Njësia 1: Dita 3
Studimi i Shkrimeve të Shenjta
Hyrje
Ky mësim do t’ju ndihmojë të kuptoni rëndësinë e studimit të shkrimeve të shenjta çdo ditë dhe leximit të gjithë Dhiatës së Re si pjesë e këtij kursi studimi. Ju gjithashtu mund të mësoni mënyra për ta përmirësuar studimin tuaj të shkrimeve të shenjta.
Nevoja për Studim të Efektshëm të Shkrimeve të Shenjta Çdo Ditë
Merrini parasysh thëniet më poshtë dhe shenjojini përgjigjet tuaja te vizat. Nuk do t’ju kërkohet t’ia raportoni përgjigjet tuaja mësuesit.
Ndërsa e studioni këtë mësim, përsiatni se si mund ta përmirësoni studimin tuaj të shkrimeve të shenjta.
Lexoni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shkrimet e shenjta përmbajnë fjalët e Krishtit dhe janë një burim uji i gjallë, tek i cili mund të qasemi lehtë dhe nga i cili ne mund të pimë thellësisht dhe për një kohë të gjatë. …
Çdo ditë gjatë veprimtarive të zakonshme, ju dhe unë humbasim një sasi të konsiderueshme uji, i cili është një pjesë kaq e madhe përbërëse e trupave tanë fizikë. Etja është një kërkesë nga qelizat e trupit për ujë dhe uji në trupat tanë duhet të plotësohet çdo ditë. Sinqerisht, nuk ka kuptim të ‘mbushesh’ me ujë në mënyrë të rastësishme, me periudha të gjata tharjeje ndërmjet tyre. E njëjta gjë është e vërtetë nga ana shpirtërore. Etja shpirtërore është nevoja për ujë të gjallë. Një rrjedhë e vazhdueshme e ujit të gjallë është shumë herë më e mirë sesa gllënjkat e rastësishme” (“A Reservoir of Living Water” [Mbrëmje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës, 4 shkurt 2007], f. 2, 9, speeches.byu.edu).
Plotësoni parimin vijues që mund të mësojmë nga thënia e Plakut Bednar rreth asaj që mund të marrim nga studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë, ne marrim për të cilën kemi nevojë.
Vlera e Shkrimeve të Shenjta në Kohën Tonë
Në vend që të lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, ju mund të shihni videon nga [faqja] Mormon Message “The Blessings of Scripture” [“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”] (3:04), që gjendet në LDS.org, e cila përmban tregimin nga Plaku Kristoferson për Uilliam Tindelin dhe këshillën mbi rëndësinë e shkrimeve të shenjta.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi sakrificën që bëri një burrë për t’ua bërë të mundur leximin e Biblës më shumë njerëzve:
“Më 6 tetor të vitit 1536, një person që ishte në gjendje të mjerueshme, u nxor nga një birucë e kështjellës Vilvorde, pranë Brukselit në Belgjikë. Prej afro një viti e gjysmë ai njeri kishte vuajtur izolimin në një qeli të errët e të lagësht. Tashmë jashtë murit të kështjellës, të burgosurin e lidhën në një shtyllë. Ai pati kohë të thoshte me zë të lartë lutjen e tij të fundit: ‘Zot! Hapja sytë mbretit të Anglisë’ dhe më pas atë e mbytën. Fill pas kësaj, trupin e tij e dogjën tek shtylla e turrës së druve. Kush ishte ky njeri dhe cila qe shkelja … ? Emrin e kishte Uilliam Tindel dhe krimi i tij qe se kishte përkthyer dhe botuar në anglisht Biblën.
… Në një debat të nxehtë me një klerik i cili kundërshtonte vënien e shkrimeve të shenjta në duart e njeriut të thjeshtë, Tindeli u betua: ‘Në më kurseftë jetën Perëndia, shumë vite para se të vdes, unë do të bëj që një djalë i cili nget parmendën, të dijë më shumë nga shkrimi i shenjtë, sesa di ti!’ …
Uilliam Tindeli nuk ishte i pari, as i fundit, i atyre të cilët në shumë vende dhe gjuhë kanë sakrifikuar, madje deri në pikën e vdekjes, për të nxjerrë nga terri fjalën e Perëndisë. … Çfarë dinin ata për rëndësinë e shkrimeve të shenjta, që duhet ta dimë edhe ne? Çfarë kuptuan njerëzit në Anglinë e shekullit të 16-të, të cilët paguan shuma të mëdha parash dhe morën përsipër rreziqe serioze që të arrinin të përdornin Biblën, gjë që duhet ta kuptojmë edhe ne?” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 32).
Si mendoni ju, përse njerëzit bënë të tilla sakrifica të mëdha për të pasur qasje ndaj shkrimeve të shenjta?
Plaku Kristoferson vazhdoi: “Në kohën e Tindelit, padituria mbi shkrimet e shenjta gëlonte sepse njerëzit nuk mund ta gjenin Biblën, sidomos në një gjuhë që mund ta kuptonin. Sot, Biblën dhe shkrime të tjera shenjta i kemi gati në duart tona, por ende ka një analfabetizëm në rritje lidhur me to, ngaqë njerëzit nuk i hapin librat. Rrjedhimisht, ata kanë harruar gjëra që gjyshërit e tyre i dinin” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, f. 33).
Si mendoni ju, përse njerëzit në kohën tonë nuk po i lexojnë shkrimet e shenjta siç duhet t’i lexojnë?
Plaku Kristoferson përfundoi: “Merrni në konsideratë madhësinë e bekimit tonë që kemi Biblën e Shenjtë dhe afro 900 faqe të tjera shkrimi të shenjtë, që përfshijnë Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. … Me siguri, me këtë bekim Zoti po na thotë se nevoja që kemi për përdorimin e vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, është më e madhe se në çdo kohë të mëparshme” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, f. 35).
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga thënia e Plakut Kristoferson, është se nevoja jonë për shkrimet e shenjta është më e madhe sot sesa në çdo kohë të mëparshme.
-
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse nevoja jonë për shkrimet e shenjta është më e madhe sot sesa në çdo kohë të mëparshme?
Apostulli Pal shkroi një letër, në të cilën ai përshkroi disa rrethana të botës në ditët e fundit. Lexoni 2 Timoteun 3:1–5, 13, duke kërkuar disa nga mëkatet dhe qëndrimet që ai tha se do të jenë të zakonshme në kohën tonë. (Ju mund të dëshironi t’u drejtoheni për ndihmë shënimeve në fund të faqes që t’i kuptoni fjalët dhe frazat e vështira në këto vargje.)
Cilat janë disa nga mëkatet dhe qëndrimet e renditura në këto vargje që i keni dëshmuar në shoqërinë tonë sot?
Lexoni 2 Timoteun 3:14–17, duke kërkuar mënyrën se si mund të gjejmë siguri gjatë këtyre kohëve të vështira. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
Nga ajo që mësuat te 2 Timoteut 3:15–17, çfarë bekimesh janë në dispozicion për ne kur i studiojmë shkrimet e shenjta dhe i jetojmë mësimet e tyre? Renditini përgjigjet tuaja në hapësirën e dhënë për të plotësuar thënien vijuese: Kur i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mund të marrim që do të na udhëheqë drejt shpëtimit.
Kjo thënie që keni plotësuar, është një shembull i një parimi të ungjillit. Parimet dhe doktrinat e ungjillit të Jezu Krishtit janë të vërteta të pandryshueshme, që na japin udhërrëfim në jetën tonë. Një nga qëllimet kryesore të shkrimeve të shenjta është të na mësojnë doktrinat dhe parimet e ungjillit. Ne mund ta bëjmë studimin tonë të shkrimeve të shenjta më domethënës duke i hetuar doktrinat dhe parimet, duke përsiatur kuptimin e tyre dhe duke i zbatuar ato në jetën tonë.
-
Hidhini një sy parimit që plotësuat më sipër. Më pas përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kur e keni ndier se ju morët urtësi, dritë, të vërtetë, korrigjim ose udhëzim si pasojë e studimit të shkrimeve të shenjta?
Lexojeni Dhiatën e Re Çdo Ditë
Një nga pritshmëritë për këtë kurs të studimit në seminar është që ju ta lexoni të gjithë Dhiatën e Re. Kjo është një kërkesë për të marrë diplomën e seminarit. Leximi i gjithë Dhiatës së Re do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme.
A jeni përpjekur ndonjëherë të pini ujë ose një pije me gaz me më tepër se një pipëz? Nëse ju gjenden pipëza, përpiquni të pini një gotë ujë ose një pije me gaz me shtatë pipëza të mbledhura bashkë. Është e vështirë ta pish të gjithë lëngun në gotë. Por nëse e pini me ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme me një pipëz, ju do të zbuloni se mund ta pini lehtësisht të gjithë lëngun (dhe përvoja është më e kënaqshme!).
Si do ta lidhnit këtë mësim me sende me leximin e gjithë Dhiatës së Re gjatë këtij kursi studimi?
Përdoreni ekuacionin e mëposhtëm që t’ju ndihmojë të kuptoni se si mund ta plotësoni synimin e leximit të gjithë Dhiatës së Re duke lexuar pjesë të vogla çdo ditë:
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth disa gjërave, të cilat mund t’ju ndihmojnë të krijoni një zakon për studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta, në mënyrë që të mund të merrni urtësi, dritë, të vërtetë, korrigjim dhe udhëzim nga shkrimet e shenjta. Gjithashtu shkruani një synim që të lini kohë mënjanë çdo ditë për studimin e shkrimeve të shenjta dhe për ta lexuar të gjithë Dhiatën e Re.
Metoda dhe Teknika për Studimin e Shkrimeve të Shenjta
-
Lista vijuese e metodave dhe teknikave të studimit mund ta pasurojë studimin e shkrimeve të shenjta nga ana juaj. Zgjidhni dy nga metodat ose teknikat e mëposhtme dhe provojini ato duke përdorur fragmente që lidhen me shkrimet e shenjta. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se si këto dy teknika mund t’ju ndihmojnë në studimin tuaj të përditshëm të shkrimeve të shenjta.
Metoda dhe Teknika për Studimin e Shkrimeve të Shenjta
Zëvendësimi i emrit: Për të ndihmuar që t’i lidhni doktrinat dhe parimet nga shkrimet e shenjta me jetën tuaj, zëvendësojeni emrin tuaj me një emër në shkrimet e shenjta. Përpiquni ta provoni këtë teknikë për studimin e shkrimeve të shenjta me emrin e Simon Pjetrit te Mateu 16:15–17.
Shkaku dhe pasoja: Për t’ju ndihmuar që të përcaktoni parimet e ungjillit në shkrimet e shenjta, kërkoni marrëdhëniet “nëse–atëherë” dhe “sepse–prandaj”. Përpiquni ta përdorni këtë teknikë me Mateun 6:14–15.
Listat e shkrimeve të shenjta: Shkrimet e shenjta ndonjëherë përmbajnë lista të gjërave, të tilla si udhëzime ose paralajmërime. Kur gjeni lista, merrni parasysh t’i caktoni një numër secilit element. Përpiquni ta përdorni këtë teknikë me Galatasve 5:22–23.
Krahasime: Shkrimet e shenjta ndonjëherë ballafaqojnë ide, ngjarje dhe njerëz të ndryshëm. Këto ballafaqime theksojnë parime të ungjillit. Kërkojini ballafaqimet në vargje të vetme, në kapituj dhe përgjatë kapitujve dhe librave. Provojeni këtë teknikë me Mateun 5:14–16.
Përfytyrimi: Kërkoni hollësi përshkruese që mund t’ju ndihmojnë të krijoni një tablo në mendje ndërkohë që lexoni. Përfytyroni sikur jeni i pranishëm në ngjarje të caktuara. Kjo mund ta forcojë dëshminë tuaj për realitetin e asaj që lexoni në shkrimet e shenjta. Provojeni këtë teknikë me Mateun 8:23–27.
Simbolika: Fjalë të tilla si sikurse, si, ose ngjason mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni simbolet. Shihni përtej një simboli duke shqyrtuar natyrën e tij dhe duke përsiatur për tiparet e tij. Mjetet ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta, si shënimet në fund të faqes, Bible Dictionary [Fjalori Biblik], dhe Topical Guide [Udhëzuesi Tematik] ose Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta mund t’ju ndihmojnë për të interpretuar disa simbole. Përpiquni ta përdorni këtë teknikë me Mateun 13:24–30. (Ju mund ta krahasoni interpretimin tuaj të shëmbëlltyrës me atë që jepet te Doktrina e Besëlidhje 86:1–7.)
Referencat kryq: Shpesh, një fragment i shkrimit të shenjtë mund të shpjegojë ose qartësojë një frazë apo koncept që gjendet në një fragment të ndryshëm. Lidhini fragmentet e shkrimeve të shenjta me njëri-tjetrin duke përdorur shënimet në fund të faqes, treguesin ose Topical Guide [Udhëzuesin Tematik] apo Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, për të ndihmuar në zbërthimin e kuptimit të një fragmenti të shkrimit të shenjtë. Praktikojeni këtë teknikë duke lexuar Gjonin 10:16 dhe më pas duke ndjekur referencën kryq te shënimi a në fund të faqes [në variantin shdm të Biblës në anglisht] për 3 Nefin 15:21. Si ju ndihmon leximi i 3 Nefit 15:21 për të kuptuar më mirë domethënien e Gjonit 10:16?
Përsiatja: Përsiatja përfshin mendimin, meditimin, bërjen e pyetjeve dhe vlerësimin e asaj që dini dhe asaj që keni mësuar. Përsiatja shpesh na ndihmon të kuptojmë se çfarë nevojitet të bëjmë për t’i zbatuar parimet e ungjillit. Përsiatni se si mund t’i zbatoni të vërtetat te Hebrenjve 12:9.
Zbatimi: Ndërsa i përcaktoni dhe i kuptoni doktrinat e parimet që gjenden në shkrimet e shenjta, ju mund të fitoni një njohuri më të thellë duke vepruar sipas të vërtetave që zbuloni. Jezu Krishti tha se, “në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e [Atit Qiellor], do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17). Kërkoni mundësi për ta zbatuar ose përshtatur në jetën tuaj atë që mësoni ndërsa i studioni shkrimet e shenjta në mënyrë të pavarur (shih 1 Nefi 19:23).
Kërkoni mënyra për ta praktikuar secilën prej këtyre teknikave të studimit në javët e ardhshme ndërsa studioni Dhiatën e Re.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar mësimin “Studimi i Shkrimeve të Shenjta” dhe e përfundova më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: