Njësia 17: Dita 1
Veprat e Apostujve 1:1–8
Hyrje
Jezu Krishti u shërbeu Apostujve të Tij për 40 ditë pas Ringjalljes së Tij. Ai i përgatiti ata që të ishin dëshmitarë të Tij anembanë botës.
Veprat e Apostujve 1:1–8
Jezu Krishti u shërben dishepujve të Tij për 40 ditë
Përfytyroni sikur një shok ose shoqe e një besimi tjetër ju afrohet me dëshirën për të ditur më shumë rreth Kishës suaj dhe pyet: “Kush e udhëheq Kishën tuaj?” Si do të përgjigjeshit?
Ndërsa studioni Veprat e Apostujve 1:1–8, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë t’i jepni përgjigje asaj pyetjeje dhe të kuptoni se Apostujt që e udhëhoqën Kishën në lashtësi, ishin dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe e kishin për detyrë ta ndanin atë dëshmi anembanë botës. Apostujt që e udhëheqin Kishën sot kanë të njëjtin bekim dhe përgjegjësi.
Kthejuni librit të Veprave të Apostujve në shkrimet tuaja të shenjta dhe shikoni sërish titullin e këtij libri.
Libri i Veprave të Apostujve është një kalim i rëndësishëm në Dhiatën e Re. Ungjijtë e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit sigurojnë rrëfime të shërbesës në vdekshmëri dhe të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Në dallim, libri i Veprave të Apostujve tregon shërbesën e Apostujve pas Ngritjes së Shpëtimtarit në qiell.
Lexoni Veprat e Apostujve 1:1–2, duke kërkuar se për cilin u shkrua ky libër.
Lluka është autori i librit të Veprave të Apostujve dhe “tregimi [i] parë” për të cilit flitet te vargu 1, është Ungjilli sipas Llukës, i cili gjithashtu u shkrua për një individ të panjohur, të quajtur Teofil. Qëllimi i Llukës për shkrimin ishte ta ndihmonte Teofilin të fitonte vetë dëshminë e tij për Jezu Krishtin (shih Lluka 1:1–4).
Lexoni Veprat e Apostujve 1:2, duke kërkuar se si vazhdoi Jezu Krishti ta udhëhiqte Kishën e Tij pas Ringjalljes së Tij.
Sipas vargut 2, si e ka drejtuar Jezu Krishti Kishën e Tij që nga koha kur Ai u largua nga vdekshmëria?
Ne mësojmë te Veprat e Apostujve 1:2 se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij duke ua zbuluar vullnetin e Tij Apostujve të Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Jezu Krishti vazhdoi ta drejtonte Kishën e Tij pas Ringjalljes së Tij:
“Nga vargu i parë i librit të Veprave të Apostujve … shpallja ishte që Kisha do të vazhdojë të udhëhiqet në mënyrë hyjnore, nuk do të udhëhiqet në mënyrë njerëzore. … Në të vërtetë, një titull më i plotë për librin e Veprave të Apostujve mund të ishte në mënyrë të saktë diçka e ngjashme me ‘Veprat e Krishtit të Ringjallur duke Vepruar nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë në Jetën dhe Shërbesat e Apostujve të Tij të Shuguruar’. …
Drejtimi i Kishës ishte i njëjtë. Vendndodhja e Shpëtimtarit ishte e ndryshme, por drejtimi dhe udhëheqja e Kishës ishin përpikërisht të njëjta” (“Teaching, Preaching, Healing”, Ensign, janar 2003, f. 37).
Mendoni përse është e rëndësishme të dihet se Jezu Krishti vazhdon ta drejtojë Kishën e Tij me anë të zbulesës sot.
-
Përsiatni përvoja që e kanë forcuar dëshminë tuaj se Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij sot nëpërmjet zbulesës. Shkruani rreth përvojave tuaja në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Nëse nuk mendoni se keni pasur një përvojë të tillë, kërkojini një anëtari besnik të Kishës që t’ju tregojë se si ai ose ajo e di që Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se çfarë mësoni nga bashkëbisedimi juaj.
Jezusi kaloi 40 ditë duke u dhënë udhëzim vetjak Apostujve përpara Ngritjes së Tij në qiell dhe Apostujt filluan ta udhëhiqnin Kishën këtu në tokë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Lexoni Veprat e Apostujve 1:3, duke kërkuar atë që përjetuan dhe mësuan Apostujt gjatë atyre 40 ditëve.
Në vargun 3, fraza pasi pati vuajtur i drejtohet flijimit shlyes të Shpëtimtarit dhe vuajtjeve të Tij (shih Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Veprat e Apostujve 1:3 [në Biblën në anglisht Veprat e Apostujve 1:3, shënimi b në fund të faqes]). Fraza “prova bindëse” i drejtohet provës së pamohueshme që dha Jezusi se Ai u ringjall.
Lexoni Veprat e Apostujve 1:4–5, duke kërkuar atë që Jezusi i urdhëroi të bënin Apostujt. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
Jezusi i urdhëroi Apostujt të qëndronin në Jerusalem derisa të pagëzoheshin me Frymën e Shenjtë. Kjo i drejtohet marrjes nga ana e tyre të shoqërimit të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, që Apostujt nuk e kishin pasur të nevojshme teksa Zoti kishte qenë fizikisht me ta.
Lexoni Veprat e Apostujve 1:8, duke kërkuar atë që iu tha Apostujve të bënin pasi e morën Frymën e Shenjtë.
Nga ajo që Shpëtimtari dha mësim te vargu 8, ne mësojmë se Apostujt janë dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe dëshmojnë për Të anembanë tokës.
Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim rreth përgjegjësisë së Apostujve sot që të jenë dëshmitarë të Jezu Krishtit: “Në kohën tonë Zoti ka thirrur 15 dëshmitarë të veçantë për të dëshmuar për hyjninë e Tij para gjithë botës. Thirrja e tyre është një thirrje e veçantë; ata janë Apostuj të Zotit Jezu Krisht, të zgjedhur dhe të autorizuar prej Tij. Ata janë urdhëruar të japin dëshmi për realitetin e Tij të gjallë nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të apostullimit të shenjtë që u është dhënë” (në “Dëshmitarë të Veçantë të Krishtit”, Ensign, prill 2001, f. 4).
Lexoni dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, që e shoqëron këtë mësim. Shenjoni pjesët e dëshmisë së Apostujve që janë më domethënëset për ju.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si ndikon dëshmia e Apostujve bashkëkohorë në dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin?
Edhe pse Veprat e Apostujve 1:8 i drejtohet veçanërisht rolit të Apostujve si dëshmitarë të veçantë të Shpëtimtarit, ai gjithashtu na mëson rreth asaj që mund të na ndihmojë të jemi dëshmitarë të Jezu Krishtit anembanë botës.
Bazuar në premtimin e Zotit dhënë Apostujve te Veprat e Apostujve 1:8, ne mësojmë se nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne mund të bëhemi dëshmitarë të Jezu Krishtit.
Në çfarë mënyrash na ndihmon fuqia e Frymës së Shenjtë që të bëhemi dëshmitarë të Shpëtimtarit?
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë ndërsa njerëz të tjerë kanë dhënë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin?
-
Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju ndihmojë që t’iu dëshmoni të tjerëve për Jezu Krishtin?
-
Kërkoni mundësi për t’ua dhënë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin të tjerëve dhe për të mirëbesuar se Fryma e Shenjtë do ta pohojë të vërtetën e asaj që u dëshmoni atyre.
Veprat e Apostujve – Zbulesa: Vështrim i Përgjithshëm i Gjysmës së Dytë të Dhiatës së Re
Veprat e Apostujve 1:8 jo vetëm që jep mësim të vërtetat rreth përgjegjësisë së Apostujve, por gjithashtu siguron një vështrim të përgjithshëm të gjysmës së dytë të Dhiatës së Re. Sipas Veprave të Apostujve 1:8, ku profetizoi Shpëtimtari se do të dëshmonin dishepujt e Tij për Të?
Përdorni hartat që gjenden në shtojcat e Biblës ose në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për të kërkuar vendet e përmendura në shkrimet e shenjta që t’ju ndihmojnë të përfytyroni udhëtimet e Apostujve dhe përmbushjen e profecisë së Shpëtimtarit.
Veprat e Apostujve 1–5 dokumenton shërbesën e Apostujve në Jerusalem, Veprat e Apostujve 6–9 dokumenton shërbesën e Apostujve anembanë Judesë e Samarisë dhe Veprat e Apostujve 10–28 dokumenton shërbesën e Apostujve anembanë Perandorisë Romake ose “deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Ju mund të doni ta shkruani këtë vështrim të përgjithshëm të librit të Veprave të Apostujve në anë të faqes së shkrimit tuaj të shenjtë pranë Veprave të Apostujve 1:8.
Kthehuni te tabela e përmbajtjes së Biblës. Shihni te librat e Dhiatës së Re që e pasojnë librin e Veprave të Apostujve. Librat nga 1 Korintasve deri te Hebrenjve janë letra të shkruara nga Apostulli Pal. Ju do të mësoni rreth kthimit të Palit në besim dhe shërbesës së tij ndërkohë që studioni Veprat e Apostujve 9, 13–28.
Shihni te harta “Vështrim i Përgjithshëm i Librit të Veprave të Apostujve”, e cila paraqet qytetet ose zonat që i përkasin shumë prej letrave të Palit. Shumë prej letrave në Dhiatën e Re iu shkruan bashkësive të Kishës në qytete të ndryshme për t’iu përgjigjur nevojave të tyre të veçanta. Për shembull, thesalonikasit ishin njerëz që jetuan në qytetin e Thesalonikit dhe libri i 1 Thesalonikasve besohet të jetë letra më e hershme që shkroi Pali. Përveç që u shkroi bashkësive të shenjtorëve, Pali u shkroi edhe individëve të tillë si Timoteut, Titit dhe Filemonit.
Shihni te tabela e përmbajtjes se cilat letra e pasojnë letrën drejtuar Hebrenjve. Përveç Palit, Apostuj dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u shkruan anëtarëve të Kishës. Disa nga këto letra janë librat e Jakobit, Pjetrit, Gjonit dhe Judeut. Libri i Zbulesës shënon një vegim të dhënë Apostullit Gjon.
Teksa vazhdoni të studioni gjysmën e dytë të Dhiatës së Re, jini plot lutje me qëllim që Fryma e Shenjtë të mund t’ju ndriçojë dhe t’ju ndihmojë që të fitoni kuptueshmëri më të madhe nga mësimet e Apostujve të Dhiatës së Re.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 1:1–8 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: