Biblioteka
Njësia 14, Dita 2: Gjoni 8


Njësia 14: Dita 2

Gjoni 8

Hyrje

Teksa Shpëtimtari ishte në Jerusalem për Festën e Tabernakujve, disa skribë dhe farisenj sollën tek Ai një grua, e cila ishte fajtore për shkeljen e kurorës, dhe e pyetën nëse ajo duhej të vritej me gurë, në përputhje me ligjin e Moisiut. Ai i pështjelloi akuzuesit dhe tregoi mëshirë ndaj gruas. Jezusi gjithashtu shpalli se Ati jep dëshmi për Të dhe Ai dha mësim rreth lirisë prej mëkatit. Kur Jezu Krishti shpalli se Ai ishte Jehovai i madhërishëm, farisenjtë u përpoqën ta vrisnin Atë me gurë.

Gjoni 8:1–11

Një grua që kishte shkelur kurorën sillet përpara Shpëtimtarit

Skribët dhe farisenjtë dëshironin ta diskreditonin Jezusin përpara njerëzve dhe të krijonin një arsye për ta akuzuar Atë, sepse donin ta arrestonin dhe ta vrisnin Atë (shih Gjoni 7:1, 32).

Lexoni Gjonin 8:2–5, duke kërkuar atë që bënë skribët dhe farisenjtë, ndërkohë që Jezusi po jepte mësim në tempullin në Jerusalem.

Sipas Gjonit 8:6, përse skribët dhe farisenjtë e sollën te Jezusi gruan që kishte shkelur kurorën?

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si skribët dhe farisenjtë mund ta kishin përdorur këtë ngjarje si arsye për ta akuzuar Jezusin:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Në kohën e Jezusit … nuk ishte më praktika për të dhënë dënimin me vdekje për shkeljen e kurorës. Në të vërtetë, asnjë dënim me vdekje nuk mund të jepej pa pranimin dhe miratimin e pushtuesve romakë dhe në rastin e shkeljes së kurorës, ligji i Romës nuk e lejonte vdekjen.

Duke e sjellë këtë shkelëse të kurorës te Jezusi, skribët dhe farisenjtë po ngrinin një kurth për Mësuesin: 1) Nëse ai binte dakord me Moisiun që ajo duhej të vritej me gurë, ai: a) do të ndizte zemërimin e njerëzve në përgjithësi duke u dukur se po këshillonte rivendosjen e një dënimi që nuk kishte mbështetje nga njerëzit si edhe b) do të dilte kundër ligjit mbizotërues të shoqërisë duke rekomanduar atë që Roma e ndalonte. 2) Nëse nuk binte dakord me Moisiun dhe këshillonte diçka më pak se vdekja nga goditja me gurë, ai do të akuzohej për cenimin e ligjit dhe për këshillimin e mungesës së respektit për praktikat e shenjta të së shkuarës dhe për largimin nga ato praktika” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:450–451).

Në vend që t’u përgjigjej, Shpëtimtari “u përkul dhe shkruante me gisht në dhe” (Gjoni 8:6).

Pamja
Krishti duke shkruar në dhe

Lexoni Gjonin 8:7–8, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit dhënë skribëve dhe farisenjve.

Çfarë mendoni se mund të kenë menduar ose ndier skribët dhe farisenjtë kur e dëgjuan përgjigjen e Jezusit?

Pasi e dëgjuan përgjigjen e Shpëtimtarit, ata që po e akuzonin gruan ndien faj dhe u larguan pa e ndëshkuar gruan (shih Gjoni 8:9).

Si mendoni, çfarë ndjenjash mund të ketë pasur kjo grua kur mëkati i saj iu zbulua Jezusit dhe një turme të madhe njerëzish? Lexoni Gjonin 8:10–11, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i tha gruas pasi të gjithë njerëzit u larguan.

Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] për Gjonin 8:11 shton sa vijon: “Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë dhe besoi në emrin e tij” (Joseph Smith Translation, Gjoni 8:11 [te Bibla në anglisht Gjoni 8:11, shënimi c në fund të faqes]).

Shpëtimtari nuk e miratoi mëkatin e kësaj gruaje, por e drejtoi atë të “shkon[te] dhe mos mëkato[nte] më” [Gjoni 8:11]. Nga vargu 11 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Shpëtimtari na tregon mëshirë duke na dhënë mundësi për t’u penduar. Merrni parasysh se si ky tregim mund ta shtojë besimin tuaj që Jezu Krishti është i mëshirshëm e dashamirës dhe dëshiron t’i falë ata që me të vërtetë pendohen.

Gjoni 8:12–30

Jezusi jep mësim se Ati i Tij jep dëshmi për Të

Përfytyroni një objekt zbukurimi. Më pas mbyllini sytë dhe, në një fletë të veçantë letre, përpiquni të vizatoni një figurë të thjeshtë të një objekti pa e parë.

Si krahasohet vizatimi juaj me atë që përfytyruat?

Përveç vizatimit, cilat janë disa gjëra të tjera që mund t’i bëni më mirë kur mund të shihni se çfarë po bëni?

Gjatë Festës së Tabernakujve, katër shandanë të mëdhenj, të artë (mbajtëse qirinjsh gjithashtu të quajtura minora) ndriçonin oborret e tempullit gjatë vallëzimeve dhe festimeve të tjera që mbaheshin natën vonë dhe herët në mëngjes. Këta shandanë të artë jo vetëm jepnin dritë për festimet, por ata simbolizonin që Izraeli duhej të ishte një dritë për ata që ecnin në errësirë.

Lexoni Gjonin 8:12, duke kërkuar atë që Jezusi e shpalli rreth vetes së Tij, ndërkohë që Ai jepte mësim në tempullin aty pranë ku ndodheshin shandanët. Merrni parasysh të shenjoni atë që gjeni.

Ne mësojmë nga ky varg që Jezu Krishti është Drita e Botës.

Pamja
minora

Minora të mëdha ndriçonin oborret e tempullit gjatë Festës së Tabernakujve.

Plotësojeni parimin vijues nga ajo që mund të mësojmë prej mësimit të Shpëtimtarit te Gjoni 8:12: Kur e ndjekim Shpëtimtarin, ne do të

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si e ndieni që Shpëtimtari ju ndihmon ta shmangni ecjen në errësirë shpirtërore?

Disa profeci të Dhiatës së Vjetër vënë në dukje që Mesia do të ishte një dritë për të gjitha kombet (shih, për shembull, Isaia 49:6; 60:1–3). Si rrjedhim, duke e shpallur veten e Tij të ishte Drita e Botës, Jezusi po shpallte se Ai ishte Mesia.

Farisenjtë e dënuan Jezusin për dhënien e dëshmisë për veten e Tij (shih Gjoni 8:13). Jezusi shpalli se Ai, si edhe Ati i Tij japin dëshmi që Shpëtimtari është Biri i Perëndisë (shih Gjoni 8:14–18).

Lexoni Gjonin 8:19, duke kërkuar atë që Jezusi tha rreth njohurisë së farisenjve për Atin Qiellor.

Bazuar në vargun 19, ne mësojmë parimin vijues: Teksa mësojmë për Jezu Krishtin, ne arrijmë të njohim Atin.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se si arrijmë të dimë rreth Atit tonë Qiellor ndërkohë që mësojmë rreth Birit të Tij, Jezu Krishtit:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Në gjithçka që Jezusi erdhi të thoshte dhe të bënte, duke përfshirë vuajtjen dhe flijimin e Tij shlyes dhe veçanërisht në to, Ai po na tregonte se cili është Perëndia dhe se si është Ai, Ati ynë i Përjetshëm, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë e komb. Me fjalë dhe vepra Jezusi po përpiqej ta zbulonte dhe ta bënte personale për ne natyrën e vërtetë të Atit të Tij, Atit tonë në Qiell. …

Prandaj duke ushqyer të uriturit, duke shëruar të sëmurët, duke qortuar hipokrizinë, duke bërë thirrje për besim – ky ishte Krishti duke na treguar udhën e Atit, Atij që është ‘i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim, i duruar dhe plot mirësi’ [Lectures on Faith (1985), f. 42]” (“The Grandeur of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 70, 72).

Te Gjoni 8:21–30 ne lexojmë se Shpëtimtari i paralajmëroi farisenjtë që, në qoftë se nuk besonin në Të, ata do të vdisnin në mëkatet e tyre. Ai gjithashtu dha mësim se Ai nuk bën asgjë për veten e Tij; Ai bën vetëm atë që Ati ia mëson Atij të bëjë.

Gjoni 8:31–36

Jezusi jep mësim rreth lirisë prej mëkatit

A keni pasur ndonjëherë kufizim në njëfarë mënyre në aftësinë tuaj për të lëvizur, si të qenit të lidhur ose të paaftë për të dalë nga një hapësirë e vogël? Si u ndiet? Ndërsa e studioni këtë pjesë të mësimit, kërkoni se çfarë na çon drejt kufizimit shpirtëror dhe çfarë na çon drejt lirisë shpirtërore.

Lexoni Gjonin 8:31–32, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se nevojitet të bëjmë me qëllim që të jemi të lirë. Më pas, nisur nga ajo që mësuat, plotësoni secilën hapësirë bosh në skemën vijuese:

Pamja
skemë, hapësira bosh drejt lirisë
Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki renditi disa nga liritë që mund t’i gëzojmë, në qoftë se vazhdojmë në fjalën e Krishtit, bëhemi dishepuj të Tij dhe arrijmë të dimë të vërtetën: “Të lirë nga fuqia mallkuese e doktrinës së rreme; të lirë nga skllavëria e dëshirës dhe e epshit; të lirë nga vargonjtë e mëkatit; nga çdo ndikim i lig e prishës dhe nga çdo fuqi kufizuese dhe tkurrëse; të lirë të vazhdojmë drejt lirisë pa kufi, e cila gëzohet në plotësinë e saj vetëm nga qenie të ekzaltuara” ( Doctrinal New Testament Commentary, 1:456–457.)

Lexoni Gjonin 8:33, duke kërkuar atë që judenjtë besonin se i bënte ata të lirë.

Judenjtë gabimisht besonin se thjesht të qenit pasardhës të Abrahamit dhe trashëgimtarë të besëlidhjes abrahamike do t’i bënte ata të lirë shpirtërisht. Lexoni Gjonin 8:34–36, duke kërkuar se nga çfarë tha Jezusi kishin nevojë njerëzit të ishin të lirë.

Nga këto vargje ne mësojmë që nëse bëjmë mëkat dhe nuk pendohemi, atëherë ne bëhemi skllevër të mëkatit. Çfarë mendoni se do të thotë të jesh “skllav i mëkatit” (Gjoni 8:34)? Fjala e përkthyer si skllav këtu gjithashtu mund të përkthehet si rob.

Merrni parasysh skemën vijuese:

Pamja
skema, zgjedhja dhe pasojat

Disa njerëz sot janë të pështjelluar, duke besuar se ndjekja e fjalës së Krishtit i kufizon ata, ndërkohë që të jetuarit e një mënyre jetese si bota i bën ata të lirë. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se në ç’mënyrë e kundërta është e vërtetë:

Pamja
Plaku D. Tod Kristoferson

“Dorëzimi ndaj tundimeve [të Satanit] çon drejt një shkalle gjithmonë e më të ngushtë të zgjedhjeve derisa asgjë nuk mbetet dhe drejt vartësive që na lënë të pafuqishëm për të bërë qëndresë. …

… Bota … [merr] parasysh që bindja ndaj ligjeve dhe ordinancave të Perëndisë është ‘robëri’ (Alma 30:24, 27). Pra si na bëjnë të lirë bindja dhe e vërteta? Ne mund të mendojmë me lehtësi për disa mënyra praktike sipas të cilave e vërteta na jep aftësinë për të bërë gjëra që përndryshe nuk mund t’i bënim ose për të shmangur fatkeqësi që përndryshe mund t’i vuanim. …

… A ka dyshim ndonjëri që, si një pasojë e zotërimit të të gjithë dritës e së vërtetës, Perëndia zotëron lirinë përfundimtare për të qenë dhe për të bërë?

Po ashtu, teksa kuptueshmëria jonë për doktrinën dhe parimet e ungjillit rritet, liria jonë e zgjedhjes zgjerohet. Së pari, ne kemi më shumë zgjedhje dhe mund të arrijmë më shumë e mund të marrim bekime më të mëdha, sepse ne kemi më shumë ligje të cilave mund t’iu bindemi. Mendoni për një shkallë – secili ligj apo urdhërim i ri që mësojmë, është si një hap më shumë në shkallën që na aftëson të ngjitemi më lart. Së dyti, me kuptueshmëri të shtuar ne mund të bëjmë zgjedhje më të mençura, sepse i shohim më qartësisht jo vetëm mundësitë, por edhe rrjedhojat e tyre të mundshme” (“Moral Agency”, Ensign, qershor 2009, f. 49, 50–51).

  1. Shfletoni broshurën Për Forcën e Rinisë për shembuj se si bindja ndaj urdhërimeve dhe standardeve çon drejt lirisë dhe se si mosbindja çon drejt skllavërisë. Zgjidhni një standard nga broshura dhe në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, kopjoni dhe plotësoni tabelën vijuese:

    Standard nga broshura Për Forcën e Rinisë:

    Në çfarë mënyrash sjell liri të jetuarit e këtij standardi?

    Në çfarë mënyrash të mosjetuarit e këtij standardi sjell skllavëri?

  2. Çfarë lirish të premtuara në broshurën Për Forcën e Rinisë i keni përjetuar vetë si rrjedhim i bindjes ndaj urdhërimeve dhe standardeve? Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni të paktën një mënyrë të veçantë se si ju do të përpiqeni të jeni të lirë duke jetuar sipas mësimeve të Shpëtimtarit.

Gjoni 8:37–59

Jezusi dëshmon për hyjninë e Tij

Mendoni për dikë që e njihni që është shumë i/e ngjashëm/e me atin e tij ose të saj. Mendoni për dikë që e njihni që është shumë i/e ndryshëm/e nga ati i tij ose i saj.

Gjoni 8:37–50 shënon se Jezu Krishti u tha judenjve mosbesues që, megjithëse Ai fliste fjalët e Atit të Tij, ata bënin veprat e atit të tyre. Në mënyrë mbrojtëse, judenjtë shpallnin se ati i tyre ishte Abrahami. Shpëtimtari më pas u dha mësim se ata që janë fëmijët e Abrahamit, “do të bëni[n] veprat e Abrahamit” (Gjoni 8:39) dhe nuk do të kërkonin kurrë ta vrisnin dikë që u mësonte të vërtetën. Jezusi u tha këtyre judenjve (farisenjve) se ati i tyre ishte djalli. Ai shpjegoi se ata që e marrin fjalën e Perëndisë, janë të Perëndisë. Të zemëruar, judenjtë mosbesues shpallën se Jezusi ishte një samaritan (të cilët judenjtë besonin se ishin njerëzit më të ulët të të gjithë njerëzve) dhe ishte i pushtuar nga një demon.

Lexoni Gjonin 8:51–53, duke kërkuar atë që këta judenj e pyetën më pas Shpëtimtarin.

Lexoni Gjonin 8:56–58, duke kërkuar përgjigjen e Jezusit ndaj pyetjes së farisenjve. Gjithashtu lexoni në Biblën në anglisht Gjonin 8:58, shënimin b në fund të faqes, duke kërkuar kuptimin e termit “UNË JAM”. (Shënim: Septuagint-i është përkthimi në greqisht i Dhiatës së Vjetër.)

Termi “UNË JAM” është i rëndësishëm ngaqë ai përcakton Jehovën, emri me anë të të cilit judenjtë e njihnin Perëndinë e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit në kohët e Dhiatës së Vjetër. Duke e quajtur veten e Tij “unë jam”, Jezusi po shpallte se Ai ishte Perëndia i Dhiatës së Vjetër. Ju mund të doni ta shkruani doktrinën vijuese në anën e shkrimeve tuaja të shenjta pranë Gjonit 8:58: Jezu Krishti është Jehova, Perëndia i Dhiatës së Vjetër.

Si mendoni, përse është e rëndësishme për ne që të dimë se Jezu Krishti është Jehova, Perëndia e Dhiatës së Vjetër?

Lexoni Gjonin 8:59, duke kërkuar se si këta judenj reaguan ndaj shpalljes së Shpëtimtarit se Ai ishte Jehova.

Judenjtë morën gurë me qëllimin që ta vrisnin Jezusin, duke besuar se Ai kishte kryer blasfemi nëpërmjet përcaktimit të vetes së Tij si Jehova.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Gjonin 8 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër