Biblioteka
Njësia 28, Dita 3: Hebrenjve 11


Njësia 28: Dita 3

Hebrenjve 11

Hyrje

Apostulli Pal i dha mësim anëtarëve të Kishës rreth besimit dhe rëndësisë së ushtrimit të besimit në Jezu Krisht. Ai citoi shembuj të burrave dhe grave të drejta nga Dhiata e Vjetër që ushtruan besim në Krishtin, dhe si rrjedhojë, kryen mrekulli, duruan vështirësi dhe morën bekime të mëdha.

Hebrenjve 11:1–6

Pali u mëson anëtarëve të Kishës rëndësinë e ushtrimit të besimit në Jezu Krisht

Lexojeni rrëfimin vijues dhe vini re atë që bëri e reja për të ushtruar besim:

Një e re nga Filipinet shpjegoi se një verë babai i saj duhej të largohej për të punuar. Kur merrte pagën, ai e dërgonte atë në shtëpi te familja e tij. Një të shtunë, familja i kishte përdorur të gjitha paratë përveç dy kartëmonedhave me vlerë 20 pesos secila. Kur e reja e pa listën e artikujve që i nevojiteshin familjes, ajo e dinte se nuk do të kishte mjaft para për t’i blerë të gjithë artikujt dhe të paguante biletat e transportit për ta çuar familjen e saj në kishë ditën e nesërme. Ajo e pyeti të ëmën se çfarë duhet të bënte. E ëma i tha që t’i blinte artikujt dhe se Perëndia do ta krijonte mundësinë për [blerjen] e biletave.

E reja u lut që të mund t’i blinte artikujt në listë dhe ende të kishte mjaft para që të paguante transportin për në kishë ditën e nesërme. Së pari, ajo duhej të blinte qymyr druri që familja e saj të kishte lëndë djegëse për të gatuar. Ajo u trondit kur mësoi se çmimi i një qeseje me qymyr druri ishte dyfishuar nga 5 pesos në 10 pesos. Duke e ditur se familjes së saj i nevojitej lënda djegëse për të gatuar ushqimin, ajo bleu dy qese me qymyr druri për një shumë prej 20 pesos. Kjo e re u lut edhe me më shumë zjarr që familja e saj ende të mund të shkonte në kishë. Ndërkohë që lutej, diçka i pëshpëriti asaj: “Vazhdo dhe bleji gjërat që të nevojiten. Gjithçka është në rregull”. Kështu që ajo vazhdoi udhës për te pazari me vetëm 20 pesos të mbetura (përshtatur nga videoja “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”], LDS.org).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyra ushtroi besim në Jezu Krishtin kjo e re?

Lexojeni Hebrenjve 11:1, duke kërkuar atë që dha mësim Apostulli Pal rreth besimit. Lexojeni edhe Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 11:1 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ).

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përdori Hebrenjve 11:1 si dhe burime të tjera për të shpjeguar tre elementet bazë të besimit:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Apostulli Pal e përkufizoi besimin si ‘siguria e gjërave që shpresohen [dhe] tregim i gjërave që nuk shihen’ (Hebrenjve 11:1). Alma shpalli se besimi nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave; përkundrazi, në qoftë se kemi besim, ne ‘shpreso[jmë] për gjëra që nuk shihen, [por] të cilat janë të vërteta’ (Alma 32:21). Për më tepër, te Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin] ne mësojmë se besimi është ‘parimi i parë në fenë e zbuluar, dhe themeli i gjithë drejtësisë’ dhe se është gjithashtu ‘parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente’ [Lectures on Faith (1985), f. 1].

Këto mësime theksojnë tre elemente bazë të besimit: 1) besimi si siguria e gjërave që shpresohen, të cilat janë të vërteta, 2) besimi si tregimi [/prova] i gjërave që nuk shihen dhe 3) besimi si parimi i veprimit në të gjitha qeniet inteligjente. I përshkruaj këta tre përbërës të besimit në Shpëtimtarin si [elemente] që njëherësh përballen me të ardhmen, vështrojnë nga e shkuara dhe fillojnë veprimin në të tashmen.

Besimi, si siguria e gjërave që shpresohen, vështron nga e ardhmja. …

Besimi në Krisht është pazgjidhshmërisht i lidhur me shpresën në Krisht dhe çon në shëlbimin dhe ekzaltimin tonë. Dhe siguria e shpresa bëjnë të mundur që të ecim në skaj të dritës dhe pastaj të bëjmë pak hapa në errësirë – duke pritur dhe mirëbesuar se drita do të shfaqet dhe do ta ndriçojë udhën [shih Boyd K. Packer, ‘The Candle of the Lord’, Ensign, janar 1983, f. 54]. Ndërthurja e sigurisë dhe e shpresës nxit veprimin në të tashmen.

Besimi, si tregimi [/prova] i gjërave që nuk shihen, vështron nga e shkuara dhe pohon mirëbesimin tonë në Perëndi dhe besimin tonë në vërtetësinë e gjërave që nuk shihen. Ne u futëm në errësirë me siguri e shpresë, dhe morëm një provë e pohim kur drita në fakt u shfaq dhe na dha ndriçimin që na nevojitej. Dëshmia që ne morëm pas sprovës së besimit tonë (shih Ethëri 12:6) është një provë që e shton dhe e forcon sigurinë tonë.

Siguria, veprimi dhe prova ndikojnë te njëra-tjetra në një proces të vazhdueshëm” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 61–63).

  1. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani një shpjegim të shkurtër të asaj që do të thotë të kesh besim në Jezu Krisht.

    2. Plotësojeni përkufizimin vijues të besimit, siç jepet nga Apostulli Pal në Përkthimin prej Joseph Smith-it të Hebrenjve 11:1: Besimi është siguria e … , prova e … (Merreni parasysh ta shenjoni apo shënoni këtë të vërtetë te Hebrenjve 11:1.)

Mendoni për një rast kur juve iu kërkua të bënit diçka për të cilën ju u ndiet në ankth për ta bërë ose që dukej përtej asaj që mund të bënit. Ndoshta vetëbesimi juaj u forcua kur kujtuat diçka që e kishit bërë apo përjetuar në të shkuarën. Ajo përvojë e mëparshme ju dha një provë që mund t’ju ketë ndihmuar të përballeni me sfidën e re, me sigurinë se mund t’ia dilnit mbanë. Në çështje shpirtërore, prova e ndihmës së Perëndisë në të shkuarën na jep siguri kur ne përballemi me të ardhmen, dhe na ndihmon që të veprojmë me besim në të tashmen. Ashtu siç dha mësim Plaku Bednar, siguria, prova dhe veprimi – tre elemente të besimit – funksionojnë së bashku kur përballemi me të ardhmen, vështrojmë nga e shkuara dhe ndërmarrim një veprim në të tashmen.

  1. Përgjigjjuni [pyetjeve] vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si ndryshon ushtrimi i besimit në Jezu Krisht nga thjesht të besuarit në Të?

    2. Si i ilustron rrëfimi i të resë nga Filipinet tre elementet e besimit që përshkroi Plaku Bednar?

    3. Përshkruani një rast kur ju ushtruat besim te Zoti.

Lexojeni Hebrenjve 11:2–5, duke kërkuar shembujt që përdori Pali për të ilustruar atë që mund të ndodhë kur njerëzit ushtrojnë besim në Jezu Krishtin. Fraza “të moçmit morën dëshmimin” në vargun 2, do të thotë se pleqtë morën një dëshmi apo pohim.

Lexojeni Hebrenjve 11:6, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth besimit.

Një parim që mësojmë prej Hebrenjve 11:6 është se që t’i pëlqejmë Perëndisë, ne duhet ta ushtrojmë besimin tonë duke ardhur tek Ai, duke besuar në Të dhe duke besuar se Ai i shpërblen ata që e kërkojnë Atë me zell. Merreni parasysh ta shenjoni apo shënoni këtë të vërtetë në vargun 6.

Lexojeni përfundimin e rrëfimit të së resë nga Filipinet, duke kërkuar atë që ndodhi për shkak se ajo ushtroi besim në Jezu Krishtin:

Ndërkohë që e reja shkoi të paguante për artikujt e tjerë që i nevojiteshin familjes së saj, ajo futi dorën në xhep dhe preku një shuk të madh letrash. Kur e hapi, ajo gjeti pesë kartëmonedha shtesë me vlerë 20 pesos secila, të mbështjella me kartëmonedhën e saj 20 pesos që i kishte mbetur. Në atë çast ajo e kuptoi se kishte mjaftueshëm për të blerë gjërat që i nevojiteshin familjes së saj dhe të paguante biletat e transportit që familja e saj të shkonte në kishë. Kjo e re shpjegoi se gjatë kësaj përvoje, ajo ndjeu ndihmën e Perëndisë dhe dashurinë e Perëndisë për të. Kur arriti në shtëpi, ajo e falënderoi Atin Qiellor për mrekullinë (përshtatur nga videoja “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”], LDS.org). Ne mund të kemi besim se Zoti u përgjigjet lutjeve në mënyrën e Tij dhe në kohën e Tij.

Nëse keni mundësi hyrjeje në internet, ju mund të doni të shikoni videon “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”] (5:22), që gjendet në LDS.org.

Çfarë prove mori kjo e re nga ushtrimi i besimit në Jezu Krisht?

Si mund ta ndihmojë kjo përvojë të renë që të ushtrojë besim në të ardhmen?

Kur ne shohim te provat e kaluara se Perëndia na ka ndihmuar, ne mund të sigurohemi se Ai do të na ndihmojë sërish në të ardhmen. Për shkak të kësaj prove dhe sigurie, ne mund të kemi besim që të ndërmarrim veprime në të tashmen. Nëse vazhdojmë të veprojmë me besim, atëherë ky proces do të vazhdojë dhe besimi ynë do të bëhet më i fortë.

Merrni në shqyrtim se çfarë veprimesh besnike duhet të ndërmerrni në jetën tuaj. A besoni se Perëndia do t’ju ndihmojë ndërsa veproni? Ju mund të doni të shkruani një synim për të vepruar sipas një mbrese që mund të keni pasur gjatë këtij mësimi. Ndërsa e përmbushni synimin tuaj, ju do të merrni një provë të dashurisë së Perëndisë për ju.

Hebrenjve 11:7–40

Pali jep shembuj të njerëzve të drejtë nga Dhiata e Vjetër të cilët ushtruan besim

Cilat janë disa nga situatat me të cilat përballeni tani ose do të përballeni në të ardhmen që ju kërkojnë të ushtroni besim në Jezu Krishtin?

Ndërsa e studioni Hebrenjve 11:7–40, kërkoni bekimet e ushtrimit të besimit në Jezu Krisht.

Apostulli Pal dha shembuj të njerëzve të drejtë nga koha e Dhiatës së Vjetër të cilët ushtruan besim. Kjo kishte për qëllim që t’i siguronte lexuesit e tij se edhe ata do të bekoheshin nga ushtrimi i besimit. Hidhini një sy Hebrenjve 11, duke kërkuar frazat “me anë të besimit” dhe “me anë të fesë”. Merreni parasysh t’i shenjoni apo shënoni këto fraza në shkrimet tuaja të shenjta.

Lexojeni Hebrenjve 11:7, duke kërkuar mënyrën se si Noeu ushtroi besim në Perëndi. Çfarë bekimesh mori Noeu për shkak se veproi me besim?

  1. Lexoni rreth shembujve të besimit në tri ose më shumë nga fragmentet e përfshira në tabelën shoqëruese. Ndërsa i lexoni ato, kërkoni mënyrën se si ushtruan besim individët dhe çfarë bekimesh morën. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, vizatoni tabelën me fragmentet që zgjodhët dhe përfshini mendimet tuaja për ata individë për të cilët lexuat. Përfshini edhe një listë me bekime të ngjashme që ju shpresoni t’i merrni nëpërmjet ushtrimit të besimit te Shpëtimtari.

Referenca e Shkrimit të Shenjtë

Individë që Ushtruan Besim

Mendime

Bekime që Shpresoj t’i Marr

Hebrenjve 11:8–10

Abrahami

Hebrenjve 11:11–12

Sara (Saraj, gruaja e Abrahamit)

Hebrenjve 11:17–19

Abrahami, Isaku

Hebrenjve 11:20–21

Isaku, Jakobi

Hebrenjve 11:23–28

Moisiu

Hebrenjve 11:29–31

Israelitët, Rahabi (shih Jozueu 2:1–22)

Lexojeni Hebrenjve 11:13–16, duke kërkuar atë që mund të mësojmë nga shembulli i Abrahamit, Sarës dhe të tjerëve rreth ushtrimit të besimit. Fraza “një atdhe më të mirë” në vargun 16, i referohet jetës së përjetshme.

Shumë prej premtimeve që iu dhanë Abrahamit dhe Sarës nuk u përmbushën ndërkohë që ata ishin gjallë. Si mendoni ju, përse ata qëndruan besnikë edhe pse nuk i morën të gjitha premtimet e Perëndisë në këtë jetë? Si mund të na ndihmojë shembulli i tyre për të qëndruar besnikë?

Lexojeni Hebrenjve 11:32–35, duke kërkuar bekimet shtesë që u erdhën atyre të cilët ushtruan besim në Jezu Krishtin. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

Lexojeni Hebrenjve 11:36–40, duke kërkuar atë që u ndodhi shumë individëve edhe pse ata ishin besnikë.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Hebrenjve 11:40 thotë: “Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ta nëpërmjet vuajtjeve të tyre, pasi pa vuajtje ata nuk do të mund të bëheshin të përsosur” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Hebrenjve 11:40 [te Hebrenjve 11:40, poshtëshënimi a, në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Vini re bekimin që u është premtuar të gjithë atyre që ushtrojnë besim në Krishtin.

Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga shembulli i këtyre njerëzve besnikë është që kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund ta durojmë vuajtjen, të kryejmë mrekulli, të marrim premtime hyjnore, ta forcojmë dëshminë tonë për Të dhe të ecim drejt përsosjes.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth dikujt që ju e njihni, i cili është një shembull i ushtrimit të besimit në Jezu Krisht. Çfarë bekimesh keni parë të vijnë në jetën e atij personi ngaqë ai ose ajo ushtroi besim?

Mendoni sërish rreth situatave që ju kërkojnë të ushtroni besim në Jezu Krishtin. Kërkoni mundësi për t’i mirëbesuar premtimeve të Tij dhe veproni me besnikëri në një mënyrë që do të ftojë udhëheqjen dhe bekimet e Tij.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Hebrenjve 11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër