Hyrje te Juda
Përse të Studiohet Ky Libër?
Letra e Apostullit Judë përshkruan forcat e braktisjes që po vepronin në Kishën e hershme. Teksa e studioni këtë letër, ju mund të mësoni se si t’i dalloni ata njerëz që kërkojnë t’i largojnë nga besimi dishepujt e Jezu Krishtit. Ju mund arrini të ndieni gjithashtu rëndësinë e të luftuarit me zell për besimin dhe për të qëndruar të vërtetë ndaj tij.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Autori i kësaj letre e përcaktoi veten si “Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit” (Judë 1:1). Tradicionalisht autori kuptohet të jetë Juda, i cili ishte gjysmëvëllai i Jezu Krishtit (shih Mateu 13:55; Marku 6:3; Bible Dictionary [Fjalori Biblik] “Jude” [“Juda”]).
Juda dukej qartë se ishte një anëtar i Kishës me vlerësim të lartë në Jerusalem dhe ai mund të ketë udhëtuar si misionar (shih Veprat e Apostujve 1:13–14; 1 Korintasve 9:5). Nuk ka ndonjë të dhënë se çfarë detyre priftërie mbante Juda, por vetë letra sugjeron se ai kishte një pozitë të një autoriteti, çka e kualifikonte atë që të shkruante letra këshille.
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
Ne nuk e dimë se ku u shkrua Letra e Judës. Nëse autori i kësaj letre ka qenë vërtetë Juda, vëllai i Jezusit, ka gjasa që të jetë shkruar midis viteve 40 dhe 80 ps.K.
Për Kë u Shkrua Ai dhe Përse?
Letra e Judës iu drejtua të krishterëve besnikë – “të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht” (Judë 1:1). Qëllimi i shpallur prej Judës, ishte t’i nxiste lexuesit e tij të “luftoni[n me zell] për besimin” (Judë 1:3) kundër mësuesve të paperëndishëm, të cilët kishin hyrë në Kishë dhe po nxitnin sjellje të pamoralshme dhe mësime të rreme që mohonin Zotin Jezu Krisht.
Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?
Ndonëse është një nga librat më të shkurtër në Dhiatën e Re, Letra e Judës përmban informacion që nuk gjendet në ndonjë vend tjetër në Bibël. Juda shkroi rreth “engjëj[ve] që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë” (Judë 1:6; shih edhe Abraham 3:26), për kundërshtimin midis Mikaelit dhe Luciferit mbi trupin e Moisiut (Judë 1:9) dhe për një profeci të Enokut rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit (Judë 1:14–15; shih edhe Moisiu 7:65–66).
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti disa karakteristika të veçanta të letrës së Judës:
“Në të gjithë Biblën, është vetëm letra e Judës që ruan për ne konceptin se paraekzistenca ishte gjendja jonë e parë dhe se engjëj të caktuar dështuan në kalimin e provave të saj.
Është tek ai ku kthehemi për diturinë tonë të paktë rreth grindjes midis Mikaelit dhe Luciferit lidhur me trupin e Moisiut.
Vetëm ai ka të shënuar profecinë e lavdishme të Enokut rreth Ardhjes së Dytë të Birit të Njeriut” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 3:415).
Fjalët e Judës janë të ashpra kundër atyre që e kundërshtuan Perëndinë dhe shërbëtorët e Tij, dhe kundër atyre që ishin duke praktikuar adhurime pagane të pamoralshme dhe që pretendonin se nuk kishin nevojë t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë, përfshirë ligjin e dëlirësisë. Ai përshkroi disa prej karakteristikave të këtyre individëve të korruptuar.
Përmbledhje
Judë 1. Juda u bën thirrje anëtarëve të Kishës të “lufto[jnë me zell] për besimin” (Judë 1:3). Ai shpjegon se njerëzit kishin depërtuar pa u kuptuar midis shenjtorëve dhe po përhapnin doktrina të rreme dhe po nxitnin praktika të liga. Ai paralajmëron për gjykimet që u vijnë atyre, të cilët largohen nga Perëndia, dhe ai i këshillon anëtarët e Kishës që ta ndërtojnë besimin e tyre dhe ta “ru[ajnë veten] në dashurinë e Perëndisë” (Judë 1:21).