Biblioteka
Njësia 7, Dita 3: Marku 1


Njësia 7: Dita 3

Marku 1

Hyrje

Gjoni Pagëzori predikoi “një pagëzim pendese për faljen e mëkateve” (Marku 1:4). Pasi Gjoni e pagëzoi Jezusin, Shpëtimtari filloi të predikonte ungjillin dhe të bënte mrekulli me anë të fuqisë dhe autoritetit hyjnor. Ai dëboi frymëra të ndyra dhe shëroi një lebros. Lajmet e gjërave që Ai bënte u përhapën kudo në Galile.

Marku 1:1–20

Jezusi fillon shërbesën e Tij

  1. Kërkojuni dy ose më shumë njerëzve (pjesëtarëve të familjes, miqve, shokëve/shoqeve të klasës ose të tjerëve) që të ndajnë me ju dëshminë e tyre për Jezu Krishtin. Ju mund të doni t’u jepni kohë të mendojnë dhe të përgatiten përpara se ta ndajnë dëshminë e tyre me ju. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një përmbledhje të shkurtër të të vërtetave që ata treguan.

Shqyrtoni pyetjet vijuese:

  • Çfarë vlere ka t’i dëgjosh dëshmitë nga disa individë, se sa nga një person i vetëm?

  • Çfarë mendoni se mund të jetë me vlerë rreth studimit të dëshmisë së Markut tani që ju keni studiuar dëshminë e Mateut?

Lexoni Markun 1:1–4, 9–11, duke kërkuar ngjarjen me të cilën Marku e filloi rrëfimin e tij për jetën e Shpëtimtarit.

Rrëfimi i Markut për jetën e Shpëtimtarit është i ndryshëm nga ai i Mateut. Ai fillon befas dhe ecën me një ritëm të shpejtë, duke e theksuar hyjninë e Shpëtimtarit me anë të përqendrimit te veprat dhe mrekullitë e Tij. Ka gjasa që Marku ta ketë shkruar rrëfimin e tij bazuar tek ajo që ai mësoi nga Apostulli Pjetër. Shumë studiues besojnë se ai u shkrua midis viteve 66 ps.K. dhe 73 ps.K., në një kohë kur të krishterët kudo në perandorinë romake vuajtën përndjekje të madhe.

Te Marku 1:12–20, ne lexojmë se pasi Jezusi agjëroi për 40 ditë, Ai u tundua nga djalli (shih edhe Mateu 4:1–11). Ai predikoi pendim edhe në Galile dhe thirri dishepuj për ta ndjekur Atë.

Marku 1:21–39

Jezusi dëbon demonë dhe shëron të sëmurë

Çfarë rreziqesh mund të hasë një ushtar në territorin armik?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Me gjithë këto që po ndodhin në botë, me uljen e standardeve morale, ju të rinjtë po rriteni në territorin e armikut.

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se ka pasur një luftë në qiell dhe se Luciferi ngriti krye dhe, me pasuesit e tij, ‘u hodh [në] tokë’ [Zbulesa 12:9]. Ai është i vendosur ta prishë planin e Atit tonë Qiellor dhe kërkon të kontrollojë mendjet dhe veprimet e të gjithëve” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 16).

Pamja
ushtarë me helmeta poshtë një kulle vrojtimi
  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nga ajo që dha mësim Presidenti Paker dhe nga vetë përvoja juaj, në çfarë mënyrash është jeta jonë këtu në tokë si të jesh në territorin armik?

Shqyrtoni raste në jetën tuaj kur ju jeni ndier të turbulluar për shkak të ndikimeve dhe tundimeve të liga që ju rrethojnë. Ndërsa studioni Markun 1:21–37, kërkoni një të vërtetë që do t’ju ndihmojë kur të përballeni me ndikimet dhe tundimet e liga.

Lexoni Markun 1:21–22, duke kërkuar atë që bëri Jezusi në Kapernaum dhe mënyrën se si reaguan judenjtë.

Përse u çuditën judenjtë nga mësimet e Shpëtimtarit?

Skribët e përmendur në vargun 22 konsideroheshin ekspertë në ligjin e Moisiut. Ata “nganjëherë quhe[shin] avokatë ose doktorë të ligjit. Ata e zhvilluan ligjin me hollësi dhe ia zbatuan atë rrethanave të kohës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Skrib”, scriptures.lds.org). Kur predikonin, ata shpesh citonin ish-autoritete të ligjit. Nga ana tjetër, Jezusi fliste me pushtet dhe autoritet nga Ati i Tij. Ai ishte edhe Jehovai i Madh, i cili dha ligjin e Moisiut. Përkthimi prej Joseph Smith-it na mëson se “ai i mësoi ata si dikush që kishte autoritet nga Perëndia dhe jo sikur të kishte autoritet nga skribët” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Mateu 7:37 [te Mateu 7:29, shënimi a në fund të faqes]).

Ndërsa Jezusi dha mësim në sinagogë, Ai u përball me një njeri që ishte pushtuar nga një frymë e ndyrë ose e ligë. Lexoni Markun 1:23–26, duke kërkuar atë që fryma e ndyrë dinte për Jezusin.

Nëse është në dispozicion, ju mund të shikoni videon “Jesus Heals a Possessed Man” [“Jezusi Shëron një të Idemonizuar”] (1:48) nga The Life of Jesus Christ Bible Videos [Video nga Bibla mbi Jetën e Jezu Krishtit], që gjendet në LDS.org, për të parë atë që fryma e ndyrë dinte për Jezusin.

Frymërat e liga që kërkojnë të zotërojnë trupat fizikë janë pasues të Luciferit. Ata jetuan në prani të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit përpara se të dëboheshin nga qielli.

Nëse ju do të kishit qenë në sinagogë atëherë dhe do të shihnit se ç’ndodhi, çfarë do të kishit menduar për Jezusin?

Lexoni Markun 1:27–28, për të parë mënyrën se si reaguan njerëzit pasi e panë Jezusin të dëbonte frymën e ndyrë nga burri.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim është që Shpëtimtari ka fuqi mbi djallin dhe pasuesit e tij.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund t’ju ndihmojë njohuria se Shpëtimtari ka fuqi mbi djallin dhe pasuesit e tij, kur ju ndiheni të turbulluar për shkak të ndikimeve dhe tundimeve të liga që ju rrethojnë?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dhe shenjoni atë që mund të bëjmë për të marrë fuqi më të madhe për t’i bërë ballë djallit:

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Profeti Jozef Smith … tha: ‘Shpirtrat e ligj kanë caqet, kufizimet dhe ligjet e tyre, nëpërmjet të cilave qeverisen’ [në History of the Church, 4:576]. Prandaj Satani dhe engjëjt e tij nuk janë të gjithëfuqishëm. …

… Përpjekjet e Satanit mund të pengohen nga të gjithë ata që vijnë te Krishti me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit. Pasuesit e përulur të Mësuesit hyjnor nuk duhet të mashtrohen nga djalli. Satani nuk mbështet dhe nuk lartëson dhe nuk bekon. Ai i braktis ata që i ka mbërthyer në turp e në mjerim. Shpirti i Perëndisë është një ndikim mbështetës dhe lartësues” (“Serving the Lord and Resisting the Devil”, Ensign, shtator 1995, f. 6, 7).

Pamja
Profeti Jozef Smith

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ne erdhëm në këtë botë që të mund të kemi një trup dhe ta paraqesim atë të dëlirë përpara Perëndisë në mbretërinë çelestiale. Parimi i madh i lumturisë qëndron në pasjen e një trupi. Djalli nuk ka trup, dhe ky është dënimi i tij. Ai kënaqet kur mund të sigurojë tabernakullin e njeriut, dhe kur u dëbua nga Shpëtimtari, ai kërkoi të shkonte në tufën e derrave [shih Marku 5:1–13], duke treguar se ai do të parapëlqente trupin e një derri se sa të mos kishte fare. Të gjitha qeniet që kanë trupa, kanë fuqi mbi ato që nuk kanë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 221–222).

Lexoni Markun 1:28, duke kërkuar atë që ndodhi pasi Shpëtimtari e dëboi frymën e ligë.

Simon Pjetri ishte i martuar dhe te Marku 1:29–31, ne lexojmë se Shpëtimtari e shëroi vjehrrën e tij nga ethet. Te Marku 1:32–39, ne lexojmë se Jezusi shëroi shumë të tjerë që ishin të sëmurë, dëboi shumë demonë dhe vazhdoi të predikonte kudo në Galile.

Marku 1:40–45

Jezusi shëron një lebros

Lexoni Markun 1:40, për të parë se kush erdhi te Shpëtimtari ndërsa Ai vazhdonte të predikonte në Galile.

Nëse është në dispozicion, ju mund të shikoni videon “Lesson 18: New Testament Customs—Leprosy” [“Mësimi 18: Tradita të Dhiatës së Re – Lebra”] (1:01), që gjendet në LDS.org.

Në kohët e lashta, një person që vuante nga lebra quhej lebros. “Lebra është një sëmundje kronike që prek lëkurën, nervat, sytë, kockat dhe gjymtyrët. Nëse lihet e patrajtuar, ajo i bën gjithnjë e më shumë të paaftë viktimat e saj përpara se t’i nënshtrojë ata ndaj një vdekjeje të dhimbshme. Lebrosët në Izraelin e lashtë, mbaheshin në karantinë [detyroheshin që të jetonin jashtë qytetit], urdhëroheshin që të thërrisnin “I papastër!” për të paralajmëruar çdokënd që u afrohej atyre dhe konsideroheshin se e përhapnin papastërtinë e tyre ndaj çdokujt që binte në kontakt me ta (shih Levitiku 13:45–46)” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 103).

Përfytyroni sikur të ishit një lebros gjatë kohës së Jezu Krishtit. Si do të kishte ndikuar në jetën tuaj fakti që ju kishit lebër?

Lexoni Markun 1:40, duke kërkuar atë që bëri lebrosi kur e pa Shpëtimtarin. (Fjala duke iu lutur do të thotë duke i kërkuar ndihmë ose duke iu përgjëruar.)

Si e tregoi lebrosi besimin e tij te Jezu Krishti?

Fraza “po të duash” do të thotë se burri e kuptoi që shërimi i tij varej nga vullneti i Shpëtimtarit. Lexoni Markun 1:41–42, për të parë mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari përgjërimit të burrit.

Përsiatni pyetjet vijuese:

  • Nëse ju do të kishit qenë lebrosi, çfarë do të thoshte për ju të prekeshit nga Shpëtimtari? Përse?

  • Si do të ndryshonte jeta juaj nëse Jezu Krishti do t’ju shëronte nga lebra?

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shenjoni mënyrat që ai tha se si lebra mund të krahasohet me mëkatin (shih Levitiku 14): “Lebra në kohët biblike, përveç ndikimeve të veta shkatërruese, shihej si simbol i mëkatit dhe i papastërtisë, duke nënkuptuar që ashtu si kjo sëmundje e ligë brente dhe shkatërronte trupin fizik, kështu mëkati brente dhe kalbte anën shpirtërore të njeriut … Pati raste në Dhiatën e Vjetër – Miriami, Gehazi dhe Uziahu – ku individët rebelë u mallkuan me lebër si ndëshkim për veprimet e tyre të liga” (The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary, 4 vëll. [1979–1981], 2:45).

Është e rëndësishme të vëmë re se sëmundje të tilla si lebra nuk shkaktohen nga mëkati. Por ka një ngjashmëri midis ndikimeve të lebrës dhe ndikimeve të mëkatit. Rilexoni Markun 1:40–42. Këtë herë, zëvendësojeni fjalën mëkatar me lebros dhe mëkat me lebër. Teksa ju lexoni, kërkoni për mënyrën se si ne mund ta krahasojmë shërimin e këtij lebrosi me pastrimin tonë nga mëkati.

Kur ju i lexoni këto vargje në këtë mënyrë, cilat fjalë sugjerojnë idenë e të qenit të falur?

Si mund ta krahasojmë atë që bëri lebrosi për t’u pastruar nga lebra, me atë që na nevojitet të bëjmë për t’u pastruar nga mëkati?

Një parim që ne mund të mësojmë nga përqasja e shërimit të lebrosit me të qenit të pastruar nga mëkati është se kur ne ushtrojmë besim dhe vijmë te Shpëtimtari, Ai do të ketë dhembshuri për ne dhe do të na pastrojë nga mëkati. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në anë të shkrimeve tuaja të shenjta pranë Markut 1:40–42.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në çfarë mënyrash duhet të ushtrojmë besim dhe të vijmë te Shpëtimtari, që Ai të mund të na pastrojë nga mëkatet tona?

    2. Merrni përsëri në shqyrtim se si ishte jeta e lebrosit para dhe pasi u shërua. Si mund ta ndryshojë jetën e dikujt ardhja te Jezu Krishti për t’u pastruar nga mëkati?

    3. Kur e keni parë jetën e dikujt të ndryshojë pasi është pastruar nga mëkati nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit?

Përsiatni se nga cilat mëkate ju keni nevojë të pastroheni. Kur ju vini te Shpëtimtari duke ushtruar besim tek Ai nëpërmjet lutjes, pendimit dhe bindjes, Ai mund t’ju pastrojë.

Lexoni Markun 1:43–45, duke kërkuar udhëzimet që Shpëtimtari i dha lebrosit të shëruar. Ligji i Moisiut u kërkonte atyre që shëroheshin nga lebra, t’ia tregonin veten e tyre një prifti në tempull. Pasi prifti e shpallte lebrosin të shëruar, do të bëhej një flijim, përmes të cilit lebrosi mund të shpallej i pastër, duke i lejuar atij sërish një shoqërim të plotë me familjen e tij dhe bashkësinë.

Çfarë bëri burri pasi Shpëtimtari e paralajmëroi që të mos u tregonte të tjerëve?

Çfarë ndodhi për shkak se burri e përhapi lajmin e shërimit të tij?

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Markun 1 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër