Biblioteka
Njësia 4, Dita 2: Mateu 14


Njësia 4: Dita 2

Mateu 14

Hyrje

Pasi mësoi për vdekjen e Gjon Pagëzorit, Jezusi u përpoq të tërhiqej në vetmi, por Ai u ndoq nga një turmë njerëzish. Ai pati dhembshuri për ta, shëroi të sëmurët e tyre dhe ushqeu mrekullisht më shumë se 5.000 prej tyre. Atë natë, Jezusi eci mbi det drejt barkës në të cilën ishin dishepujt e Tij.

Mateu 14:1–21

Jezusi përpiqet të tërhiqet në vetmi dhe pastaj ushqen më shumë se 5.000 njerëz

Mendoni për një rast kur ishit shumë i pikëlluar. Çfarë bëtë për ta duruar dhe për ta kapërcyer pikëllimin tuaj?

Renditni disa mënyra të ndryshme se si njerëzit përpiqen ta durojnë dhe ta kapërcejnë pikëllimin:

Teksa studioni Mateun 14:1–21, kërkoni mënyra që mund t’ju ndihmojnë ta duroni dhe kapërceni hidhërimin.

Mateu 14:1–11 shënon që mbreti Herod e burgosi padrejtësisht Gjon Pagëzorin me nxitjen e gruas së tij të re, Herodiadës, e cila donte ta ndalonte Gjon Pagëzorin së dënuari martesën e saj të paligjshme me mbretin Herod (shih Marku 6:17–19). Pasi e bija e gruas së tij, Salomeja, vallëzoi përpara tij, Herodi publikisht premtoi se ajo mund të kishte “çfarëdo që t’i kërkonte” (Mateu 14:7). E bija u këshillua me të ëmën dhe kërkoi kokën e Gjon Pagëzorit dhe, për pasojë, Herodi bëri që Gjonit t’i pritej koka.

Gjon Pagëzori ishte mik dhe i afërm i Jezu Krishtit dhe ai qe zgjedhur nga Perëndia për të qenë profeti që do të përgatiste udhën për Mesian.

Përfytyroni sikur të ishit një mik i ngushtë i Gjon Pagëzorit. Si do të kishit reaguar pasi të dëgjonit për vdekjen e tij të padrejtë?

Lexoni Mateun 14:12–13, duke kërkuar atë që bëri Jezusi kur dëgjoi për vdekjen e Gjonit.

Fraza “në vetmi, në një vend të shkretë” te vargu 13, i referohet një vendi të veçuar [shih Markun 6:31, shënimin a në fund të faqes (në variantin SHDM të Biblës në anglisht)].

Çfarë ndodhi kur Jezusi u përpoq të qëndronte vetëm?

Si do të ndiheshit, nëse do të ishit i pikëlluar dhe do të dëshironit të qëndronit vetëm, por të tjerët do të kërkonin vëmendjen tuaj?

Lexoni Mateun 14:14, për të parë mënyrën se si reagoi Jezusi kur pa turmën që po e ndiqte Atë.

Nga ky rrëfim ne mësojmë se duke treguar dhembshuri për të tjerët edhe kur përjetojmë pikëllim, ne ndjekim shembullin e Jezu Krishtit.

  1. Përmblidhni për një pjesëtar të familjes ose mik rrëfimin rreth Jezusit që shfaq dhembshuri pasi dëgjon për vdekjen e Gjon Pagëzorit. Pastaj diskutoni për pyetjet vijuese me atë person. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni personin me të cilin biseduat dhe një raport të shkurtër të diskutimit tuaj.

    1. Si mund të na ndihmojë të treguarit e dhembshurisë për të tjerët kur ne vetë jemi duke vuajtur?

    2. Përse mund të jetë e vështirë të tregojmë dhembshuri për të tjerët kur ne jemi duke vuajtur?

    3. Në ç’rast ju ose dikush që ju njihni përjetoi pikëllim të madh dhe përsëri shfaqi dhembshuri për një person tjetër? Në ç’mënyra qe i dobishëm shërbimi ndaj dikujt tjetër?

Lexoni Mateun 14:15–21, duke kërkuar mënyrën se si Jezusi vazhdoi të tregonte mëshirë për turmën.

Mateu 14:22–36

Jezusi ecën në det gjatë një stuhie

Merrni parasysh dy skenarët vijues:

Skenari 1: Një e re ndihet e pafuqishme ndërsa e shikon të ëmën duke vuajtur nga një sëmundje e pashërueshme. Ajo fillon të dyshojë nëse Ati Qiellor është i vetëdijshëm për dhimbjen e familjes së saj. Ajo dëshpërimisht dëshiron që të besojë në Perëndi, por dyshimet e saj po fillojnë ta pushtojnë.

Skenari 2: Një i ri është bashkuar me Kishën kohët e fundit. Shumë nga miqtë e tij të vjetër kanë qenë haptazi kritikues ndaj vendimit të tij për t’u bashkuar me Kishën. Ai po fillon të pyesë veten nëse duhet të vazhdojë të jetë anëtar aktiv dhe besnik i Kishës.

Cilat janë disa mënyra të tjera se si njerëzit mund të përjetojnë dyshim apo frikë kur përpiqen ta ndjekin Jezu Krishtin?

Teksa e studioni pjesën e mbetur të Mateut 14, kërkoni pohime të së vërtetës që mund t’ju ndihmojnë të kapërceni druajtjet, dyshimet dhe shkurajimin.

Lexoni Mateun 14:24–25, duke kërkuar atë që ndodhi kur dishepujt po kalonin detin e Galilesë në bindje ndaj udhëzimit të Shpëtimtarit.

Shprehja “era … ishte e kundërt” te vargu 24 do të thotë se era po frynte në drejtim të kundërt me pikëmbërritjen e tyre.

Te Mateu 14:23, vini re se qe mbrëmje kur Jezusi ishte i vetëm në mal dhe dishepujt po kalonin detin e Galilesë. Largësia për të kaluar detin ishte rreth 5 milje (8 kilometra) dhe në mot të mirë ata duhet të kishin qenë në gjendje që ta kalonin atë në dy deri tri orë. Shpëtimtari erdhi tek ata gjatë rojës së katërt, e cila ishte diku “mes [orës] tre dhe gjashtë në mëngjes” (Mateu 14:25, shënimi a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]). Kjo do të thotë se dishepujt kishin luftuar kundër erës për ta kaluar detin gjithë natën.

Lexoni Markun 6:47–48, duke kërkuar hollësitë shtesë që jep Marku për këtë ngjarje.

Nëse Jezusi do ta dinte që dishepujt e Tij po përpiqeshin, a mendoni se Ai mund t’ua kishte kursyer atyre përpjekjet e tyre? Cili mund të ketë qenë qëllimi i lënies që dishepujt të përpiqeshin për një farë kohe përpara se të shpëtoheshin?

Nga këto rrëfime për dishepujt që kalojnë detin, ne mësojmë se ndonëse Perëndia mund të mos na i kursejë përherë përpjekjet, Ai e di atë që ne po përjetojmë dhe, në vetë kohën e Tij, do na vijë në ndihmë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë e mire mund të na vijë kur përpiqemi për njëfarë kohe, në vend që Zoti të na çlirojë menjëherë nga sprovat tona?

    2. Si mundet ta forcojë besimin tonë tek Zoti të diturit që Ai është në dijeni të përpjekjeve tona, edhe kur Ai nuk na çliron menjëherë nga ato?

Përfytyroni sikur të ishit në barkë dhe të kishit qenë duke u përpjekur kundër erës dhe valëve të fuqishme për shumë orë gjatë gjithë natës, dhe pastaj të shikonit dikë duke ecur mbi ujë. Çfarë mund të mendonit ose ndienit në këtë situatë?

Lexoni Mateun 14:26–27, duke kërkuar mënyrën se si reaguan dishepujt kur e panë Jezusin. Ju mund të doni ta shenjoni atë që Jezusi u tha atyre.

Lexoni Mateun 14:28–30, duke kërkuar atë që Pjetri dëshiroi të bënte, kur e dëgjoi zërin e Zotit.

Si tregoi Pjetri besim në fillim?

Çfarë vështroi Pjetri që e bëri atë të frikësohej, të dyshonte dhe të fillonte të fundosej?

Merrni parasysh atë që era dhe valët në këtë rrëfim mund të përfaqësojnë në jetën tuaj, të cilat mund t’ju bëjnë të përjetoni druajtje apo dyshim.

Nga përvoja e Pjetrit ne mësojmë që nëse e ruajmë besimin tonë te Jezu Krishti, ne nuk do të mposhtemi nga druajtjet dhe dyshimet tona.

Pamja
Presidenti Hauard W. Hanter

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Hauard W. Hanter dhe shenjoni atë që ai tha se ishte rreziku i mos arritjes për ta ruajtur besimin tonë te Zoti: “Është bindja ime e patundur se në qoftë si njerëz të veçantë, si familje, komunitete e kombe, ne do të mund, si Pjetri, t’i përqendrojmë sytë tanë te Jezusi, edhe ne mund të ecim ngadhënjimisht mbi ‘valët në rritje të mosbesimit’ dhe të mbetemi ‘sypatrembur mes erërave në ngritje të dyshimit’. Por nëse i heqim sytë nga Ai tek i cili duhet të besojmë, siç është aq e lehtë ta bëjmë dhe që bota është kaq e tunduar ta bëjë, nëse shikojmë fuqinë dhe egërsinë e atyre forcave të tmerrshme e shkatërrimtare rreth nesh në vend që të shikojmë tek Ai që mund të na ndihmojë e shpëtojë, atëherë ne pashmangshmërisht do të fundosemi në një det konflikti dhe dhimbjeje e dëshpërimi” (“The Beacon in the Harbor of Peace”, Ensign, nëntor 1992, f. 19).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta shkruani për disa nga mënyrat se si ne mund t’i “përqendrojmë sytë tanë” te Jezu Krishti, ashtu siç bëri Pjetri në fillim. Përveç kësaj, shkruani për një rast kur keni parë se si besimi i dikujt te Jezu Krishti e aftësoi atë që t’i shmangej mposhtjes nga druajtja apo dyshimi.

Përsiatni se çfarë ndryshimesh mund të bëni në jetën tuaj që ta ruani besimin tuaj te Jezu Krishti dhe vini një qëllim për t’i bërë ato ndryshime.

Ashtu si Pjetri, ne ndonjëherë mund të mos arrijmë ta ruajmë besimin tonë te Jezu Krishti dhe mund t’i jepemi druajtjes, dyshimit dhe shkurajimit.

Lexoni Mateun 14:30–32, duke kërkuar atë që ndodhi ndërsa Pjetri po ecte drejt Shpëtimtarit.

Pamja
Krishti duke ecur mbi ujë

Sipas vargut 30, çfarë bëri Pjetri kur e kuptoi se po fundosej? (Ju mund të doni ta shenjoni atë që tha Pjetri.)

Ashtu si Pjetri, në qoftë se ne kërkojmë ndihmën e Perëndisë kur besimi ynë dobësohet, Ai mund të na i heqë druajtjet dhe dyshimet tona.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si na i heq Perëndia druajtjet dhe dyshimet tona?

Lexoni Mateun 14:33, duke kërkuar mënyrën se si reaguan dishepujt në barkë pasi Jezusi dhe Pjetri hipën në barkë.

Te Mateu 14:34–36, ne mësojmë se pas kësaj ngjarjeje, Jezusi dhe dishepujt e Tij vazhduan udhëtimin e tyre dhe arritën në brigjet e largëta të Galilesë. Kur njerëzit mësuan se Jezusi ishte atje, ata i sollën Atij njerëz që ishin të sëmurë. Besimi i tyre ishte aq i madh sa të gjithë që erdhën u shëruan duke prekur cepin e rrobës së Tij. Krahasojeni këtë me atë që ndodhi me njerëzit e përshkruar te Mateu 13:57–58.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 14 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër