Biblioteka
Hyrje te Romakëve


Hyrje te Romakëve

Përse të Studiohet Ky Libër?

Letra drejtuar Romakëve është letra më e gjatë e Apostullit Pal dhe cilësohet nga shumë njerëz si letra e tij më e madhështore. Kjo letër përmban shpjegimin e tij më të plotë të doktrinës së shfajësimit me anë të besimit te Jezu Krishti sesa nga zbatimi i ligjit të Moisiut. Ajo përmban shumë mësime rreth doktrinave të shpëtimit dhe zbatimit praktik të atyre doktrinave në jetën e përditshme. Nëpërmjet studimit tuaj të kësaj letre, ju mund të fitoni një vlerësim më të madh për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për shpresën e paqen që të gjithë njerëzit mund të gjejnë te Krishti.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Apostulli Pal është autori i Letrës drejtuar Romakëve (shih Romakëve 1:1). Kur e shkroi këtë letër, Pali përdori ndihmën e një shkruesi, Tercit, i cili e shkroi përshëndetjen e vet për shenjtorët romakë gati në mbyllje të letrës (shih Romakëve 16:22).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Pali e shkroi Letrën e tij drejtuar Romakëve nga Korinti, në prag të fundit të udhëtimit të tij të tretë misionar. Disa të dhëna sugjerojnë se ai e shkroi këtë letër gjatë tre muajve që qëndroi në Korint (shih Veprat e Apostujve 20:2–3; fjala Greqi në këto vargje i referohet Korintit), ndoshta midis viteve 55 dhe 56 ps.K . (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”.)

Për Kë u Shkrua Ky Libër dhe Përse?

Letra e Palit drejtuar Romakëve i drejtohet anëtarëve të Kishës në Romë (shih Romakëve 1:7). Fillesat e Kishës në Romë janë të panjohura, por ndoshta datojnë fill pas ditës së Rrëshajave, kur judenjtë e ardhur nga Roma e dëgjuan Pjetrin të predikonte (shih Veprat e Apostujve 2:10). Edhe pse Pali nuk kishte qenë ende në Romë, ai u dërgoi përshëndetje shenjtorëve të veçantë, të cilët i njihte qoftë nga njohje të mëparshme apo nëpërmjet të tjerëve që kishin jetuar në Romë, të tillë si Priskila dhe Akuila (shih Apostujve 18:1–2, 18; Romakëve 16:1–16, 21).

Duket sikur ka të paktën tri arsye kryesore përse Pali ia dërgoi këtë letër romakëve:

1) Për t’i përgatitur për mbërritjen e tij të ardhshme në Romë. Për vite të tëra Pali kishte dashur ta predikonte ungjillin në Romë (shih Veprat e Apostujve 19:21; Romakëve 1:15; 15:23). Ai gjithashtu shpresonte se Kisha në Romë do të shërbente si bazë nga e cila ai mund të shërbente një mision në Spanjë (shih Romakëve 15:22–24, 28).

2) Për t’i qartësuar dhe mbrojtur mësimet e tij. Pali haste kundërshtime të vazhdueshme nga individë që i keqkuptonin ose i shtrembëronin mësimet e tij rreth ligjit të Moisiut dhe besimit në Krisht (shih Veprat e Apostujve 13:45; 15:1–2; 21:27–28; Romakëve 3:8; 2 Pjetër 3:15–16). Me sa duket, ai kishte arsye të dyshonte se keqkuptime të tilla kishin arritur deri tek anëtarët e Kishës në Romë, kështu që ai u shkroi për të zgjidhur çdo shqetësim përpara se të mbërrinte atje.

3) Për të nxitur unitetin midis anëtarëve judenj dhe johebrenj të Kishës. Jo shumë kohë përpara se Pali të shkruante letrën e tij, të krishterët judeas që ishin dëbuar nga Roma prej perandorit Klaudi (shih Veprat e Apostujve 18:2) filluan të ktheheshin në Romë dhe të mbizotëronin në bashkësitë e krishtera johebrease. Kjo situatë mund të ketë shkaktuar gjendje të nderë dhe probleme midis të krishterëve judeas dhe johebreas. Si “apostulli i johebrenjve” (Romakëve 11:13), Pali u përpoq që t’i integronte johebrenjtë e kthyer në besim në Kishë; prapëseprapë, si një jude (shih Romakëve 11:1), ai gjithashtu ndjente një dëshirë të madhe që vetë populli i tij ta pranonte ungjillin. Ai e nxiti unitetin në Kishë duke dhënë mësim për mënyrën se si doktrinat e ungjillit gjejnë zbatim për të gjithë shenjtorët (shih Romakëve 3:21–4:25; 11:13–36; 14:1–15:13).

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

Pas përshëndetjes hyrëse, letra fillon me një deklaratë të temës së saj: “Ungjilli [i] Krishtit … është fuqia e Perëndisë për shpëtimin” e të gjithë atyre që “jetoj[n]ë me anë të besimit” në Jezu Krisht (Romakëve 1:16–17).

Sipas Plakut Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, edhe pse Letra drejtuar Romakëve ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e krishterë, ajo fatkeqësisht ka qenë edhe “burimi i një keqkuptimi, keqinterpretimi dhe djallëzie më të madhe doktrinore sesa ndonjë libër tjetër biblik” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:211). Edhe midis të krishterëve të hershëm, shkrimet e Palit cilësoheshin si të “vështira për t’u kuptuar” dhe mësimet e tij ndonjëherë shtrembëroheshin dhe keqinterpretoheshin (2 Pjetër 3:15–16).

Përmbledhje

Romakëve 1–3. Pali shpjegon doktrinën e shfajësimit me anë të besimit në Jezu Krisht. Ai përcakton gjendjen mëkatare me të cilën përballet i gjithë njerëzimi dhe jep mësim se zgjidhja e Perëndisë ndaj këtij problemi për të gjithë njerëzit është Shlyerja e Jezu Krishtit. Duke e pranuar plot besim Shlyerjen e Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shfajësohet (falet) dhe të marrë shpëtimin.

Romakëve 4–8. Pali citon shembullin e Abrahamit për të ilustruar doktrinën e shfajësimit me anë të besimit. Ai shpjegon doktrinat e shpëtimit dhe jep mësim se si ato doktrina ndikojnë në jetën e të gjithë atyre që kanë besim në Krisht.

Romakëve 9–16. Pali shkruan rreth gjendjes së zgjedhur të Izraelit, mospranimit të tanishëm të ungjillit dhe shpëtimit përfundimtar. Pali i këshillon anëtarët judenj dhe johebrenj të Kishës që ta jetojnë ungjillin, në mënyrë që të ketë paqe dhe unitet në Kishë. Ai u përgjërohet shenjtorëve në Romë që të vazhdojnë t’i zbatojnë urdhërimet.

Shtyp në Letër