Biblioteka
Njësia 5, Dita 1: Mateu 18–20


Njësia 5: Dita 1

Mateu 18–20

Hyrje

Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij parimet që do t’i ndihmonin ata ta udhëhiqnin Kishën e Tij pas Ngjitjes së Tij në qiell. Ai gjithashtu dha shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm në përgjigje të pyetjes së Pjetrit për faljen dhe dha mësim për shenjtërinë e martesës. Shpëtimtari theksoi rëndësinë e zgjedhjes së jetës së përjetshme mbi pasurinë e botës dhe dha shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht.

Mateu 18

Jezu Krishti u mëson dishepujve të Tij parimet që do t’i ndihmonin ta udhëhiqnin Kishën dhe Ai jep shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Rrëfimi i mëposhtëm, i treguar nga Presidenti Tomas S. Monson, flet për një familje të cilës i vdiq foshnja dymuajshe: “Baba[i] ishte mobilier dhe krijoi një arkivol të bukur për trupin e foshnjës së tij të çmuar. Dita e ceremonisë mortore ishte e zymtë, duke pasqyruar kështu trishtimin që ndienin ata për humbjen e tyre. Ndërsa familja eci drejt kishës, me babanë duke mbajtur arkivolin e vogël, një numër i pakët miqsh ishin mbledhur. Mirëpo, dera e kishës ishte e kyçur. Peshkopi i zënë me punë e kishte harruar ceremoninë mortore. Përpjekjet për t’u lidhur me të ishin të kota. Duke mos ditur se çfarë të bënte, babai e vendosi arkivolin nën krahun e tij dhe, me familjen e vet krah tij, e mbarti atë deri në shtëpi, duke ecur nën një shi që të bënte qull” (“Hidden Wedges”, Ensign, maj 2002, f. 19).

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Nëse do të kishit qenë një pjesëtar i asaj familjeje, si do të ishit ndier kur peshkopi nuk arriti të vinte për funeralin?

    2. Përse mund të jetë e vështirë ta falni peshkopin?

Te Mateu 18:1–20 ne lexojmë që Jezusi i mësoi dishepujt e Tij në Galile që ta përulnin veten e tyre dhe të bëheshin si fëmijë të vegjël. Ai gjithashtu shpjegoi se ata që i “skandalizoj[në]” pasuesit e Tij, të cilët janë si fëmijët e vegjël, ose i çojnë në udhë të gabuar, do të vuanin (shih vargjet 6–7, duke përfshirë Mateun 18:6, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Përulësia e fëmijëve mund të përngjasohet me përulësinë e të sapokthyerve në besim në Kishë. Çfarë mësimesh mund të marrim nga të sapokthyerit në besim? Si mund t’i ushqejmë fëmijët dhe të sapokthyerit në besim në Kishë?

Shpëtimtari atëherë i këshilloi dishepujt e Tij që t’i hiqnin nga jeta e tyre ato gjëra që mund t’i skandalizonin ose që mund t’i bënin ata të pengoheshin (shih vargun 9). Ai gjithashtu i mësoi Apostujt që nëse një person bënte shkelje ose mëkatonte kundër tyre, ata duhej së pari të përpiqeshin ta zgjidhnin problemin veçmas me personin. Nëse personi nuk pranonte të pendohej, atëherë ai ose ajo mund të sillej para autoriteteve të Kishës. (Shënim: Mësimet e Shpëtimtarit që gjenden te Mateu 18:1–14 do të diskutohen më në thellësi te mësimet për Markun 9 dhe Llukën 15.)

Në vijim të këtij udhëzimi, Pjetri i bëri Zotit një pyetje për faljen. Lexoni Mateun 18:21, duke kërkuar pyetjen e Pjetrit.

Disa udhëheqës fetarë në kohën e Pjetrit jepnin mësim se një individ nuk kishte nevojë t’i jepte falje më shumë sesa tri herë një personi tjetër. Duke e pyetur Zotin nëse Ai duhej ta falte dikë shtatë herë, Pjetri mund të ketë menduar se po tregohej bujar (shih Bruce R. McConkie, The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary, 4 vëll. [1979–1981], 3:91). Lexoni Mateun 18:22, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit.

“Shtatëdhjetë herë shtatë” është një mënyrë për të thënë se ne nuk duhet t’i vendosim kufij numrit të herëve që i falim të tjerët. Përgjigjja e Shpëtimtarit për Pjetrin na mëson të vërtetën se Zoti na ka urdhëruar t’i falim ata që na fyejnë ose që mëkatojnë kundër nesh.

T’i falni të tjerët do të thotë ta trajtoni me dashuri personin që ju ka fyer ose lënduar dhe të mos keni ndjenja jo të mira ndaj atij apo asaj (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fal”, scriptures.lds.org; DeB 64:9–11). Falje nuk do të thotë që ju vazhdoni t’i lejoni të tjerët t’ju dëmtojnë ose që shkelësi nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij apo të saj, ligjërisht ose në formë tjetër.

Pasi iu përgjigj pyetjes së Pjetrit, Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij një shëmbëlltyrë që mund të na ndihmojë të kuptojmë arsyen përse duhet t’i falim të tjerët.

Lexoni Mateun 18:23–30, duke kërkuar se sa para kishin borxh shërbëtori i mbretit dhe shërbëtori tjetër shok i tiji.

Sa i kishte borxh shërbëtori mbretit?

Sa i kishte borxh shërbëtori tjetër shok, shërbëtorit [të mbretit]?

Përdoreni informacionin vijues për t’ju ndihmuar të llogaritni se sa kohë mund t’i duhej secilit borxhli që ta kthente atë që kishte borxh:

Në kohën e Jezusit “është përllogaritur që 10,000 talenta ishin të barasvlershme me 100,000,000 denarë [monedha romake]. Një denar ishte rroga tipike ditore për një punëtor të zakonshëm” (Jay A. Parry dhe Donald W. Parry, Understanding the Parables of Jesus Christ [2006], f. 95). Llogaritni se sa kohë do t’i duhej këtij shërbëtori [të mbretit] për ta larë këtë borxh duke i pjesëtuar 100,000,000 denarë me 365 ditë.

Nëse do të jepeshin të gjitha rrogat e tij, sa ditë do t’i duheshin shërbëtorit [të mbretit] ta shlyente borxhin e tij?

Për krahasim, 100 denarë ishin të barabarta me 100 pens. (Kujtoni që shumica e punëtorëve fitonin një denar në ditë.) Llogaritni se sa kohë do t’i duhej shërbëtorit tjetër shok që ta lante borxhin e tij.

Nëse do të jepeshin të gjitha rrogat e tij, sa ditë do t’i duheshin shërbëtorit tjetër shok që ta shlyente borxhin e tij?

Lexoni Mateun 18:31–35, duke kërkuar mënyrën se si u përgjigj mbreti kur zbuloi veprimet e shërbëtorit të tij kundër shërbëtorit tjetër shok.

Përse mendoni që mbreti i tha shërbëtorit se ai ishte i lig ngaqë nuk ia kishte falur borxhin e tij shërbëtorit tjetër, shokut të tij?

Bazuar te leximi që i bëtë vargut 35, shkruani se kë mendoni ju mund të përfaqësojë secili prej tre njerëzve në shëmbëlltyrë:

Mbreti = 

Shërbëtori [i mbretit] = 

Shërbëtori tjetër shok = 

Duke përdorur atë që keni mësuar nga kjo shëmbëlltyrë, plotësoni parimin vijues: Nëse dëshirojmë që Perëndia të na falë, atëherë . (Merrni parasysh ta shkruani këtë parim në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta pranë Mateut 18:24–35.)

Çfarë mund të bëjë një person nëse ai apo ajo po orvatet të falë dikë?

Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne duhet t’i njohim dhe pranojmë ndjenjat e zemërimit. Kjo do të kërkojë përulësi për ta bërë, por nëse do të gjunjëzohemi dhe do t’i kërkojmë Atit Qiellor për një ndjenjë faljeje, Ai do të na ndihmojë. Zoti na kërkon që t’i ‘[falim] të gjithë njerëzit’ [DeB 64:10] për të mirën tonë, sepse ‘urrejtja vonon rritjen shpirtërore’ [Orson F. Whitney, Gospel Themes (1914), f. 144]. Vetëm kur e çlirojmë veten nga urrejtja dhe hidhërimi, Zoti mund të na japë ngushëllim në zemrën tonë. …

… Kur tragjedia godet, ne nuk duhet të përgjigjemi duke kërkuar hakmarrje personale, por përkundrazi ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe pastaj të shohim përpara. Nuk është e lehtë të shohësh para dhe ta boshatisësh zemrën nga ndjenjat e fyerjeve torturuese. Shpëtimtari na ka ofruar të gjithëve një paqe të çmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij, por kjo mund të vijë vetëm kur jemi të gatshëm t’i dëbojmë ndjenjat negative të zemërimit, mërisë ose hakmarrjes. Për të gjithë ne që ua falim ‘njerëzve gabimet e tyre’ [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:13], madje edhe atyre që kanë kryer krime serioze, Shlyerja sjell një masë paqeje dhe ngushëllimi” (“The Healing Power of Forgiveness”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 69; [“Fuqia Shëruese e Faljes”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 80, 81].)

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur Zoti ju ka ndihmuar të falni dikë që ka mëkatuar kundër jush ose ju ka fyer.

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Sa vijon është përfundimi i rrëfimit të Presidentit Monson i treguar më parë në këtë mësim: “Nëse familja do të ishte me një forcë morale më të ulët, ata mund ta kishin fajësuar peshkopin dhe të kishin ruajtur ndjenja të këqija. Kur peshkopi mori vesh për tragjedinë, ai e vizitoi familjen dhe kërkoi ndjesë. Me dhembjen ende të dukshme në shprehjen e tij, por me lot në sy, babai e pranoi faljen dhe të dy u përqafuan me një shpirt mirëkuptimi” (“Hidden Wedges”, f. 19).

Përsiatni se kujt mund të jeni duke refuzuar t’i jepni falje në jetën tuaj. Lutuni që të keni dëshirën për të falur dhe aftësinë për të hedhur pas krahëve lëndimin e zemërimin, në mënyrë që Jezu Krishti të mund t’ju ndihmojë të ndieni paqe e ngushëllim nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Mateu 19:1–12

Shpëtimtari jep mësim për shenjtërinë e martesës

Pamja
nusja dhe dhëndri në sfondin e tempullit

Doktrina e Zotit lidhur me martesën dhe divorcin ndryshon nga shumë prej bindjeve të botës.

Cilat janë disa prej bindjeve të botës për martesën dhe divorcin?

Ndërsa studioni Mateun 19:1–12, kërkoni mësimet e Zotit për martesën e divorcin dhe merrni parasysh rëndësinë e këtyre mësimeve për ju.

Lexoni Mateun 19:1–3, duke kërkuar pyetjen që farisenjtë i bënë Jezusit.

Fraza “ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo” (Mateu 19:3) i referohet një burri që e ndan gruan e tij për çfarëdolloj arsyeje, edhe nëse ajo është e parëndësishme ose egoiste.

Lexoni Mateun 19:4–6, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim për martesën dhe divorcin.

Këto vargje na mësojnë që martesa midis një burri dhe një gruaje është një marrëdhënie e shenjtë e krijuar dhe e vendosur nga Perëndia. Merrni parasysh ta shkruani këtë doktrinë në anë të faqes së shkrimeve tuaja të shenjta pranë Mateut 19:6. Në zbulesën moderne Zoti pohoi që “besëlidhj[a] e re dhe [e] përjetshme [e] martesës” (martesa në tempull) është thelbësore për ekzaltimin (shih DeB 131:1–4).

Lexoni Mateun 19:7–3, duke kërkuar pyetjen tjetër që farisenjtë i bënë Jezusit.

Mateu 19:8–9 shënon që Shpëtimtari u tha farisenjve se Moisiu e lejoi divorcin që të ndodhte në kohën e tij për shkak të ngurtësisë së zemrave të njerëzve. Termi “lëshon” në këto vargje mund të ketë gjithashtu kuptimin të ndash ose të lësh.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Thënia vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ndihmon të sqarojmë se si lidhet ky mësim me kohën tonë: “Lloji i martesës që kërkohet për ekzaltim – e përjetshme në kohëzgjatje dhe hyjnore në cilësi – nuk e pranon divorcin. Në tempujt e Zotit, çiftet martohen për gjithë përjetësinë. Por disa martesa nuk përparojnë drejt atij ideali. Për shkak të ‘ngurtësisë [së] zemrave [tona]’ [Mateu 19:8], Zoti tani nuk i detyron pasojat e standardit çelestial. Ai i lejon personat e divorcuar të martohen përsëri pa njollën e imoralitetit të specifikuar në ligjin më të lartë” (“Divorce”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 70; [“Divorci”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 83]).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni disa mënyra se si po përgatiteni për “lloji[n] [e] martesës që kërkohet për ekzaltim” të përshkruar nga Plaku Ouks. Çfarë mund të bëni që të hyni në martesën e përjetshme me një zotim të fortë për t’i zgjidhur mospajtimet pa divorc?

Mateu 19:13–20:34

Jezusi jep mësim për jetën e përjetshme dhe Ai jep shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht

Mateu 19:13–30 shënon se Jezusi i nxiti pasuesit e Tij që të kërkonin jetën e përjetshme në vend të pasurisë tokësore. Pjetri pyeti se çfarë do të merrnin dishepujt për shkak se kishin hequr dorë nga pasuritë e tyre tokësore për ta ndjekur Shpëtimtarin. (Shënim: Ngjarjet e diskutuara në këto vargje do të pasqyrohen me hollësi në mësimin për Markun 10.)

Pamja
punëtorë në vresht

Te Mateu 20:1–16 ne lexojmë që Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij një shëmbëlltyrë që t’i ndihmonte ata të kuptonin dëshirën e Atit Qiellor për t’u dhënë të gjithë fëmijëve të Tij mundësinë për të marrë jetën e përjetshme. Në këtë shëmbëlltyrë një njeri pajton me mëditje punëtorë në kohë të ndryshme, gjatë gjithë ditës, për të punuar në vreshtin e tij, dhe pastaj u paguan atyre të gjithëve të njëjtën rrogë në fund të ditës.

Mateu 20:17–34 shënon që Jezu Krishti paratha se Ai do të tradhtohej dhe dënohej me vdekje kur të kthehej në Jerusalem. Ai u mësoi dishepujve të Tij se në vend që të luftonin për post e autoritet, ata duhej të ndiqnin shembullin e Tij dhe t’u shërbenin të tjerëve.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 18–20 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër