Njësia 9: Dita 1
Marku 10–16
Hyrje
Pranë fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari u largua nga Galilea dhe udhëtoi nëpërmjet Peresë, një zonë në lindje të lumit Jordan, rrugës për në Jerusalem. Ndërkohë që ishte në Perea, Ai i ftoi fëmijët e vegjël që të vinin tek Ai dhe e këshilloi të riun pasanik që t’i shiste të gjitha zotërimet e tij dhe ta ndiqte Atë. Në Jerusalem, Shpëtimtari vuri re një të ve të varfër që hodhi dy monedha të vogla në thesarin e tempullit. Më vonë, ndërkohë që ishte për darkë në Betani, Maria e vajosi Jezusin, si parapërgatitje për varrimin e Tij. Shpëtimtari vuajti në Gjetseman dhe më vonë u gjykua dhe u dënua me vdekje. Pasi vdiq në kryq dhe u ringjall, Zoti iu shfaq Apostujve të Tij dhe i porositi ata që t’ia çonin ungjillin botës.
Marku 10:1–16
Jezusi jep mësim doktrinën e martesës dhe i fton fëmijët e vegjël që të vijnë tek Ai
Mendoni për fëmijët e vegjël që ju njihni.
Çfarë cilësish apo karakteristikash admironi te fëmijët e vegjël?
Ndërsa studioni Markun 10:1–16, kërkoni një të vërtetë që na mëson përse ne duhet të bëhemi si fëmijë të vegjël.
Te Marku 10:1–12, ne lexojmë atë që Shpëtimtari u mësoi njerëzve për rëndësinë e martesës. Për më shumë informacion rreth mësimeve të Shpëtimtarit, ju mund t’i referoheni sërish materialit për Mateun 19:1–12.
Lidhur me mësimet e Jezu Krishtit mbi martesën dhe divorcin te Mateu 19:1–12 dhe Marku 10:1–12, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dha mësim:
“Mësimet e Zotit tonë rreth martesës dhe divorcit, siç janë shënuar këtu, janë të pjesshme dhe të paplota. Ato mund të kuptohen vetëm kur shqyrtohen në lidhje me ligjin e martesës çelestiale që është zbuluar prapë si i tillë në kohët e sotme. Po këto parime të përgjithshme që qeverisin martesën e përjetshme diheshin dhe kuptoheshin nga dishepujt në kohën e Jezusit dhe gjithashtu, të paktën pjesërisht, nga farisenjtë. Por tregimet e ruajtura këtu si nga Mateu edhe nga Marku për diskutimet e Mësuesit mbi martesën dhe divorcin janë kaq të ngjeshura dhe të shkurtuara saqë nuk japin një pamje të qartë të problemit. …
… Divorci nuk është pjesë e planit të ungjillit, pavarësisht se çfarë lloj martese është përfshirë në të. Por për shkak se njerëzit në praktikë jo gjithmonë jetojnë në harmoni me standardet e ungjillit, Zoti e lejon divorcin për një arsye apo një tjetër, në varësi nga qëndrueshmëria shpirtërore e njerëzve të përfshirë në të. … Në këtë kohë divorcet lejohen në përputhje me ligjet civile dhe personat e divorcuar lejohen nga Kisha të martohen përsëri pa njollën e imoralitetit, të cilët në një sistem më të lartë do t’i nënshtroheshin një linje të tillë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:546–547).
Lexoni Markun 10:13–14, duke kërkuar atë që ndodhi kur disa njerëz sollën fëmijë të vegjël për të parë Jezusin.
Lexoni Markun 10:15–16, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij kur i ftoi fëmijët e vegjël që të vinin tek Ai. Fraza “e pranon mbretërinë e Perëndisë” te vargu 15 i referohet pranimit të ungjillit dhe të bërit një anëtar i Kishës së Tij.
Bazuar në këto vargje, çfarë do të ndodhë kur ne e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël? Përgjigjjuni pyetjes duke plotësuar parimin vijues: Kur ne e pranojmë ungjillin si fëmijë të vegjël, ne do të jemi të përgatitur që të .
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Çfarë mendoni se do të thotë ta pranosh ungjillin “si një fëmijë i vogël” (Marku 10:15)?
Nëse dikush do ta pranonte ungjillin si një fëmijë i vogël, si mendoni ju se ai apo ajo do t’i lexonte shkrimet e shenjta, do të lutej dhe do të adhuronte në Kishë?
Marku 10:17–45
Shpëtimtari e këshillon të riun pasanik që t’i shesë të gjitha zotërimet e tij dhe ta ndjekë Atë; Ai i këshillon dishepujt e Tij që t’i shërbejnë njëri-tjetrit
Lexoni Markun 10:17–20, duke kërkuar atë që ndodhi pasi Jezusi i bekoi fëmijët e vegjël. Merrni parasysh të shenjoni atë që burri i kërkoi Shpëtimtarit dhe mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari.
Si do ta përshkruanit burrin që erdhi te Jezusi?
Mateu 19 përmban edhe tregimin e këtij burri që vjen te Shpëtimtari. Lexoni Mateun 19:20, për të parë mënyrën se si iu përgjigj burri këshillës së Shpëtimtarit për t’i zbatuar urdhërimet. Ju mund të doni të shenjoni pyetjen tjetër që i riu i bëri Atij.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë më mungon tjetër? Ju do t’i përgjigjeni pyetjeve vijuese lidhur me këtë pyetje më vonë gjatë mësimit.
Lexoni Markun 10:21, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Shpëtimtari ndaj të riut.
Vini në dukje frazën “Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të” në vargun 21. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë që Jezusi e donte këtë të ri përpara se Ai t’i thoshte atë që i mungonte?
Nga këto vargje ne mund të mësojmë që për shkak se Ai na do, Zoti do të na ndihmojë të dimë atë që na mungon në përpjekjet tona për ta ndjekur Atë dhe nëse e pyesim Zotin, Ai do të na mësojë atë që duhet të bëjmë për të trashëguar jetën e përjetshme.
Lexoni Markun 10:22, duke kërkuar mënyrën se si reagoi i riu kur Shpëtimtari e këshilloi të shiste gjithçka që ai kishte. Sipas vargut 22, përse ai reagoi në atë mënyrë?
Ndërkohë që neve mund të mos na kërkohet të japim pasuri të mëdha për ta ndjekur Zotin, Ai na ka kërkuar që të bëjmë sakrifica të tjera për t’i shërbyer Atij dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
Nën pyetjen “Çfarë më mungon tjetër?” përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Cilat janë disa sakrifica që Zoti ka kërkuar prej nesh, që mund të jenë të vështira për t’u bërë?
Shkruani rreth një sakrifice që Zoti ka kërkuar (ose po kërkon) nga ju, që mund të jetë e vështirë për t’u bërë.
Përsiatni plot lutje pyetjen “Çfarë më mungon tjetër?” dhe bindjuni çdo nxitjeje që ju mund të merrni lidhur me sakrificat që Zoti do të donte që ju të bëni.
Lexoni Markun 10:23–27. Vini re sqarimin që jep Përkthimi prej Joseph Smith-it, për atë që tha Shpëtimtari te vargu 27 duke lexuar Markun 10:27, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], për të parë atë që dha mësim Jezusi rreth lënies së gjithçkaje për hir të Tij.
Përse është kaq e vështirë për ata që mirëbesojnë te pasuritë apo gjërat e tjera të botës, që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë? Çfarë mendoni se do të thotë që të gjitha gjërat janë të mundura për ata që i mirëbesojnë Perëndisë?
Lexoni Markun 10:28–31, duke kërkuar atë që Jezusi u premtoi atyre që janë të gatshëm të japin gjithçka për ta ndjekur Atë. Vini re sqarimin që jep Përkthimi prej Joseph Smith-it, për atë që tha Shpëtimtari te vargu 31 duke lexuar Markun 10:31, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht].
Nga këto vargje ne mësojmë parimin vijues: Për të marrë jetën e përjetshme, ne duhet të jemi të gatshëm të japim çfarëdo gjëje që Zoti kërkon prej nesh.
Përse për jetën e përjetshme ia vlen të bëjmë çdo sakrificë që na kërkohet?
Te Marku 10:35–45, ne mësojmë se Jakobi dhe Gjoni e pyetën Jezusin nëse mund të uleshin në vendet e nderit në anën e djathtë e të majtë të Jezusit në mbretërinë e përjetshme. Shpëtimtari më pas u mësoi të Dymbëdhjetë Apostujve se ata nuk duhet të jenë si udhëheqësit johebrenj, të cilët ushtronin autoritet mbi të tjerët. Ata që janë më të mëdhenjtë në mbretërinë e Perëndisë, janë shërbëtorët e të gjithëve.
Marku 11–13
Shpëtimtari jep mësim në tempull dhe vë re një të ve që hedh dy monedha të vogla në thesarin e tempullit
Në secilin prej skenarëve vijues, dy njerëz i japin oferta Zotit. Mendoni se cilat janë ndryshimet midis ofertave në secilin skenar.
Një grua i dha peshkopit të saj një shumë tepër të madhe parash si ofertë agjërimi. Një grua tjetër që jeton në të njëjtën lagje, i dha një sasi shumë të vogël peshkopit të saj si ofertë agjërimi.
Një burrë shërben si president kunji. Një burrë tjetër në të njëjtin kunj shërben si mësues i Fillores.
Çfarë ndjenjash mund të ketë një person nëse oferta e tij apo e saj për Zotin duket e vogël kur krahasohet me ofertat e të tjerëve?
Ndërsa studioni Markun 11–13, kërkoni të vërteta që do t’ju ndihmojnë të dini mënyrën se si i shikon Zoti ofertat tuaja për Të.
Te Marku 11:1–12:40, ne mësojmë se ndërsa Shpëtimtari po i afrohej fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai hyri me ngjadhnjim në Jerusalem, i përzuri këmbyesit e parave nga tempulli dhe u dha mësim njerëzve atje.
Ndërsa ishte në tempull, Jezusi pa individë që sillnin para në arkën e thesarit të tempullit si një ofertë për Perëndinë. Lexoni Markun 12:41–44, duke kërkuar atë që Shpëtimtari pa te arka e thesarit.
Çfarë tha Shpëtimtari rreth ofertës të së vesë kur e krahasoi me ofertat e të tjerëve?
Mendoni për monedhën me vlerën më të vogël që është në qarkullim në vendin tuaj. Një monedhë e vogël ishte “qindarka më e vogël e bronzit e përdorur nga judenjtë” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Money” [“Para”]).
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse Shpëtimtari e konsideroi ofertën e së vesë të ishte më e madhe se ofertat e tjera?
Bazuar në atë që tha Zoti për të venë, ne mund të mësojmë parimin vijues: Nëse jemi të gatshëm t’i japim Zotit gjithçka që ne kemi, Ai do ta pranojë ofertën tonë, edhe nëse ajo duket e vogël në krahasim me atë të të tjerëve.
Kërkon besim që ne t’i japim Zotit gjithçka që kemi. Ky parim i sakrificës është dhënë mësim në Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin]: “Le të shohim këtu se, një fe që nuk kërkon sakrificën e të gjitha gjërave nuk ka kurrë fuqi të mjaftueshme për të prodhuar besimin e mjaftueshëm për jetën e për shpëtimin” (Lectures on Faith [1985], f. 69).
Te Marku 13 ne mësojmë se Shpëtimtari u dha mësim Apostujve të Tij rreth Ardhjes së Dytë. Ju studiuat për këtë te Joseph Smith—Mateu (shih mësimin për Njësinë 6: Dita 2).
Marku 14:1–9
Maria vajos Shpëtimtarin
Pasi Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij rreth shenjave të Ardhjes së Tij të Dytë, Ai u largua nga Jerusalemi dhe shkoi në Betani, në shtëpinë e një burri të quajtur Simon, i cili më parë kishte vuajtur nga lebra. Gjatë javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit, Ai bëri shumë herë vajtje-ardhje nga Betania për në Jerusalem.
Lexoni Markun 14:3 dhe Gjonin 12:3, duke kërkuar atë vepër besimi dhe dashurie që bëri Maria për Jezusin.
Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Të vajosje kokën e një miku me vaj të zakonshëm do të thoshte ta nderoje atë; t’i vajosje edhe këmbët do të thoshte të tregoje një nderim të pazakontë dhe të veçantë [të rëndësishëm]; por t’i vajosje kokën dhe këmbët me nard dhe me një bollëk të tillë, ishte një akt blatimi nderues, që rrallë u jepej edhe mbretërve. Veprimi i Maries ishte një shprehje adhurimi; ajo ishte derdhja erëmirë e një zemre që gufonte nga adhurimi dhe dashuria” (Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 512).
Hidhini një sy të shpejtë Markut 14:4–9, për të parë mënyrën se si reaguan disa njerëz në darkë nga ajo që bëri Maria.
Si reagoi Shpëtimtari ndaj atyre që ishin kritikues për Marien?
Fraza “ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje” në vargun 6, tregon se Shpëtimtari ishte i kënaqur me atë që Maria kishte bërë. Fraza “ajo bëri atë që mundi” në vargun 8, nënkupton se ajo i kishte dhënë Zotit më të mirën e saj.
Nga këto vargje ne mësojmë se Shpëtimtari kënaqet kur ne i japim Atij përpjekjet tona më të mira.
Merreni parasysh këtë parim dhe parimin e mëparshëm që ne përcaktuam nga historia e monedhave të së vesë dhe plotësoni detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Shpjegoni se si të besuarit e këtyre të vërtetave mund t’i ndihmojë ata që ndjejnë se nuk kanë shumë për t’i dhënë Zotit.
Përshkruani një rast kur ju e patë dikë që t’i japë Zotit më të mirën e tij apo të saj.
Mendoni nëse aktualisht ju jeni duke i dhënë Zotit më të mirën tuaj. Përzgjidhni një aspekt të jetës suaj, në të cilën ju mund të përmirësoheni dhe vendosni një synim që do t’ju ndihmojë t’i jepni Zotit më të mirën tuaj.
Marku 14:10–16:20
Jezusi e fillon Shlyerjen e Tij ndërsa vuan në Gjetseman; Ai tradhtohet nga Judë Iskarioti dhe sillet përpara udhëheqësve judenj
Te Marku 14:10–16:20, ne mësojmë se Jezusi dhe Apostujt kremtuan Pashkën dhe Jezusi paraqiti simbolet e sakramentit. Më pas ata shkuan në kopshtin e Gjetsemanit, ku Jezusi vuajti për mëkatet tona. Më pas ai u tradhtua nga Judë Iskarioti, u gjykua në mënyrë të paligjshme nga sinedri dhe u dënua me vdekje. Pasi Shpëtimtari vdiq në kryq dhe u ringjall, Ai iu shfaq Apostujve të Tij dhe i porositi ata që t’ia çonin ungjillin botës, duke u premtuar atyre se shenja do t’i ndiqnin ata që besojnë. (Ju e studiuat këtë material në mësimet për Mateun 26–28.)
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Markun 10–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: