Biblioteka
Mirë se Vini te Dhiata e Re


Mirë se Vini te Dhiata e Re

Çfarë Është Dhiata e Re?

Dhiata e Re përmban shkrimet e Apostujve të parë dhe të dishepujve të hershëm të Jezu Krishtit, të cilët shkruan nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Ajo përmban katër Ungjijtë, që janë dëshmitë e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit për Jezu Krishtin si Mesia i premtuar – Shpëtimtari e Shëlbuesi – dhe Zoti i ringjallur. Katër Ungjijtë tregojnë pjesë të jetës së Jezusit dhe janë një anal i shumë prej mësimeve të Tij. Dhiata e Re përmban doktrina e parime të dhëna mësim nga Shpëtimtari dhe Apostujt e Tij për t’i ndihmuar të tjerët të mësojnë se si të kthehen për të jetuar me Perëndinë, Atin, dhe të fitojnë jetë të përjetshme. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Bibla qëndron si shkrim i shenjtë përkrah Librit të Mormonit, Doktrinës e Besëlidhjeve dhe Perlës me Vlerë të Madhe (shih Nenet e Besimit 1:8).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përmblodhi përmbajtjen e rëndësishme të Dhiatës së Re: “Dhiata e Re … tregon përmbushjen e premtimeve të lashta; tregon për lindjen, shërbesën dhe flijimin shlyes të të Premtuarit; sqaron doktrinat shpëtuese të ungjillit të Tij të përjetshëm; shënon rritjen dhe zgjerimin e kauzës së ungjillit në meridianin e kohës; parashikon largimin e gjithësishëm nga besimi që iu dha dikur shenjtorëve; premton një rivendosje të lavdishme të ungjillit në ditët e fundit; dhe paratregon, me gjuhë figurative, të gjallë dhe dramatike, ngjarjet që i paraprijnë Ardhjes së Dytë të Birit të Njeriut, që ndodhin gjatë kësaj Ardhjeje dhe e pasojnë atë. Qëllimi i saj kryesor është të japë dëshmi për Krishtin” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 392).

Përse Është i Rëndësishëm Studimi i Dhiatës së Re?

Si të gjitha shkrimet e shenjta, Dhiata e Re na mëson e dëshmon për Jezu Krishtin dhe hyjnueshmërinë e Tij. Apostulli Gjon tha se qëllimi i tij për shkrimin e Ungjillit të tij ishte t’i bindte të tjerët që të “beson[jnë] se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta ken[ë] jetën në emër të tij” (Gjoni 20:31). Duke e studiuar Dhiatën e Re, ju do të mësoni për lindjen mbresëlënëse të Shpëtimtarit, do të dëshmoni mrekullitë dhe shërimet e Tij, do të dëgjoni të vërtetat e papërfytyrueshme të ungjillit të Tij dhe do të jetoni sërish ditët e flijimit të Tij shlyes, kryqëzimit dhe ringjalljes së Tij të lavdishme. Teksa i studioni jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit, ju do të mësoni se si të vini tek Ai që të merrni shpresë, falje, paqe dhe lumturi të përjetshme. Një studim i sinqertë i Dhiatës së Re mund ta forcojë besimin tuaj te Jezu Krishti dhe mund t’ju ndihmojë të mbështeteni te mësimet dhe Shlyerja e Tij.

Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Dhiata e Re “është pjesa qendrore e historisë së shkrimeve të shenjta, pikërisht ashtu si Vetë Shpëtimtari është pjesa qendrore e jetës sonë. Ne duhet t’i futemi vetë studimit dhe përvetësimit të [saj]!

Ka perla të paçmueshme urtësie që duhet t’i gjejmë me studimin tonë të Dhiatës së Re” (“Shabati dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 6).

Sa vijojnë janë disa prej perlave të paçmueshme të së vërtetës e urtësisë që gjenden në Dhiatën e Re:

  • Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta” dhe nëpërmjet Tij ju mund të arrini ta njihni Atin Qiellor (shih Gjoni 14:6–7).

  • Fryma e Shenjtë është “Ngushëlluesi, … [i cili] do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto [gjëra]” (Gjoni 14:26).

  • Dishepujt e Jezu Krishtit kanë përgjegjësinë për ta shpallur ungjillin në të gjithë botën (shih Mateu 28:19).

  • Shpëtimtari vazhdon ta drejtojë Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës së dhënë shërbëtorëve të Tij të zgjedhur (shih Veprat e Apostujve 1:2).

  • Ju jeni pasardhësi, ose fëmija, i Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 17:28–29).

  • Për shkak të ringjalljes së Shpëtimtarit, të gjithë do të triumfojnë mbi vdekjen dhe do të jetojnë përsëri (1 Korintasve 15:21–26).

  • Nëse ju mungon urtia, mund t’i kërkoni Perëndisë në lutje dhe Ai do të japë përgjigje (shih Jakob [Bibël] 1:5–6).

  • Shenjtorët besnikë që e mposhtin ligësinë, do të marrin jetë të përjetshme (shih Zbulesa 3).

Një përvojë në jetën e Profetit Jozef Smith jep një shembull të mënyrës se si studimi i Dhiatës së Re mund ta ndikojë dhe të lërë gjurmë në jetën tuaj. Kur ishte i ri, Jozefi u ndesh me vështirësinë e gjetjes vetë se cila nga kishat ishte e drejtë. Ai iu kthye Biblës dhe një ditë lexoi fragmentin te Jakobi [Bibël] 1:5. Ai më vonë shkroi: “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here” (Joseph Smith – Historia 1:12).

Pasi i lexoi dhe mendoi për ato fjalë nga Dhiata e Re, Jozefi vendosi të vepronte sipas së vërtetës që mësoi dhe i kërkoi Perëndisë, sikurse dha mësim Jakobi. Vendimi i tij solli si rrjedhojë Vegimin e tij të Parë mbresëlënës. Ndërsa e studioni me zell Dhiatën e Re, edhe ju do ta ndieni Shpirtin e Shenjtë ta prekë zemrën tuaj dhe t’ju ndihmojë të përcaktoni mënyra për t’i zbatuar doktrinat dhe parimet e ungjillit në jetën tuaj.

Ndërsa e studioni me lutje Dhiatën e Re, veproni sipas nxitjeve të Frymës së Shenjtë. Duke e bërë këtë ju mund të bëheni më plotësisht të kthyer në besim te Zoti. Kthimi i vërtetë në besim ndodh ndërsa vazhdoni të veproni në përputhje me doktrinat, të cilat e dini se janë të vërteta, dhe i zbatoni urdhërimet, ditë pas dite, muaj pas muaji, për tërë pjesën e mbetur të jetës suaj.

Rreth Dhiatës së Re

Bibla nuk është një libër i vetëm. Është një koleksion librash. Fjala greke nga e cila rrjedh fjala bibël, do të thotë “librat”. “Bibla e krishterë ka dy ndarje që njihen zakonisht si Dhiata e Vjetër dhe e Re” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Bibël”, f. 18, scriptures.lds.org). Fjala që u përkthye si dhiatë, gjithashtu mund të përkthehet si besëlidhje. Prandaj Dhiata e Re është besëlidhja e re.

Brenda kontekstit të ungjillit, një besëlidhje është një marrëveshje e veçantë midis Zotit dhe një personi ose një grupi njerëzish. Dhiata e Vjetër, ose besëlidhja e vjetër, është ligji që Zoti ia dha popullit të Tij në lashtësi. “Kur Shpëtimtari erdhi në meridianin e kohës, Ai ua rivendosi ungjillin judejve në Palestinë. Përderisa ata ishin larguar, madje edhe prej ligjit të Moisiut, ai ishte një besëlidhje e re për ta” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Bible” [“Bibël”]).

Dhiata e Re zakonisht ndahet në Ungjijtë, Veprat e Apostujve, letrat e Palit, letrat e përgjithshme dhe libri i Zbulesës.

  1. Ungjijtë. Librat e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit quhen Ungjijtë dhe secili e merr emrin sipas autorit të tij. Fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Edhe pse katër Ungjijtë ndryshojnë në hollësi dhe këndvështrim, ata që të gjithë tregojnë ngjarjet e jetës dhe të shërbesës tokësore të Shpëtimtarit mes judejve. Që të katër Ungjijtë japin mësim e dëshmojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. “Analet e Mateut, Markut dhe Llukës përfaqësojnë një përmbledhje disi të ngjashme të materialeve dhe kanë frazeologji mjaft të përbashkët, si edhe çështje të ngjashme kryesore, dhe kështu nganjëherë emërtohen si ‘Ungjijtë Sinoptikë’ (që do të thotë ‘duken të ngjashëm’). Edhe pse kështu, secili është i pashoq dhe ka shumë hollësi që nuk jepen nga të tjerët. Anali i Gjonit është tepër i ndryshëm nga tre të tjerët në fjalor, frazeologji dhe paraqitjen e ngjarjeve” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Gospels” [“Ungjijtë”]).

  2. Veprat e Apostujve. Veprat e Apostujve u shkrua nga Lluka dhe është një rrëfim për rritjen e Kishës nën drejtimin e Pjetrit dhe Apostujve të tjerë (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Acts of the Apostles” [“Veprat e Apostujve”]).

  3. Letrat e Palit. Letrat e Palit emërohen sipas degës së Kishës ose individit apo grupit të cilit iu shkrua letra. Letrat e Palit janë përshtatur “sipas gjatësisë, në rend zbritës nga më e gjata (Romakëve) deri te më e shkurtra (Filemonit). Ky është rasti, me përjashtim të letrës së Hebrenjve, e cila u vendos e fundit ngaqë disa e vunë në dyshim nëse ishte shkruar apo jo nga Pali” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Pauline Epistles” [“Letrat e Palit”]).

  4. Letrat e përgjithshme. Librat e Jakobit deri te Judeu shpesh quhen letrat e përgjithshme, sepse, me përjashtim të 2 e 3 Gjonit, ato nuk u drejtohen ndonjë njeriu apo një dege të veçantë të Kishës. Ato emërtohen sipas autorëve të tyre. (Shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “General Epistles” [“Letra të Përgjithshme”].)

  5. Libri i Zbulesës. Libri i Zbulesës (që nganjëherë quhet edhe Apokalipsi) u shkrua nga Apostulli Gjon, i cili gjithashtu shkroi Ungjijtë dhe letrat që mbajnë emrin e tij. Ai është rrëfimi i Gjonit për një zbulesë që mori nga Zoti. (Shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Revelation of John” [“Zbulesa e Gjonit”].)

Përkthimi prej Joseph Smith-it dhe Joseph Smith – Mateu

Zoti e urdhëroi Profetin Jozef Smith që të bënte një përkthim, ose një rishikim, të Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës. Përkthimi prej Joseph Smith-it (nganjëherë i shkurtuar si PJS) nuk është një përkthim i Biblës nga një gjuhë në tjetër. Ai përmban më tepër ndryshime që Zoti e frymëzoi Profetin t’ia bënte tekstit të Biblës.

Jozef Smithi e filloi përkthimin e tij në qershor të vitit 1830 dhe e përfundoi atë në korrik të vitit 1833, edhe pse ai vazhdoi t’i bënte ndryshime dorëshkrimit deri pak kohë përpara vdekjes së tij në vitin 1844 (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Joseph Smith Translation” [“Përkthimi prej Joseph Smith-it”]). Ndërkohë që pjesë të përkthimit të Profetit Jozef Smith u botuan gjatë jetës së tij, përkthimi i tij i plotë, i frymëzuar, i Biblës u botua fillimisht në vitin 1867 nga Kisha e Riorganizuar e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (tani e njohur si Komuniteti i Krishtit). Që nga viti 1979 botimi për shenjtorët e ditëve të mëvonshme i Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës në anglisht ka përfshirë qindra fragmente domethënëse nga ana doktrinore të Përkthimit prej Joseph Smith-it në shënimet në fund të faqeve dhe në shtojcën. (Shih Robert J. Matthews, “Joseph Smith’s Efforts to Publish His Bible ‘Translation’”, Ensign, janar 1983, f. 57–64; Bible Dictionary, “Joseph Smith Translation”.) Që nga viti 2009 botimi për shenjtorët e ditëve të mëvonshme i Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës në spanjisht, varianti Reina-Valera, gjithashtu ka përfshirë fragmente në shënimet në fund të faqeve dhe në shtojcën. Në vitin 2015 botimi i Biblës për shenjtorët e ditëve të mëvonshme u botua në portugalisht.

Joseph Smith – Mateu, në Perlën me Vlerë të Madhe, është një pjesë e shkëputur nga Përkthimi prej Joseph Smith-it (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 23:39–24:56). Është përkthimi i frymëzuar i Mateut 23:39–24:55.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i jep ndihmesë kuptueshmërisë sonë për Dhiatën e Re duke rivendosur disa prej të vërtetave të qarta dhe të çmueshme që kishin humbur nga Bibla, (shih 1 Nefi 13:20–41) dhe duke shtuar komentet dhe qartësimin nga Zoti.

Shtyp në Letër