Biblioteka
Njësia 27, Dita 3: Filemonit


Njësia 27: Dita 3

Filemonit

Hyrje

Në këtë letër Apostulli Pal e përgëzoi Filemonin për besimin e tij dhe dashurinë e tij për Shpëtimtarin dhe bashkanëtarët e Kishës. Ai e këshilloi Filemonin ta pranonte sërish skllavin e tij të arratisur, Onesimin, si vëlla në ungjill.

Filemonit

Pali e këshillon Filemonin ta pranonte sërish skllavin e tij të arratisur, Onesimin, si vëlla në ungjill

  1. Si anëtarë të Kishës, ne shpesh ndeshemi me njerëz të ri. Përfytyroni sikur një person i ri i bashkohet lagjes ose degës suaj. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth sfidave shoqërore që mund të përjetojë dikush kur bashkohet me Kishën ose shpërngulet në një lagje apo degë të re. Nëse jeni bashkuar me Kishën apo jeni shpërngulur në një lagje apo degë të re vitet e fundit, përshkruajeni çfarëdo sfide shoqërore që përjetuat.

Mendoni për pyetjet vijuese: Si i trajtoni anëtarët e rinj të lagjes apo degës suaj? Si i trajtoni anëtarët e Kishës që sillen ndryshe, kanë interesa të ndryshme apo i përkasin një grupi shoqëror të ndryshëm nga i juaji?

Ndërsa e studioni letrën e Apostullit Pal drejtuar Filemonit, kërkoni një të vërtetë që mund t’ju udhërrëfejë në ndërveprimet tuaja me bashkanëtarët e Kishës.

Gjatë burgimit të tij të parë në Romë, ndërsa ishte në arrest shtëpie, Pali i shkroi Filemonit, i cili me gjasë ishte një i kthyer grek në besim në Kishë. Siç shënohet te Filemonit 1:1–3, Pali e filloi letrën e tij duke përshëndetur Filemonin dhe të tjerët, përfshirë bashkësinë që mblidhej në shtëpinë e Filemonit.

Lexojeni Filemonit 1:4–7, duke kërkuar arsyen përse Pali e lavdëroi Filemonin. Në këtë kontekst fjala bashkësi i referohet pjesëmarrjes dhe anëtarësisë (shih Filemonit 1:6, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]) dhe fraza “të bëhet e frytshme” do të thotë të bëhet vepruese ose të ketë ndikim (shih Filemonit 1:6, poshtëshënimi b, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Mund t’ju ndihmojë të kuptoni se kur Pali tha se “zemrat e shenjtorëve [ishin] përtërirë” (Filemonit 1:7), ai nënkuptonte se zemrat e tyre ishin ngazëllyer nga Filemoni.

Qëllimi kryesor i Palit që i shkroi Filemonit ishte që të trajtonte një situatë që lidhej me Filemonin dhe shërbëtorin e tij, ose skllavin, të quajtur Onesim. Onesimi ishte arratisur dhe mund të ketë vjedhur diçka nga Filemoni (shih Filemonit 1:18). Skllavëria nuk shihej si diçka e keqe në kulturën e krishterë judease në Dhiatën e Re dhe përkrahej nga ligji romak. Ndëshkimet për arratisjen e skllevërve përfshinin rrahjen e ashpër, damkosjen në ballë ose edhe vdekjen. Pasi ishte arratisur, Onesimi ishte ndeshur me Apostullin Pal.

Lexojeni Filemonit 1:8–12, duke vërejtur se për çfarë iu lut ose i kërkoi Pali Filemonit që të bënte. Vini në dukje se në vargun 8, fjala urdhëroj do të thotë komandoj dhe fraza duhet të bësh do të thotë [diçka] e duhur ose e përshtatshme.

Nëse do të kishit qenë në pozitën e Filemonit, çfarë mund të kishit menduar ose ndier kur të merrnit kërkesën e Palit?

Vëreni frazën “që më lindi në prangat e mia” (Filemonit 1:10). Një kuptim i foljes lind është t’i japësh jetë dikujt. Ndërkohë që Pali ishte në burg, ai e kishte ndihmuar Onesimin të niste një jetë të re si pasues i Jezu Krishtit.

Siç shënohet te Filemonit 1:13–14, Pali donte ta kishte Onesimin me vete, në mënyrë që Onesimi të mund ta ndihmonte atë, por Pali nuk donte ta bënte këtë pa pëlqimin e Filemonit.

Lexojeni Filemonit 1:15–16, duke kërkuar se në ç’mënyrë e nxiti Pali Filemonin që ta shihte marrëdhënien e tij me Onesimin, të kthyerin e ri në besim. Merrni parasysh ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni.

Përse mund të ketë qenë e vështirë për Filemonin që ta shihte Onesimin si një “vëlla të dashur” (Filemonit 1:16)?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga vargu 16, është se ne jemi vëllezër e motra në ungjill.

Ne jemi të gjithë fëmijë shpirtëror të Atit Qiellor (shih Hebrenjve 12:9) dhe si rrjedhojë të gjithë janë vëllezër e motra. Përveç kësaj, nëpërmjet ordinancave të pagëzimit dhe konfirmimit, ushtrimit të vazhdueshëm të besimit në Jezu Krisht dhe pendimit të pareshtur, ne rilindemi shpirtërisht. Në këtë mënyrë ne bëhemi bij dhe bija të Jezu Krishtit (shih Mosia 5:7) dhe, si rrjedhim, vëllezër dhe motra në familjen e Tij të besëlidhjes. Pavarësisht nga gjinia, kultura, mosha, formimi arsimor apo gjendja jonë shoqërore, ne bëhemi të barabartë në mbretërinë e Perëndisë.

Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball, kërkoni mënyrat në të cilat e vërteta se ne jemi vëllezër dhe motra në ungjill mund të ndikojë në mënyrën se si ne e trajtojmë njëri-tjetrin, veçanërisht anëtarët e rinj të Kishës:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Unë jam ndier gjithnjë i ngritur moralisht kur kam lexuar letrën e shkurtër të Palit drejtuar Filemonit; ajo na mëson një parim dhe një frymë lidhur me vëllazërinë në ungjill. …

Është një frymëzim dhe gëzim të shohësh po këtë frymë në punë në mbarë Kishën, t’i shohësh anëtarët të përqafohen e të ndihmojnë dhe t’i përkrahin e të luten për ata që hyjnë përditë në mbretërinë e Zotit tonë. Vazhdoni ta ndihmoni njëri-tjetrin – dhe shumë të tjerë që do të hyjnë në Kishë. Mirëpritini ata e duajini dhe shoqërojini ata.

Trishtueshëm, ka pasur ngjarje të rastësishme ku disa midis nesh nuk kanë vepruar kështu, tregime të disave që i kanë refuzuar ata që Zoti i ka pranuar me anë të pagëzimit. Nëse Zoti ‘as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër’ (Hebrenjve 2:11), si rrjedhim, le … t’i kapim vëllezërit dhe motrat tona për dore e t’i ngremë ata moralisht brenda rrethit tonë të kujdesjes dhe dashurisë” (“Always a Convert Church: Some Lessons to Learn and Apply This Year”, Ensign, shtator 1975, f. 4).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të kuptojmë se jemi vëllezër dhe motra në ungjill?

    2. Kur keni parë ndokënd t’i trajtojë të tjerët si vëllezër dhe motra në ungjill? Ç’rezultat i mirë erdhi nga një dashamirësi e dashuri e tillë?

  2. Shkruajini një letër dikujt në lagjen ose degën tuaj, i/e cili/a mund të ketë nevojë të ndihet i dashur dhe i pranuar. Ju mund t’i bëni komplimente personit për dhuntitë dhe kontributin e tij apo të saj dhe t’i shprehni interesimin tuaj si një vëlla apo motër në ungjill. Pasi ta shkruani letrën, shënojeni një përmbledhje të saj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Për t’u përgatitur që të përcaktoni një të vërtetë shtesë të ilustruar në letrën e Palit drejtuar Filemonit, mendoni për një rast kur dikush ju ka ofenduar apo ka gabuar kundrejt jush.

Lexojeni Filemonit 1:17, duke kërkuar atë që Pali e këshilloi Filemonin të bënte për Onesimin, skllavin e arratisur të Filemonit.

Pali po i kërkonte Filemonit ta mirëpriste Onesimin sërish në shtëpinë e tij, pa sjellë mbi të ndëshkimet e rënda që merrnin zakonisht skllevërit e arratisur. Siç ilustrohet nga udhëzimet e Palit drejtuar Filemonit, ne mësojmë se dishepujt e Jezu Krishtit u japin mëshirë dhe falje të tjerëve.

Përse mund të jetë e vështirë nganjëherë t’u japësh mëshirë dhe falje të tjerëve?

Vini në dukje se mëshira dhe falja që u jepet atyre që kanë vepruar padrejtësisht kundrejt nesh, nuk do të thotë medoemos t’i lejojmë ata t’i shmangin pasojat e veprimeve të tyre, as nuk do të thotë që të na kthehet menjëherë mirëbesimi ynë tek ata. Përkundrazi, do të thotë se ne tregojmë dhembshuri kundrejt të tjerëve dhe e lëmë të kalojë çdo fyerje, zemëratë apo lëndim që mund të jemi duke mbledhur. Në kohën e duhur, ne mund t’u lejojmë edhe atyre që kanë vepruar padrejtësisht ndaj nesh ta rifitojnë mirëbesimin tonë.

Lexojeni Filemonit 1:18–21, duke kërkuar atë që Pali ofroi të bënte në emër të Onesimit.

Sikurse Pali ndërhyri në emër të Onesimit, Jezu Krishti do të ndërhyjë në emrin tonë dhe do të përgjërohet për kauzën tonë përpara Atit Qiellor (shih DeB 45:3–5). Jezu Krishti e pagoi gjithashtu borxhin shpirtëror që i detyrohemi për mëkatet tona.

Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë të kujtuarit se ç’ka bërë Jezu Krishti në emrin tonë, për t’i dhënë mëshirë dhe falje të tjerëve?

  1. Përgjigjjuni njërës ose më shumë prej grupeve vijuese të pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta (sigurohuni të mos shkruani ndonjë gjë tepër personale apo vetjake):

    1. Kur iu është dashur juve, sikurse Filemonit, t’i jepni mëshirë dhe falje dikujt tjetër? Si ia dolët që t’i jepnit mëshirë dhe falje këtij personi? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë?

    2. Kur iu është dashur juve, sikurse Onesimit, të shpresonit se do të merrnit mëshirë dhe falje nga një person tjetër? Si e kërkuat mëshirën dhe faljen e këtij personi? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë?

    3. Kur keni shërbyer ju, sikurse Pali, si ndërmjetës midis dikujt që po kërkonte falje dhe personit që duhej ta jepte faljen dhe mëshirën? Si arritët ta ndihmonit keqbërësin të merrte falje dhe personin e lënduar ta falte keqbërësin?

Merrni parasysh se çfarë mund të bëni për t’i dhënë mëshirë dhe falje të tjerëve. Teksa përpiqeni të përfshini, pranoni dhe t’u jepni faljen të tjerëve, Zoti do t’ju bekojë gjatë përpjekjeve tuaja.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Filemonit dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër