Njësia 18: Dita 2
Veprat e Apostujve 8
Hyrje
Përndjekja kundër Kishës në Jerusalem solli si rrjedhojë që anëtarët e Kishës të shpërndaheshin anembanë Judesë dhe Samarisë. Filipi kreu shërbesë në Samari, ku shumë njerëz e pranuan ungjillin e Jezu Krishtit. Pasi Pjetri dhe Gjoni ua dhanë dhuratën e Frymës së Shenjtë të kthyerve të rinj në besim, një magjistar i quajtur Simon u përpoq ta blinte priftërinë. Perëndia më vonë e çoi Filipin te një zyrtar etiopas, të cilit Filipi i dha mësim rreth Jezu Krishtit dhe e pagëzoi.
Gjatë gjithë këtij mësimi, ju mund të doni të drejtoheni te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal” dhe të gjeni qytetet dhe vendet e ndryshme për të cilat lexuat.
Veprat e Apostujve 8:1–25
Filipi kryen shërbesë në Samari, ku Simon magjistari përpiqet ta blejë priftërinë
Nëse merrnit një sasi të madhe parash, çfarë është diçka që do të blinit?
Disa njerëz besojnë se çdo gjë mund të blihet me para. Megjithatë, disa nga gjërat më me vlerë në jetë nuk mund të blihen. Teksa studioni Veprat e Apostujve 8, kërkoni një dhuratë nga Perëndia që nuk mund të blihet.
Te Veprat e Apostujve 7 ju mësuat rreth vdekjes së dishepullit Stefan në duart e përndjekësve. Lexoni Veprat e Apostujve 8:1–5, duke kërkuar atë që bënë anëtarët e Kishës si rrjedhojë e përndjekjes kundër Kishës në Jerusalem. Fraza merrte me vete në vargun 3 do të thotë tërhiqte me forcë.
Vini re emrin e Filipit në vargun 5. Filipi ishte një nga shtatë dishepujt e shuguruar për të ndihmuar Dymbëdhjetë Apostujt në shërbesën ndaj nevojave të anëtarëve të Kishës (shih Veprat e Apostujve 6:5).
Drejtojuni grafikut “Vështrim i Përgjithshëm i Librit të Veprave të Apostujve” në Njësinë 17: Mësimi i Ditës 1 dhe lexoni porosinë e Shpëtimtarit drejtuar Apostujve të Tij të shënuar te Veprat e Apostujve 1:8. Sipas Veprave të Apostujve 8:5, si ndihmoi Filipi ta përmbushte këtë porosi?
Lexoni Veprat e Apostujve 8:6–8, duke kërkuar mënyrën se si samaritanët iu përgjigjën predikimit të Filipit dhe mrekullive që kreu ai.
Lexoni Veprat e Apostujve 8:9–11 dhe vini re se si përshkruhet Simoni, një burrë në atë qytet.
Çfarë ndikimi pati Simoni te njerëzit?
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përcaktoi magjinë si “përdorimi i fuqisë së fituar nga ndihma ose kontrolli i shpirtrave të ligj” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 747).
Fjala mahnitur, siç përdoret te Veprat e Apostujve 8:11, do të thotë i habitur.
Lexoni Veprat e Apostujve 8:12–13, duke kërkuar mënyrën se si Simoni iu përgjigj predikimit të Filipit.
Sipas vargut 13, si ndikuan te Simoni “veprat … dhe shenjat” që ai pa?
Te Veprat e Apostujve 8:14–16, ne mësojmë se Pjetri dhe Gjoni erdhën në Samari pasi dëgjuan që njerëzit atje e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. Ata u lutën që samaritanët e kthyer në besim do të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Lexoni Veprat e Apostujve 8:17, duke kërkuar atë që bënë Pjetri dhe Gjoni për anëtarët e rinj të Kishës në qytetin e Samarisë.
Ky rrëfim ilustron doktrinën vijuese: Dhurata e Frymës së Shenjtë jepet pas pagëzimit nëpërmjet vënies së duarve nga mbajtësit e autorizuar të priftërisë.
Lexoni Veprat e Apostujve 8:18–19, duke kërkuar ofertën që Simoni i bëri Pjetrit.
Nëse do të kishit qenë në gjendjen e Pjetrit, si do t’i ishit përgjigjur Simonit?
Lexoni Veprat e Apostujve 8:20–24, duke kërkuar atë që Pjetri i dha mësim Simonit rreth marrjes së priftërisë.
Priftëria nuk mund të blihet me para. Ngaqë priftëria i përket Perëndisë, ajo mund të jepet vetëm sipas vullnetit të Tij. Perëndia përcakton mënyrën në të cilën mund të fitohet priftëria (shih Nenet e Besimit 1:5).
Sipas Veprave të Apostujve 8:21–23, përse Simoni nuk mund ta merrte ende priftërinë? Si mendoni ju, në çfarë mënyrash zemra e Simonit “nuk [ishte] e drejtë përpara Perëndisë” (Veprat e Apostujve 8:21)? Shihni Alma 41:11 për ide se çfarë do të thotë të jeni “në vrerin e hidhësisë” (Veprat e Apostujve 8:23).
Ky rrëfim jep mësim të vërtetën vijuese: Priftëria jepet sipas vullnetit dhe standardit të Perëndisë për denjësinë.
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të dimë që priftëria jepet mbi individët vetëm sipas vullnetit dhe standardit të Perëndisë për denjësinë?
Lexoni Doktrina e Besëlidhje 121:36–42. Cilat janë parimet mbi të cilat duhet të ushtrohet priftëria? Çfarë u ndodh njerëzve që përpiqen ta përdorin priftërinë “në çfarëdo shkallë padrejtësie” (DeB 121:37)?
Te Veprat e Apostujve 8:25 ne mësojmë se Pjetri dhe Gjoni e predikuan ungjillin në shumë fshatra samaritane.
Veprat e Apostujve 8:26–40
Filipi jep mësim dhe pagëzon një zyrtar etiopas
Mendoni për situata në të cilat keni pasur nevojë ose do të kishit nevojë për dikë që t’ju udhërrëfente. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa situata në të cilat ju mund të jeni një udhërrëfyes për dikë tjetër. (Mendoni për vendmbërritjet ose temat për të cilat keni njohuri ose talentet që keni zhvilluar.)
Teksa studioni pjesën e mbetur të Veprave të Apostujve 8, kërkoni një mënyrë të rëndësishme në të cilën ju mund të jeni një udhërrëfyes për të tjerët.
Lexoni Veprat e Apostujve 8:26, duke kërkuar se kush e drejtoi Filipin që të udhëtonte për në Gaza. (Ju mund të doni ta gjeni Gazën në Hartat e Biblës, nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhjatës së Re”.)
Lexoni Veprat e Apostujve 8:27–28, duke kërkuar personin që takoi Filipi në rrugë.
Çfarë po bënte ky zyrtar etiopas në karrocën e tij? (Mund të jetë e dobishme të dini se Esaia [në Biblën në anglisht] është forma greke e emrit Isaia.
Lexoni Veprat e Apostujve 8:29–35, duke kërkuar atë që ndodhi midis Filipit dhe zyrtarit etiopas.
Merrni parasysh të shenjoni te vargu 29 se kush e nxiti Filipin që të shkonte te karroca e zyrtarit etiopas. Mund të shenjoni gjithashtu te vargu 31 çfarë tha etiopasi se kishte nevojë me qëllim që t’i kuptonte shkrimet e Isaias. Merrni parasysh ta shkruani Isaian 53:7–8 si referencë-kryq në shkrimet tuaja të shenjta pranë Veprave të Apostujve 8:32–33.
Përdorni fjalët udhërrëfejmë, nxitjet dhe mundësitë për ta plotësuar parimin vijues që mund ta mësojmë nga përvoja e Filipit: Kur ua vëmë veshin ____________________ nga Perëndia, ne mund të marrim ____________________ për të ndihmuar që t’i ____________________ të tjerët drejt Jezu Krishtit.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim mbi rëndësinë e të ndihmuarit për t’i udhërrëfyer të tjerët drejt Shpëtimtarit: “Qëllimi që secili prej nesh të ‘vij[ë] te Krishti’ [DeB 20:59], t’i zbatojë urdhërimet e Tij dhe ta ndjekë shembullin e Tij për t’u kthyer sërish tek Ati, është pa dyshim qëllimi më i lartë e më i shenjtë i ekzistencës njerëzore. T’i ndihmosh të tjerët që ta bëjnë këtë po ashtu – t’i mësosh, t’i bindësh e t’i udhëheqësh me lutje edhe ata që të ecin në atë shteg të pendimit – sigurisht që kjo mund të jetë detyra e dytë më e rëndësishme në jetën tonë. Ndoshta kjo është përse Presidenti Dejvid O. Mek-Kei njëherë tha: ‘Asnjë përgjegjësi më e madhe nuk mund të qëndrojë mbi ndonjë burrë [ose grua] sesa të jetë një mësues i fëmijëve të Perëndisë’ [në Conference Report, tetor 1916, f. 57]” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 25).
Përzgjidhni një ose më shumë nga situatat vijuese:
Situata 1: Një i ri me të cilin jeni shok, i përket një kishe tjetër të krishterë. Një ditë gjatë drekës, ju ndieni nxitjen që të flisni me të rreth Kishës.
Situata 2: Teksa ktheheni më këmbë nga shkolla për në shtëpi, ju shihni një të re që po qan. E njihni atë si një anëtare të lagjes suaj, e cila nuk ka frekuentuar ndonjë mbledhje të Kishës për disa vjet. Ju ndieni nxitjen që t’i flisni asaj. Ndërkohë që përpiqeni ta ngushëlloni, ajo përshkruan sfidat e veta dhe pyet: “Përse s’mund të jem thjesht e lumtur?”
Situata 3: Nëna e një të riu me të cilin jeni lidhur në një faqe të medias shoqërore, vdiq kohët e fundit. Ju ndiheni të nxitur t’i përgjigjeni komentit vijues që ai bëri kohët e fundit: “Ndihem vetëm pikërisht tani. Sa do të doja që dikush të më kuptonte.”
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se çfarë do të thoshit dhe do të bënit për të ndihmuar që ta udhërrëfeni këtë njeri drejt Jezu Krishtit. Në përshkrimin tuaj, përfshini përgjigjet për pyetjet vijuese:
Cilat të vërteta të ungjillit do të ndani për të ndihmuar që ta udhërrëfeni këtë njeri drejt Jezu Krishtit?
Cili është një shkrim i shenjtë që ju mund ta ftonit këtë njeri ta studionte?
Çfarë do ta ftonit të bënte këtë njeri?
Lexoni Veprat e Apostujve 8:36–40, duke kërkuar atë që ndodhi si rrjedhojë e mësimit të dhënë nga Filipi zyrtarit etiopas rreth Jezusit.
Përgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Kur dhe si keni ndihmuar për ta udhërrëfyer dikë drejt Jezu Krishtit?
Kur dhe si ju ka ndihmuar dikush për t’ju udhërrëfyer drejt Jezu Krishtit?
Teksa e filloni ditën tuaj me lutje vetjake, kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që t’ju nxitë. Më pas, teksa vazhdoni ditën tuaj, dëgjoni për nxitje nga Perëndia që do t’ju ndihmojnë t’i udhërrëfeni të tjerët drejt Jezu Krishtit.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 8 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: