e një bisede apo e një mësimi në kishë. Shkruajeni listën tuaj në ditarin e të studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj përgjigjjuni pyetjeve vijuese: A keni dëshiruar ndonjëherë të keni besim më të madh? Nëse po, çfarë përvojash patët apo me çfarë përvojash u përballët që ju ndihmuan për ta krijuar atë dëshirë?

Ndërsa studioni Llukën 17, kërkoni parime që mund t’ju ndihmojnë ta shtoni besimin tuaj.

Te Lluka 17:1–2, Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij se dikush që i tundon të tjerët për të mëkatuar do të mbahet përgjegjës.

Lexoni Llukën 17:3–4, duke kërkuar një urdhërim që Shpëtimtari u dha dishepujve të Tij, i cili mund të kërkojë besim. Merrni parasysh ta shenjoni atë urdhërim në shkrimet tuaja të shenjta.

Përse mund të jetë e vështirë të falësh dikë që ju ka bërë vazhdimisht keq?

Lexoni Llukën 17:5, duke kërkuar atë që Apostujt dëshironin nga Shpëtimtari pasi u dha mësim për faljen.

Në ç’mënyrë të kërkuarit e një besimi më të madh te Zoti, mund t’i ndihmojë ata që t’i binden urdhërimit për t’i falur të tjerët?

Siç shënohet te Lluka 17:6, Shpëtimtari iu përgjigj lutjes së Apostujve për një shtim të besimit, duke dëshmuar se besimi sa fara e sinapit mund të prodhojë mrekulli. Për t’i ndihmuar ata që të dinin se si ta shtonin besimin e tyre, Jezusi më pas dha një shëmbëlltyrë që përshkruan marrëdhënien e një zotërie dhe të një shërbëtori.

Lexoni Llukën 17:7–10, duke kërkuar atë që një zotëri priste nga shërbëtori i tij. Përdorini shënimet në fund të faqes për t’ju ndihmuar të kuptoni disa nga fjalët e vështira në shëmbëlltyrë.

Në kohët biblike, një zotëri siguronte për të gjitha nevojat bazë të jetës së shërbëtorit të tij, ndërsa shërbëtori i përmbushte besnikërisht detyrat që priteshin prej tij. Për shkak të kësaj, nuk ishte e nevojshme që zotëria t’i jepte falënderime të veçanta shërbëtorit të tij apo të ndihej borxhli ndaj tij për detyrat që ai kryente.

Mendoni për mënyrat se si Ati Qiellor është si zotëria në këtë shëmbëlltyrë.

Ju mund të shenjoni te Lluka 17:10, frazën “bëmë atë që kishim detyrë të bënim”.

  1. Shkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Besimi ynë do të shtohet kur ne përpiqemi të bëjmë gjithçka që na urdhëron Ati Qiellor. Ju do t’i shtoni më vonë kësaj thënieje.

Merrni parasysh të shenjoni te Lluka 17:10 atë që Jezusi tha se shërbëtorët duhet të thonë pasi kanë bërë atë që iu urdhërua atyre.

Të pranojmë se ne jemi shërbëtorë të padobishëm, do të thotë që ne e kuptojmë se pavarësisht se sa shumë i zbatojmë urdhërimet, ne jemi gjithmonë në borxh ndaj Perëndisë. Ai na bekon kaq bujarisht saqë ne nuk mund t’ia kthejmë kurrë Atij – edhe kur jemi të bindur dhe duke jetuar me drejtësi (shih Mosia 2:20–26).

  1. Plotësojeni thënien në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta në atë mënyrë që të përçojë parimin vijues: Besimi ynë do të shtohet kur ne përpiqemi të bëjmë gjithçka që na urdhëron Ati Qiellor dhe kur kujtojmë se jemi gjithmonë në borxh ndaj Tij. Pastaj përgjigjjuni pyetjes vijuese: Në ç’mënyrë përpjekja për të bërë gjithçka që urdhëron Ati Qiellor e shton besimin tonë?

Pamja
Presidenti Hiber J. Grant

Presidenti Hiber J. Grant dha mësim për rëndësinë e të bërit të detyrës sonë kur i shërbejmë Perëndisë: “Nuk ka asnjë rrezik për ndonjë burrë ose grua se mos e humbet besimin e tij apo të saj në këtë Kishë, nëse ai ose ajo është e përulur dhe plot lutje dhe e bindur ndaj detyrës. Nuk kam njohur kurrë një individ të tillë që ta humbasë besimin e tij. Duke e bërë detyrën tonë, besimi shtohet derisa bëhet njohuri e përsosur” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 28).

Përsiatni për një rast kur ju i zbatuat urdhërimet ose e kryet me bindje detyrën tuaj ndaj Perëndisë dhe, si rrjedhojë, ndiet një shtim të besimit.

Lluka 17:11–19

Jezusi pastron 10 lebrosë

Pamja
Jezusi dhe lebrosët

Bazuar në atë që ju dini rreth lebrës, plotësoni thënien vijuese: Gjatë kohëve biblike, duhet të ketë qenë e vështirë të kishe lebër sepse .

Lebra ishte një sëmundje që mund të çonte në shpërfytyrim dhe vdekje. Lebrosët veçoheshin nga pjesa tjetër e shoqërisë për të mbrojtur shëndetin e të tjerëve dhe u kërkohej që të thërrisnin “I papastër!”, për të paralajmëruar çdokënd që u afrohej atyre (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Leper” [“Lebros”]).

Lexoni Llukën 17:11–12, për të parë se kë takoi Jezusi kur ndaloi në një fshat, ndërsa udhëtonte për në Jerusalem.

Nëse ju do të kishit qenë njëri prej atyre lebrosëve, çfarë ndjenjash do të kishit pasur kur ta shikonit Jezusin?

Lexoni Llukën 17: 13–14, duke kërkuar atë që lebrosët i thanë Shpëtimtarit dhe cila qe përgjigjja e Tij ndaj tyre.

Ligji i Moisiut kërkonte që lebrosët t’ia tregonin veten e tyre priftërinjve pasi të shëroheshin, me qëllim që të pranoheshin sërish në shoqëri (shih Levitiku 14). Merrni parasysh të shënoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që u ndodhi lebrosëve kur shkuan për t’ia treguar veten e tyre priftit.

Nga Lluka 17:14, ne mund të mësojmë se, ne i marrim bekimet e Zotit kur bëjmë atë që Ai na ka udhëzuar të bëjmë.

Merrni parasysh se si mund të ketë qenë – si do ta kishte ndryshuar jetën tuaj – po të ishit njëri prej lebrosëve që u pastruan. Si mendoni, çfarë do të kishit bërë sapo të kuptonit se ishit pastruar nga lebra?

Lexoni Llukën 17:15–19, për të parë se si një nga lebrosët reagoi ndryshe nga të tjerët.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga lebrosi, i cili u kthye për të dhënë falënderime është se, është e rëndësishme që të shprehim mirënjohje për bekimet që ne marrim.

Përse është e rëndësishme që t’i shprehim mirënjohje Perëndisë për bekimet që ne marrim?

Si mund të jemi ndonjëherë si nëntë lebrosët?

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson, shenjoni atë që ai dha mësim se do të ndodhë, kur ne i shprehim mirënjohje Atit tonë në Qiell: “Vëllezërit e motrat e mia, a kujtohemi të japim falënderime për bekimet që marrim? Dhënia e sinqertë e falënderimeve jo vetëm që na ndihmon t’i njohim bekimet tona, por gjithashtu hap dyert e qiellit dhe na ndihmon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë” (“Dhurata Hyjnore e Mirënjohjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 87).

Ju mund të shenjoni te Lluka 17:19 atë që Shpëtimtari tha se i kishte ndodhur lebrosit, i cili i dha falënderime.

Në çfarë mënyrash, dhënia e falënderimeve ndaj Zotit për bekimet tona, mund të na ndihmojë të shërohemi?

  1. Shënoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta bekime të veçanta që keni marrë nga Ati Qiellor, për të cilat ju jeni mirënjohës. Renditni disa nga gjërat që ju mund të bëni në jetën tuaj që tregojnë mirënjohjen tuaj për këto bekime.

Lluka 17:20–37

Jezusi jep mësim lidhur me ardhjen e mbretërisë së Perëndisë

Te Lluka 17:20–37, Jezusi dha mësim rreth Ardhjes së Tij të Dytë. Ju studiuat pak nga përmbajtja e këtij fragmenti kur studiuat Mateun 24 dhe Joseph Smith—Mateun.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër