Biblioteka
Njësia 21, Dita 4: 1 Korintasve 3–6


Njësia 21: Dita 4

1 Korintasve 3–6

Hyrje

Apostulli Pal u shpjegoi shenjtorëve në Korint rolet e misionarëve në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ai dha mësim se bashkësitë e tyre ishin vende ku mund të banonte Shpirti dhe i nxiti ata që të mos mendonin se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët. Për më tepër, Pali i paralajmëroi që të mos i lejonin njerëzit e ligj të ndikonin tek ata. Ai gjithashtu i paralajmëroi ata që t’i shmangnin filozofitë dhe praktikat imorale që gjendeshin shpesh në Korint.

1 Korintasve 3

Pali shpjegon rolet e misionarëve dhe të anëtarëve të Kishës në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë

Përfytyroni sikur një shok regjistrohet në një klasë të matematikës së thelluar, si ajo e llogaritjes, por nuk i ka bërë klasat përgatitore, si për shembull algjebrën bazë.

Merreni në shqyrtim se sa i suksesshëm do të ishte shoku juaj në klasën e matematikës së thelluar. Përse është e nevojshme që të kuptoni idetë bazë të një lënde përpara se të përvetësoni konceptet më të thelluara?

Lexojeni 1 Korintasve 3:1–3, duke kërkuar analogjinë që përdori Apostulli Pal për t’u treguar shenjtorëve në Korint se ata nuk ishin ende gati për të vërteta të tjera të ungjillit. Ju mund të doni t’i shenjoni fjalët qumësht dhe ushqim i fortë te 1 Korintasve 3:2.

Çfarë sugjeron fraza “foshnja në Krisht” te 1 Korintasve 3:1, rreth pjekurisë shpirtërore të shenjtorëve korintas?

Kujtoni se shenjtorët në Korint nuk ishin të bashkuar dhe se disa prej tyre përfshinin bindje dhe praktika pagane (të paperëndishme) në zbatimin e ungjillit. Ata kishin filluar gjithashtu të ndaheshin në grupe në bazë të interpretimeve të ndryshme të doktrinës së Kishës, dhe ata i mbështetnin këndvështrimet e tyre duke cituar udhëheqësit e spikatur të Kishës (shih 1 Korintasve 1:10–16; 3:4).

Lexojeni 1 Korintasve 3:5–8, duke kërkuar metaforën që përdori Pali për t’i ndihmuar shenjtorët të kuptonin rolet e misionarëve që e kishin sjellë ungjillin në Korint.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenja, vizatoni një figurë të metaforës së Palit dhe shkruani atë që ju mendoni se Pali po përpiqej t’u mësonte shenjtorëve korintas nëpërmjet kësaj metafore.

Vini re te 1 Korintasve 3:6–7 se kush i shkakton ndryshimet në zemrën e njerëzve, të cilat çojnë në kthimin në besim. Nga këto vargje ne mund të mësojmë se ndërsa ne mund t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë rreth ungjillit të Jezu Krishtit, është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që njerëzit kthehen në besim.

Përsiatni se përse është e rëndësishme që ne të kuptojmë se është fuqia e Perëndisë, jo e jona, që kthen në besim.

Te 1 Korintasve 3:9–23, ne mësojmë se Pali i nxiti shenjtorët në Korint që ta ndërtonin themelin e besimit të tyre mbi Jezu Krishtin dhe ta lejonin Shpirtin të banonte në Kishë. Pali i këshilloi gjithashtu shenjtorët që të mos vareshin nga dituria e botës sepse ajo është “marrëzi” (1 Korintasve 3:19) kur krahasohet me diturinë e Perëndisë.

1 Korintasve 4

Pali u thotë shenjtorëve në Korint që të mos mendojnë se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët

Bazuar te këshillat e Apostullit Pal të shënuara te 1 Korintasve 4:1–3, me sa duket disa anëtarë të Kishës në Korint e kishin gjykuar rendimentin e punës së Palit si misionar dhe udhëheqës i Kishës. Ata mund ta kenë vënë në pikëpyetje gjykimin e tij apo të kenë menduar se dikush tjetër mund të kishte bërë një punë më të mirë.

Siç shënohet te 1 Korintasve 4:3–5, Pali dha mësim se Zoti do të ishte gjykatësi i tij dhe do të “nx[irrte] në dritë gjërat e fshehta” dhe do të “shfaq[te] këshillat e zemrave” (1 Korintasve 4:5). Nga kjo ne mund të mësojmë se pavarësisht se si na gjykojnë të tjerët, Zoti do të na gjykojë me drejtësi për shkak se Ai i di të gjitha gjërat, përfshirë mendimet dhe qëllimet e zemrës sonë.

Te 1 Korintasve 4:6–21, ne mësojmë se Pali u tha shenjtorëve në Korint që të mos ishin krenarë për ndonjërin nga udhëheqësit e tyre të Kishës në kurriz të një tjetri. Ai u tha gjithashtu atyre se Apostujt e Jezu Krishtit thirren për të vuajtur, për shkak të ligësisë së botës. Bota i gjykon Apostujt dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës si “të marrë” (1 Korintasve 4:10), ngaqë kërkojnë të ndjekin Krishtin. Më pas Pali dha mësim se mbretëria e Perëndisë udhëhiqet nga fuqia e Perëndisë nëpërmjet atyre që i mbajnë çelësat e priftërisë.

1 Korintasve 5

Pali i paralajmëron shenjtorët që të mos shoqërohen me ata që zgjedhin të mëkatojnë me dashje

Përfytyroni sikur keni një tas me fruta të freskëta dhe një frutë të kalbur në të.

Pamja
tas me mango

Çfarë do të ndodhte nëse ju do ta linit frutin e kalbur të qëndronte në një tas me frutat e tjera?

Çfarë mund të përfaqësojë në jetën tonë fruti i kalbur?

Ndërsa studioni 1 Korintasve 5, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të reagoni më mirë ndaj ndikimeve të dëmshme në jetën tuaj.

Lexojeni 1 Korintasve 5:1–2, duke kërkuar një mëkat për të cilin shenjtorët korintas nuk kishin marrë asnjë masë disiplinore.

Kurvërimi i referohet çdo marrëdhënieje seksuale jashtë martesës. Me sa duket njëri prej anëtarëve të Kishës në Korint ishte përfshirë në një mëkat seksual me njerkën e tij.

Fraza “të hiqet nga mesi juaj” te 1 Korintasve 5:2, do të thotë se mëkatari duhet të shkishërohet nga Kisha. Përpara shkishërimit apo përpara se të ndodhë ndonjë formë tjetër e disiplinës së Kishës, udhëheqësit e Kishës marrin në shqyrtim në mënyrë të kujdesshme shumë faktorë. Përveç marrjes në konsideratë se sa e rëndë është shkelja, udhëheqësit e Kishës marrin parasysh qëllimet e ndryshme të disiplinës së Kishës: ta ndihmojë një person të pendohet, t’i mbrojë ata që do të ndikoheshin në mënyrë negative nga veprimet ose bindjet e një personi, dhe të mbrojë integritetin moral të mësimeve të Kishës (shih “Church Discipline”, mormonnewsroom.org/article/church-discipline).

Lexojeni 1 Korintasve 5:6–7, duke kërkuar analogjinë që përdori Apostulli Pal për të shpjeguar përse ky individ duhet ta humbiste anëtarësinë e tij në Kishë.

Majaja, ose tharmi, bën që brumi i bukës të fryhet. Ajo gjithashtu e bën bukën që të prishet ose të myket. Masa e brumit përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit. Si do ta përmblidhnit domethënien e kësaj analogjie?

Nga analogjia e Palit ne mund të mësojmë të vërtetën vijuese: Nëse zgjedhim të shoqërohemi ngushtësisht me ata që e përqafojnë mëkatin, ne mund të ndikohemi nga ligësia e tyre.

Lexojeni 1 Korintasve 5:9–11, duke kërkuar këshillën që u dha Pali shenjtorëve korintas për t’i ndihmuar ata që të zbatonin parimin e dhënë mësim në vargun 6.

Merreni në shqyrtim se si lidhet mësimi i Palit me tasin e frutave që ka një frutë të kalbur në të.

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

Për ta kuptuar më tej këshillën e Palit për të mos u shoqëruar me kurvarë ose të tjerë që refuzojnë të pendohen për mëkatin, lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Mos u shoqëroni me kurvarë – jo sepse ju jeni shumë të mirë për ta, por ashtu siç shkroi [C. S.] Luis, ngaqë ju nuk jeni mjaftueshëm të mirë. Mbani mend se situatat e këqija mund të prishin edhe njerëz të mirë” (“The Stern but Sweet Seventh Commandment”, New Era, qershor 1979, f. 42).

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilët janë disa shembuj të situatave të këqija që mund të prishin njerëz të mirë, saqë ata arrijnë t’i rrezikojnë standardet e tyre dhe e pranojnë sjelljen mëkatare?

Ne duhet të përpiqemi që t’i ndihmojmë dhe frymëzojmë njerëzit që po luftojnë me mëkatin pa i rrezikuar vetë standardet tona. Merrni në shqyrtim plot lutje se çfarë mund të bëni që të ndikoni tek të tjerët në mënyrë pozitive pa i rrezikuar standardet tuaja.

Te 1 Korintasve 5:12–13, ne mësojmë se udhëheqësit e Kishës kanë përgjegjësinë t’i gjykojnë dhe, nëse është e nevojshme, t’i shkishërojnë ata që kryejnë shkelje të rënda.

1 Korintasve 6

Pali u jep mësim shenjtorëve rreth unitetit dhe ligjit të dëlirësisë

Korinti i lashtë ishte me nam për imoralitet, dhe shumë korintas nxitnin idenë se trupi ynë ishte bërë për kënaqësi. Te 1 Korintasve 6:13–17, Apostulli Pal u mësoi shenjtorëve korintas se trupi ynë u krijua për të përmbushur qëllimet e Zotit, jo për t’u përfshirë në mëkat seksual apo thjesht të gëzojë kënaqësi fizike, të tilla si ushqimin. Ata që bashkohen me Kishën, bëhen një me Krishtin si “gjymtyrë” shpirtërore të trupit të Tij. Imoraliteti seksual nuk përputhet me një marrëdhënie shpirtërore me Jezu Krishtin.

Lexojeni 1 Korintasve 6:18–20, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth trupit tonë. 1 Korintasve 6:19–20 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

  1. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përmblidhni të vërtetën që dha mësim Pali te 1 Korintasve 6:19.

    2. Shpjegoni se si duhet të ndikojë kuptueshmëria jonë se trupi ynë është një tempull i Perëndisë, në mënyrën se si ne e trajtojmë trupin tonë dhe trupin e të tjerëve.

    3. Përmblidhni të vërtetën që Pali e dha mësim te 1 Korintasve 6:20.

Pamja
Tempulli i Kordovës, Argjentinë

Apostulli Pal dha mësim se trupi ynë është një tempull i Perëndisë.

Përsiatni se si mund t’ju ndihmojë kuptueshmëria e këtyre të vërtetave rreth trupit tonë që të qëndroni të pastër kur rrethoheni nga ligësia.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Korintasve 6:19–20

  1. Për t’ju ndihmuar që ta mësoni përmendsh këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë, përsëritini rreshtat më poshtë, duke i mbuluar disa prej tyre me një letër ndërsa ju njiheni me fjalët. Vazhdoni ta përsëritni fragmentin derisa ta keni mësuar përmendsh. Pastaj thuajani fragmentin një pjesëtari të familjes ose një shoku, dhe kërkojuni atyre të firmosin në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

    [19] A

    nuk e dini se trupi juaj është tempulli

    i Frymës së Shenjtë që është në ju,

    të cilin e keni nga Perëndia,

    dhe se nuk i përkitni vetvetes?

    [20] Sepse u bletë me një çmim!

    Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj

    dhe në frymën tuaj,

    që i përkasin Perëndisë.

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Korintasve 3–6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër