Biblioteka
Njësia 25, Dita 3: Filipianëve 1–3


Njësia 25: Dita 3

Filipianëve 1–3

Hyrje

Apostulli Pal i nxiti shenjtorët në Filipi të bashkëvepronin për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit. Ai i këshilloi ata ta ndiqnin shembullin e përulësisë dhe vetëmohimit të Shpëtimtarit dhe u mësoi se Perëndia nisi një punë për ta që t’u sillte shpëtimin. Pali përshkroi sakrificat që kishte bërë për ta ndjekur Jezu Krishtin.

Filipianëve 1

Pali përshkruan bekimet që vijnë nga kundërshtimet

Çfarë fjalësh mund të përdornit që të plotësoni vendet bosh për thënien vijuese të Presidentit Brigam Jang?

Presidenti Brigam Jang

“Sa herë që e sulmoni ‘Mormonizmin’ ju e çoni atë ____________________; ju nuk e çoni atë kurrë ____________________. Kështu urdhëron Zoti i Plotfuqishëm” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 264).

(Ju do t’i gjeni përgjigjet më vonë në këtë mësim.)

Çfarë shembujsh të njerëzve [kemi], qoftë nga historia ose nga koha jonë, që e sulmojnë, ose e kundërshtojnë, Kishën e Shpëtimtarit dhe pasuesit e Tij?

Teksa studioni Filipianëve 1, kërkoni një të vërtetë që mund t’ju ndihmojë të kuptoni se si kundërshtimet mund të ndikojnë në punën e Zotit.

Gjejeni vendndodhjen e Filipisë në hartën shoqëruese që tregon udhëtimet misionare të Apostullit Pal.

harta, në lindje të detit Mesdhe

Pali krijoi një degë të Kishës në Filipi gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar (shih Veprat e Apostujve 16). Më vonë, ai shkroi letrën e tij drejtuar filipianëve ndërkohë që ishte i burgosur, me gjasë në Romë. Te Filipianëve 1:1–11, ne lexojmë se Pali shprehu mirënjohjen dhe dashurinë për shenjtorët filipianë.

Lexojeni Filipianëve 1:12–14, duke kërkuar se ç’rrjedhoja pati nga kundërshtimet që përjetoi Pali gjatë përpjekjeve të tij misionare.

Siç përshkruhet në këto vargje, kundërshtimet që përjetoi Pali çuan në “përhapjen [përparimin] e ungjillit” (Filipianëve 1:12). Njerëzit kudo në “vargonj[të]” ose në bazat ushtarake, e dinin se Pali ishte burgosur ngaqë predikonte rreth Jezu Krishtit. Burgosja e Palit i frymëzoi edhe anëtarët e tjerë të Kishës që të bëheshin më të guximshëm në predikimin e ungjillit.

Nga Filipianëve1:12–14 ne mësojmë se kundërshtimet që përjetojmë ngaqë ndjekim Jezu Krishtin, mund të ndihmojnë për ta çuar përpara punën e Tij.

Në thënien e Presidentit Jang, plotësojini vendet bosh me fjalët përpara (që në këtë kontekst do të thotë të përparosh) dhe prapa.

  1. ikona e ditaritPërfytyroni sikur jeni një shkrues/e për një ditar në internet ose një gazetë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani titujt kryesor për dy a tre situata, në të cilat kundërshtimet ndihmuan për ta çuar përpara punën e Shpëtimtarit. Këto histori mund të vijnë nga shkrimet e shenjta ose nga jetët e njerëzve që njihni. (Sa vijon është një shembull për një titull kryesor: “Protestat kundër punës misionare shërbejnë që ta rritin interesimin e njerëzve për ta mësuar mesazhin e ungjillit nga misionarët vendas.”)

Siç shënohet te Filipianëve 1:15–26, Pali dha mësim se çfarëdo që do t’i ndodhte atij, do ta lartësonte Shpëtimtarin.

Lexojeni Filipianëve 1:27–30, duke kërkuar atë që Pali i nxiti shenjtorët në Filipi që të bënin për ungjillin. Vini në dukje se fjala sillunivargun 27 i referohet sjelljes.

Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it] për Filipianëve 1:28 thotë: “Duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët, të cilët e refuzojnë ungjillin, i cili sjell mbi ta shkatërrimin; por për ju që e merrni ungjillin, shpëtimin, nga ana e Perëndisë” (te Filipianëve 1:28, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Vëreni te Filipianëve 1:27–30 se çfarë do të përjetonin anëtarët e Kishës në emër të Shpëtimtarit. Merrni parasysh se si shenjtorët filipianë do të ishin bekuar duke sjellë ndërmend se kundërshtimet që ata përjetuan ngaqë e ndiqnin Jezu Krishtin, mund t’i ndihmonin ta çonin përpara punën e Tij.

Filipianëve 2

Pali jep mësim për denjimin e Shpëtimtarit dhe i udhëzon shenjtorët lidhur me shpëtimin e tyre

Lexojeni Filipianëve 2:2–4, duke kërkuar këshillën e Apostullit Pal drejtuar shenjtorëve filipianë. Te vargu 3, fjala mendjemadhësi do të thotë kryelartësi dhe fraza “me përulësi” i referohet nënshtrimit.

Lexojeni Filipianëve 2:5–9 dhe merrni parasysh të shenjoni ose shënoni fjalë apo fraza që ilustrojnë përulësinë dhe vetëmohimin e Jezu Krishtit.

Ne mund të mësojmë parimin vijues nga mësimet e Palit në këto vargje: Nëse e ndjekim shembullin e përulësisë dhe kujdesit vetëmohues të Jezu Krishtit për të tjerët, atëherë ne mund të bëhemi më të bashkuar.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa mënyra sipas të cilave ne mund ta ndjekim shembullin e përulësisë dhe vetëmohimit të Shpëtimtarit në familjet, shkollat dhe lagjet apo degët tona?

    2. Kur keni parë njerëz që i marrin parasysh nevojat e të tjerëve përpara nevojave të tyre? Si e rritën këto përpjekje unitetin?

Siç shënohet te Filipianëve 2:9–11, Pali dha mësim se si përfundim “[do të] përkulet çdo gju” dhe “çdo gjuhë [do] të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot”. Merrni një çast që ta përfytyroni atë moment dhe mendoni rreth asaj që shpresoni se si do të ishte kjo përvojë për ju.

Lexojeni Filipianëve 2:12–13, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi filipianët që të bënin, që do t’u mundësonte të përjetonin vetë përkulje përpara Zotit, që të ishin të gëzuar. Fraza “frikë e … dridhje” në vargun 12 i referohet druajtjes nderuese dhe gëzimit (shih Psalmeve 2:11; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frikë”, f. 51, scriptures.lds.org).

Disa njerëz i keqkuptojnë udhëzimet e Palit për [frazën] “punoni për shpëtimin tuaj” (Filipianëve 2:12), që nënkupton se ne shpëtohemi me anë të vetë veprave tona. Ne mund të shpëtohemi vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Sidoqoftë, ne duhet t’i plotësojmë kërkesat për shpëtimin, të cilat na i ka dhënë Perëndia (shih Nenet e Besimit 1:3–4). Siç shënohet te Filipianëve 2:13, Pali dha mësim se Perëndia i ndihmon ata që po përpiqen t’i plotësojnë kërkesat për shpëtimin duke i ndihmuar ata të bëjnë “vullnetin” ose të dëshirojnë dhe t’u binden “pëlqimit të tij” ose urdhërimeve të Tij.

Nga Filipianëve 2:12–13 ne mësojmë se Perëndia na ndihmon të dëshirojmë dhe të bëjmë atë që kërkohet nga ne për shpëtimin, e cila është bërë e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Merrni parasysh ta shkruani ose shënoni këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta.

Nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë, Perëndia mund të na ndihmojë të ndryshojmë e t’i qartësojmë dëshirat tona në mënyrë që të duam t’i bindemi Atij (shih Mosia 5:2). Kur e keni ndier se Perëndia jua ka ndryshuar zemrën në mënyrë që të donit t’i bindeshit Atij? Si ju ka ndihmuar Ai që t’i zbatoni më me besnikëri urdhërimet e Tij?

Siç shënohet te Filipianëve 2:14–30, Pali u kujtoi shenjtorëve se ata “ndriço[jnë] si pishtarë në botë” (Filipianëve 2:15) dhe u tha atyre se do të dërgonte lajmëtarë që të mësonin për mirëqenien e tyre.

Filipianëve 3

Pali përshkruan sakrificat që bëri për ta ndjekur Jezu Krishtin

Cili është ai element që përfaqëson për ju diçka me vlerë, të cilin edhe bota do ta konsideronte të çmueshëm (një element i tillë që përfaqëson familjen, miqtë, arsimin, ushqimin, teknologjinë ose mirëqenien)?

Nga çfarë do të ishit i gatshëm të hiqnit dorë për këto zotërime me vlerë?

Teksa studioni Filipianëve 3, kërkoni se nga çfarë hoqi dorë Pali me qëllim që të fitonte një çmim që është i mundur edhe për ne.

Siç shënohet te Filipianëve 3:1–2, Pali i paralajmëroi anëtarët e Kishës në Filipi për mësuesit e korruptuar (“qentë”), të cilët pretendonin se anëtarët e kthyer në besim të Kishës duhet të pajtoheshin me praktika specifike judease, përfshirë rrethprerjen (“të prerët”). Te Filipianëve 3:3 ai dha mësim se ata që “i shërbej[në] Perëndisë në Frymë dhe që mburre[n] në Krishtin Jezus” ishin “rrethprerja” ose njerëzit e besëlidhjes së Perëndisë.

Lexojeni Filipianëve 3:4–6, duke kërkuar se çfarë tha Pali për trashëgiminë e tij judease.

Vini në dukje përparësitë shoqërore dhe fetare në shoqërinë judease që Pali kishte dikur. Ai kishte një prejardhje izraelite, ishte një farise, ishte i zellshëm ndaj judaizmit dhe iu bind me përpikëri ligjit fetar judeas.

Lexojeni Filipianëve 3:7–11 dhe merrni parasysh t’i shenjoni ose shënoni fjalët ose frazat që tregojnë se në ç’këndvështrim i shihte Pali përparësitë që kishte dikur në shoqërinë judease.

Pali në mënyrë të vullnetshme i “humb[i] të gjitha këto” (Filipianëve 3:8), në mënyrë që ta njihte Jezu Krishtin; “të gjende[j] në të” (Filipianëve 3:9), ose të ishte në një marrëdhënie besëlidhjeje me Të; të shfajësohej tek Ai nëpërmjet besimit; të vuante për hir të Tij; dhe të ishte pjesë e “ringjalljes së të drejtëve” ose të ndershmëve (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Filipianëve 3:11, te Filipianëve 3:11, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Lexojeni Filipianëve 3:12–14, duke kërkuar atë që vërejti Pali për përparimin e tij shpirtëror. Vini në dukje se fjala zura në këtë kontekst do të thotë marr.

Në vend që të përqendrohej tek ajo që kishte lënë pas, Pali po rendte drejt marrjes së “çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë” (Filipianëve 3:14), i cili është jeta e përjetshme. Plotësojeni parimin vijues bazuar tek ajo që mund të mësojmë nga shembulli i Palit: Në qoftë se ne , atëherë ne mund të arrijmë ta njohim Atë dhe të marrim jetën e përjetshme.

Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi se kishte takuar një oficer marine që kishte ardhur nga një vend tjetër në Shtetet e Bashkuara për një stërvitje të përparuar dhe, i cili ishte bashkuar me Kishën gjatë qëndrimit të tij. Merrni parasysh se nga çfarë ishte i gatshëm të hiqte dorë ai djalë i ri për ta ndjekur Jezu Krishtin.

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Mua ma prezantuan atë pikërisht përpara se të kthehej në vendlindjen e tij. … I thashë: ‘Njerëzit e tu nuk janë të krishterë. Çfarë do të ndodhë kur të kthehesh në shtëpi si i krishterë dhe, më saktë, një i krishterë mormon?’

Ai u vrenjt në fytyrë dhe u përgjigj: ‘Familja ime do të zhgënjehet. Ata mund të më dëbojnë dhe të më quajnë të vdekur. Sa për të ardhmen dhe karrierën time, mund të më mbyllen të gjitha dyert.’

E pyeta: ‘A je i gatshëm të paguash një çmim kaq të lartë për ungjillin?’

Sytë e tij të zinj, të lagur nga lotët, shkëlqyen në fytyrën e tij brune e të pashme ndërsa u përgjigj: ‘Është i vërtetë apo jo?’

I turpëruar që ia bëra pyetjen, u përgjigja: ‘Po, është i vërtetë’.

Të cilës iu përgjigj: ‘Atëherë, çfarë tjetër ka rëndësi?’” (“It’s True, Isn’t It?” Ensign, korrik 1993, f. 2.)

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur ka ndodhur që ju (ose dikush që ju njihni) keni hequr dorë nga ndjekja e Shpëtimtarit?

    2. Përse ia vlejnë sakrificat që keni bërë për çmimet e njohjes së Jezu Krishtit dhe përparimit drejt jetës së përjetshme?

  1. ikona e ditaritPërsiatni në qoftë se ka diçka nga e cila duhet të hiqni dorë për ta ndjekur më plotësisht Jezu Krishtin. Në një fletë të veçantë letre, shkruani një synim për të hequr dorë nga kjo gjë. Vendoseni letrën atje ku mund ta shihni shpesh përgjatë disa javëve në vazhdim. Më pas, shkruani E përfundova detyrën 4, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Te Filipianëve 3:15–21 ne lexojmë paralajmërimin e Palit për shkatërrimin që i pret ata që përqendrohen vetëm në kënaqësitë tokësore. Ai dha mësim edhe se Jezu Krishti do t’i ndryshojë trupat tanë fizikë, të papërsosur në trupa të pavdekshëm si trupi i Tij.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Filipianëve 1–3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: