Biblioteka
Hyrje te 2 Pjetër


Hyrje te 2 Pjetër

Përse të Studiohet Ky Libër?

Profeti Jozef Smith shënoi se “Pjetri derdhi në penë gjuhën më madhështore nga të gjithë apostujt” (në History of the Church, 5:392). Madhështor do të thotë i ekzaltuar në mendim, me vlerë të dukshme dhe me prirjen për të frymëzuar admirim.

Si një dëshmitar okular i shpërfytyrimit të Jezu Krishtit (shih 2 Pjetër 1:16–18), Pjetri i nxiti lexuesit e tij që të rriteshin në njohurinë e tyre për Shpëtimtarin dhe të përpiqeshin të fitonin cilësi të perëndishme që të mund të merrnin nga “natyr[a] hyjnore” (shih 2 Pjetër 1:4–8). Ai i siguroi lexuesit e tij se kjo rritje shpirtërore do t’i ndihmonte ata që ta “përforconi[n] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10). “Pjetri ripohon se Zoti do të vijë nga qielli me lavdi dhe gjykim të madh mbi tokë” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Peter, Epistles of” [“Pjetër, Letra të”]). Duke e studiuar letrën e dytë të Pjetrit, ju mund të zhvilloni një besim më të madh te Jezu Krishti dhe të merrni udhëzimin e frymëzimin që mund t’ju ndihmojnë të bëheni më shumë si Ai.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Autori i Letrës së Dytë të Përgjithshme të Pjetrit është Simon Pjetri, kryeapostulli i Jezu Krishtit (shih 2 Pjetër 1:1).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Ne nuk e dimë me saktësi se kur dhe ku u shkrua kjo letër. Përgjithësisht hamendësohet se Pjetri e shkroi këtë letër në Romë, pas letrës së njohur si 1 Pjetër, e cila ka gjasa të jetë shkruar rreth vitit 64 ps.K. (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Peter, Epistles of” [“Pjetër, Letra të”]).

Për Kë u Shkrua Ky Libër dhe Përse?

Pjetri tha se ai po u shkruante “atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne” (2 Pjetër 1:1). Kjo mund të tregojë se publiku i Pjetrit ishin po ata të krishterë johebrenj që morën letrën e tij të parë (shih 2 Pjetër 3:1). Përmbajtja e 2 Pjetrit 1:12–15 tregon se Pjetri kishte për qëllim që kjo letër të ishte një mesazh lamtumire për lexuesit e tij.

Ndryshe nga Letra e Parë e Pjetrit, e cila i ndihmoi shenjtorët të përballeshin me përndjekjen nga jashtë, letra e dytë e Pjetrit trajtoi braktisjen e brendshme që kërcënonte të ardhmen e Kishës. Profetët dhe mësuesit e rremë po përhapnin “herezi shkatërruese [mësime të rreme] dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata” (2 Pjetër 2:1). Pjetri e shkroi këtë letër për t’i nxitur shenjtorët që të rriteshin në njohurinë e tyre për Zotin dhe ta “përforconi[n] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10).

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

“Letra e dytë me sa duket iu drejtua të njëjtave kisha si letra e parë (3:1). Ajo u shkrua pranë kohës së vdekjes të pritshme nga ana e tij (1:14) dhe synon vigjilencë kundër braktisjes” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Peter, Epistles of” [“Pjetër, Letra të”]). Ajo përmban gjithashtu disa nga fjalët më të fuqishme të Pjetrit dhe një nga dëshmitë e fundit të tij.

Një temë mbizotëruese te 2 Pjetri është rëndësia e fitimit të njohurisë për Jezu Krishtin. Pjetri u premtoi lexuesve të tij se nëse ata do të kërkonin cilësi të perëndishme dhe do të zhvillonin një natyrë hyjnore, ata nuk do të ishin “përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetër 1:8) dhe do ta “përforconi[n] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10).

Pjetri e krahasoi njohurinë e vërtetë të Jezu Krishtit me njohurinë dhe mësimet e rreme që ishin përhapur nga braktisësit (shih 2 Pjetër 2). Në përfundim të kësaj letre, Pjetri bëri një ftesë të fundit për shenjtorët që të “rrit[eshin], në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetër 3:18).

Përmbledhje

2 Pjetër 1. Pjetri shpjegon se premtimet e Jezu Krishtit u lejojnë shenjtorëve që të bëhen “pjesëtarë të natyrës hyjnore” (2 Pjetër 1:4). Ai i nxit ata që ta “përforco[jnë] thirrjen dhe zgjedhjen” e tyre (2 Pjetër 1:10). Pjetri kujton përvojën e tij në malin e Shpërfytyrimit, kur ai dëshmoi Krishtin e lëvduar dhe dëgjoi zërin e Atit. Pjetri thotë se “ne e kemi … më të vërtetuar fjalën profetike” (2 Pjetër 1:19).

2 Pjetër 2. Pjetri i paralajmëron anëtarët e Kishës rreth profetëve të rremë dhe mësuesve të rremë që do vijnë midis tyre dhe do të përpiqen t’i çojnë shenjtorët në udhë të gabuar. Këta mësues të ligj do ta mohojnë Zotin dhe do të flasin keq për “udh[ën] e së vërtetës” (2 Pjetër 2:2). Pjetri jep mësim se është më mirë të mos e pranosh ungjillin se sa të bësh besëlidhje dhe të mos jetosh sipas tyre.

2 Pjetër 3. Pjetri pohon sigurinë se Krishti do të vijë në vetë kohën e Tij, do ta pastrojë tokën me zjarr, do t’i shkatërrojë të ligjtë dhe do t’i shpëtojë të zellshmit e besnikët. Pjetri i nxit shenjtorët që të “rrit[en], në hirin dhe në njohjen e … Jezu Krisht[tit]” (2 Pjetër 3:18).

Shtyp në Letër