Njësia 25: Dita 4
Filipianëve 4
Hyrje
Apostulli Pal i udhëzoi shenjtorët në Filipi që të ishin plot lutje dhe të kërkonin çfarëdo gjëje që është e drejtë. Ai shpalli edhe besimin e tij në forcën mundësuese të Jezu Krishtit. Pali e mbylli letrën e tij me një mënyrë tjetër falënderimi për shenjtorët filipianë, për mbështetjen që i dhanë atij në kohët që ai kishte nevojë.
Filipianëve 4:1–14
Pali i udhëzon shenjtorët në Filipi që të jenë plot lutje dhe të kërkojnë çfarëdo gjëje që është e drejtë
Gjatë gjithë jetës sonë ne do të përjetojmë sfida ose rrethana që mund të na çojnë në shqetësime. Për shembull:
“Jam i/e shqetësuar nëse do të kaloj në provimin e radhës”.
“Jam i/e shqetësuar për një pjesëtar të familjes, i/e cili/a është sëmurë”.
“Jam i/e shqetësuar se si të qëndroj i/e fortë për bindjet e mia”.
“Jam i/e shqetësuar nëse do të jem një misionar/e i/e sukseshëm/me”.
Cilat janë disa nga shqetësimet apo brengat që po përjetoni momentalisht në jetën tuaj?
Ndërsa studioni Filipianëve 4, kërkoni një të vërtetë që mund të na ndihmojë kur të përballemi me rrethana që mund të na çojnë në shqetësim.
Te Filipianëve 4:1–5 ne lexojmë se si Pali i këshilloi shenjtorët që të qëndronin të patundur me besnikëri ndaj Zotit, të gëzoheshin në Zotin dhe të lejonin që drejtësia ose zemërbutësia e tyre (shih Filipianëve 4:5, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]), të ishte e dukshme tek të tjerët.
Lexojeni frazën e parë të Filipianëve 4:6, duke kërkuar këshillën e Palit ndaj shenjtorëve.
Fraza “mos u shqetësoni për asgjë” te vargu 6 do të thotë që të mos merakosesh së tepërmi për asgjë (shih Filipianëve 4:6, poshtëshënimi a, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).
Lexojeni pjesën tjetër të Filipianëve 4:6, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin ne vend që të shqetësoheshin. (Përgjërimi është një kërkesë e përulur, e sinqertë.)
Lexojeni Filipianëve 4:7, duke kërkuar bekimin që u premtoi Pali nëse do të luteshin me përulësi dhe në mënyrë të sinqertë me falënderim. Vini në dukje se fjala ruaj në këtë varg do të thotë të mbrosh (shih Filipianëve 4:7, poshtëshënimi c, [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).
Një parim që mund të mësojmë nga këto vargje, është që si pasues besnikë të Jezu Krishtit, nëse lutemi me përgjërim dhe falënderim, atëherë ne mund të kemi paqen e Perëndisë. Ndjekja e këshillës së urtë të Palit për t’ia çuar gjithçka Perëndisë në lutje dhe përgjërim, me falënderim, mund të na ndihmojë që të mbajmë një ekuilibër të duhur në jetë, ne vend që të kemi më shumë ankth ose të jemi tepër të shqetësuar për çdo hollësi dhe rezultatet e saj.
Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mënyrës se si mund të na ndihmojë ky parim kur zgjedhim ta jetojmë atë: “Ngaqë Ai e respekton lirinë tuaj të zgjedhjes, Ati në Qiell nuk do t’ju detyrojë kurrë që t’i luteni Atij. Por teksa e ushtroni atë liri të zgjedhjes dhe e përfshini Atë në çdo fushë të jetës suaj të përditshme, zemra juaj do të fillojë të mbushet me paqe, paqe të gjallëruar. Ajo paqe do të përqendrojë një dritë të përjetshme mbi vështirësitë tuaja. Do t’ju ndihmojë t’i mbikëqyrni ato sfida nga një këndvështrim i përjetshëm” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 93).
Vëreni te Filipianëve 4:6 që Pali sugjeroi se lutjet dhe kërkesat tona duhet të ofrohen me falënderim. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Si mendoni ju, a mund të ndihmojë shprehja e mirënjohjes për të na sjellë paqen e Perëndisë?
Sipas Plakut Skot, në ç’mënyrë paqja e Perëndisë mund të na ndihmojë me sfidat që përjetojmë?
Merrni parasysh shqetësimet ose brengat për të cilat menduat më parë në këtë mësim. Zgjidhni ta zbatoni parimin që dha mësim Pali, duke u lutur me përgjërim dhe falënderim në vend që të shqetësoheni. Teksa vëreni shqetësimet e të tjerëve përreth jush, merrni parasysh të ndani me ta fjalët e Palit dhe këtë parim.
Për 30 sekondat e radhës, përqendrojini mendimet tuaja te Shpëtimtari dhe tek ajo që Ai ka bërë për ju.
Çfarë ndikimi pati tek ju përqendrimi te ky mendim?
Lexojeni Filipianëve 4:8–9, duke kërkuar atë që Pali u dha këshillë shenjtorëve filipianë që të mendonin dhe bënin. Merrni parasysh që të shenjoni ose shënoni çdolloj gjëje që Pali i udhëzoi shenjtorët, tek e cila t’i përqendronin mendimet e tyre. Fraza “mendoni” në vargun 8 do të thotë t’i kushtosh vëmendje të kujdesshme e të vazhdueshme.
Në vargun 9, çfarë u këshilloi Pali anëtarëve të Kishës që të bënin? Çfarë bekimi u premtoi ai shenjtorëve nëse do të përqendroheshin te drejtësia dhe do t’i ndiqnin mësimet dhe shembullin e tij?
Një parim që mund të mësojmë nga udhëzimet e Palit, është që nëse shenjtorët besnikë i përqendrojnë mendimet e tyre në çfarëdo gjëje që është e drejtë dhe nëse i ndjekin apostujt e profetët, atëherë Perëndia i paqes do të jetë me ta.
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si përqendrimi i mendimeve tona në çfarëdo gjëje që është e drejtë mund të ketë ndikim te dëshirat dhe sjelljet tona.
Lexojeni Nenet e Besimit 1:13 (te Perla me Vlerë të Madhe), duke kërkuar se si është e ngjashme kjo me Filipianëve 4:8.
Kur Profeti Jozef Smith e citoi “këshillën e Palit” nga Filipianëve 4:8 në nenin e trembëdhjetë të besimit, ai e ndryshoi [frazën] “këto mendoni” në formë më veprore “i kërkojmë këto gjëra”. Mendoni rreth arsyes përse është e rëndësishme për ne që t’i kërkojmë gjërat që janë të vërteta, të ndershme, të drejta, të dëlira, të dashura, të virtytshme dhe me famë të mirë apo të denja për t’u lavdëruar.
Lexojeni këshillën në njërën nga temat vijuese te broshura Për Forcën e Rinisë: “Takimet”, “Veshja dhe Pamja e Jashtme”, “Arsimi”, “Argëtimi dhe Media”, “Miqtë”, “Fjalori”, ose “Muzika dhe Vallëzimi”. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruajeni emrin e temës që përzgjodhët. Më pas, shkruajini përgjigjet tuaja për pyetjet vijuese:
Në ç’mënyrë mund t’i përdorim ne udhëzimet e Palit të shënuara te Filipianëve 4:8–9 për të na udhëhequr në zgjedhjet tona lidhur me këtë temë?
Ndërsa përpiqemi të ndjekim udhëzimet e Palit, çfarë sfidash mund të hasim ne lidhur me këtë temë?
Përse kur keni “Perëndi[në e] paqes … me ju” (Filipianëve 4:9), ia vlen përpjekja që t’i kërkoni gjërat e drejta dhe t’i ndiqni apostujt e profetët?
Si mund t’i përmirësoni përpjekjet tuaja për t’i përqendruar mendimet tuaja te gjërat e drejta? Merrni parasysh bekimet që kanë ardhur tek ju teksa e keni ndjekur mësimin e apostujve dhe profetëve. Vazhdoni ta jetoni këtë parim në mënyrë që Zoti të mund të vazhdojë t’ju japë shoqërimin dhe paqen e Tij në jetën tuaj.
Siç shënohet te Filipianëve 4:10, Pali i falënderoi shenjtorët filipianë për mbështetjen dhe kujdesin që i kishin dhënë atij gjatë sprovave të veta. Lexojeni Filipianëve 4:11–12, duke kërkuar atë që Pali u tha shenjtorëve se kishte mësuar.
Çfarë kishte mësuar Pali të bënte në të gjitha rrethanat?
Lexojeni Filipianëve 4:13–14, duke kërkuar burimin e forcës së Palit. (Filipianëve 4:13 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni në shkrimet tuaja të shenjta në një mënyrë të dallueshme, kështu që të mund ta gjeni në të ardhmen.)
Thënia e Palit te vargu 13 i përket aftësisë së tij, nëpërmjet forcës së dhënë nga Jezu Krishti, për të bërë të gjitha gjërat që ishin të kënaqshme për Perëndinë ose që Ai i kërkonte, përfshirë të qenët i gëzuar në çfarëdo rrethane. Sikurse Pali, ne mund të bëjmë gjithçka me anë të Jezu Krishtit që na forcon.
Çfarë mund të bëjmë ne për të marrë forcën që na jep Jezu Krishti?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth asaj se çfarë mund të na mundësojë forca e hirit të Perëndisë që të bëjmë: “Një … pjesë përbërëse e hirit të Perëndisë është çelja e dritareve të qiellit, nëpërmjet së cilave Perëndia derdh bekimet e fuqisë dhe të forcës, duke na mundësuar të arrijmë gjëra që përndryshe do të ishin shumë përtej arritjes sonë. Është nëpërmjet hirit të mahnitshëm të Perëndisë që fëmijët e Tij mund t’i kapërcejnë rrymat nënujore dhe rërat thithëse të mashtruesit, mund të ngrihen mbi mëkatin dhe të ‘bë[hen] të përsosur në Krisht[in]’ [Moroni 10:32]” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108).
Disa nga mënyrat që ne mund ta përjetojmë këtë forcë përfshin aftësi të madhe ripërtëritëse, zgjidhje, kurajë, durim dhe këmbëngulje, dhe qëndresë e fuqi të madhe fizike, mendore, shpirtërore.
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje kur besimi juaj në Jezu Krisht ju dha forcë për të bërë diçka të mirë.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Filipianëve 4:13
Mësimi përmendsh i Filipianëve 4:13 do të ndihmojë që kjo e vërtetë t’ju vijë në mendje teksa ju ose ata përreth jush mundohen që të kenë forcën për t’i mposhtur vështirësitë dhe për të jetuar në mënyrë të drejtë. Lexojeni në mënyrë të përsëritur Filipianëve 4:13, që t’ju ndihmojë ta mësoni atë përmendsh. Përsëritjani atë një pjesëtari të familjes ose një shoku/shoqeje dhe ftojeni atë person të ndajë një përvojë kur të paturit besim në Jezu Krisht i dha atij apo asaj forcë për të bërë diçka të mirë. Më pas, nënshkruajeni emrin tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Filipianëve 4:15–23
Pali e mbyll letrën e tij drejtuar filipianëve me një shprehje falënderimi
Te Filipianëve 4:15–23 ne lexojmë se Apostulli Pal i falënderoi sërish shenjtorët filipianë që e mbështetën atë gjatë kohës që ai kishte nevojë. Dhuratat e shenjtorëve ishin një ofertë e këndshme për Perëndinë, dhe Pali u premtoi se edhe Perëndia do t’ua plotësonte nevojat.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Filipianëve 4 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: