Njësia 24: Dita 1
2 Korintasve 8–9
Hyrje
Apostulli Pal u shkroi shenjtorëve në Korint, duke shpjeguar se anëtarët e Kishës në Maqedoni u kishin dhënë bujarisht atyre që ishin në nevojë. Ai i nxiti shenjtorët korintas që të ndiqnin gjithashtu shembullin e Shpëtimtarit duke u dhënë të varfërve. Pali dha mësim për bekimet që u vijnë atyre të cilët u japin me gëzim të varfërve.
2 Korintasve 8
Pali i këshillon shenjtorët që të kujdesen për të varfrit
Lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe merrni parasysh se cila fjalë mungon që do ta bënte këtë thënie një thënie të vërtetë: “Gjatë gjithë historisë, ____________________ ka qenë një nga sfidat më të mëdha dhe më të përhapura të njerëzimit. Barra e saj e natyrshme është zakonisht fizike, por dëmtimi shpirtëror dhe emocional që mund të sjellë, mund të jetë edhe më ligështues” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 40).
Shkruani te viza fjalën varfëri, dhe rilexojeni thënien e Plakut Holland duke marrë parasysh kuptimin e saj.
Varfëria është gjendja e mospasjes së mjaft burimeve të nevojshme, të cilat mund të përfshijnë para, të mira materiale ose mjete jetese. Përse varfëria mund të jetë një sfidë kaq e vështirë?
Mendoni për individë që ju i njihni, të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë të çfarëdo lloji, përfshirë ndihmë fizike, emocionale, shoqërore ose shpirtërore. Ndërsa studioni 2 Korintasve 8–9, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni dhe përmbushni rolin tuaj për t’i ndihmuar të tjerët që janë në nevojë.
Te 2 Korintasve 8:1–8, Apostulli Pal u tha shenjtorëve korintas se anëtarët e Kishës në Maqedoni kishin dhënë bujarisht për t’i ndihmuar të varfrit në nevojat e tyre materiale (shih Harta e Fotografi të Biblës nr. 13 “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Ai shpjegoi se anëtarët maqedonas e bënë këtë ngaqë donin të bënin vullnetin e Perëndisë. Pali i nxiti shenjtorët e Korintit që ta ndiqnin këtë shembull, që të siguronin për nevojat e të tjerëve prej dashurisë së sinqertë.
Hiqni një vijë vertikale në mes të një flete bosh në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, duke krijuar dy kolona. Shkruani fjalën I pasur në krye të kolonës së parë, dhe shkruani fjalën I varfër në krye të kolonës së dytë.
Lexojeni 2 Korintasve 8:9, duke kërkuar atë që tha Pali se Jezu Krishti bëri për shenjtorët. Më pas përgjigjjuni pyetjeve vijuese, duke i renditur përgjigjet tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta nën fjalët I pasur dhe I varfër.
Në ç’mënyra qe Jezu Krishti i pasur në jetën para lindjes?
Në ç’mënyra mund të jetë konsideruar Ai i varfër gjatë jetës së tij në vdekshmëri?
Çfarë mendoni se do të thotë në vargun 9 që “të bëhe[m]i të pasur me anë të varfërisë së [Shpëtimtarit]”?
Merreni parasysh që edhe përpara se Jezu Krishti të lindte, Ai ishte anëtar i Kreut-Perëndi dhe qëndroi pranë Atit Qiellor në autoritet, fuqi dhe lavdi. Për shkak se Jezu Krishti denjoi, apo u përul dhe e zbriti Veten e Tij nga froni i Tij para lindjes dhe erdhi në tokë për të shërbyer, dha një shembull dhe e kreu Shlyerjen, ne mund të fitojmë pasuritë e jetës së përjetshme (shih 1 Nefi 11:26–28).
Rreth një vit më parë, shenjtorët korintas ishin zotuar që të mblidhnin ndihma për shenjtorët e varfër në Jeruzalem. Lexojeni 2 Korintasve 8:10–11, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin në atë kohë. Frazat “ta bëni” dhe “përfundojeni edhe bërjen”, i referohen këshillës së Palit që shenjtorët ta përmbushnin zotimin e tyre të mëparshëm për t’u dhënë shenjtorëve të varfër atë që mundeshin, sikurse Shpëtimtari u kishte dhënë atyre pasuri të përjetshme.
Një parim që mund të mësojmë është se kur ne arrijmë të kuptojmë gjithçka që Shpëtimtari na ka dhënë, ne do të jemi më të gatshëm për t’iu dhënë të tjerëve nga pasuria jonë.
Mendoni për mënyrën se si njohja e bollëkut të dhuratave që Shpëtimtari na ka dhënë mund të na nxitë për t’u dhënë atyre në nevojë.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë dhuratash të veçanta ju ka dhënë Shpëtimtari dhe si ju frymëzojnë ato për t’u dhënë të tjerëve?
Lexojeni 2 Korintasve 8:12–15, duke kërkuar një të vërtetë tjetër që Pali u mësoi njerëzve për rëndësinë e mbështetjes së njëri-tjetrit në mënyra materiale.
Një e vërtetë që mund të mësojmë prej 2 Korintasve 8:12–13 është se Perëndia do që ne të jemi të gatshëm të japim edhe kur mund të mos kemi asgjë për të dhënë.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë do të thotë kjo e vërtetë, lexoni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland dhe më pas merrni në shqyrtim pyetjet vijuese: “Të pasur apo të varfër, ne duhet ‘të bëjmë atë që mundemi’ kur të tjerët janë në nevojë” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” f. 41).
Çfarë mund të bëjmë ne për të tjerët nëse nuk kemi asgjë fizike për t’u dhënë atyre?
Përse duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të tjerët?
Sipas 2 Korintasve 8:14–15, kush përfiton kur të gjithë shenjtorët japin në mënyrë të vazhdueshme nga bollëku i tyre?
Përsiatni mbi disa mënyra se si përfiton gjithsecili kur të gjithë ne jemi të gatshëm të japim.
Lexoni thënien vijuese nga Plaku Holland, duke kërkuar mënyrën se si mund të na ndihmojë Zoti që të reagojmë me dhembshuri ndaj të varfërve: “Unë nuk e di pikërisht se si çdokush prej jush duhet ta përmbushë detyrimin e tij ndaj atyre që nuk e ndihmojnë ose që nuk munden ta ndihmojnë gjithmonë vetveten. Por unë e di që Perëndia e di, dhe Ai do t’ju ndihmojë e udhëheqë në veprime dhembshurie të të qenit dishepull, në qoftë se ju dëshironi dhe luteni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe kërkoni mënyra për të zbatuar një urdhërim që Ai na e ka dhënë në mënyrë të përsëritur” (“A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa?” f. 41).
Vini re që Plaku Holland tha se ne duhet të “dëshiro[jmë] e lute[m]i në mënyrë të ndërgjegjshme dhe [të] kërko[jmë] mënyra” që t’i ndihmojmë të varfrit dhe nevojtarët. Ofertat e agjërimit, projektet vendore të shërbimit dhe mundësitë humanitare janë disa nga mënyrat që Kisha ka vendosur, në mënyrë që ne të mund të ndihmojmë për të plotësuar nevojat e të varfërve. A mund të mendoni për ndonjë mënyrë tjetër se si të mund ta bëjmë këtë?
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur ju e ndihmuat dikë në nevojë dhe për mënyrën se si u ndiet si rezultat i kësaj. Ju mund të shkruani gjithashtu një gjë që planifikoni të bëni, bazuar në atë çka dha mësim Pali për t’u dhënë të varfërve dhe nevojtarëve.
Siç shënohet te 2 Korintasve 8:16–24, Pali u foli shenjtorëve korintas rreth Titit dhe dy vëllezërve të tjerë, të cilët po dërgoheshin për të mbledhur ndihma bamirësie për shenjtorët në Jeruzalem. Pali foli për besimin e tij te shenjtorët korintas dhe shpjegoi se dhurimet e tyre bujare do të shërbenin si provë e dashurisë së tyre për të tjerët.
2 Korintasve 9
Pali jep mësim rreth bekimeve të të qenit një dhurues i sinqertë
Pali vazhdoi t’i lavdëronte shenjtorët korintas (shih 2 Korintasve 9:1–5). Ai u tha shenjtorëve se i kishte dërguar Titin dhe të tjerët që të pohonin gatishmërinë e tyre për t’u dhënë bujarisht të varfërve.
Mendoni rreth faktit nëse i keni dhënë ndonjëherë diçka dikujt apo keni bërë diçka për dikë, pa zemër ose pa dëshirë. Përse ndonjëherë është e vështirë që të jeni i gëzuar kur jepni nga koha, paratë tuaja dhe burime të tjera për t’i ndihmuar të tjerët?
Lexojeni 2 Korintasve 9:6–7, duke kërkuar krahasimin që përdori Pali për t’u mësuar anëtarëve në Korint rreth të dhënit me bujari.
Të mbjellësh do të thotë të hedhësh fara. Cilët janë mbjellësit në këtë krahasim?
Merrni në shqyrtim se si kur ne u japim të tjerëve është si të mbjellësh fara në një fushë. Çfarë ndodh kur ne mbjellim vetëm me kursim? Çfarë ndodh kur ne mbjellim me bollëk?
Sipas 2 Korintasve 9:7, si pret Zoti nga ne që të mbjellim apo të japim?
Prej 2 Korintasve 9:6–7 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Nëse ne u japim me një zemër të gëzuar atyre që janë në nevojë, Perëndia do të na bekojë bujarisht.
Në ç’mënyrë kur ne u japim të tjerëve me një sjellje të gëzuar, mund të na bëjë që të marrim me më shumë bollëk?
Lexojeni 2 Korintasve 9:8–10, duke kërkuar bekimet që Pali tha se do t’u vinin shenjtorëve nëse do të jepnin me një zemër të gëzuar. Shenjoni ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta disa nga frazat që përdori Pali për të përshkruar mënyrën se si i bekon Zoti ata që japin me një zemër të gëzuar.
Vini re se frazat që përdori Pali për të përshkruar bekimet e Zotit sugjerojnë se ne do të marrim hirin e Zotit, i cili përfshin bekime materiale të mjaftueshme për nevojat tona.
Sipas 2 Korintasve 9:10, kush është “ai që i jep farën mbjellësit”? Si mund të na ndihmojë të kujtuarit se nga vjen fara që të japim me gëzim?
Lexojeni 2 Korintasve 9:11–15, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth atyre shenjtorëve që japin dhe marrin me gëzim.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Sipas 2 Korintasve 9:11–15, si ndihen kundrejt Perëndisë ata që japin bujarisht nga pasuria e tyre dhe ata që marrin nga pasuria e një tjetri? (Merreni parasysh të shenjoni ose të shënoni çdo frazë për mirënjohjen që gjendet në këto vargje.)
Merreni parasysh ta shkruani të vërtetën vijuese pranë 2 Korintasve 9:11–15 në shkrimet tuaja të shenjta: Kur e bëjmë të ditur bujarinë e Perëndisë për bekimet [që marrim], kjo mund të na ndihmojë që të ndjejmë mirënjohje ndaj Tij.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kur jeni ndier mirënjohës ndaj Perëndisë pasi i kuptuat bekimet që Ai ju dërgoi sepse u shërbyet dhe u dhatë të tjerëve në një mënyrë të gëzueshme? (Merreni parasysh të shtoni dëshminë tuaj për parimet dhe të vërtetat e përcaktuara te 2 Korintasve 8–9.)
Për t’ju ndihmuar që ta vini në zbatim këtë mësim, merrni në shqyrtim mënyrat se si mund ta ndihmoni dikë në nevojë këtë javë (ndoshta dikë në familjen tuaj). Vini një synim të veçantë për ta ndihmuar atë person dhe shkruajeni atë në një fletë letre.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Korintasve 8–9 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: