Biblioteka
Njësia 1, Dita 1: Plani i Shpëtimit


Njësia 1: Dita 1

Plani i Shpëtimit

Hyrje

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e një përmbledhjeje të shkurtër të planit të shpëtimit në fillim të çdo viti në seminar:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Një përmbledhje e shkurtër e ‘planit të lumturisë’ … , nëse jepet në fillim fare dhe rishikohet rregullisht, do të jetë me vlerë të pamasë për … studentët. …

Të rinjtë pyesin veten: ‘Përse?’ – Përse urdhërohemi të bëjmë disa gjëra dhe përse urdhërohemi të mos i bëjmë gjërat e tjera? Një njohuri për planin e lumturisë, qoftë edhe në formë përvijimi, mund t’u japë mendjeve të reja një ‘përse’” (“The Great Plan of Happiness”, në Teaching Seminary: Preservice Readings [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2004], f. 69–70, LDS.org; shih Alma 12:32).

Ky mësim jep një përmbledhje të shkurtër të planit të shpëtimit dhe përqendrohet te roli qendror i Jezu Krishtit dhe te Shlyerja e Tij në atë plan.

Roli i Jezu Krishtit në Jetën Para Lindjes

Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ju?

Në mësimin e sotëm ju do të mësoni rreth rolit të Jezu Krishtit në planin e shpëtimit të Atit Qiellor. Ndërsa studioni, kërkoni të vërteta që mund të ndihmojnë për ta forcuar besimin tuaj te Jezu Krishti.

  1. Vizatoni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Ndërsa studioni këtë mësim, ju do t’i shkruani doktrinat në tabelën tuaj.

    Jezu Krishti Është në Qendër të Planit të Shpëtimit të Atit Qiellor

    Jeta Para Lindjes

    Jeta në Vdekshmëri

    Jeta Pas Vdekjes

Plani i Atit Qiellor për shpëtimin tonë përbëhet nga tri faza kryesore: jeta jonë para lindjes, e cila i parapriu lindjes sonë fizike; jeta jonë në vdekshmëri; dhe jeta jonë pas vdekjes.

Lexoni deklaratën vijuese dhe shenjoni fjalët ose frazat që përshkruajnë kufizimet që përjetuam në jetën tonë para lindjes:

“Ne jetonim si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë në Qiell përpara se të lindeshim në këtë botë [shih Veprat e Apostujve 17:28–29; Abraham 3:22–26]. Megjithatë, ne nuk ishim si Ati ynë Qiellor dhe nuk do të mund të bëheshim kurrë si Ai dhe të gëzonim të gjitha bekimet që Ai gëzon, pa përvojën e jetës në vdekshmëri me një trup fizik.

I gjithë qëllimi i Perëndisë – vepra dhe lavdia e Tij – është të bëjë të mundur që secili nga ne të gëzojë bekimet e Tij [shih Moisiu 1:39]. Ai ka përgatitur një plan të përkryer për të plotësuar qëllimin e Tij. Ne e kuptuam dhe e pranuam këtë plan përpara se të vinim në tokë. …

… Me qëllim që të përparonim dhe të bëheshim si Perëndia, secili nga ne duhej të merrte një trup dhe të provohej gjatë një kohe prove në tokë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 48–49).

Kur Ati Qiellor e paraqiti planin e Tij të lumturisë, ne mësuam se do të duhej një shpëtimtar që ta vinte në jetë këtë plan. Luciferi, një nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor, ngriti krye kundër planit të Atit Qiellor. Ai u bë i njohur si Satani.

Lexoni Moisiun 4:1–3, për të parë atë që Satani kërkoi nga Ati Qiellor.

Çfarë kërkoi Satani nga Ati Qiellor?

Te Moisiu 4:2, ne mësojmë se Jezu Krishti ishte i vetmi që u zgjodh që nga fillimi për të bërë vullnetin e Atit Qiellor. Në tabelën tuaj, në kolonën “Jeta Para Lindjes”, shkruani doktrinën vijuese që mësojmë nga ky fragment: Jezu Krishti u zgjodh në jetën para lindjes për të qenë Shëlbuesi i njerëzimit.

Pasi Jezu Krishti u zgjodh për të vënë në jetë planin e shpëtimit të Atit Qiellor, nevojitej të krijohej një tokë ku ne të mund të merrnin një trup fizik dhe të fitonim përvojë.

Lexoni Hebrenjve 1:1–2, për të parë rolin e Jezu Krishtit në krijimin e tokës.

Nga këto vargje ne mësojmë doktrinën vijuese: Jezu Krishti e krijoi këtë tokë nën drejtimin e Atit Qiellor. Shkruajeni këtë doktrinë në kolonën “Jeta Para Lindjes”, në tabelën tuaj në ditarin vetjak të studimit të shkrimeve të shenjta.

Pamja
liqen në mal
  1. Mendoni për bukurinë e tokës dhe rreth vendeve e rasteve kur e keni vlerësuar vërtet këtë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjuni për sa vijon:

    1. Përshkruani një rast kur ju e vlerësuat bukurinë e tokës.

    2. Si ndikon te ndjenjat tuaja për Të, njohuria se Jezu Krishti e krijoi këtë tokë?

Roli i Jezu Krishtit në Jetën në Vdekshmëri

Pas ardhjes në tokë dhe marrjes së një trupi fizik, ne përjetojmë pengesa të tjera që do të na pengonin për t’u bërë si Ati Qiellor dhe për t’u kthyer në praninë e Tij. Dy nga ato pengesa janë vdekja fizike dhe vdekja shpirtërore. Vdekja fizike është ndarja e trupit tonë dhe e shpirtit tonë, dhe vdekja shpirtërore është ndarja jonë nga Perëndia. Lexoni deklaratën vijuese dhe shenjoni fjalët ose frazat që i përshkruajnë këto dy pengesa, të cilat ne i përjetojmë gjatë jetës sonë në vdekshmëri:

“Në vdekshmëri ne jetojmë në një gjendje të tillë ku jemi subjekte si të vdekjes fizike ashtu edhe asaj shpirtërore. Perëndia ka një trup të përsosur, të lëvduar, të pavdekshëm prej mishi dhe kockash. Që të bëhemi si Perëndia dhe të kthehemi në praninë e Tij, edhe ne duhet të kemi një trup të përsosur, të pavdekshëm prej mishi dhe kockash. Megjithatë, për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, çdo njeri në tokë ka një trup të papërsosur e të vdekshëm dhe në fund do të vdesë. Po të mos ishte Shpëtimtari Jezu Krisht, vdekja do t’u jepte fund të gjitha shpresave tona për një ekzistencë të ardhshme me Atin Qiellor.

Bashkë me vdekjen fizike, mëkati është një pengesë e madhe që na pengon të bëhemi si Ati ynë në Qiell dhe të kthehemi në praninë e Tij. Në gjendjen tonë të vdekshme shpesh ne i dorëzohemi tundimit, thyejmë urdhërimet e Perëndisë dhe mëkatojmë. … Megjithëse ndonjëherë duket ndryshe, mëkati gjithmonë çon drejt mjerimit. Mëkati shkakton ndjenja faji dhe turpi. Për shkak të mëkateve tona, ne nuk mund të kthehemi për të jetuar me Atin Qiellor në qoftë se nuk jemi falur dhe pastruar më parë.

… Ashtu si dhe me vdekjen fizike, ne nuk mund t’i kapërcejmë vetë pasojat e mëkatit. Ne jemi të pafuqishëm pa Shlyerjen e Jezu Krishtit” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 50–51).

Përpara se Jezusi të lindte në tokë, pasi Jozefi mësoi se Maria po priste një fëmijë, një engjëll e vizitoi atë në një ëndërr. Lexoni Mateun 1:21, duke kërkuar atë që engjëlli i shpalli Jozefit.

Nga ajo që engjëlli tha se do të bënte Jezusi, ne mësojmë se Jezu Krishti erdhi për të na shpëtuar nga mëkatet tona. Shkruajeni këtë doktrinë në kolonën “Jeta në Vdekshmëri” në tabelën tuaj.

Ne mund të shpëtohemi nga mëkatet tona për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shlyerja përfshin vuajtjen, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit.

Pamja
Krishti në Gjetseman, Kryqëzimi, Krishti i ringjallur

Shlyerja e Jezu Krishtit

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë duhet të bëjmë ne për t’u shpëtuar nga mëkatet tona nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit?

    2. Sipas Veprave të Apostujve 2:32, çfarë tjetër duhet të bëjmë?

Roli i Jezu Krishtit në Jetën Pas Vdekjes

A keni humbur si pasojë e vdekjes një pjesëtar të familjes apo një mik të dashur?

Për shkak të njohurisë sonë për planin e shpëtimit të Atit Qiellor, ne e dimë se gjatë vdekjes shpirtrat e të gjithë njerëzve hyjnë në botën e shpirtrave.

Lexoni 1 Pjetrin 3:18–20 dhe 1 Pjetrin 4:6, duke kërkuar atë që bëri Jezusi menjëherë pas vdekjes së Tij.

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 138:18–19, 30–32, duke kërkuar atë që bëri Jezu Krishti për ta lejuar ungjillin t’i predikohej çdokujt në botën e shpirtrave. (Doktrina e Besëlidhje 138 është një zbulesë rreth botës së shpirtrave, e marrë nga Presidenti Jozef F. Smith, ndërkohë që po përsiaste mbi vizitën e Shpëtimtarit te shpirtrat e vdekur, ndërsa trupi i Tij ishte në varr.)

Përmblidhni atë që bëri Jezu Krishti për ta lejuar ungjillin t’i predikohej çdokujt në botën e shpirtrave:

Shpëtimtari u ringjall ditën e tretë pas vdekjes së Tij (shih 1 Korintasve 15:4). Kur një person ringjallet, shpirti i tij apo i saj dhe trupi fizik ribashkohen, për të mos u ndarë më kurrë (shih DeB 138:17).

Pamja
Jezu Krishti me Marian

Zoti i ringjallur

Lexoni 1 Korintasve 15:20–22, për të parë mënyrën se si ndikon Ringjallja e Jezu Krishtit te secili prej nesh.

Në tabelën tuaj, në kolonën “Jeta Pas Vdekjes”, shkruani doktrinën vijuese: Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen.

Lexoni Zbulesën 20:12, duke kërkuar atë që do t’i ndodhë secilit prej nesh pasi të ringjallemi.

Libri i jetës mund të përfaqësojë mendimet dhe veprimet e një personi në këtë jetë, si dhe analin e mbajtur në qiell për të drejtët (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i jetës”, f. 102). Ne gjykohemi jo vetëm sipas veprave tona, por edhe sipas mendimeve, fjalëve dhe dëshirave tona (shih Mosia 4:30; Alma 12:14; DeB 137:9).

Lexoni Gjonin 5:22, për të parë se kush do të na gjykojë. (Ju mund të doni ta shkruani Gjonin 5:22 në anë të shkrimeve tuaja të shenjta pranë Zbulesës 20:12.)

Në tabelën tuaj, në kolonën “Jeta Pas Vdekjes”, shkruani doktrinën vijuese: Jezu Krishti do ta gjykojë të gjithë njerëzimin.

Qëllimi përfundimtar i planit të Atit Qiellor është që t’u japë të gjithë fëmijëve të Tij mundësi për të marrë jetë të përjetshme, ose ekzaltim, që do të thotë të bëhen si Ati Qiellor dhe të jetojnë me Të përgjithmonë në familje të përjetshme. Merrni parasysh familjen tuaj tani dhe familjen që shpresoni të keni një ditë.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se përse është e rëndësishme që ju të jeni në gjendje të jetoni me Atin Qiellor dhe pjesëtarët e familjes suaj përgjithmonë.

Lexoni Gjonin 3:5, 16–17, duke kërkuar atë që secili prej nesh duhet të bëjë për të marrë jetë të përjetshme (ose të përhershme).

Të besosh te Biri i Vetëmlindur do të thotë të ushtrosh besim te Jezu Krishti dhe të jetosh sipas ungjillit të Tij.

Në tabelën tuaj, në kolonën “Jeta Pas Vdekjes”, shkruani parimin vijues: Nëse ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe jetojmë sipas ungjillit të Tij, atëherë ne mund të marrim jetë të përjetshme.

  1. Mendoni përsëri rreth pyetjes së bërë në fillim të mësimit: “Si do të përgjigjeshit nëse dikush do t’ju pyeste përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ju?” Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përgjigjen tuaj për këtë pyetje duke u bazuar tek ajo që mësuat dhe ndiet gjatë studimit tuaj sot.

Merrni parasysh të përdorni tabelën që krijuat në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për t’i dhënë mësim familjes suaj ose të tjerëve rreth rolit të Jezu Krishtit në planin e shpëtimit të Atit Qiellor.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar mësimin “Plani i Shpëtimit” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër