Biblioteka
Njësia 29, Dita 3: 1 Pjetër 1–2


Njësia 29: Dita 3

1 Pjetër 1–2

Hyrje

Apostulli Pjetër shkroi për ta forcuar besimin e shenjtorëve, ndërkohë që ata po vuanin një përndjekje të madhe nga Perandoria Romake. Ai theksoi se ata ishin shëlbuar nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezu Krishtit dhe u kujtoi atyre trashëgiminë e tyre hyjnore si populli i fituar i Perëndisë. Ai i udhëzoi shenjtorët që ta lëvdonin Perëndinë midis njerëzve dhe ta duronin vuajtjen ashtu siç bëri Jezu Krishti.

1 Pjetër 1

Pjetri u jep mësim shenjtorëve për trashëgiminë e tyre të mundshme dhe domosdoshmërinë e provave

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Teksa udhëtoj anembanë Kishës, i shoh anëtarët tek sprovohen në shkrirësin e pikëllimeve” (“Hyrum Smith: ‘Firm As the Pillars of Heaven’”, Ensign, nëntor 1995, f. 9).

Pamja
shkrirësi nga derdhet metali i shkrirë

Një shkrirës është një mbajtëse në të cilën rafinohen metalet apo substancat e tjera, që nënkupton se ato nxehen dhe shkrihen me qëllim që t’u hiqen papastërtitë dhe ta forcojnë produktin përfundimtar. Siç u përdor nga Plaku Ballard, “shkrirësi [i] pikëllimeve” mund t’i referohet provave sfiduese të jetës. Cilat janë disa prova, apo “shkrirës [të] pikëllimeve” që ju keni përjetuar?

Apostulli Pjetër e shkroi këtë letër për t’i forcuar dhe për t’u dhënë kurajë shenjtorëve ndërkohë që përjetonin prova. Deri rreth vitit 64 ps.K., koha kur Pjetri e shkroi këtë letër, qeveria romake shfaqi një tolerancë të përgjithshme ndaj krishterimit. Në korrik të atij viti, një zjarr shkatërroi një pjesë të madhe të Romës. Disa romakë të njohur akuzuan të krishterët për vënien e zjarrit. Kjo çoi në një përndjekje të madhe ndaj të krishterëve kudo në perandorinë romake. Disa prej keqtrajtimeve të përjetuara nga të krishterët erdhën nga miqtë dhe fqinjët e tyre të dikurshëm.

Ndërsa e studioni 1 Pjetrin 1–2, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të qëndroni besnikë gjatë provave tuaja.

Te 1 Pjetri 1:1–2, Pjetri i përshëndeti shenjtorët në krahinat romake të Azisë së Vogël (Turqia e ditëve të sotme) dhe u kujtoi atyre se ata ishin një popull i zgjedhur.

Lexojeni 1 Pjetrin 1:3–5, duke kërkuar bekimet e ardhshme që iu premtuan shenjtorëve. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

Në shkrimet e shenjta, fjalët shpëtim dhe ekzaltim përdoren shpesh për të nënkuptuar të njëjtën gjë. Te 1 Pjetri 1:5, Pjetri po i referohej ekzaltimit apo jetës së përjetshme, që do të thotë të jetojmë në praninë e Perëndisë dhe të vazhdojmë si familje (shih DeB 132:19–20).

Lexojeni 1 Pjetrin 1:6, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigjën shenjtorët premtimit të këtyre bekimeve të ardhshme. Vini re se fjala prova i referohet sprovave dhe pikëllimeve (shih 1 Pjetër 1:6, poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Nga 1 Pjetri 1:3–6 ne mund të mësojmë të vërtetën vijuese: Megjithëse përjetojmë prova, ne mund të gëzohemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe në bekimet e ardhshme që Perëndia ka premtuar të na japë.

Pjetri dha mësim se pavarësisht vështirësive që kalojmë, ne mund të gëzohemi për shkak se do të kemi bekime të mëdha nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Si ju ndihmon të kujtuarit e Shlyerjes së Krishtit që të gëzoheni edhe kur përjetoni prova?

Lexojeni 1 Pjetrin 1:7–9, duke kërkuar atë që dha mësim Pjetri rreth provës së besimit të shenjtorëve. Merreni parasysh që ta shenjoni se me çfarë e krahasoi ai provën e besimit të shenjtorëve.

Besimi, ashtu si ari, është i çmuar. Sidoqoftë, besimi është më i çmuar se ari sepse ari “prishet” (1 Pjetër 1:7), ndërkohë që besimi në Jezu Krisht çon drejt shpëtimit (shih 1 Pjetër 1:9), i cili është i përjetshëm. Përveç kësaj, ari përmirësohet nga nxehtësia e madhe, dhe në mënyrë të ngjashme, besimi ynë dhe bindjet tona nganjëherë sfidohen nga shqetësime, pyetje dhe dyshime. Një e vërtetë që mund të mësojmë nga fjalët e Pjetrit drejtuar shenjtorëve është që besimi ynë në Jezu Krisht sprovohet dhe përmirësohet kur ne i durojmë provat me besnikëri.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa prova që ju ose miqtë tuaj jeni duke hasur tani?

    2. Në ç’mënyra janë këto prova duke e sprovuar besimin tuaj apo të tyren?

Lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe shenjoni atë që ai na nxiti të bëjmë kur përjetojmë prova të besimit tonë:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Si vazhdoni ju të jeni të ‘paepur dhe të palëvizshëm’ [Alma 1:25] gjatë një prove besimi? Zhytuni pikërisht në gjërat që ju ndihmuan të zhvilloni bërthamën tuaj të besimit [përpara provës]: ju ushtroni besim te Krishti, ju luteni, ju mendoheni thellë për shkrimet e shenjta, ju pendoheni, ju zbatoni urdhërimet dhe ju u shërbeni të tjerëve.

Kur përballeni me një provë të besimit – çfarëdo që të bëni, mos iu largoni Kishës! T’i largohesh mbretërisë së Perëndisë gjatë një prove besimi, është si të lësh sigurinë e një vendstrehimi për stuhi pikërisht kur shfaqet uragani” (“Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 40).

Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të bëjmë gjërat që Plaku Andersen na nxiti të bëjmë kur besimi ynë po sprovohet?

Lexojeni 1 Pjetrin 1:13–17, duke kërkuar atë që Pjetri i nxiti shenjtorët të bënin për t’i duruar provat e tyre me besnikëri. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni. Fraza “ngjeshni ijët e mendjes suaj” në vargun 13 do të thotë ta përgatitni veten tuaj.

Lexojeni 1 Pjetrin 1:18–21, duke kërkuar të vërtetat shtesë që Pjetri u mësoi shenjtorëve, për t’i ndihmuar ata që t’i duronin provat e tyre me besnikëri në vend që ta braktisnin besimin e tyre.

Sa vijojnë janë disa të vërteta që Pjetri u mësoi shenjtorëve në këto vargje: Ne shëlbohemi nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezu Krishtit. Për shkak se Jezu Krishti jetoi një jetë të pamëkatë, Ai mund ta ofronte Veten e Tij si një flijim të përsosur për ne. Jezu Krishti u parashugurua për të qenë Shëlbuesi ynë.

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Në organizimin e parë në qiell ne qemë të gjithë të pranishëm dhe e pamë Shpëtimtarin të zgjidhej e të caktohej, dhe të bëhej plani i shpëtimit, dhe ne e miratuam atë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 219).

Në ç’mënyrë të kujtuarit e këtyre të vërtetave mund t’i ndihmojë shenjtorët që t’i durojnë provat e tyre me besnikëri?

  1. Mendoni për një rast kur ju ose dikush që ju e njihni zgjodhi ta duronte një provë me besim te Jezu Krishti, në vend që ta braktiste besimin në Të. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth asaj përvoje dhe mënyrave se si besimi juaj apo i atij personi në Shpëtimtarin u forcua gjatë këtij procesi.

Te 1 Pjetri 1:22–25, Pjetri i nxiti shenjtorët që ta donin njëri-tjetrin dhe të mbanin mend se ata ishin ringjizur me anë të fjalës së Perëndisë, e cila mbetet përgjithmonë.

1 Pjetër 2:1–12

Pjetri e vë theksin te përgjegjësitë e shenjtorëve

Cilat janë disa nga mënyrat se si anëtarët e Kishës janë të ndryshëm nga ata që i ndjekin udhët e botës? Cilat janë disa sfida që mund të hasim për shkak se jemi të ndryshëm?

Ndërsa e studioni 1 Pjetrin 2:1–12, kërkoni një parim që mund ta forcojë dëshirën tuaj për të qenë të ndryshëm nga bota.

Siç shënohet te 1 Pjetri 2:1–8, Pjetri dha mësim se shenjtorët besnikë janë si gurë të gjallë të ndërtuar mbi themelin e Jezu Krishtit dhe se ata që janë të pabindur, pengohen prej Tij ngaqë Ai nuk e mbështet mosbindjen e tyre.

Lexojeni 1 Pjetrin 2:9–10, duke kërkuar mënyrën se si i përshkroi Pjetri shenjtorët besnikë. Merreni parasysh t’i shenjoni frazat që ju bëjnë përshtypje.

Cili nga titujt që u dha Pjetri shenjtorëve është i parapëlqyeri juaj?

Pjetri i thërret shenjtorët “një popull i fituar” (1 Pjetër 2:9), dhe në këtë kontekst i fituar do të thotë një thesar i çmuar, i bërë ose i zgjedhur nga Perëndia.

Si mund t’i kenë ndihmuar shenjtorët fjalët që përdori Pjetri për t’i përshkruar ata te 1 Pjetri 2:9–10, që të merrnin zemër ndërkohë që përjetonin përndjekje fetare?

Lexojeni 1 Pjetrin 2:11–12, duke kërkuar atë që Pjetri iu përgjërua shenjtorëve të bënin si populli i fituar, apo i çmuar i Zotit. Vini re se Pjetri mund t’i ketë quajtur shenjtorët “të huaj” dhe “shtegtarë”, ose ngaqë ata jetonin midis njerëzve që ishin ndryshe nga shenjtorët nga pikëpamja kulturore dhe fetare, ose ngaqë ata ishin larg shtëpisë së tyre qiellore, duke jetuar përkohësisht si të vdekshëm.

Pjetri u tha shenjtorëve se mund të ishin shembuj për ata që ishin përreth tyre dhe t’i ndihmonin të tjerët ta lëvdonin Perëndinë (shih 1 Pjetër 2:12). Nga 1 Pjetri 2:11–12 ne mësojmë se Perëndia i thërret shenjtorët e Tij që të jenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota, në mënyrë që të tjerët të mund ta shohin shembullin e tyre dhe ta lëvdojnë Atë. Merreni parasysh ta shkruani ose shënoni këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta.

Pamja
Elen S. Dalton

Motra Elen S. Dalton, kur ishte presidente e përgjithshme e Të Rejave tha: “Nëse dëshironi të bëni një ndryshim në botë, ju duhet të jeni ndryshe nga bota” (“Tani Është Koha për t’u Ngritur e Shkëlqyer!” Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 124).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa nga mënyrat që të rinjve shenjtorë të ditëve të mëvonshme u është kërkuar të jenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota?

    2. Në ç’mënyrë zgjedhja juaj për të qenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota ka ndikuar tek të tjerët për mirë, apo ka ndihmuar që t’i udhëheqë ata për te Perëndia?

    3. Çfarë mund të bëni më mirë për të qenë të veçuar dhe të ndryshëm nga bota, në mënyrë që të mund të jeni një shembull? (Shkruani një synim rreth asaj që planifikoni të bëni për të qenë një shembull për të tjerët).

1 Pjetër 2:13–25

Pjetri i këshillon shenjtorët që ta durojnë vuajtjen ashtu siç bëri Shpëtimtari

Te 1 Pjetri 2:13–18, Pjetri u mësoi shenjtorëve që t’u nënshtroheshin ligjeve dhe autoriteteve civile që i qeverisnin ata (përfshirë perandorin romak, i cili nxiste përndjekje të madhe ndaj tyre). Ai u dha kurajë atyre që po përjetonin vështirësi si shërbëtorë, që ta përballonin vuajtjen e tyre me durim dhe të mbanin mend se Perëndia ishte në dijeni të tyre.

Lexojeni 1 Pjetrin 2:19–20, duke kërkuar këshillën e Pjetrit për shenjtorët mbi mënyrën se si duhet t’i duronin vuajtjet.

Pjetri i nxiti shenjtorët që t’i përballonin vuajtjet e tyre me durim. Lexojeni 1 Pjetrin 2:21–25, duke kërkuar përshkrimin e Pjetrit mbi mënyrën se si reagoi Jezu Krishti ndaj përndjekjes. Merreni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.

Sipas 1 Pjetrit 2:21, çfarë është ajo gjë që mund të na e japë vuajtja e Shpëtimtarit?

Ne mund të mësojmë të vërtetën vijuese nga mësimet e Pjetrit rreth durimit të provave: Ne mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i përballuar provat me durim.

Merreni në shqyrtim atë që mund të bëni për ta ndjekur më shumë shembullin e Jezu Krishtit në përballimin e provave me durim.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Pjetrin 1–2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër