Njësia 7: Dita 2
Mateu 27–28
Hyrje
Si pjesë e komplotit për ta vrarë Jezu Krishtin, udhëheqësit judeas e sollën Atë te Ponc Pilati, guvernatori romak. Pilati e dorëzoi Jezusin për t’u fshikulluar e kryqëzuar. Jezusi iu nënshtrua vuajtjes dhe vdekjes për të përmbushur vullnetin e Atit të Tij.
Mateu 27:1–25
Jezusi dorëzohet te Pilati dhe dënohet me kryqëzim
Nëse do të mund të ishit dëshmitar okular i një ngjarjeje të shkrimit të shenjtë, cilën ngjarje do të zgjidhnit? Përse?
Gjatë këtij mësimi ju do të studioni një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e botës. Teksa studioni, përfytyroni sikur jeni dëshmitar okular i asaj që ndodhi.
Te Mateu 26, ne lexojmë se Jezusi u arrestua dhe u gjykua e u dënua padrejtësisht nga udhëheqësit e judenjve. Sipas ligjit romak, judenjtë nuk kishin fuqi ta dënonin me vdekje një njeri. Për rrjedhojë, udhëheqësit judeas u përpoqën që të gjenin një shkelje nën ligjin romak me anë të së cilës Jezusi do të dënohej me vdekje.
Te Mateu 27:1–10 ne mësojmë se udhëheqësit judeas ia dorëzuan Jezusin Ponc Pilatit, guvernatorit romak të Judesë. Kur Juda e pa këtë, atij i erdhi keq për zgjedhjen e tij për ta tradhtuar Jezusin, u përpoq t’i kthente paratë që kishte marrë nga udhëheqësit judeas dhe pastaj i dha fund jetës së tij. Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron se Juda “e vari veten në litar në një pemë. Dhe menjëherë ai ra poshtë, dhe të përbrendshmet e tij u derdhën dhe ai vdiq” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 27:6 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]).
Për shkak se monedhat e argjendit ishin “çmim gjaku” (Mateu 27:6) dhe si rrjedhim qe e paligjshme që t’i shtoheshin thesarit, udhëheqësit judeas i përdorën paratë për të blerë fushën e poçarit, ku do të varroseshin të panjohurit (ose të huajt). Mateu e citoi këtë ngjarje si një përmbushje të një profecie (shih Zakaria 11:12–13).
Për shkak të presionit nga judenjtë dhe frikës së humbjes së kontrollit mbi njerëzit, Pilati e dorëzoi Jezusin që të kryqëzohej (shih Mateu 27:11–26). (Ju do të keni mundësi t’i studioni këto ngjarje me më shumë hollësi në mësimin për Gjonin 18–19.)
Mateu 27:26–50
Jezusi fshikullohet, tallet e kryqëzohet
Përpara se ta dërgonte Jezusin që të kryqëzohej, Pilati bëri që Ai të fshikullohej (shih Mateu 27:26). Të fshikullohesh do të thotë të goditesh në mënyrë të përsëritur me një kamxhik, i cili kishte objekte të tilla si gurë të mprehtë ose copa kocke të ndërthurura në disa pjesë të fijeve. Ky lloj dënimi në mënyrë tipike rezervohej për ata që ishin shërbëtorë, ndërsa personat me gjak fisnik ose njerëzit e lirë të Romës rriheshin me litarë. Shumë njerëz nuk i mbijetonin të fshikulluarit për shkak të traumës së rëndë trupore që shkaktonte ai.
Lexoni Mateun 27:27–32, duke kërkuar atë që i bënë ushtarët romakë Jezusit.
Si mendoni, përse ushtarët gjetën dikë tjetër që ta mbante kryqin e Jezusit?
Përfytyroni sikur të ishit në vend të Simonit nga Kirena. Çfarë do të kishit menduar ose ndier nëse do të ishit në mes turmës dhe do të ishit detyruar të mbanit kryqin e Jezusit? Shkruajeni përgjigjen tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Mateu 27:33 shënon se Jezusi u çua “në vendin që quhej Golgota, domethënë ‘Vendi i kafkës’”.
Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon rreth emrit të vendit: “Emri mund të jetë vënë duke iu referuar tipareve topografike, meqenëse flasim për kreshtën e një kodre; ose, në qoftë se kjo pikë ishte vendi i zakonshëm i ekzekutimit, mund të jetë quajtur kështu si shprehje për vdekjen, pikërisht siç e quajmë kafkë kokën e vdekjes” (Jesus the Christ, bot. i 3-të [1916], f. 667).
Mateu 27:34–45 shënon se Jezusi nuk e pranoi një pije që zakonisht i ofrohej atyre që kryqëzoheshin për të mpirë dhembjen. Njerëz të tjerë që po e shihnin Kryqëzimin u përpoqën ta tallnin dhe tundonin Jezusin.
Lexoni Mateun 27:46, duke kërkuar atë që tha Jezusi kur ishte në kryq. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
Për ta kuptuar më mirë atë që ndodhi në këtë moment, lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Unë flas me shumë kujdes, madje me nderim, për atë që mund të ketë qenë momenti më i vështirë në të gjithë këtë udhëtim të vetmuar të Shlyerjes. Unë flas për ato momente të fundit për të cilat Jezusi duhet të ketë qenë përgatitur mendërisht dhe fizikisht, por që Ai mund të mos u kishte paraprirë emocionalisht dhe shpirtërisht – për vuajtjen e Tij të fundit nga dëshpërimi paralizues për shkak të tërheqjes hyjnore kur Ai thërret në një vetmi ekstreme: ‘Perëndia im, Perëndia im, përse [ti] më ke braktisur?’ [Mateu 27:46; theksimi i shtuar]. …
Me bindjen e shpirtit tim, unë dëshmoj se … një Atë i mrekullueshëm nuk e braktisi Birin e Tij në atë orë. Vërtet, është besimi im vetjak që, në të gjithë shërbesën tokësore të Krishtit, Ati nuk ka qenë kurrë më pranë Birit të Tij, sesa në këto momente të fundit mundimtare të vuajtjes. Sidoqoftë, … Ati e largoi për pak çaste nga Jezusi ngushëllimin e Shpirtit të Tij, mbështetjen e pranisë së Tij vetjake” (“Askush Nuk Ishte me Të”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 87–88).
Si mendoni, përse Ati Qiellor e largoi Shpirtin e Tij nga Jezusi në këtë çast?
Lexoni pjesën e mbetur të thënies së Plakut Holland dhe shenjoni atë që tha se e shpjegon arsyen përse Jezu Krishti përjetoi një largim të Shpirtit: “Kjo kërkohej; në të vërtetë kjo ishte thelbësore për rëndësinë e Shlyerjes, që ky Bir i përsosur, që nuk kishte folur kurrë keq, as kishte bërë keq, as kishte prekur gjë të papastër, duhet të dinte se si pjesa tjetër e njerëzimit – ne, të gjithë ne – do të ndiheshim kur të bënim të tilla mëkate. Që Shlyerja e Tij të ishte e pafundme dhe e përjetshme, Ai duhej të ndiente se si ishte të vdisje jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, të ndiente se si ishte të të largohej Shpirti hyjnor, duke e lënë njeriun të ndihej i vetëm tërësisht, dëshpërmisht, shpresëhumbur” (“Askush Nuk Ishte me Të”, f. 88).
Nga Mateu 27:46 dhe thënia e Plakut Holland, ne mund të mësojmë se si pjesë e Shlyerjes, Jezu Krishti ndjeu largimin e Shpirtit të Atit Qiellor.
Kur mëkatojmë ne përjetojmë vdekje shpirtërore – largimin e Shpirtit të Atit Qiellor. Për shkak se Jezu Krishti përjetoi vdekje shpirtërore në kryq, Ai mund të na ndihmojë kur jemi të ndarë nga Shpirti i Atit Qiellor për shkak të zgjedhjeve tona të këqija. Ai gjithashtu mund të na ndihmojë kur ndihemi të vetmuar.
Lexoni Mateun 27:50. Përkthimi prej Joseph Smith-it thotë: “Jezusi pasi bërtiti përsëri me zë të lartë, duke thënë: ‘Atë, mbaroi, vullneti yt u krye’, dha frymë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 27:54 [te Mateu 27:50 [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], shënimi a në fund të faqes]).
Sipas Përkthimit prej Joseph Smith-it të këtij vargu, Jezu Krishti vuajti për të përmbushur vullnetin e Atit Qiellor.
Teksa e studiuat Mateun 26 në mësimin e mëparshëm, ju mësuat për vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman dhe gatishmërinë e Tij për t’ia nënshtruar vullnetin e Tij vullnetit të Atit. Ju mund të doni ta shkruani Mateun 26:39 si referencë kryq në shkrimet tuaja të shenjta pranë Mateut 27:50, për t’ju ndihmuar të kujtoni që Jezusi bëri atë që premtoi se do të bënte.
Lexoni Mateun 27:51, për të parë atë që ndodhi në tempull kur Jezusi vdiq.
Gjatë kohës së Jezusit, tempulli kishte dy dhoma – vendin e shenjtë dhe Shenjtëroren e Shenjtëroreve. Këto dy dhoma ndaheshin nga një vel ose perde. “Shenjtërorja e Shenjtëroreve ishte dhoma më e shenjtë në tempullin e lashtë; ajo simbolizonte praninë e Perëndisë. Një herë në vit, Ditën e Shlyerjes, kryeprifti kalonte përtej velit të tempullit dhe hynte te Shenjtërorja e Shenjtëroreve, ku ai spërkaste gjakun e një flijimi të mëkatit që të shlyente për mëkatet e të gjithë asamblesë së Izraelit (shih Levitiku 16). Kur veli i tempullit ‘u shqye në dy pjesë’ (u nda në dysh) në vdekjen e Jezu Krishtit (Mateu 27:51), ky ishte një simbol dramatik i asaj që Shpëtimtari, Kryeprifti i Madh, kishte kaluar përtej velit të vdekjes dhe do të hynte së shpejti në prani të Perëndisë [Atit]” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 94).
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim sa vijon për kuptimin e ndarjes së velit të tempullit: “Krishti tani është sakrifikuar; ligji është përmbushur; periudha ungjillore e Moisiut ka vdekur; plotësia e ungjillit ka ardhur me të gjithë dritën dhe fuqinë e saj; dhe kështu – për ta dramatizuar në një mënyrë që të gjithë judenjtë do ta dallonin, që mbretëria u ishte marrë atyre dhe u ishte dhënë të tjerëve – Hyjnia e çau velin e tempullit ‘nga maja e deri në fund’. Shenjtërorja e Shenjtëroreve është tashmë e hapur për të gjithë, dhe të gjithë, nëpërmjet gjakut shlyes të Qengjit, tanimë mund të hyjnë në më të lartin dhe më të shenjtin e të gjitha vendeve, atë mbretëri ku gjendet jeta e përjetshme. … Ordinancat e kryera përtej velit të tempullit të lashtë ishin në ngjashmëri me atë që do të bënte Krishti; tanimë që Ai e kishte bërë atë, të gjithë njerëzit u bënë të përshtatshëm për të kaluar përtej velit në prani të Zotit për të trashëguar ekzaltimin e plotë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:830; kursivet e shtuara).
Nga ndarja e velit të tempullit në vdekjen e Krishtit, ne mund të mësojmë se për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne të gjithë mund të hyjmë në prani të Perëndisë nëse pendohemi dhe i mbajmë besëlidhjet tona.
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Si e bën të mundur për ne Shlyerja e Jezu Krishtit që të kthehemi në prani të Perëndisë?
Çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi të denjë për të jetuar përjetësisht me Atin Qiellor?
Mateu 27:52–66 jep më shumë informacion për atë që ndodhi pas vdekjes së Jezusit. Vini re që Mateu shënoi se “mbas ringjalljes së Jezusit” (Mateu 27:53; kursivet e shtuara) ndodhi që shumë njerëz të drejtë që kishin vdekur u ringjallën gjithashtu dhe iu shfaqën shumë njerëzve në Jerusalem (shih edhe DeB 133:54–56).
Pasi Jezusi vdiq, Jozefi nga Arimatea, një dishepull i pasur, “kërkoi trupin e Jezusit” (Mateu 27:58; shih edhe Gjoni 19:39). Trupi i Shpëtimtarit u mblodh në një rrobë të pastër dhe u vendos në një varr që e kishte në zotërim Jozefi nga Arimatea dhe hyrja u mbulua me një gur të madh. Me nxitjen e disa prej krerëve të priftërinjve dhe farisenjve, Pilati urdhëroi që të vendoseshin roje për ta ruajtur varrin dhe guri u vulos. Sipas Mateut 27:63–64, përse e kërkuan këtë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë?
Mateu 28
Jezu Krishti ringjallet dhe u shfaqet shumë vetëve
Sipas Mateut 28:1–5, herët ditën e parë të javës apo të dielën, Maria Magdalena dhe një grua tjetër e quajtur Maria shkuan te varri. Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 28:2 pohon se ato panë dy engjëj (shih Mateun 28:2, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).
Pas Ringjalljes së Jezu Krishtit, anëtarët e Kishës e respektuan dhe e mbajtën të shenjtë ditën e parë të javës si ditë Shabati, dhe përfundimisht u ndërpre respektimi i ditës të shtatë si ditë Shabati. Ndryshimi nga mbajtja e ditës së fundit të javës në ditën e parë të javës nuk është aq e rëndësishme sa është koncepti dhe parimi i Shabatit.
Lexoni Mateun 28:6–7, duke kërkuar atë që engjëjt i thanë grave.
Te Mateu 28:8–10, 16–18, ne lexojmë që gratë shkuan për t’u treguar dishepujve atë që kishin parë e dëgjuar. Udhës, Jezusi iu shfaq atyre dhe gratë “i rrokën këmbët dhe e adhuruan” (Mateu 28:9). Më vonë, kur dishepujt iu bindën fjalëve të grave dhe udhëtuan për në Galile, Shpëtimtari iu shfaq edhe atyre. Për të mësuar për shfaqje të tjera të Jezusit përpara Ngjitjes së Tij në Qiell, shih Harmoninë e Ungjijve.
Lexoni Mateun 28:19–20, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i urdhëroi Apostujt e Tij të bënin. (Mateu 28:19–20 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni t’i shenjoni këto vargje në një mënyrë të dallueshme.)
Një parim që mund të mësojmë nga porosia e Shpëtimtarit për Apostujt e Tij është se ndërsa marrim dëshmi për Jezu Krishtin, ne kemi përgjegjësi t’u dëshmojnë të tjerëve për Të.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mateu 28:19–20
Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Renditni të paktën tri mënyra se si mund t’u dëshmojmë të tjerëve për Jezu Krishtin. Pastaj zgjidhni një nga mënyrat në listën tuaj dhe shkruani një synim në lidhje me mënyrën se si do të përpiqeni t’u dëshmoni të tjerëve për Jezu Krishtin.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese: Duke marrë parasysh atë që tha Shpëtimtari te Mateu 28:19–20, çfarë mund të bëni për t’u përgatitur që të shërbeni një mision?
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Mateun 27–28 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: