Biblioteka
Hyrje te 1 Korintasve


Hyrje te 1 Korintasve

Përse të Studiohet Ky Libër?

Anëtarët e Kishës së hershme që jetonin në Korint, u përballën me shumë probleme që ekzistojnë në botë sot, të tilla si përçarjen, mësimet e rreme dhe pamoralshmërinë. Te 1 Korintasve ne mësojmë se Apostulli Pal u mësoi këtyre shenjtorëve si të nxitnin unitetin në Kishë, si t’i mësonin gjërat e Perëndisë, mbi rolin e trupit fizik si një tempull për Frymën e Shenjtë, natyrën e dhuntive frymërore, rëndësinë e marrjes së sakramentit në mënyrë të denjë dhe vërtetësinë e Ringjalljes. Nëpërmjet studimit tuaj të mësimeve të Palit të shënuara te 1 Korintasve, ju mund të mësoni doktrina dhe parime që do t’ju ndihmojnë të jetoni me drejtësi pavarësisht çfarëdo lloj ligësie që mund të hasni.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Vargu hyrës te 1 Korintasve tregon se ajo u dërgua nga Apostulli Pal dhe një dishepull i quajtur Sosteni, i cili mund të ketë shërbyer si shkruesi i Palit (shih 1 Korintasve 1:1). Ndërkohë që hollësitë mbi rolin e Sostenit nuk dihen, është e qartë se Pali ishte autori i përmbajtjes së letrës (shih 1 Korintasve 16:21–24).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Pali e shkroi letrën e njohur si 1 Korintasve, pranë fundit të vizitës së tij trevjeçare në Efes (gjatë misionit të tij të tretë), që ka gjasa të ketë përfunduar diku midis viteve 55 dhe 56 ps.K. (shih Veprat e Apostujve 19:10; 20:31; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”).

Për Kë u Shkrua Ky Libër dhe Përse?

Kjo letër iu shkrua anëtarëve të Kishës në qytetin e Korintit. Pali e kishte predikuar ungjillin në Korint për pothuaj dy vjet (shih Veprat e Apostujve 18:1–18) dhe kishte organizuar një degë të Kishës atje (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”). Më vonë, ndërkohë që Pali po predikonte në Efes gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar, ai mori një lajm nga anëtarët e Kishës në Korint. Ai i ktheu një përgjigje degës (shih 1 Korintasve 5:9), por fatkeqësisht kjo letër humbi dhe si rrjedhojë nuk gjendet në shkrimet tona të shenjta. Më vonë, Pali mori një njoftim tjetër nga anëtarët e Kishës në Korint lidhur me problemet e Kishës atje (shih 1 Korintasve 1:11), të cilëve ai iu përgjigj duke u shkruar një letër tjetër, e cila u bë e njohur si 1 Korintasve. Prandaj, 1 Korintasve në të vërtetë është letra e dytë e Palit drejtuar anëtarëve të Kishës në Korint.

Në kohën e Palit, Korinti ishte kryeqyteti i krahinës romake, Akaia, e cila përfshinte pjesën më të madhe të Greqisë së lashtë, në jug të Maqedonisë. Si një qendër tregtare e pasur, Korinti tërhiqte njerëz nga të gjitha anët e perandorisë romake, duke e bërë atë një nga qytetet më të larmishme në zonë. Në kulturën fetare korintase mbizotëronte adhurimi i idhujve, dhe kudo në qytet kishte shumë tempuj e faltore. Në kohën e shërbesës së Palit, korintasve u kishte dalë nami se ishin shumë të shthurur. Për shembull, në tempullin e Afroditës thuhet të jetë praktikuar prostitucioni ritual.

Në këtë letër, Pali e bëri të qartë se anëtarëve të Kishës u mungonte uniteti dhe se disa bindje e praktika pagane kishin filluar të ndikonin në respektimin nga ana e tyre të parimeve dhe ordinancave të ungjillit (shih 1 Korintasve 1:11; 6:1–8; 10:20–22; 11:18–22). Ai u shkroi anëtarëve të Kishës në Korint që t’i ndihmonte ata për pyetjet dhe problemet e tyre, dhe t’i forconte të kthyerit në besim që po hasnin vështirësi me kthimin në bindjet dhe praktikat e tyre të kaluara.

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

Dhiata e Re përmban më shumë këshilla dhe mësime të Palit drejtuar anëtarëve të Kishës në Korint sesa ndonjë dege tjetër të Kishës. Në fakt, të dyja letrat e Palit drejtuar korintasve përbëjnë një të katërtën e të gjitha shkrimeve ekzistuese të Palit.

Siç shënohet te 1 Korintasve, Pali shpjegoi se Jezu Krishti e kishte përmbushur ligjin e Moisiut. Pali theksoi rëndësinë e “zbatimi[t të] urdhërimeve të Perëndisë” (1 Korintasve 7:19) “nën ligjin e Krishtit” (1 Korintasve 9:21), me qëllim që t’i marrim bekimet e shpëtimit nëpërmjet ungjillit.

Përmbledhje

1 Korintasve 1–11. Pali paralajmëron kundër përçarjes brenda Kishës dhe thekson rëndësinë e unitetit midis anëtarëve të Kishës. Ai i paralajmëron anëtarët ndaj imoralitetit seksual, jep mësim se trupi është një tempull për Shpirtin e Shenjtë dhe nxit vetëdisiplinimin. Ai trajton pyetje të veçanta lidhur me martesën dhe shërbimin misionar, si edhe ordinancën e sakramentit, dhe nëse është e lejueshme ose jo të hash mish sakrifice që u ishte flijuar idhujve paganë.

1 Korintasve 12–14. Pali jep mësim se ne duhet t’i kërkojmë dhuntitë e Shpirtit. Ai u kujton shenjtorëve korintas për rëndësinë e apostujve, profetëve dhe mësuesve, dhe për kujdesin që anëtarët duhet të kenë ndaj njëri-tjetrit. Ai thekson rëndësinë e dashurisë hyjnore mbi të gjitha dhuntitë e tjera frymërore.

1 Korintasve 15–16. Pali dëshmon se ai qëndron midis shumë të tjerëve që janë dëshmitarë të Krishtit të ringjallur. Ai jep mësim se çdokush do të ringjallet dhe se pagëzimi për të vdekurit pohon të vërtetën e Ringjalljes së ardhshme. Ai shpjegon se trupat e ringjallur do të ndryshojnë në shkallët e lavdisë dhe se fitorja e Jezu Krishtit mbi varrin heq gjembin e vdekjes. Ai organizon një mbledhje ndihmash për shenjtorët e varfër në Jeruzalem.

Shtyp në Letër