Biblioteka
Njësia 20, Dita 4: Romakëve 4–7


Njësia 20: Dita 4

Romakëve 4–7

Hyrje

Pali shpjegoi se si Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet hirit. Ai më pas përshkroi bekimet që u vijnë atyre të cilët janë të shfajësuar, dhe dha mësim se pagëzimi simbolizon të bëhesh i vdekur për mëkatin dhe i gjallë në Krishtin.

Romakëve 4–5

Pali shpjegon se si u shfajësua Abrahami nëpërmjet hirit

Përfytyroni sikur po vdisni nga etja në një shkretëtirë dhe ka një shishe me ujë në majë të një kodre atje pranë. Cili nga variantet e mëposhtme do t’ju shpëtojë?

Pamja
vizatim, një burrë duke u zvarritur në shkretëtirë
  1. Bindja juaj se uji mund t’ju shpëtojë.

  2. Përpjekja juaj për të arritur tek uji dhe për ta pirë atë.

  3. Uji.

Ky skenar mund të na ndihmojë të kuptojmë mësimet e Palit te Romakëve 4–7, për sa i takon mënyrës se si lidhen besimi, veprat dhe hiri me doktrinën e shfajësimit.

Te Romakëve 1–3 ne mësuam se të shfajësohesh do të thotë të falesh nga ndëshkimi për mëkatin dhe të bëhesh i drejtë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih DeB 76:69).

Disa nga shenjtorët judenj në Romë theksuan së tepërmi rëndësinë e vetë përpjekjeve të tyre dhe të ligjit të Moisiut [lidhur me] të qenit i shfajësuar. Si mund të kenë njerëzit sot një keqkuptim të ngjashëm për shfajësimin?

Cili nga tre variantet në skenar mund të përfaqësojë idenë se ne mund të shpëtohemi me anë të veprave tona? ____

Pali u përpoq ta korrigjonte këtë keqkuptim duke u kujtuar judenjve patriarkun e lashtë, Abrahamin, të cilin shumë judenj e shihnin si të shfajësuar.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 4:2–5 qartëson arsyen përse Abrahami u shfajësua dhe u gjykua si i drejtë: “Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar me anë të ligjit të veprave, ai duhet të lëvdohet në veten e tij; por jo në Perëndinë. Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? ‘Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi’. Tani, atij që shfajësohet me anë të ligjit të veprave, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh. Por atij që nuk kërkon të shfajësohet me anë të ligjit të veprave, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi”.

Me anë të kujt nuk u shfajësua Abrahami?

Mbani mend se Pali dha mësim që “të gjithë mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Në fund të fundit edhe sikur ne t’u bindeshim urdhërimeve në mënyrë të përsosur, mëkatet dhe shkeljet tona të kaluara do të na shkualifikonin nga të qenit të shfajësuar me anë të ligjit të veprave. Me fjalë të tjera, shfajësimi me anë të ligjit të veprave do të kërkonte prej nesh që të mos mëkatonim kurrë, ose madje, edhe pa e ditur, të mos shkelnim asnjë nga ligjet e Perëndisë.

Te Romakëve 4:6–15 ne mësojmë se prejardhja dhe bindja ndaj ligjit të Moisiut nuk e kanë fuqinë të na pastrojnë nga mëkati.

Lexojeni Përkthimin prej Joseph Smith-it që gjendet te Romakëve 4:16 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta], duke kërkuar një shpjegim më të plotë të mënyrës se si shfajësohemi.

Një doktrinë që mund të mësojmë prej Romakëve 4:16, është që ne shfajësohemi me anë të besimit dhe veprave nëpërmjet hirit. (Ju mund të doni ta shkruani këtë doktrinë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Romakëve 4:16.)

Mbani mend se hiri i referohet bekimeve, mëshirës, ndihmës dhe forcës që është në dispozicion për ne, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Referojuni skenarit në fillim të mësimit. Cili nga tre variantet mund të përfaqësojë Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe hirin e Perëndisë? ____

Cili variant mund të përfaqësojë besimin tonë në Të? ____

Nëse ju do të ishit në atë situatë, a do të mund të shpëtoheshit me anë të bindjeve dhe përpjekjeve tuaja nëse nuk do të kishte ujë në majë të kodrës? Në ç’mënyrë është uji në këtë skenar si Shlyerja e Jezu Krishtit dhe hiri i Perëndisë?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shpëtimi nuk mund të blihet me monedhën e bindjes; ai blihet nëpërmjet gjakut të Birit të Perëndisë [shih Veprat e Apostujve 20:28]. …

Hiri është një dhuratë nga Perëndia dhe dëshira jonë për të qenë të bindur ndaj secilit prej urdhërimeve të Perëndisë është shtrirja e dorës sonë të vdekshme për ta marrë këtë dhuratë të shenjtë nga Ati ynë Qiellor” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 109–110).

Vini në dukje se ndërsa skenari mbi nevojën për ujë në shkretëtirë na ndihmon që të kuptojmë se si na mbështesin besimi, veprat dhe hiri që të shfajësohemi, ai nuk i ilustron të gjitha mënyrat se si ne mund ta marrim hirin e Shpëtimtarit. Jezu Krishti jo vetëm na siguron ujin jetëshpëtues që përfaqëson hirin e Perëndisë, i cili na shfajëson dhe na pastron nga mëkati; Ai gjithashtu na aftëson që të kemi besimin dhe forcën që na nevojiten për ta marrë ujin, ose për ta përdorur hirin e Perëndisë. Ne mund të bekohemi me anë të këtij hiri përpara, gjatë dhe pasi ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe kryejmë vepra të mira.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Fuqia e Shlyerjes e bën pendimin të mundur dhe e mposht [fashit] dëshpërimin e shkaktuar nga mëkati; ajo gjithashtu na forcon që të kuptojmë, të bëjmë dhe të bëhemi të mirë në mënyra që mund të mos i dallonim kurrë apo mund të mos i përmbushnim kurrë me aftësinë tonë të kufizuar njerëzore” (“Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 47).

Si mund të na ndihmojnë Shlyerja dhe hiri i Perëndisë për të ushtruar besim në Jezu Krishtin e për të bërë vepra të mira?

Disa vepra që ne duhet t’i bëjmë për të treguar besimin tonë në Krisht dhe për t’u shfajësuar nëpërmjet hirit të Perëndisë, përfshijnë pendimin për mëkatet tona, bindjen ndaj urdhërimeve dhe marrjen e ordinancave shpëtuese të ungjillit (shih Moroni 10:32–33).

  1. Përfytyroni sikur dy nga shokët tuaj po grinden rreth mënyrës se si mund të “shpëtohemi”. Një shok thotë se gjithçka që ne duhet të bëjmë për t’u shpëtuar është të shprehim bindjen tonë për Jezu Krishtin. Shoku tjetër ngul këmbë se ajo që na shpëton është bindja jonë ndaj urdhërimeve. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani mbi mënyrën se si do t’ia shpjegonit shokëve tuaj lidhjen midis besimit, veprave dhe hirit.

Siç shënohet te Romakëve 5, Pali dha mësim për paqen që u vjen atyre, të cilët kanë qasje te hiri i Perëndisë me anë të besimit në Jezu Krisht (shih vargjet 1–2). Ai shpjegoi më tej se hiri që është në dispozicion për ne për shkak të Shlyerjes së Krishtit, është më se i mjaftueshëm për t’i mposhtur efektet e Rënies.

Romakëve 6–7

Pali jep mësim rreth mënyrës se si të bëhemi të lirë prej mëkatit dhe të marrim jetë të përjetshme

Përfytyroni sikur shoku juaj po planifikon që përfundimisht të shërbejë në një mision, por aktualisht po bën zgjedhje që janë në kundërshtim me standardet e Zotit. Kur ju shprehni shqetësim rreth sjelljes së shokut tuaj, ai thotë: “Nuk është ndonjë problem i madh. Për shkak të Shlyerjes, unë mund të pendohem gjithmonë përpara se të shkoj në mision”.

Përsiatni mbi mënyrën se si do t’i përgjigjeshit shokut tuaj. Ndërsa studioni Romakëve 6, kërkoni arsyen përse qëndrimi i tij shpalos një keqkuptim të madh për doktrinën e hirit.

Lexojeni Romakëve 6:1–6, 11–12, duke kërkuar mënyrën se si mësimet e Palit mund ta korrigjojnë mënyrën e të menduarit të shokut tuaj.

Me vetë fjalët tuaja, shpjegoni se si mund ta ndihmojnë shokun tuaj mësimet e Palit në këto vargje:

Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh i “vdekur për mëkatin” (Romakëve 6:2) dhe të jesh i “varros[ur] me të me anë të pagëzimit në vdekje” (Romakëve 6:4)?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje, është se pagëzimi me anë të zhytjes mund të simbolizojë vdekjen tonë ndaj mëkatit dhe risinë e jetës shpirtërore.

Jeta e re shpirtërore që ne fillojmë kur pagëzohemi përfshin marrjen e heqjes së mëkateve tona dhe zotimin për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë. Ata që e shkelin besëlidhjen e tyre të pagëzimit duke mëkatuar qëllimisht me synimin që të pendohen më vonë, po tallen me Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe po e vënë veten në një rrezik shpirtëror.

Kush e paguan pagën e një punëtori? Përse një punëdhënës nuk paguan për pagën e punëtorit të dikujt tjetër?

Lexojeni Romakëve 6:13 dhe përcaktoni dy “punëdhënës” ose zotërinj, të cilëve dikush mund t’u jepet dhe shërbejë. Në këtë varg, fjala jepni do të thotë t’ia ofrosh ose t’ia japësh veten dikujt, dhe gjymtyrë i referohet pjesëve të trupit e mendjes.

Lexojeni Romakëve 6:14–23, duke kërkuar “paga[t]” (Romakëve 6:23), ose pasojat e mëkatit dhe dhuntinë e Perëndisë. Renditeni atë që gjeni në tabelën vijuese.

Pagat e mëkatit

Dhuntitë e Perëndisë

Vdekja si pagë e mëkatit i referohet “ndarje[s] nga Perëndia dhe ndikimi[t të] Tij” dhe do të thotë të “vdesësh për gjërat që çojnë drejt drejtësisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vdekje, Shpirtërore”, scriptures.lds.org).

Prej Romakëve 6:16 ne mësojmë se nëse i jepemi mëkatit, atëherë ne do të bëhemi shërbëtorë të mëkatit. Merreni parasysh ta shkruani këtë parim pranë Romakëve 6:16 në shkrimet tuaja të shenjta.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë dhënia ndaj një mëkati na bën shërbëtorë të atij mëkati?

Përsiatni mbi rastet kur dhënia e dikujt ndaj mëkatit çoi në humbjen e lirisë.

Referojuni listës që shkruat nën titullin “Dhuntitë e Perëndisë” në tabelën e mëparshme. Cilat janë përfitimet kur i shërbejmë drejtësisë më shumë sesa mëkatit?

  1. Shkruani parimin vijues në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nëse i jepemi Perëndisë, ne mund të bëhemi të lirë prej mëkatit dhe të marrim dhuratën e jetës së përjetshme. Pastaj përgjigjjuni pyetjeve të mëposhtme:

    1. Në ç’mënyra mund t’i jepemi Perëndisë?

    2. Në ç’mënyra e keni përjetuar lirinë prej mëkatit duke iu dhënë Perëndisë?

  2. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një synim lidhur me mënyrën se si do t’i jepeni më shumë Perëndisë, në mënyrë që të mund të merrni hirin e Tij në jetën tuaj.

Siç shënohet te Romakëve 7, Pali përdori metaforën e martesës për të dhënë mësim se anëtarët e Kishës ishin çliruar nga ligji i Moisiut dhe ishin bashkuar me Krishtin. Ai shkroi edhe për luftën midis “mishi[t]” (Romakëve 7:18), ose orekseve fizike, dhe “njeriut të brendshëm” (Romakëve 7:22), apo të qenit shpirtëror.

Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 7:24–25 jep një ide shtesë për dëshminë e fuqishme të Palit kur pohon se mishi mund të mposhtet:

“Dhe nëse nuk e nënshtroj mëkatin që është në mua, por me mishin i shërbej ligjit të mëkatit; Oh, ç’njeri fatkeq që jam! kush do të më çlirojë mua nga trupi i kësaj vdekjeje?

Unë falënderoj Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, pra, kështu që me mendjen unë vetë t’i shërbej ligjit të Perëndisë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Romakëve 7:26–27 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Romakëve 4–7 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër