Biblioteka
Njësia 8, Dita 2: Marku 6–8


Njësia 8: Dita 2

Marku 6–8

Hyrje

Jezusi nuk u pranua në qytetin e Tij të lindjes në Nazaret. Ai i dërgoi Dymbëdhjetë Apostujt që të predikonin ungjillin. Gjon Pagëzori u vra me urdhër të Herod Antipës. Jezusi ushqeu mrekullisht një turmë me më shumë se 5.000 njerëz, eci mbi ujë, fashiti një furtunë dhe shëroi të sëmurët. Më pas, Ai shëroi me dhembshuri një fëmijë të pushtuar nga një demon, si edhe një burrë që ishte i shurdhër dhe kishte pengesë në të folur. Ai ushqeu 4.000 njerëz pranë detit të Galilesë dhe udhëtoi për në Betsaida, ku shëroi me faza një burrë të verbër.

Marku 6:1–44

Jezusi nuk pranohet në Nazaret dhe dërgon Dymbëdhjetë Apostujt; ritregohet vdekja e Gjon Pagëzorit; Jezusi ushqen mrekullisht më shumë se 5.000 njerëz

Merrni në shqyrtim situatën vijuese: Një misionar/e i/e sapothirrur është shumë i/e nervozuar për t’u larguar nga shtëpia për në misionin e tij apo të saj. Ky person stërmundohet për të dhënë biseda dhe ka vështirësi në mjedise shoqërore.

Çfarë do t’i thoshit këtij të riu apo kësaj të reje?

Ndërsa studioni Markun 6, kërkoni një parim që mund ta ndihmojë këtë misionar/e të ri/e dhe të gjithë ne, kur ndihemi të papërshtatshëm për të bërë atë që Zoti ka kërkuar prej nesh.

Marku 6:1–13 na tregon se si Jezusi nuk u pranua në qytetin e Tij të lindjes në Nazaret. (Kjo do të shpjegohet më me hollësi kur të studioni Llukën 4:14–30.) Ndërkohë që ishte atje, Ai i dërgoi Dymbëdhjetë Apostujt dy e nga dy që të predikonin ungjillin. Ndërkohë që predikonin ungjillin, ata gjithashtu dëbuan demonë dhe shëruan të sëmurë. Marku gjithashtu përmend se Apostujt e Shpëtimtarit i vajosnin të sëmurët me vaj.

Pamja
duar të vëna mbi kokën e një burri

Kur Herod Antipa dëgjoi për mrekullitë e shumta që kryente Jezusi, ai pati frikë se mos Gjon Pagëzori ishte ngritur nga të vdekurit dhe po kryente këto mrekulli (shih Marku 6:14). (Te Marku 6:17–29 ne mësojmë se Herodi më herët ia kishte prerë kokën Gjon Pagëzorit për të kënaqur gruan e Herodit.)

Marku 6:30–33 tregon se Dymbëdhjetë Apostujt u kthyen nga predikimi i ungjillit, dhe Jezusi e Apostujt hipën në një barkë që të udhëtonin për te një vend ku ata të mund të ishin vetëm dhe të çlodheshin. Megjithatë, njerëz nga disa qytete aty pranë shkuan atje ku do të zbriste Jezusi dhe po e prisnin kur Ai të mbërrinte.

Lexoni Markun 6:34, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Shpëtimtari ndaj turmës edhe pse Ai dhe dishepujt e Tij kërkuan të pushonin e të ishin vetëm.

Përsiatni për një përvojë kur ju patë një shembull të kohëve të sotme, të dikujt që sakrifikoi nga koha vetjake për t’u shërbyer të tjerëve ashtu siç bëri Jezusi.

Pasi i dha mësim turmës gjatë gjithë ditës, Shpëtimtari kreu një mrekulli të madhe. Lexoni Markun 6:35–44 dhe Mateun 14:18, dhe numërojini ngjarjet vijuese sipas rendit kronologjik. (Përgjigjet janë në fund të mësimit.)

  • Shpëtimtari e shumëfishoi atë që sollën dishepujt, duke e plotësuar dhe tejkaluar atë që nevojitej.

  • Dishepujt thanë se kishin pesë bukë dhe dy peshq.

  • Dishepujt propozuan që t’i çonin njerëzit për të blerë ushqim.

  • Shpëtimtari pyeti se çfarë mund të jepnin dishepujt.

  • Shpëtimtari u tha dishepujve që t’u jepnin njerëzve ushqim.

  • Turma nuk kishte asgjë për të ngrënë.

  • Shpëtimtari u kërkoi dishepujve që t’i jepnin Atij atë që kishin.

Teksti grek i Markut 6:44 sqaron se fraza “pesë mijë burra” do të thoshte pesë mijë burra në moshë. Pra, numri i njerëzve që u ushqyen ishte më i madh, duke marrë parasysh se ishin të pranishëm edhe gra e fëmijë (shih Mateu 14:21).

Vini re që përpara se ta kryente këtë mrekulli, Shpëtimtari u kërkoi më parë dishepujve të Tij që t’i jepnin Atij të pesë bukët dhe dy peshqit – gjithçka që ata kishin. Shpëtimtari e shumëfishoi këtë ushqim për të ushqyer turmën.

Pamja
një turmë e madhe në kodër

Një parim që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se kur ne i japim Shpëtimtarit gjithçka që kemi, Ai mund ta shumëfishojë ofertën tonë për të përmbushur qëllimet e Tij.

Ndërkohë që Shpëtimtari nuk na ka kërkuar t’i sjellim Atij gjithë ushqimin që kemi, Ai i fton të gjithë ata që kërkojnë t’i përmbushin qëllimet e Tij, që t’i japin Atij të gjitha dëshirat, aftësitë, talentet, zotësinë, pikat e forta, dhuntitë dhe përpjekjet e tyre (shih 2 Nefi 25:29; Omni 1:26).

  1. Merrni përsëri në shqyrtim situatën e misionarit/es të/së sapothirrur, të nervozuar, që përmendet më lart dhe përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Bazuar në parimin e mësipërm, si mendoni ju, çfarë mund të bënte ky/kjo misionar/e për t’i dhënë Shpëtimtarit gjithçka që ai ose ajo kishte? Çfarë mendoni ju se do të bënte Shpëtimtari?

    2. Cilat janë disa situata të tjera që mund të hasë një anëtar i Kishës, ku njohuria për këtë parim do të ishte e dobishme?

    3. Si i ka lartësuar Zoti përpjekjet tuaja për t’i përmbushur qëllimet e Tij?

Marku 6:45–56

Jezusi ecën mbi ujë dhe shëron të sëmurët

Marku 6:45–66 na shpjegon se pasi Jezusi ushqeu 5.000 njerëz, Ai i udhëzoi dishepujt e Tij që të lundronin me barkë për në anën tjetër të detit të Galilesë. Pastaj Ai i largoi turmat dhe shkoi e u lut në një mal. Gjatë natës u ngrit një furtunë dhe Shpëtimtari pa nga mali se si dishepujt e Tij po mundoheshin kundër erës. Pastaj Ai shkoi tek ata duke ecur mbi ujë dhe e fashiti furtunën. Informacioni në këto vargje u përfshi më parë më me hollësi gjatë studimit tuaj të Mateut 14.

Marku 7:1–8:21

Jezusi qorton farisenjtë, shëron të munduarit dhe ushqen 4.000 njerëz

Ndërsa ju studioni Llukën 7–8, kërkoni atë që Shpëtimtari na mësoi të bëjmë kur vëmë re dikë në nevojë.

Te Marku 7:1–23 ne lexojmë se Shpëtimtari i qortoi farisenjtë për ndjekjen e traditave të gabuara, dhe u mësoi atyre dhe dishepujve të Tij se është “nga brenda, … nga zemra e njeriut” (Marku 7:21) që dalin mendimet dhe veprimet e këqija dhe si pasojë e ndotin dikë.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim sa më poshtë rreth “traditës së pleqve” (Marku 7:5):

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Ordinancat dhe interpretimet rabinike iu shtuan ligjit të Moisiut nga skribët dhe mësuesit me kalimin e kohës. Këto tradita konsideroheshin se ishin faktikisht dhe formalisht më të rëndësishme dhe kishin një forcë më detyruese se sa vetë ligji. Ndër to, të cilat kishin për qëllim ruajtjen ndaj papastërtisë ceremoniale, ishin ritet e larjes, të cilat Jezusi dhe dishepujt e Tij i kishin shpërfillur.

I njëjti proces i shndërrimit të së vërtetës në tradita – i ndryshimit të ligjit të Perëndisë në ‘doktrina dhe urdhërime të njerëzve’ [Joseph Smith Translation (Përkthimi prej Joseph Smith-it), Marku 7:7], me anë të interpretimit dhe shtesave nga mësues të pafrymëzuar – është pikërisht ajo që ndodhi në braktisjen e madhe të epokës së krishterimit. Doktrinës së kulluar dhe të thjeshtë të Krishtit, skribët dhe priftërinjtë e krishterimit të hershëm i shtuan gjëra të tilla si: shitjen e privilegjeve, të cilat i lironin të ligjtë nga mëkatet e kaluara dhe i lejonin të kryenin krime të mëtejshme pa ndëshkimin hyjnor; faljen e mëkateve (gjoja) nëpërmjet rrëfimeve (të pasinqerta) të përsëritura dhe të përcipta; lutjen ndaj … shenjtorëve në vend të Zotit; adhurimin e idhujve; … ndalimin e priftërinjve dhe të drejtuesve të tjerë të kishës që të martoheshin; … veshjen e rrobave dhe të kostumeve të shtrenjta nga ana e priftërinjve dhe drejtuesve të tjerë të kishës; përdorimin e titujve të lartë të shërbestarëve; shtimin [rritjen] e thesarit të Kishës duke luajtur kumar; e kështu me radhë.

Të gjitha këto dhe shumë tradita të tjera të ngjashme, llogariten nga disa njerëz si me më shumë rëndësi sesa ligji i Perëndisë, siç u dha fillimisht nga Mësuesi. Në të vërtetë, Kisha e ashtuquajtur e krishterë sot është e ngritur në pjesën më të madhe mbi traditat e ‘pleqve’ sesa te zbulesat e qiellit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:366–367).

Te Marku 7:24–30 ne lexojmë se Jezusi shëroi të bijën e një gruaje greke, e cila ishte e pushtuar nga një demon. Kujtoni se në këtë kohë, misioni i Shpëtimtarit ishte për shtëpinë e Izraelit jo për johebrenjtë, por prapëseprapë, Ai me dhembshuri e ndihmoi këtë grua johebrease, e cila ishte në nevojë dhe pati besim në Të.

Gjeni vendndodhjen e qyteteve të Tiros dhe Sidonit dhe të detit të Galilesë në Hartat e Biblës [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], nr. 11, “Toka e Shenjtë në Kohët e Dhiatës së Re”. Pasi Shpëtimtari u largua nga Tiro dhe Sidoni, Ai udhëtoi për në anën lindore të detit të Galilesë, për në rajonin e Dekapolisit, e cila ishte një zonë e populluar kryesisht nga johebrenj.

Lexoni Markun 7:31–37, duke kërkuar mënyrën se si tregoi dhembshuri Shpëtimtari ndaj një burri, i cili ishte i verbër dhe i paaftë për të folur mirë.

Lexoni Markun 8:1–3, duke kërkuar një nevojë që Jezusi vuri re.

vargun 2 vini re mënyrën se si u ndie Shpëtimtari ndaj turmës.

Lexoni Markun 8:4–9, për të parë atë që bëri Shpëtimtari edhe pse Atij nuk iu kërkua ta bënte.

Nga dhembshuria dhe veprat e Shpëtimtarit ndaj turmës së uritur, ne mësojmë se, mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke u bërë të vetëdijshëm për nevojat e të tjerëve dhe pastaj duke ndihmuar që ato nevoja të plotësohen.

Motra Linda K. Barton, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim se me qëllim që ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’i shërbyer fëmijëve të Perëndisë, ne duhet që “së pari [të] vëzhgo[jmë], pastaj [të] shërbe[jmë]” (“Së Pari Vëzhgoni, Pastaj Shërbeni”, Ensign ose Liahona, nëntor. 2012, f. 78). Merreni parasysh ta shkruani këtë frazë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Markut 8:4–9.

Lutja ndaj Atit Qiellor dhe kërkimi i ndihmës së Tij dhe mbajtja e mendimeve tona të përqendruara më shumë te të tjerët sesa te vetja jonë, mund të na ndihmojë që t’i kuptojmë më mirë nevojat e të tjerëve dhe të ndihmojmë për t’i plotësuar ato. Mbani mend se disa nevoja mund të mos duken menjëherë.

Çfarë mund të ndërhyjë në aftësinë tonë për të vënë re nevojat e të tjerëve dhe për të ndihmuar në plotësimin e tyre?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Sa herë jeni prekur në zemër kur keni dëshmuar nevojën e një tjetri? Sa shpesh keni pasur ndër mend të ishit ai që jep ndihmë? Dhe përsëri sa shpesh ka ndërhyrë jetesa e përditshme dhe ju ua keni lënë të tjerëve të ndihmojnë, duke menduar se ‘oh, sigurisht dikush do të kujdeset për atë nevojë’.

Ne rrëmbehemi kaq shumë në angazhimet e jetës sonë. Megjithatë, nëse do të ktheheshim pas dhe do ta vështronim mirë atë që po bëjmë, mund të zbulonim se jemi përfshirë thellësisht në gjëra të parëndësishme. Me fjalë të tjera, tepër shpesh ne e kalojmë shumicën e kohës sonë duke u kujdesur për gjëra që thuajse nuk kanë fare rëndësi në skemën e madhe të gjërave, duke lënë pas dore ato kauza më të rëndësishme” (“Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 85).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një rasti kur ju u bëtë i vetëdijshëm për një nevojë dhe ndaluat për ta ndihmuar dikë. Gjithashtu, shkruani rreth një rasti kur dikush kuptoi një nga nevojat tuaja dhe ndihmoi për ta përmbushur atë.

Lutuni dhe kërkoni mundësi që të ndihmoni për t’i plotësuar nevojat e të tjerëve sot dhe në të ardhmen.

Te Marku 8:10–21, ne lexojmë se pasi ushqeu mrekullisht 4.000 njerëz, Jezusi lundroi me dishepujt e Tij drejt një qyteti të quajtur Dalmanuta. Atje farisenjtë i kërkuan Atij që t’u tregonte një shenjë. Jezusi nuk pranoi që t’u jepte një shenjë dhe siç mësojmë te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Ai u mësoi atyre se “asnjë shenjë nuk do t’i jepet këtij brezi, përveçse shenjës së profetit Jona; sepse ashtu siç Jona qe për tre ditë e tre netë në barkun e balenës, po ashtu Biri i njeriut do të varroset në brendësinë e tokës” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Marku 8:12).

Marku 8:22–38

Jezusi shëron gradualisht një burrë të verbër

Në Betsaida, një burrë i verbër u soll te Shpëtimtari për t’u shëruar. Lexoni Markun 8:22–26, për të parë se si e shëroi Shpëtimtari këtë njeri.

vargun 24, vini re se pas herës së parë që Shpëtimtari i vendosi duart e Tij mbi të verbërin, Ai mund të shikonte, por nuk mund të shikonte qartësisht.

Pamja
Jezusi duke i vendosur duart e Tij mbi sytë e burrit

Te Marku 8:25, pasi Shpëtimtari i vendosi duart e Tij mbi burrin për herë të dytë, ne lexojmë se shikimi i burrit u rikthye plotësisht.

Përse është e rëndësishme të kuptojmë që disa bekime, të tilla si fitimi i një dëshmie të ungjillit apo marrja e shërimit fizik ose shpirtëror, shpesh vjen gradualisht ose me faza, në vend që të vijë përnjëherë apo menjëherë?

Te Marku 8:27–38, ne lexojmë deklaratën e Pjetrit se Jezusi është Krishti. Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij të mos e bënin ende të njohur identitetin e Tij, si Krishti ose Mesia. Ai gjithashtu filloi t’u mësonte atyre rreth vuajtjes dhe vdekjes së Tij të pashmangshme në Jerusalem.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Markun 6–8 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

  • Rendi i saktë i përgjigjeve për veprimtarinë në këtë mësim: 7, 5, 2, 4, 3, 1, 6. (Ky u përshtat nga New Testament Teacher Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 68.)

Shtyp në Letër