Biblioteka
Hyrje te 2 Korintasve


Hyrje te 2 Korintasve

Përse të Studiohet Ky Libër?

Kjo letër e Apostullit Pal drejtuar anëtarëve të Kishës në Korint spikat për temat e saj të ngushëllimit mes vuajtjes, të forcës mes dobësisë (siç ilustrohet nga vetë Pali) dhe të dallimit të mësuesve të vërtetë nga ata që janë të rremë. Shembulli dhe mësimet e Palit të shënuara te 2 Korintasve mund t’ju frymëzojnë të qëndroni të vërtetë dhe besnikë ndaj besëlidhjeve të përjetshme që keni bërë me Perëndinë, Atin e Amshuar, pavarësisht nga rrethanat ose pasojat.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Pali ua shkroi këtë letër shenjtorëve korintas (shih 2 Korintasve 1:1).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Pak pasi Pali shkroi letrën që ne e njohim si 1 Korintasve, në Efes u krijua një trazirë për të kundërshtuar mësimet e tij (shih Veprat e Apostujve 19:23–41), dhe ai u nis për në Maqedoni (shih Veprat e Apostujve 20:1; 2 Korintasve 2:13; 7:5). Me sa duket, ndërkohë që ishte në Maqedoni, ai shkroi 2 Korintasve, me gjasë rreth viteve 55–57 ps.K. (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Pauline Epistles” [“Letra të Palit”]; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, scriptures.lds.org).

Për Kë u Shkrua Ky Libër dhe Përse?

Letra që ne e njohim si 2 Korintasve, iu shkrua anëtarëve të Kishës në Korint. Ndërkohë që Pali ishte në Maqedoni gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar, Titi i solli lajmin nga Korinti se një letër, të cilën ai e kishte dërguar më përpara, qe pritur mirë nga shenjtorët atje (shih 2 Korintasve 7:6–13). Dega e Kishës në Korint po bënte përparime, por Pali mësoi gjithashtu se mësues të rremë atje po i prishnin doktrinat e pastra të Krishtit. Diku [në periudhën] pas vizitës fillestare të Palit në Korint dhe me të ngjarë pas një vizite të dytë, (shih 2 Korintasve 1:15–16), kur ai duket t’i ketë qortuar disa prej shenjtorëve (shih 2 Korintasve 2:1; 12:21), predikues nga zona e Jeruzalemit kishin ardhur në Korint dhe kishin filluar t’u mësonin shenjtorëve se ata duhej të përvetësonin praktikat judease, [gjë që binte] në kundërshtim me mësimet e Palit. Pjesa më e madhe e 2 Korintasve trajton problemet e shkaktuara nga këta mësues të rremë.

Letra e Palit iu drejtua si atyre që dëshironin më shumë nga fjala e tij (shih 2 Korintasve 1–9), edhe atyre që ishin ngurrues për ta pranuar mësimdhënien e tij (shih 2 Korintasve 10–13). Në përgjithësi, teksti i 2 Korintasve zbulon disa nga qëllimet e kësaj letre:

  • Për t’u shprehur mirënjohje dhe për t’i forcuar shenjtorët, të cilët i ishin përgjigjur me mirëdashje letrës së tij të mëparshme

  • Për t’i paralajmëruar ndaj mësuesve të rremë, të cilët i prishnin doktrinat e pastra të Krishtit

  • Për të mbrojtur karakterin dhe autoritetin e tij vetjak si një Apostull i Jezu Krishtit (shih 2 Korintasve 10–13)

  • Për t’i nxitur shenjtorët korintas që t’i jepnin një ofertë bujare financiare shenjtorëve të varfër në Jeruzalem (shih 2 Korintasve 8–9)

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

Ndërkohë që shumë nga letrat e Palit përqendrohen te doktrina, pjesa më e madhe e kësaj letre nxjerr në pah marrëdhënien e Palit me shenjtorët korintas dhe dashurinë e shqetësimin e tij për ta. Megjithëse Pali qe i vendosur në kundërshtimin e tij ndaj kritikëve, gjatë gjithë 2 Korintasve ne e shohim atë si një udhëheqës të butë priftërie, duke u kujdesur për lumturinë dhe mirëqenien e shenjtorëve. Ai tregoi edhe disa hollësi autobiografike të jetës së tij dhe shkroi për “gjëmb[in] [e tij] në mish” (2 Korintasve 12:7).

Në një përvojë të shenjtë të shënuar te 2 Korintasve 12:2–4, Pali e përshkroi veten e tij si “një njeri në Krishtin”, i cili “u rrëmbye gjer në të tretin qiell” ku ai pa dhe dëgjoi gjëra të patregueshme. Ky vegim, i marrë së bashku me thënien e tij të mëparshme doktrinore lidhur me ndryshimet në lavdinë e trupave të ringjallur (shih 1 Korintasve 15:35–44), mund të shihet si një krahasim biblik me vegimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76.

Përmbledhje

2 Korintasve 1–5. Pali dëshmon se Perëndia i ngushëllon fëmijët e Tij në të gjitha mundimet e tyre. Ai i sfidon shenjtorët që ta duan dhe ta falin njëri-tjetrin. Ungjilli dhe punët e Shpirtit të Zotit janë më të lavdishme sesa germa e ligjit të Moisiut. Pali i jep zemër lexuesve të tij në çastet e tyre të fatkeqësisë dhe u kujton atyre natyrën e përjetshme të dashurisë e lavdisë së Perëndisë. Ai i ndihmon lexuesit që të kuptojnë nevojën e tyre për t’u pajtuar me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

2 Korintasve 6–13. Ndërsa përballet me kritika dhe kundërshtime nga mësues të rremë, Pali e mbron sinqeritetin e tij si një shërbëtor i Zotit dhe i fton lexuesit e tij që të veçohen nga bota. Ai jep mësim rreth “trishtimi[t] sipas Perëndisë” (shih 2 Korintasve 7:10). Pali i falënderon shenjtorët koritas për ndihmën e tyre ndaj të varfërve në Jeruzalem dhe i nxit ata që të vazhdojnë të japin bujarisht. Ai flet fuqishëm kundër “apostuj[ve] të rremë” (2 Korintasve 11:13). Ai lëvdohet në Zotin dhe tregon hollësi biografike të mundimeve dhe besimit të tij në Jezu Krisht. Ai shkruan vegimin e tij për qiellin e tretë dhe i fton shenjtorët që ta analizojnë vetveten dhe ta provojnë veten e tyre besnikë.

Shtyp në Letër