Biblioteka
Njësia 29, Dita 4: 1 Pjetër 3–5


Njësia 29: Dita 4

1 Pjetër 3–5

Hyrje

Apostulli Pjetër i nxiti shenjtorët që të ishin gjithnjë gati për të dëshmuar për Jezu Krishtin dhe të jetonin me drejtësi, në mënyrë që të davaritnin akuzat e rreme të bëra kundër tyre. Ai dha mësim se Jezu Krishti e predikoi ungjillin në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij. Pjetri i këshilloi gjithashtu pleqtë e Kishës që ta ruanin tufën e Perëndisë me të njëjtin kujdes sikurse bëri Jezu Krishti, Kryebariu.

1 Pjetër 3:1–17

Pjetri i këshillon shenjtorët që të jenë të bashkuar në drejtësi dhe të jenë gjithnjë gati për të dëshmuar për Krishtin

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Ne do të kemi mundësi përgjatë jetës sonë që të tregojmë ato çka besojmë, megjithëse ne nuk e dimë gjithnjë se kur do të thirremi për ta bërë këtë. Një mundësi e tillë, më erdhi në vitin 1957 kur punoja në një shtëpi botuese dhe m’u kërkua të shkoja në Dallas të Teksasit [SHBA], të quajtur ndonjëherë ‘qyteti i kishave’ për të folur në një konferencë biznesi. Pas përfundimit të konferencës, unë mora një autobus turistik për të bërë një turne përmes rrethinave të qytetit. Ndërsa kalonim pranë kishave të bukura, shoferi ynë do të komentonte: ‘Në të majtë po shihni Kishën Metodiste’, ose, ‘Atje në të djathtë është Katedralja Katolike’.

Ndërsa kaluam pranë një ndërtese të bukur me tulla të kuqe të vendosur mbi një kodër, shoferi thirri: ‘Ajo ndërtesë është vendi ku mblidhen mormonët’. Zëri i një zonje nga fundi i autobusit pyeti: ‘Shofer, a mund të na thoni diçka më shumë mbi mormonët?’

Shoferi e ndaloi autobusin në anë të rrugës, u rrotullua në karrigen e tij dhe u përgjigj: ‘Zonjë, gjithçka që di unë për mormonët është se ata mblidhen në atë ndërtesë me tulla të kuqe. A ka ndonjë njeri në këtë autobus që di diçka më shumë për mormonët?’” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 67).

Nëse ju do të kishit qenë në atë autobus, çfarë do të kishit bërë ose thënë?

Në ç’mënyra mund të jetë emocionuese kjo lloj mundësie për ju? Në ç’mënyra mund të jetë sfiduese për ju?

Ndërsa e studioni 1 Pjetrin 3:1–17, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë kur ju paraqiten mundësi për ta ndarë ungjillin me të tjerë.

Te 1 Pjetri 3:1–11, ne lexojmë se Apostulli Pjetër i këshilloi bashkëshortet që të ndihmonin për t’i sjellë bashkëshortët jobesimtarë te Krishti nëpërmjet sjelljes së tyre të drejtë (shih Përkthimin prej Joseph Smith-it të 1 Pjetrit 3:2 [te 1 Pjetër 3:2, poshtëshënimi b, në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Ai i këshilloi bashkëshortët që t’i nderonin bashkëshortet e tyre. Ai i këshilloi gjithashtu anëtarët të “[ishin] … të një mendjeje” (1 Pjetër 3:8) dhe të jetonin sipas standardeve të ungjillit.

Lexojeni 1 Pjetrin 3:14–16, duke kërkuar atë që Pjetri i këshilloi shenjtorët të bënin kur ndesheshin me njerëz që i vinin në dyshim bindjet e tyre, apo i përndiqnin për shkak të atyre bindjeve.

Fjala përgjigj[e]vargun 15 mund të përkthehet edhe si “mbrojtje” (shih 1 Pjetër 3:15, poshtëshënimin b [në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Pjetri i këshilloi shenjtorët që t’i shprehnin dhe mbronin bindjet e tyre fetare. Vini re gjithashtu se Pjetri sugjeroi që ta bënin këtë me butësi [/zemërbutësi] dhe druajtje. Butësi [/zemërbutësi] do të thotë mirësi, përulësi dhe durim (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zemërbutë, Zemërbutësi”, scriptures.lds.org). Fjala druajtje do të thotë nderim ose respekt (shih 1 Pjetër 3:15, poshtëshënimin a [në variantin shdm të Biblës në anglisht]).

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga 1 Pjetri 3:15 është që si pasues të Jezu Krishtit, ne duhet të përpiqemi që të jemi gjithnjë gati për t’i shprehur dhe mbrojtur bindjet tona me butësi dhe nderim. Merreni parasysh ta shkruani ose shënoni këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë 1 Pjetrit 3:15.

Lexoni pjesën e mbetur të rrëfimit të Presidentit Monson për përvojën e tij në autobus:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Unë prita që dikush të përgjigjej. Unë ia ngula sytë shprehjes në fytyrën e secilit person duke kërkuar ndonjë shenjë miratimi, pak dëshirë për të komentuar. Asgjë. Unë e kuptova se ishte radha ime për të bërë siç këshilloi Apostulli Pjetër, që ‘të jeni gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju’. Unë kuptova gjithashtu, vërtetësinë e fjalës së urtë: ‘Kur vjen koha për të marrë vendime, ka ikur koha për përgatitje’.

Për pothuajse 15 minutat vijuese, unë pata privilegjin që t’u tregoja atyre që ishin në autobus, dëshminë time lidhur me Kishën dhe ato çka ne besojmë. Unë isha mirënjohës për dëshminë time dhe mirënjohës që isha i përgatitur ta ndaja atë” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, f. 67).

  1. Përgjigjjuni dy ose të gjitha pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa nga gjërat që ju mund të bëni, që të jeni gjithnjë gati për t’i treguar bindjet tuaja?

    2. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që t’i tregoni bindjet tuaja me butësi dhe nderim?

    3. Kur i keni treguar bindjet apo dëshminë tuaj me të tjerë?

Mendoni rreth mënyrës se si do të përgatiteni për t’i treguar dhe mbrojtur bindjet tuaja. Veproni sipas çdo nxitjeje që merrni.

1 Pjetër 3:18–4:19

Jezu Krishti e predikoi ungjillin në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij

Përfytyroni sikur jeni një misionar kohëplotë. Mendoni mbi mënyrën se si do t’i përgjigjeshit një personi që thotë sa vijon: “Unë besoj se ajo që po më mësoni është e vërtetë, por pyes veten për njerëzit që vdesin pa e pasur mundësinë që ta dëgjojnë të vërtetën. Nuk duket e drejtë nga ana e Perëndisë që t’i ndëshkojë ose pengojë ata që të jetojnë përsëri me Të, nëse ata kurrë nuk e patën mundësinë për të mësuar rreth planit të Tij të shpëtimit”.

Lexojeni 1 Pjetrin 3:18–20, duke përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith-it të 1 Pjetrit 3:20 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Më pas lexojeni 1 Pjetrin 4:5–6 duke përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith-it të 1 Pjetrit 4:6 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]. Ndërsa i lexoni, kërkoni të vërteta që Pjetri i dha mësim, të cilat ju mund t’i ndani me personin në skenarin e mësipërm. “Frymërave që ishin në burg” te 1 Pjetri 3:19, u referohet atyre shpirtrave në botën e shpirtrave që nuk e pranuan ungjillin, apo nuk e patën mundësinë ta dëgjonin atë ndërkohë që ishin në vdekshmëri.

Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth atyre shpirtrave në botën e shpirtrave që nuk e pranuan ungjillin, apo nuk e patën mundësinë që ta merrnin atë në këtë jetë?

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith

Presidenti Jozef F. Smith po përsiaste mbi domethënien e 1 Pjetrit 3:18–20 dhe 1 Pjetrit 4:6, kur ai mori një zbulesë dhe vegim të vizitës së Shpëtimtarit në botën e shpirtrave. Kjo zbulesë është dokumentuar si Doktrina e Besëlidhje 138. Presidenti Smith pa se Jezu Krishti, midis kohës së vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, ua predikoi ungjillin dhe u shërbeu personalisht shpirtrave të drejtë në botën e shpirtrave. Jezu Krishti më pas i organizoi dhe i autorizoi shërbëtorët e drejtë që t’ua mësonin ungjillin shpirtrave që ishin në burgun e shpirtrave (shih DeB 138:1–12, 18–19, 27–30).

Sipas 1 Pjetrit 4:6, përse u predikohet ungjilli atyre që kanë vdekur?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky varg është se ungjilli u predikohet atyre njerëzve që kanë vdekur, që ata të mund të kenë të njëjtat mundësi si ata që e dëgjojnë ungjillin në vdekshmëri. (Vini re se 1 Pjetri 4:6 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni me lehtësi në të ardhmen.)

  1. Rishikojeni skenarin që lexuat në fillim të kësaj pjese. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si do ta përdornit 1 Pjetrin 4:6 për t’iu përgjigjur shqetësimit për të cilin lexuat. Përfshini ndjenjat tuaja rreth mënyrës se si doktrina e shpëtimit për të vdekurit është provë e mëshirës dhe dhembshurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij.

Te 1 Pjetri 4:7–19, ne lexojmë se Pjetri i nxiti shenjtorët që të kishin dashuri hyjnore të madhe sepse dashuria hyjnore mbulon, ose parandalon, një shumicë mëkatesh. Ai iu referua edhe një “prov[e] … zjarri” të ardhshme (1 Pjetër 4:12) që shenjtorët ende do të duhej ta duronin, dhe u mësoi shenjtorëve të gëzohen kur vuajnë prova e përndjekje për shkak të besimit të tyre në Jezu Krisht.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 1 Pjetër 4:6

  1. Shkruajini fjalët nga 1 Pjetri 4:6 në një kartë ose në një fletë të vogël letre. Në anën tjetër shkruani atë që mund të bëni për t’i ndihmuar paraardhësit tuaj që e kanë pranuar ungjillin në botën e shpirtrave dhe po presin të çlirohen nga burgu i shpirtrave. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se e përfunduat këtë pjesë të detyrës. Gjatë javës së ardhshme, punoni që të mësoni përmendsh 1 Pjetrin 4:6, duke e thënë përmendsh fragmentin çdo mëngjes e mbrëmje përpara se të thoni lutjet tuaja vetjake. Rishikoni gjithashtu atë që shkruat rreth mënyrave se si të merrni pjesë në punën e shpëtimit për paraardhësit tuaj.

1 Pjetër 5

Pjetri i këshilloi pleqtë e Kishës që ta ruanin tufën e Perëndisë dhe i nxiti shenjtorët që të qëndronin të patundur në besim

Për të ndihmuar në përgatitjen e shenjtorëve për provat që do të përjetonin, Apostulli Pjetër u dha mësim pleqve të Kishës rreth përgjegjësive të tyre si udhëheqës të Kishës. Lexojeni 1 Pjetrin 5:1–3, duke kërkuar këshillat e Pjetrit për pleqtë e Kishës.

Të “rua[sh] tufën e Perëndisë” (vargu 2) do të thotë të kujdesesh për anëtarët e Kishës dhe t’i mbrosh ata. Pjetri dha mësim se udhëheqësit e Kishës duhet të shërbejnë me dëshirë e dashuri në vend që të shërbejnë me zor ose nga dëshira për shpërblim. Ata duhej të ishin shembuj për anëtarët në vend që të ishin “zotëronjës” (vargu 3) mbi ta.

Një e vërtetë që na mësojnë këto vargje është se udhëheqësit e Kishës kanë përgjegjësinë që të kujdesen dhe ta ruajnë tufën e Perëndisë me dashuri dhe me anë të shembullit.

Lexojeni 1 Pjetrin 5:4, duke kërkuar mënyrën se si e quajti Pjetri Shpëtimtarin.

Pamja
Krishti duke mbajtur një qengj

Cilat vlera dhe cilësi si të Krishtit mund t’i ndihmojnë udhëheqësit e Kishës që t’i ruajnë anëtarët e Kishës dhe të kujdesen për ta?

Kur jeni bekuar nga dashuria si e Krishtit të një udhëheqësi të Kishës apo nga shembulli i tij?

Kur ju i respektoni, i mirëbesoni dhe i ndiqni udhëheqësit e Kishës të cilët Zoti i ka thirrur, ata do të ndihmojnë në kullotjen tuaj dhe do të përkujdesen për ju nga ana shpirtërore.

Te 1 Pjetri 5:5–14, Pjetri u mësoi shenjtorëve që t’i respektonin pleqtë, ta hidhnin merakun e tyre mbi Jezu Krishtin dhe të qëndronin të patundur në besimin e tyre, pavarësisht nga pikëllimet. Pjetri i siguroi ata se nëse do ta bënin këtë, Perëndia do t’i përsoste dhe forconte ata.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Pjetrin 3–5 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër