Biblioteka
Njësia 9, Dita 4: Lluka 3–4


Njësia 9: Dita 4

Lluka 3–4

Hyrje

Gjon Pagëzori predikoi pendim dhe dëshmoi për Mesian që po vinte. Jezu Krishti u pagëzua nga Gjoni dhe më pas agjëroi në shkretëtirë për 40 ditë. Pasi udhëtoi për në Galile, Jezusi u shpalli njerëzve në Nazaret se Ai ishte Mesia. Populli i Nazaretit nuk e pranoi dhe Ai shkoi në Kapernaum, ku shëroi të sëmurë dhe dëboi djaj.

Lluka 3:1–22

Gjon Pagëzori profetizon për Jezu Krishtin

Kaloni disa çaste duke përsiatur mbi pyetjet vijuese:

  • A jeni vënë ndonjëherë në lojë ose a jeni përqeshur nga dikush për shkak se ishit anëtar i Kishës?

  • A është tallur apo e ka sfiduar ndonjëherë ndokush diçka të cilën ju e besoni ose një standard që ju po përpiqeni ta jetoni?

  • A ka festa apo takime ku ju nuk u ftuat të shkonit apo ku u ndiet në siklet për shkak të fesë suaj?

Ndërsa studioni Llukën 3:1–22, kërkoni një të vërtetë që mund të shpjegojë përse ata që e jetojnë ungjillin, me raste, mund të ndihen të veçuar nga të tjerët.

Nën ligjin e Moisiut, drejtuesi kryesues i Priftërisë Aarone thirrej si prifti i lartë. Megjithatë, në kohën e shërbesës së Shpëtimtarit, detyra e priftit të lartë ishte bërë e korruptuar. Prifti i lartë ishte edhe kreu politik i kombit, por mbajtësit e asaj detyre nuk zgjidheshin nga Perëndia në këtë kohë. Ata zgjidheshin nga njerëz, të tillë si Herodi dhe drejtues të tjerë romakë (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “High priest” [“Prifti i lartë”]).

Lexoni Llukën 3:2–6, duke kërkuar te vargu 2 se kujt i foli Perëndia në vend të priftërinjve të lartë.

Përmblidhni atë që Gjon Pagëzori u mësoi njerëzve te Lluka 3:3–6. (Për ndihmë shtesë lidhur me atë që Gjoni po jepte mësim, lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Lluka 3:4–11 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta].)

Në kohën e Gjonit, disa njerëz besonin që për shkak se ishin pasardhës të Abrahamit, ata ishin më të mirë se të tjerët ose duheshin më shumë nga Perëndia sesa joizraelitët (shih Llukën 3:8, tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta). Kjo situatë mund të jetë si njerëzit sot, të cilët mendojnë se do të shkojnë në qiell thjesht sepse ata janë anëtarë të Kishës.

Lexoni Llukën 3:7–9, duke kërkuar atë që Gjoni u mësoi judenjve se duhej të bënin për të marrë shpëtimin. (Te vargu 9, fryt[i] është një simbol i rezultateve të zgjedhjeve që ne bëjmë.)

vargun 9, vini re atë që do t’u ndodhë atyre që nuk japin “fryt të mirë” apo që nuk jetojnë me drejtësi.

Te Lluka 3:10–15 ne lexojmë se Gjoni u mësoi grupeve të veçanta të shoqërisë judease se si të jepnin fryt të mirë duke jetuar me drejtësi. Shërbesa e Gjonit ishte madhështore dhe disa menduan se ai mund të ishte Mesia.

Lexoni Llukën 3:16–17, duke kërkuar atë që Gjoni tha se Mesia do të bënte kur Ai të vinte.

Fraza “t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr” (Lluka 3:16) i referohet ndikimit pastrues dhe shenjtërues të marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Një individ duhet të lindet nga uji dhe shpirti, me qëllim që të arrijë në mbretërinë e Perëndisë ”(Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 94).

Për ta kuptuar më tej Llukën 3:17, është e dobishme të kuptoni ndarjen e grurit nga byku.

Pamja
ndarja e grurit nga byku

Fermerët arabë duke ndarë grurin nga byku

Pasi gruri korrej dhe shiej (kur drithi ndahej nga pjesa tjetër e bimës), fermeri më pas e shoshiste drithin. Shoshitja ishte një metodë e lashtë që përdorej për të ndarë kokrrat e grurit nga byku (lëvozhga e jashtme) dhe lëvorja. Një shoshitës do të përdorte një lopatë të madhe ose sfurkë druri të quajtur lopatë për ta hedhur grurin e shirë në ajër. Flladi e largonte bykun e lehtë dhe të padëshiruar, dhe kokrrat më të rënda të grurit do të binin në një pirg në dyshemenë shirëse.

Në analogjinë e Gjonit, çfarë mund të përfaqësojë gruri?

Çfarë mund të përfaqësojë byku?

Një doktrinë e rëndësishme e dhënë mësim te Lluka 3:16–17 është që Jezu Krishti i ndan të drejtët nga të ligjtë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Megjithëse ndarja përfundimtare e të drejtëve nga të ligjtë do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, në çfarë mënyrash ndjekja e Jezu Krishtit dhe të jetuarit e ungjillit të Tij mund t’i bëjë dishepujt e Tij të veçohen nga të padrejtët sot?

    2. Përse ne kemi nevojë të kuptojmë se kur kërkojmë të ndjekim Jezu Krishtin dhe ta jetojmë ungjillin e Tij, ne mund të ndihemi ose të jemi të veçuar nga të tjerët?

Lluka 3:18–22 shënon se Jezusi erdhi që të pagëzohej nga Gjon Pagëzori (shih edhe Mateun 3:13–17). Më vonë, Gjon Pagëzori u fut në burg nga Herodi.

Lluka 3:23–38

Paraqitet prejardhja e Jezusit

Te Lluka 3:23–38, Lluka përfshiu një gjenealogji të Jezusit që jep një prejardhje të drejpërdrejtë nga gjaku ose të saktë të Jezusit. Ai gjithashtu dëshmoi se Jozefi ishte ati i [“hamendësuar”] (jo i vërtetë) i Jezusit, (Lluka 3:23).

Lluka 4:1–13

Jezusi tundohet nga Satani në shkretëtirë

Lluka 4:1–13 përmban një rrëfim të Jezusit duke agjëruar për 40 ditë në shkretëtirë dhe duke mos i pranuar tundimet e Satanit (shih edhe Mateun 4:1–11).

Lluka 4:14–30

Jezusi shpall se Ai është Mesia

Merrni parasysh fjalët që vijojnë: zemërthyer, i shtypur, i burgosur, i varfër dhe i verbër. A keni ndier ndonjëherë se një ose më shumë nga këto fjalë mund të ketë përshkruar mënyrën se si jeni ndier për veten tuaj? Ndërsa studioni Llukën 4:14–30, kërkoni fjalë që na mësojnë se si Jezu Krishti u dërgua për të shëruar zemërthyerit dhe për të çliruar të burgosurit.

Te Lluka 4:14–17 ne lexojmë se pasi Jezusi u kthye nga agjërimi dhe të qenit i tunduar në shkretëtirë, Ai filloi të predikonte në sinagogat e Galilesë. Shpejt, ai u kthye në qytetin e Tij të lindjes në Nazaret. Ndërsa ishte atje, Ai u ngrit në këmbë në një sinagogë, që të lexonte nga libri i Isaias, i cili profetizonte në lidhje me misionin hyjnor të Mesias.

Lexoni Llukën 4:18–20, për të parë se çfarë kishte profetizuar Isaia lidhur me atë që Mesia do të bënte për njerëzit. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Lexoni Llukën 4:21, duke kërkuar atë që tha Jezusi rreth fragmentit të shkrimit të shenjë që Ai kishte lexuar.

Duke thënë se profecia e Isaias u përmbush, Jezusi po lajmëronte se Ai ishte Mesia, për të cilin bënte fjalë profecia. Merrni parasysh ta shkruani doktrinën vijuese në shkrimet tuaja të shenjta: Jezu Krishti u dërgua për të shëruar zemërthyerit dhe për të çliruar ata që janë shpirtërisht të burgosur.

Nga ajo që dini rreth shërbesës së Shpëtimtarit, cilat ishin disa nga gjërat që Ai bëri, që e përmbushën këtë profeci?

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë përvojash keni parë, që ju tregojnë mënyrën se si Jezu Krishti vazhdon të na shërojë dhe çlirojë në kohën tonë?

Lexoni Llukën 4:22, për të parë mënyrën se si reagoi populli i Nazaretit ndaj shpalljes së Jezusit se Ai ishte Mesia i shumëpritur.

Te Lluka 4:23, ne lexojmë se Jezusi e dinte që populli i Nazaretit do ta sfidonte Atë për të vërtetuar se Ai ishte Mesia, duke i përsëritur mrekullitë që kishte kryer në Kapernaum. Jezusi iu përgjigj duke cituar dy rrëfime të shkrimeve të shenjta për t’u mësuar atyre një parim rreth besimit.

Pamja
Elia, e veja nga Sarepta, dhe biri i saj

Elia, e veja nga Sarepta, dhe biri i saj

Lexoni Llukën 2:24–27, duke kërkuar dy rrëfimet të cilave iu referua Jezusi. Ju mund të doni të lexoni shkurtimisht rrëfimin e Elias dhe të një të veje nga Sarepta te 1 Mbretërve 17:1–16, dhe rrëfimin e Naamanit dhe të Eliseut te 2 Mbretërve 5:1–14. Kushtojini vëmendje të veçantë asaj që bënë e veja dhe Naamani për të treguar besimin e tyre.

Në çfarë mënyrash treguan besim e veja nga Sarepta dhe Naamani?

Është e rëndësishme të dini se profetët e Dhiatës së Vjetër, Elia dhe Eliseu, të dy kryen mrekulli për njerëz që nuk ishin izraelitë (johebrenj). Jezusi po u mësonte atyre në Nazaret se megjithëse kishte të veja dhe lebrosë midis izraelitëve, qenë dy johebrenj që mundën të përjetonin mrekulli, sepse ata patën besim dhe i pranuan profetët e Perëndisë.

Për shkak se shumë prej njerëzve në Nazaret u mungonte besimi tek Ai, Jezusi kreu shumë pak mrekulli atje (shih Mateu 13:54–58; Marku 6:1–6). Ne mund të mësojmë një parim të rëndësishëm rreth besimit, kur e ballafaqojmë popullin e Nazaretit me të venë e Sareptës dhe Naamanin: Kur ne e tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti, ne mund t’i shohim mrekullitë të ndodhin.

Pamja
Naamani dhe shërbëtori i Elias

Naamani dhe shërbëtori i Elias

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, bëni një listë të mënyrave se si mund ta tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti si Shpëtimtarin tonë. Rishikoni Llukën 4:18 dhe merrni në shqyrtim mënyrat se si duhet të tregoni besim te Jezu Krishti, në mënyrë që të mund të merrni bekimet e renditura atje.

Lexoni Llukën 4:28–30, për të parë mënyrën se si reaguan ata që ishin në sinagogë ndaj asaj që tha Jezusi.

Përsiatni mbi atë se si ky rrëfim ilustron mënyrën se si Jezu Krishti do t’i ndajë të ligjtë nga të drejtët (shih Lluka 3:17).

Lluka 4:31–44

Jezusi dëbon demonë dhe shëron të sëmurë

Lexoni Llukën 4:31–44, duke kërkuar për mënyrën se si reagimi i njerëzve në Kapernaum ishte i ndryshëm nga ai i atyre në Nazaret.

Si e ilustrojnë këto rrëfime parimin se kur ne tregojmë besim te Jezu Krishti, ne mund t’i marrim bekimet e Tij?

  1. Përfundojeni studimin tuaj për sot duke shkruar në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dëshminë tuaj për Jezu Krishtin si Shpëtimtar dhe për bekimet që keni përjetuar kur keni treguar besim tek Ai.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 3–4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër