Hyrje te 2 Thesalonikasve
Përse të Studiohet Ky Libër?
Në Letrën e tij të Dytë drejtuar Thesalonikasve, Pali shkroi fjalë këshilluese dhe sqaruese për anëtarët e Kishës, të cilët i keqkuptuan disa aspekte specifike të Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Studimi i mësimeve të tij mund t’ju ndihmojë ta kuptoni natyrën e braktisjes që ndodhi dhe mënyrën se si të përgatiteni siç duhet për kthimin e Zotit.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Apostulli Pal e shkroi 2 Thesalonikasve (shih 2 Thesalonikasve 1:1; shih edhe 2 Thesalonikasve 2:5; 3:17). Pjesa e fillimit të letrës përmban gjithashtu përshëndetjen nga Silvani dhe Timoteu (2 Thesalonikasve 1:1).
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
“Pali u shkroi letra thesalonikasve nga Korinti gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar”, rreth viteve 50–51 ps.K. (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100, scriptures.lds.org).
Për Kë u Shkrua Ai dhe Përse?
Pali ua shkroi 2 Thesalonikasve anëtarëve të Kishës në Thesaloniki. Temat te 1 Thesalonikasve dhe 2 Thesalonikasve janë të ngjashme, duke sugjeruar se ai e shkroi 2 Thesalonikasve për t’u sqaruar dhe thelluar në funksion të letrës së parë. Duket se thesalonikasit kishin marrë një letër dashakeqe se gjoja ishte nga Pali, e cila shkaktoi që disa të besonin se Ardhja e Dytë kishte ndodhur tashmë (shih 2 Thesalonikasve 2:2).
“Gjatë periudhës së shkurtër ndërmjet dy letrave, Kisha vuajti nga përndjekjet [shih 2 Thesalonikasve 1:4]; shpresa e një kthimi të menjëhershëm të Zotit shkaktoi ndjenja gëzimi të dëmshme [shih 2 Thesalonikasve 2:2]” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100). Pali e shkroi 2 Thesalonikasve me qëllim që ta forconte besimin e këtyre anëtarëve dhe t’i korrigjonte keqkuptimet doktrinore.
Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?
Letra e Dytë drejtuar Thesalonikasve jep hollësi të rëndësishme për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Disa shembuj përmbajnë idetë se Zoti do të kthehet me “zjarr flakërues” dhe se të ligjtë do të “ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit” (2 Thesalonikasve 1:8–9).
Në këtë letër, ne lexojmë se Pali profetizoi edhe për Braktisjen e Madhe, duke dhënë mësim se Kisha do t’i nënshtrohej një “rëni[e]” nga ungjilli përpara Ardhjes së Dytë të Zotit (shih 2 Thesalonikasve 2:2–12). Mësimet e Palit për Braktisjen u kujtojnë anëtarëve të sotëm të Kishës arsyen përse ishte e nevojshme Rivendosja e ungjillit në ditët e mëvonshme.
Përmbledhje
2 Thesalonikasve 1. Pali i përshëndet dhe i përgëzon shenjtorët në Thesaloniki. Ai jep mësim se të paperëndishmit do të provojnë hakmarrjen e Zotit në Ardhjen e Dytë.
2 Thesalonikasve 2. Pali e korrigjon idenë e gabuar se Ardhja e Dytë kishte ndodhur tashmë dhe profetizon se do të ndodhë një braktisje përpara kthimit të Zotit. Ai i nxit shenjtorët thesalonikas të qëndrojnë besnikë.
2 Thesalonikasve 3. Pali i këshillon anëtarët e Kishës të punojnë që të sigurojnë të ardhura për nevojat e tyre materiale dhe të mos lodhen së bëri mirë.