Biblioteka
Njësia 11, Dita 1: Lluka 10:38–12:59


Njësia 11: Dita 1

Lluka 10:38–12:59

Hyrje

Shpëtimtari i dha mësim Maries dhe Martës në shtëpinë e Martës. Më vonë, Ai u mësoi dishepujve të Tij shumë të vërteta rreth lutjes dhe i paralajmëroi kundër hipokrizisë e lakmisë.

Lluka 10:38–42

Jezusi i jep mësim Maries dhe Martës

Pamja
Jezusi me Marien dhe Martën
  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, brenda një minute, renditni sa më shumë të mundeni nga zgjedhjet që bëtë dje. Sapo të mbaroni, hidhini një sy të gjithë listës dhe shenjoni disa nga zgjedhjet e mira që bëtë. Cilat janë disa situata në të cilat neve mund të na duhet të vendosim midis dy zgjedhjeve të mira?

Ndërsa ju studioni Llukën 10:38–42, kërkoni një parim që u dha mësim nga Shpëtimtari, që mund t’ju udhëheqë në vendimet tuaja – veçanërisht kur duhet të vendosni midis disa zgjedhjeve të mira.

Ndërsa ishte në Jude, Jezusi udhëtoi për në Betania, në një largësi të vogël nga Jerusalemi dhe vizitoi shtëpinë e Martës, Maries dhe Llazarit.

Lexoni Llukën 10:38–40, duke kërkuar atë që Marta dhe Maria, veçan, zgjodhën të bënin ndërkohë që Shpëtimtari ishte në shtëpi.

Në kohën e Jezusit, mikpritja ishte shumë e rëndësishme. Marta po përpiqej të bënte atë që normalisht pritej prej saj të bënte si e zonja e shtëpisë. Ajo qe përqendruar te shqetësimet tokësore, të tilla si përgatitja dhe shërbimi i vaktit.

Vëreni te Lluka 10:40 se Marta u ndie “krejt e zënë” ose e ngarkuar, dhe donte që Maria ta ndihmonte atë.

Lexoni Llukën 10:41–42, për të parë përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj Martës.

Çfarë mund të ketë nënkuptuar Shpëtimtari kur tha: “Një gjë është e nevojshme dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë” (Lluka 10:42)?

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Ishte e lavdërueshme që Marta po ‘shqetësohe[j] dhe kujdese[j] për shumë gjëra’ [Lluka 10:41], por mësimi i ungjillit nga Mësuesi Mjeshtër ishte më i ‘nevojsh[ëm]’” (“Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104).

Kur Shpëtimtari tha se “pjes[a] më [e] mirë”, që Maria kishte zgjedhur “nuk do t’i hiqe[j asaj]” (Lluka 10:42), Ai mund të ketë lënë të kuptohej se duke zgjedhur që t’i vinte veshin Shpëtimtarit në vend që të përqendrohej te shqetësimet e përkohshme ose tokësore, Maria do të merrte bekime shpirtërore, të cilat janë të përjetshme.

Një parim që ne mund të mësojmë nga fjalët e Shpëtimtarit për Martën është që, nëse zgjedhim t’ia përkushtojmë veten tonë çështjeve shpirtërore përkundrejt shqetësimeve tokësore, atëherë ne do të marrim bekime të përjetshme.

Në hapësirën e dhënë, shkruani disa shembuj të situatave ku një person mund të zgjedhë t’ia përkushtojë veten e tij apo të saj çështjeve shpirtërore përkundrejt çështjeve, shqetësimeve apo veprimtarive të tjera që janë të mira, por më pak të rëndësishme:

Plaku Ouks gjithashtu na mësoi:

“Teksa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, ne duhet të kujtojmë se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. …

Merrni parasysh mënyrën se si e përdorim kohën tonë në zgjedhjet që bëjmë për të parë televizor, për të luajtur me lojëra kompjuterike, për të lundruar në internet apo për të lexuar libra ose revista. Sigurisht që është më mirë të shohësh zbavitje të dobishme apo të marrësh informacione interesante. Por jo çdo gjë e këtij lloji e meriton atë pjesë të jetës sonë që ne japim për ta marrë atë. Disa gjëra janë të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. Kur Zoti na tha që të kërkojmë të mësojmë, Ai tha: ‘Kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë’ (DeB 88:118; theksimi i shtuar). …

Disa përdorime të kohës individuale dhe familjare janë më të mira dhe të tjera janë më të mirat. Ne duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat, sepse ato zhvillojnë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe i forcojnë familjet tona” (“Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, f. 105).

  1. Rishikoni listën e zgjedhjeve që shkruat në detyrën e parë dhe emërtojeni çdo zgjedhje pozitive si “mirë”, “më mirë” ose “më e mira”. Më pas plotësoni sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani për një mënyrë se si jeni bekuar ngaqë i vendosët çështjet shpirtërore para shqetësimeve tokësore.

    2. Zgjidhni të paktën një çështje shpirtërore tek e cila ju doni të përqendroheni më shumë dhe shkruani një synim lidhur me atë që do të bëni për ta bërë këtë çështje shpirtërore një përparësi më të madhe në jetën tuaj.

Lluka 11

Jezusi u jep mësim dishepujve të Tij për lutjen

Përfytyroni sikur jeni një misionar kohëplotë dhe se po mësoni një kërkues/e, i/e cili/a është lutur disa herë dhe ndien sikur Ati Qiellor nuk i është përgjigjur. Kërkuesi/ja po vë në pikëpyetje nëse ai apo ajo duhet të vazhdojë të lutet. Çfarë do të thoshit për ta ndihmuar këtë person?

Ndërsa studioni Llukën 11, kërkoni të vërtetat që mund ta ndihmojnë dikë, i cili mendon se Perëndia nuk i është përgjigjur lutjeve të tij apo të saj.

Sipas Llukës 11:1–4, pasi e dëgjoi Shpëtimtarin të lutej, një nga dishepujt e Tij pyeti nëse Ai do t’u mësonte atyre se si të luteshin dhe Shpëtimtari e bëri këtë. Më pas Zoti përdori [disa] analogji për të dhënë mësim të vërteta të tjera rreth lutjes. Vini re se në Përkthimin prej Joseph Smith-it të Llukës 11:4 shkruhet: “Dhe mos na lër të biem në tundim, por na çliro nga i ligu” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 11:4, [te Lluka 11:4, shënimi c në fund të faqes]; kursivet të shtuara). Ati Qiellor kurrë nuk do të çojë asnjë prej bijve të Tij në tundim.

Studioni Llukën 11:5–13, duke kërkuar atë që Zoti dha mësim për lutjen.

Përkthimi prej Joseph Smith-it jep ide shtesë mbi mësimet e Shpëtimtarit për lutjen. Ne mësojmë që përpara se ai të jepte analogjinë që fillon te Lluka 11:5, “ai u tha atyre: Ati juaj qiellor nuk do t’ju lë pa ju dhënë çfarëdo gjëje që i kërkoni atij. Dhe ai u tregoi një shëmbëlltyrë, duke thënë …” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 11:5 [te Lluka 11:5, shënimi a në fund të faqes]). Ne gjithashtu mësojmë rreth “dhurata[ve] të mira” për të cilat Ai tha: “Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’ju japë dhurata të mira, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, atyre që ia kërkojnë” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 11:14 [te Lluka 11:13, shënimi a në fund të faqes]).

Sipas Llukës 11:8, përse miku i dytë e respektoi kërkesën e mikut të parë për bukë? (Fjala insistim në këtë varg i referohet këmbënguljes së njeriut që iu lut atij, edhe kur miku i tij fillimisht nuk e pranoi kërkesën e tij.)

Nëpërmjet analogjive të Tij te Lluka 11:5–13, Shpëtimtari dha mësim që nëse ne, duke qenë të papërsosur, jemi të gatshëm t’i plotësojmë kërkesat e atyre që ne i duam dhe për të cilët kujdesemi, “aq më tepër Ati [ynë] qiellor do t’u dhurojë … atyre që ia kërkojnë” (Lluka 11:13).

Cili është qëllimi i lutjes? “Lutja është akti me anën e të cilit vullneti i Atit dhe vullneti i fëmijës vijnë në bashkërendim me njëri-tjetrin. Synimi i lutjes nuk është të ndryshohet vullneti i Perëndisë, por që të sigurojmë për vete dhe për të tjerët bekime që Perëndia është i gatshëm t’i japë, por që janë të kushtëzuara nga kërkimi i tyre prej nesh. Bekimet kërkojnë një farë pune ose përpjekje nga ana jonë përpara se të mund t’i marrim ato. Lutja është një formë pune dhe është një mjet i caktuar për të siguruar më të lartin e të gjitha bekimeve” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Prayer” [“Lutja”]).

Nga ajo që mësuat te Lluka 11:5–13, plotësoni parimin vijues: Nëse ne lutemi dhe i kërkojmë me këmbëngulje bekimet e Atit Qiellor në kohë nevoje, atëherë Ai, në vetë kohën e Tij dhe në vetë mënyrën e Tij do të .

Për ta kuptuar këtë parim ne duhet të mbajmë në mendje se jo të gjitha bekimet e Atit Qiellor vijnë në mënyrat që ne i presim, i dëshirojmë apo i dallojmë menjëherë.

  1. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një rasti kur ju morët përgjigje për lutjet tuaja, ndërsa kërkuat me këmbëngulje bekimet e Atit Qiellor.

Lluka 11:14–54 përmban një rrëfim të Jezusit që dëbon një demon nga një burrë, i këshillon njerëzit që ta dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe i qorton farisenjtë dhe skribët për paditurinë dhe ligësinë e tyre shpirtërore.

Lluka 12

Shpëtimtari paralajmëron kundër hipokrizisë dhe lakmisë

Merrni në shqyrtim pyetjet që vijojnë: A e keni dashur ndonjëherë diçka kaq shumë saqë mendonit për të gjatë gjithë kohës? Çfarë ndikimesh negative mund të ketë te ne dëshira e madhe për të pasur diçka?

Te Lluka 12:1–13, ne lexojmë se “[kur] u mblodh një turmë me mijëra” vetë (Lluka 12:1), Jezusi u mësoi dishepujve të tij që të ruheshin nga hipokrizia. Ai u mësoi atyre se të gjitha gjërat e fshehura një ditë do të zbuloheshin dhe se Perëndia i njeh dhe kujdeset për fëmijët e Tij. Ai gjithashtu foli rreth nevojës që kishin dishepujt e Tij për ta rrëfyer emrin e Tij përpara njerëzve dhe rreth mëkatit të blasfemisë. Më pas, një burrë e pyeti Shpëtimtarin nëse Ai do të fliste me të vëllanë e tij dhe ta bindte të vëllanë që ta ndante trashëgiminë me të.

Lexoni Llukën 12:14–15, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj kësaj kërkese.

Çfarë paralajmërimi u dha Ai njerëzve?

Lakmi do të thotë ta dëshirosh diçka tej mase. Nga këshilla e Zotit ne mund të mësojmë të vërtetën vijuese: Zoti na urdhëron të mos kemi lakmi për zotërime tokësore. Ai dha mësim se jeta është shumë më tepër se sa gjërat fizike që ne marrim dhe se vlera e një individi nuk varet nga bollëku i zotërimeve të tij apo të saj.

Pasi Shpëtimtari i paralajmëroi dishepujt e Tij që ta shmangnin lakminë, Ai dha një shëmbëlltyrë për të ilustruar rëndësinë e këtij urdhërimi. Lexoni Llukën 12:16–19, duke kërkuar numrin e rasteve që burri në shëmbëlltyrë i përdori fjalët [unë] dhe mia. Ju mund të doni ta shenjoni secilin rast.

Çfarë na mëson përdorimi i shpeshtë nga ana e burrit të [përemrave] [unë] dhe mia rreth shqetësimeve të tij?

Në çfarë mënyrash mund të tundohemi për të qenë si ky njeri?

Lexoni Llukën 12:20–21, duke kërkuar atë që Perëndia tha në përgjigje të zilisë dhe lakmisë së burrit.

Merrni parasysh që të shkruani ose të shënoni në shkrimet tuaja të shenjta thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ajo që është më e rëndësishme është ajo që duron më gjatë” (“Ajo që Është më e Rëndësishme Është Ajo që Duron më Gjatë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 44; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 62).

Nëse pasaniku në shëmbëlltyrë do ta dinte se do të vdiste atë natë dhe nuk mund t’i merrte zotërimet e tij me vete, si mendoni ju, çfarë do të mund të bënte ndryshe ditën përpara vdekjes së tij? Merrni parasysh se si mund të zbatohet për ju urdhërimi për të mos lakmuar zotërime tokësore.

Te Lluka 12:22–30, ne lexojmë që Zoti theksoi se dishepujt e Tij nuk kishin nevojë të shqetësoheshin shumë rreth nevojave të tyre tokësore. Ky udhëzim iu dha Apostujve dhe atyre, të cilët ishin thirrur për të shërbyer me kohë të plotë si misionarë. Lexoni Llukën 12:31–32, për të parë atë që Shpëtimtari i këshilloi dishepujt e Tij të kërkonin, në vend që të përqendroheshin te vetë nevojat dhe dëshirat e tyre (shih edhe Jakobi [LiM] 2:18–19).

Në Përkthimin prej Joseph Smith-it të Llukës 12:31, ne mësojmë se Zoti i udhëzoi dishepujt e Tij: “Prandaj kërkoni të sillni mbretërinë e Perëndisë” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 12:34, [te Lluka 12:31, shënimi a në fund të faqes]; kursivet të shtuara). “Mbretëri[a] e Perëndisë” i referohet Kishës së Jezu Krishtit. “Qëllimi i Kishës është që t’i përgatitë anëtarët e saj të jetojnë përgjithmonë në mbretërinë çelestiale ose në mbretërinë e qiellit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mbretëri e Perëndisë ose Mbretëri e Qiellit”, scriptures.lds.org). Shpëtimtari u premtoi Apostujve të Tij dhe misionarëve që nëse do të kërkonin ta çonin përpara mbretërinë e Perëndisë, Ai do të ndihmonte në sigurimin e nevojave të tyre dhe do t’u jepte një vend në mbretërinë e Tij.

  1. Shkruani parimin vijues në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kur kërkojmë të bëjmë pjesën tonë për të sjellë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, Perëndia do të na ndihmojë në sigurimin e nevojave tona dhe do të përgatitë një vend për ne në mbretërinë e Tij.

Përsiatni disa nga mënyrat se si mund të kërkoni të sillni mbretërinë e Perëndisë. (Ndërsa ju përsiatni për këtë, sillni ndër mend parimin e përcaktuar më herët në mësim rreth përkushtimit të vetes sonë ndaj çështjeve shpirtërore përkundrejt shqetësimeve tokësore.)

Te Lluka 12:35–59, ne lexojmë se Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij që të përgatiteshin për Ardhjen e Tij të Dytë. Ai i ndihmoi të kuptonin se “kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë” (Lluka 12:48) dhe shpjegoi se ungjilli i Tij do të shkaktonte përçarje të mëdha midis njerëzve.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 10:38–12:59 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër