Biblioteka
Njësia 6, Dita 3: Mateu 25


Njësia 6: Dita 3

Mateu 25

Hyrje

Ndërsa Jezu Krishti i mësoi veçmas dishepujt e Tij në Malin e Ullinjve për Ardhjen e Tij të Dytë, Ai dha mësim shëmbëlltyrat e dhjetë virgjëreshave dhe të talentave. Ai gjithashtu shpjegoi se Ai do të ndajë të drejtët nga të ligjtë kur të kthehet.

Mateu 25:1–13

Jezu Krishti jep mësim shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave

Përfytyroni se si mund të ndiheshit nëse do të ishit në vend të të riut në historinë vijuese të treguar nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili e dëgjoi këtë misionar të ri të kthyer nga misioni të tregonte një përvojë vetjake në një mbledhje dëshmish.

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Ai … tregoi për kthimin në shtëpi nga një takim me një vajzë pak pasi ishte shuguruar plak, në moshën 18-vjeçare. Diçka kishte ndodhur në këtë takim, për të cilën nuk krenohej. Ai nuk hyri në hollësi, as nuk duhej ta kishte bërë në një ambient publik. Sot e kësaj dite nuk e di se çfarë ndodhi, por ishte mjaftueshëm domethënëse për të sa që i kishte prekur shpirtin dhe vetëvlerësimin e tij.

Ndërsa u ul në makinën e tij për pak kohë në rrugicën para shtëpisë së vet, duke menduar gjërat që kaluan dhe duke ndier hidhërim të vërtetë për çfarëdo që kishte ndodhur, e ëma e tij joanëtare erdhi duke vrapuar e shqetësuar nga shtëpia drejt makinës së tij. Në çast, ajo njoftoi se vëllai më i vogël i këtij djali ishte rrëzuar në shtëpi, kishte goditur kokën keqas dhe po kalonte një krizë apo spazmë. I ati joanëtar kishte telefonuar menjëherë për një ambulancë, por do t’i nevojitej ndihmë derisa ambulanca të vinte.

‘Eja dhe bëj diçka’, thërriste ajo në lot. ‘A nuk ka diçka që bëni ju në Kishën tuaj në raste si këto? Ti ke priftërinë e tyre. Eja dhe bëj diçka.’ …

… Në këtë mbrëmje, kur dikush që ai e donte kaq shumë kishte nevojë për besimin e tij dhe forcën e tij, ky i ri nuk mund t’i vinte në ndihmë. Duke pasur parasysh ndjenjat me të cilat po ndeshej dhe shkeljen që ndiente se sapo kishte bërë – çfarëdo qoftë ajo – ai nuk mundej të shkonte para Zotit dhe t’i kërkonte bekimin që nevojitej” (“Siguria e Denjësisë”, Liahona, prill 2014, f. 58–59).

Çfarë do të mendonit nëse do të ishit i riu në këtë situatë? Përse është kaq e rëndësishme që të jemi përherë të përgatitur?

Mateu 25 është vazhdim i mësimit të Shpëtimtarit në Malin e Ullinjve, dhe ai përfshin tri shëmbëlltyrat e përgatitjes që na mësojnë se si të jemi të përgatitur për ta takuar Zotin kur Ai të vijë sërish.

Ndërkohë që ishte në Malin e Ullinjve, Jezu Krishti i mësoi dishepujt e Tij për Ardhjen e Tij të Dytë (shih Mateu 24). Nëpërmjet shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave, Jezusi dha mësim se ne duhet të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë.

Pamja
virgjëresha budallaçka dhe të mençura me llamba

Lexoni Mateun 25:1–4, duke kërkuar elementet kryesore të shëmbëlltyrës. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.

Sipas zakoneve judease të martesës, burri ose “dhëndri, i shoqëruar nga miqtë e tij të ngushtë, do të shkonte në mbrëmje te shtëpia e nuses. Pas përfundimit të ceremonive të martesës aty, dasmorët do të vijonin për te shtëpia e dhëndrit për një gosti. Nga të ftuarit në dasmë që i bashkoheshin varganit pritej që të mbanin llambat ose pishtarët e tyre vetjak” për të treguar që ata ishin pjesë e dasmorëve dhe për t’i shtuar shkëlqim dhe bukuri ngjarjes (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 78).

Lexojeni pjesën tjetër të shëmbëlltyrës te Mateu 25:5–13, duke kërkuar atë që bënë pesë virgjëreshat e mençura dhe atë që bënë pesë virgjëreshat budallaçka.

Në vend që të lexoni Mateun 25:5–13, ju mund të shihni një pjesë të videos “They That Are Wise” [“Ata Që Janë të Mençur”] (kodi kohor 0:00–5:46), që paraqet shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave. Kjo video gjendet në LDS.org. Ndërkohë që shihni videon, kërkoni atë që bënë pesë virgjëreshat e mençura dhe atë që bënë pesë virgjëreshat budallaçka.

Merrni parasysh elementet vijuese të shëmbëlltyrës dhe shkruani atë që mendoni se përfaqëson secila prej tyre:

Dhëndri

Virgjëreshat e mençura

Virgjëreshat budallaçka

Llambat

Vaji

Frazat “tani, duke qenë se dhëndri po vononte” (Mateu 25:5) dhe “nga mesnata u dëgjua një britmë” (Mateu 25:6) i referohen Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Përsiatni mbi atë që mund të mësoni nga këto fraza për Ardhjen e Dytë. Ju mund të doni të shkruani Jezu Krishti në anë të faqes pranë vargjeve 5–6.

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për atë se kë përfaqësojnë dhjetë virgjëreshat: “Dhjetë virgjëreshat në mënyrë të qartë përfaqësojnë anëtarët e Kishës së Krishtit, sepse të gjithë u ftuan në dasmë dhe të gjithë e dinin se çfarë kërkohej për t’u pranuar kur të vinte dhëndri. Por vetëm gjysma ishin gati kur ai erdhi” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 8).

Ju mund të doni të shkruani Anëtarët e Kishës në anë të faqes pranë Mateut 25:1–2.

Rishikoni Mateun 25:8–9 dhe përsiatni mbi arsyen përse virgjëreshat e mençura nuk ua dhanë vajin e tyre virgjëreshave budallaçka. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim për atë që mund të përfaqësojë vaji dhe për arsyen përse nuk mund të ndahej [me të tjerët]:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Ky nuk ishte egoizëm apo shpirtligësi. Lloji i vajit që nevojitet për ta ndriçuar udhën dhe për t’i bërë dritë errësirës, nuk është i ndashëm. Si mund të ndajë dikush bindjen ndaj parimit të së dhjetës; një mendje në paqe nga të jetuarit e drejtë; një grumbullim të diturisë? Si mund ta ndajë dikush besimin ose dëshminë? Si mund të ndajë dikush sjelljen ose dëlirësinë, apo përvojën e një misioni? Si mund t’i ndajë dikush privilegjet e tempullit? Secili duhet ta fitojë atë lloj vaji për veten e tij. …

Në shëmbëlltyrë, vaji mund të blihet në treg. Në jetën tonë, vaji i përgatitjes grumbullohet pikë pas pike nëpërmjet të jetuarit në mënyrë të drejtë. … Çdo vepër përkushtimi dhe bindjeje është një pikë e shtuar në rezervën tonë” (Faith Precedes the Miracle [1972], f. 255–256).

  1. Përsiatni për atë që përfaqëson vaji në shëmbëlltyrë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta bëni një listë të veprimeve të përkushtimit dhe të bindjes që mund të plotësojnë fjalinë vijuese: Sipas Presidentit Spenser W. Kimball, disa prej gjërave që mund të përfaqësojë vaji në shëmbëlltyrë janë …

Sa vijon është një e vërtetë që mund të mësojmë nga shëmbëlltyra dhe komentet e Presidentit Kimball: Ne nuk mund ta marrim hua përgatitjen shpirtërore prej të tjerëve. Gatishmëria shpirtërore përfshin dëshmi, kthim në besim, besim dhe dhurata të tjera që vijnë personalisht nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Tani dëshiroj të përdor një nga shumë interpretimet e mundshme të shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave për të theksuar marrëdhënien mes dëshmisë dhe kthimit në besim. Dhjetë virgjëreshat, pesë prej të cilave ishin të mençura dhe pesë budallaçka, i morën llambat e tyre dhe i dolën para dhëndrit. Ju lutem të mendoni për llambat e përdorura nga virgjëreshat si llamba e dëshmisë. Budallaçkat, i morën llambat e tyre të dëshmisë, por nuk morën me vete vajin. Vajin konsiderojeni si vaji i kthimit në besim. …

A qenë pesë virgjëreshat e mençura egoiste dhe jo të gatshme për të ndarë [vajin], apo ato po vinin në dukje me të drejtë se vaji i kthimit në besim nuk mund të merret hua? A mund t’i jepet një njeriu tjetër forca shpirtërore që vjen si pasojë e bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve? A mund t’i kalohet dikujt që ka nevojë, njohuria e fituar nëpërmjet studimit të zellshëm dhe meditimit mbi shkrimet e shenjta? A mund t’i përçohet një individi që po përjeton fatkeqësi ose sfidë të madhe, paqja që i sjell ungjilli një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme? Përgjigjja e qartë për secilën prej këtyre pyetjeve është jo.

Sikurse e përforcuan siç duhej virgjëreshat e mençura, secili prej nesh duhet ‘të shko[jë të] ble[jë]’. Këto gra të frymëzuara nuk po përshkruanin një transaksion biznesi; përkundrazi, ato po theksonin përgjegjësinë tonë individuale për ta mbajtur ndezur llambën tonë të dëshmisë dhe për të marrë një furnizim të mjaftueshëm me vajin e kthimit në besim. Vaji i çmuar merret pikë pas pike – ‘rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje. Nuk ka asnjë rrugë më të lehtë; nuk është e mundur një përgatitje e beftë në minutën e fundit.

‘Si rrjedhim, jini besnikë, gjithmonë duke u lutur, duke i patur llampat tuaja të rregulluara e të ndezura dhe vaj me vete, që të mund të jeni gati për ardhjen e Dhëndrit’ (DeB 33:17)” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 109).

Sa vijon është një e vërtetë tjetër që mund të mësojmë nga shëmbëlltyra: Ne përgatitemi për Ardhjen e Dytë duke e rritur dëshminë dhe kthimin tonë në besim nëpërmjet drejtësisë së përditshme.

Pamja
llambë vaji
  1. Bëni një vizatim të madh të një llambe vaji në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Duke mbajtur parasysh që vaji te shëmbëlltyra përfaqëson përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, bëni një listë brenda llambës, të mënyrave se si mund t’i shtoni “llam[bës]” tuaj “vaj”. Nëse është e mundur, tregojani idetë tuaja pjesëtarëve të familjes ose miqve dhe pyetini se çfarë do të sugjeronin ata që t’i shtonit listës tuaj.

Për të kuptuar mënyra të tjera se si mund të mblidhni vaj pikë pas pike nëpërmjet të jetuarit me drejtësi, ju mund të shihni pjesën tjetër të videos “They That Are Wise” [“Ata Që Janë Të Mençur”] (kodi kohor 5:46–8:44). Ndërsa shihni videon, zgjeroni listën e ideve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Në zbulesën moderne, Zoti pohoi se ‘në atë ditë [të Ardhjes së Dytë], kur unë të vij në lavdinë time, do të përmbushet shëmbëlltyra që thashë lidhur me dhjetë virgjëreshat’ (DeB 45:56).

Lexoni Mateun 25:10–12, duke kërkuar atë që dhëndri u tha virgjëreshave budallçka. Mund të jetë e dobishme të dini që Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron se dhëndri tha: “Ju nuk më njihni mua” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 25:11 [te Mateu 25:12 [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], shënimi a në fund të faqes]).

Çfarë na tregon thënia “Ju nuk më njihni mua” për pesë virgjëreshat budallaçka? Si është të njohurit e Zotit ndryshe nga thjesht të diturit për Të? (Shih Gjoni 17:3.)

Nga këto vargje ne mësojmë se për të qenë gati për ardhjen e Zotit dhe për të qenë të denjë që të qëndrojmë në praninë e Tij, ne duhet të arrijmë ta njohim Atë.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në çfarë mënyrash keni arritur ta njihni më mirë Shpëtimtarin?

    2. Si mund të ndikojë njohja e Shpëtimtarit në përgatitjen tuaj shpirtërore për Ardhjen e Tij të Dytë?

Duke vazhduar historinë e fillimit të mësimit – për mbajtësin e ri të priftërisë që ishte i papërgatitur në një çast nevoje – Plaku Holland shpjegoi se i riu nxitoi teposhtë rrugës për te shtëpia e një burri më të moshuar në lagjen e tij. Burri më i moshuar i dha vëllait më të vogël një bekim që e bëri më të qëndrueshme gjendjen e tij derisa arritën ndihmësmjekët. Plaku Holland vazhdoi:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Më pas, misionari i kthyer për të cilin po flas, tha këtë: ‘Asnjë njeri që nuk është përballur me atë që u përballa unë atë natë, nuk do ta njohë ndonjëherë turpin që ndjeva dhe hidhërimin që mbajta si barrë, nga të ndierit i padenjë për ta përdorur priftërinë që mbaja. Është një kujtim edhe më i dhembshëm për mua pasi ishte vetë vëllai im i vogël që kishte nevojë për mua dhe prindërit e mi të dashur joanëtarë që ishin kaq të trembur dhe që kishin të drejtë të prisnin më shumë prej meje. Por ndërsa qëndroj para jush sot, mund t’ju premtoj këtë’, tha ai, ‘unë nuk jam i përsosur por, që nga ajo natë e tutje, nuk kam bërë asnjëherë ndonjë gjë që do të më ndalonte të shkoja para Zotit me siguri dhe të kërkoja ndihmën e Tij kur nevojitej. Denjësia vetjake është një betejë në këtë botë në të cilën jetojmë’, pranoi ai, ‘por është një betejë që unë po e fitoj. E kam ndier gishtin e dënimit të drejtohet nga unë një herë në jetën time dhe nuk kam ndërmend ta ndiej kurrë më atë nëse mund të bëj çdo gjë për këtë. Dhe, sigurisht’, përfundoi ai, ‘mund të bëj gjithçka për këtë’” (“Siguria e Denjësisë”, f. 59).

Merrni parasysh atë që duhet të bëni që të jeni të përgatitur shpirtërisht për ardhjen e Zotit. Ju mund të qarkoni një ose dy prej veprimeve që renditët te vizatimi juaj i llambës së vajit dhe të vini një synim për të vepruar në mënyra që do ta rritin gatishmërinë tuaj shpirtërore.

Mateu 25:14–46

Jezu Krishti u mëson dishepujve të Tij shëmbëlltyrat e talentave dhe të deleve e cjepve

Nëse prindërit tuaj do të hynin në dhomë dhe do t’ju jepnin një shumë të madhe parash, çfarë do të bënit me to?

Ndërsa Shpëtimtari vazhdoi t’i mësonte dishepujt e Tij për Ardhjen e Tij të Dytë, Ai tregoi shëmbëlltyrën e talentave. Në këtë shëmbëlltyrë, një burrë që po largohej për në një udhëtim i dha pará tri prej shërbëtorëve të tij: pesë talenta shërbëtorit të parë, dy talenta të dytit dhe një talent të tretit. (Një talent është një shumë parash.)

Pamja
monedha të lashta

Lexoni Mateun 25:16–18, duke kërkuar atë që bënë shërbëtorët me paratë e tyre.

Te Mateu 25:19–23, ne mësojmë se kur zotëria u kthye, ai u kërkoi shërbëtorëve të tij t’i raportonin për atë që kishin bërë me paratë e tyre. Shërbëtorët me pesë talenta dhe dy talenta i kishin përdorur ato për t’i dyfishuar paratë e zotërisë së tyre. Por shërbëtori me një talent e kishte fshehur atë dhe si rrjedhim nuk kishte asnjë para shtesë për t’i dhënë zotërisë së tij.

Lexoni Mateun 25:24–25, duke kërkuar arsyen përse shërbëtori e fshehu talentin.

Në këtë shëmbëlltyrë, talentat mund të krahasohen me dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti. Frika mund të na pengojë t’i përdorim dhuratat dhe aftësitë që na ka dhënë Zoti.

Çfarë mendoni se ndodh nëse nuk i zhvillojmë dhuratat dhe aftësitë tona për shkak të frikës?

Lexoni Mateun 25:26–30 për të zbuluar atë që i ndodhi shërbëtorit të padobishëm.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë është që nëse nuk i zhvillojmë dhe nuk i përdorim dhuratat tona shpirtërore për mirë, atëherë ne do t’i humbasim ato.

Mendoni për disa mënyra në të cilat mund t’i përdorni dhuratat dhe aftësitë tuaja për të çuar përpara punën e Zotit. Një talent që mund të përdorni është dëshmia juaj (shih DeB 60:2–3). Merrni parasysh të bëni një plan për t’i përdorur dhe zhvilluar me besnikëri dhuratat dhe aftësitë tuaja.

Pamja
cjeptë duke kullotur mes deleve

Te Mateu 25:31–46, ne mësojmë se në Ardhjen e Tij të Dytë, Jezusi do t’i ndajë të drejtët nga të ligjtë në të njëjtën mënyrë që një bari ndan delet nga cjeptë. Si e përcakton Zoti ndryshimin mes atyre që e duan Atë (deleve) dhe atyre që nuk e duan (cjepve)?

Lexoni Mateun 25:40, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari rreth mënyrës se si e tregojmë dashurinë tonë për Të.

Nga ky varg ne mësojmë se kur i duam dhe u shërbejmë të tjerëve, ne tregojmë dashurinë tonë për Zotin.

Për ta kuptuar më mirë mënyrën se si e tregojmë dashurinë tonë për Zotin duke i dashur dhe duke u shërbyer të tjerëve, shihni videon “The Coat” [“Palltoja”], që paraqet një ngjarje nga fëmijëria e Presidentit Hiber J. Grant. Ndërsa e shihni, kërkoni për atë se kujt po i shërbenin djali dhe mamaja e tij veçmas.

Përsiatni për mënyrën se si i keni trajtuar të tjerët gjatë 24 orëve të fundit. Merrni parasysh nëse do të zgjidhnit të vepronit ndryshe në qoftë se do të ishit në një situatë të ngjashme në të ardhmen. Gjatë 24 orëve vijuese, kërkoni mundësi për të ndjekur nxitjet e Shpirtit të Shenjtë dhe për t’u shërbyer të tjerëve.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mateun 25 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër