Biblioteka
Njësia 26, Dita 3: 2 Thesalonikasve


Njësia 26: Dita 3

2 Thesalonikasve

Hyrje

Fill pasi shkroi letrën e tij të parë drejtuar shenjtorëve thesalonikas, Apostulli Pal u shkroi atyre një letër të dytë, në të cilën ai shpjegoi më shumë të vërteta rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Ai u mësoi se Shpëtimtari nuk do të vinte sërish deri pasi të ndodhte një braktisje. Pali më pas predikoi kundër përtacisë dhe i këshilloi shenjtorët që të “mos … lodh[eshin] së bëri të mirën” (2 Thesalonikasve 3:13).

2 Thesalonikasve 1–2

Pali i nxit shenjtorët duke i profetizuar për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Me admirim dhe inkurajim për çdo njeri që do të duhet të mbetet i palëkundur në këto ditë të mëvonshme, unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj’” (“Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6).

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje kur ju e patë të nevojshme ta mbronit besimin tuaj ose të duronit kundërshtime për shkak të anëtarësisë suaj në Kishë. Përfshini mënyrën si reaguat në atë situatë. Nëse nuk ju është dashur ta mbronit besimin tuaj ose të përjetonit kundërshtime për shkak të anëtarësisë suaj në Kishë, shkruani rreth mënyrës se si mendoni se do të kishit reaguar nëse do të përballeshit me këtë lloj situate.

Apostulli Pal u shkroi një letër të dytë shenjtorëve thesalonikas dhe trajtoi disa tematika, përfshirë përndjekjet që po hasnin shenjtorët. Teksa studioni 2 Thesalonikasve 1, kërkoni një parim që mund t’ju ndihmojë t’i duroni kundërshtimet dhe vështirësitë që mund të hasni si një anëtar i Kishës.

Lexojeni 2 Thesalonikasve 1:3–5, duke kërkuar arsyen përse Pali i lavdëroi shenjtorët thesalonikas.

Merrni parasysh që ta shenjoni ose shënoni në vargun 5 shpërblimin që do të merrnin shenjtorët ngaqë i duruan përndjekjet dhe vështirësitë me “qëndresë … dhe besim” (2 Thesalonikasve 1:4).

Nga 2 Thesalonikasve 1:3–5 ne mësojmë se nëse i durojmë besnikërisht kundërshtimet dhe vështirësitë me qëndresë e besim, ne mund të konsiderohemi të denjë për mbretërinë e Perëndisë.

Mendoni për atë se ç’do të thotë t’i durosh sprovat me qëndresë. Përse na nevojitet besim për t’i duruar kundërshtimet ose vështirësitë me qëndresë?

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

Lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, duke shenjuar se ç’do të thotë t’i durosh sprovat me qëndresë: “Durimi nuk është dorëheqje pasive as nuk është të mos veprosh për shkak të druajtjeve tona. Durim do të thotë pritje dhe qëndrueshmëri aktive. Do të thotë këmbëngulje tek diçka dhe të bësh gjithçka që mundesh – duke punuar, shpresuar dhe ushtruar besim; duke duruar vështirësinë me guxim, edhe kur dëshirat e zemrës sonë vonohen. Durim nuk është thjesht të qëndrosh, ai është të qëndrosh mirë!” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 57).

  1. Mendoni për dikë që ju e njihni ose për të cilin keni lexuar në shkrimet e shenjta, që i ka duruar përndjekjet dhe vështirësitë me besnikëri dhe me qëndresë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth arsyes përse shembulli i këtij personi është kuptimplotë për ju.

Mendoni për kundërshtimet ose vështirësitë që mund të jeni duke i përjetuar aktualisht dhe vendosni se si mund t’i duroni këto sfida me qëndresë dhe besim. Merrni parasysh të luteni për ndihmë.

Pali profetizoi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Lexojeni 2 Thesalonikasve 1:6–10, duke kërkuar fjalët dhe frazat që përdori Pali për të përshkruar Ardhjen e Dytë. Teksa lexoni, vëreni se si përvoja e të drejtëve do të jetë e ndryshme nga përvoja e të ligjve kur të vijë Zoti.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është që në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, të drejtët do të prehen dhe të ligjtë do të shkatërrohen.

Nga se mendoni se do të prehen të drejtët?

Si mund t’i ngushëllojë kjo doktrinë ata që momentalisht janë duke duruar vështirësi për shkak të zotimit të tyre ndaj Jezu Krishtit?

A e keni pyetur ndonjëherë veten se kur do të jetë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit? 2 Thesalonikasve 2:2 sugjeron që shenjtorët në Thesaloniki mund të kishin menduar se Ardhja e Dytë e Zotit do të ndodhte ose kishte ndodhur tashmë. Pali ishte i shqetësuar se mos ata ishin drejtuar keq.

Lexojeni 2 Thesalonikasve 2:1–3, duke kërkuar atë që tha Pali se do të ndodhte përpara Ardhjes së Dytë. Te vargu 3 fraza “ajo ditë” i referohet Ardhjes së Dytë dhe fjala “rënia” do të thotë braktisje ose largim nga e vërteta. (Vini në dukje se 2 Thesalonikasve 2:1–3 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që t’ju ndihmojë ta gjeni në të ardhmen.)

Nga 2 Thesalonikasve 2:1–3, ne mësojmë se përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit, do të ndodhte një braktisje.

Në këto vargje Pali sugjeroi se anëtarët e Kishës të kohës së tij duhej të ishin më të shqetësuar për braktisjen që kishte nisur tashmë mes tyre sesa për kohën se kur do të ishte Ardhja e Dytë e Zotit. Shpjegimi vijues mund t’ju ndihmojë ta kuptoni Braktisjen e Madhe, e cila ndodhi fill pas vdekjes së Palit dhe Apostujve të tjerë. Pali e dinte se do të ndodhte kjo braktisje përpara Ardhjes së Dytë të Zotit.

“Pas vdekjes së Jezu Krishtit, njerëz dashakeqë përndoqën Apostujt dhe anëtarët e Kishës dhe vranë shumë prej tyre. Me vdekjen e apostujve, çelësat e priftërisë dhe autoriteti kryesues i priftërisë u morën nga toka. Apostujt i kishin mbajtur doktrinat e ungjillit të pastra dhe kishin ruajtur kërkesat dhe standardin e denjësisë për anëtarët e Kishës. Pa Apostujt, me kalimin e kohës doktrinat u korruptuan dhe u bënë ndryshime të paautorizuara në organizimin e Kishës dhe të ordinancave të priftërisë, të tilla si pagëzimi dhe dhënia e dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Pa zbulesën dhe autoritetin e priftërisë, njerëzit u mbështetën tek urtësia njerëzore për të interpretuar shkrimet e shenjta dhe parimet e ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit. Ide të rreme u mësuan si të vërteta. Shumë nga njohuria e karakterit dhe natyrës së vërtetë të Perëndisë Atit, Birit të Tij Jezu Krisht dhe Frymës së Shenjtë humbi. Doktrinat e besimit në Jezu Krisht, pendimit, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë, u shtrembëruan ose u harruan. Autoriteti i priftërisë dhënë Apostujve të Krishtit nuk gjendej më në tokë. Përfundimisht kjo braktisje çoi në shfaqjen e shumë kishave” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 35).

Duke marrë parasysh atë që keni mësuar për Braktisjen, përsiatni arsyen përse ishte e nevojshme për ungjillin e Jezu Krishtit dhe Kishën e Tij që të rivendosej përpara ardhjes së Zotit.

“Njeriu i mëkatit” që përmendet te 2 Thesalonikasve 2:3 i referohet Satanit. Rivendosja e ungjillit, përfshirë nxjerrjen në dritë të Librit të Mormonit, shfaqi mashtrimet e Satanit dhe të ndjekësve të tij.

Ne lexojmë te 2 Thesalonikasve 2:4–17 që Pali profetizoi se Zoti do ta lejonte Satanin t’i mashtronte banorët e tokës deri në kohën e Ardhjes së Dytë (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, 2 Thesalonikasve 2:7–9, [te shtojca e kombinimit tresh]). Pali i nxiti shenjtorët të “qëndroni[n]” për të vërtetat që u ishin mësuar (2 Thesalonikasve 2:15).

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Thesalonikasve 2:1–3

  1. Duke përdorur mjetet ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta (të tilla si poshtëshënimet ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, Topical Guide [Udhëzuesin Tematik]), gjeni një shkrim tjetër të shenjtë që na mëson për Braktisjen. Ju mund të doni ta shkruani ose shënoni këtë referencë në shkrimet tuaja të shenjta pranë 2 Thesalonikasve 2:1–3. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si do t’i përdornit këto vargje për t’ia shpjeguar doktrinat bazë të Braktisjes dhe të Rivendosjes dikujt që nuk është anëtar i Kishës.

2 Thesalonikasve 3

Pali i paralajmëron ata që nuk e ndjekin këshillën e Zotit dhe ai predikon rreth mbështetjes te vetja

Në kohën kur Pali shkroi letrën e tij të dytë drejtuar thesalonikasve, disa nga anëtarët e Kishës ishin përtacë, ose dembelë, dhe nuk po punonin që të bëheshin të mbështetur te vetja. Ata prisnin që të mbaheshin nga puna e të tjerëve.

Çfarë problemesh mund të kenë ardhur si rrjedhojë e kësaj situate?

Sipas 2 Thesalonikasve 3:1–9, Pali i përgëzoi shenjtorët thesalonikas, të cilët ishin besnikë dhe i paralajmëroi për shoqërimin me ata që ishin të “çrregullt” (vargu 6). Një kuptim i fjalës i çrregullt është i padisiplinuar, dhe në kontekstin e 2 Thesalonikasve 3 ajo nënkupton të qenët dembel ose përtac. Anëtarët e Kishës që ishin të çrregullt, qenë ata që ishin të aftë të punonin për të mbështetur veten por që refuzonin ta bënin këtë. Pali vuri në pah se ai dhe shokët e tij [të misionit] kishin vendosur një shembull të mbështetjes te vetja duke punuar që ta mbanin veten e tyre.

Lexojeni 2 Thesalonikasve 3:10–13, duke kërkuar atë se çfarë i udhëzoi Pali shenjtorët të bënin lidhur me ata që refuzonin të punonin.

Pali gjithashtu i këshilloi shenjtorët që të “mos … lodh[eshin] së bëri të mirën” (2 Thesalonikasve 3:13). Ai po i udhëzonte ata ta përmirësonin veten e tyre në të gjitha fushat dhe t’i ndihmonin të tjerët (shih edhe DeB 64:33).

Nga udhëzimet e Palit ne mësojmë se ne jemi urdhëruar që të përpiqemi të jemi të mbështetur te vetja dhe t’i ndihmojmë të tjerët.

Lexojeni thënien vijuese, duke kërkuar domethënien e të qenit i mbështetur te vetja:

“Një nga bekimet e punës është zhvillimi i mbështetjes te vetja. Kur ju mbështeteni te vetja, ju i përdorni bekimet dhe aftësitë që Perëndia ju ka dhënë, për t’u kujdesur për veten e për familjen tuaj dhe për të gjetur zgjidhje për problemet tuaja. Mbështetja te vetja nuk do të thotë se ju duhet të jeni të aftë t’i bëni të gjitha gjërat vetë. Për të qenë me të vërtetë të mbështetur te vetja, ju duhet të mësoni se si të punoni me të tjerët dhe të drejtoheni te Zoti për ndihmën e forcën e Tij.

Mbani mend se Perëndia ka një punë të mrekullueshme për t’u bërë nga ju. Ai do t’ju bekojë në çdo përpjekje tuajën për ta përmbushur atë punë” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 41).

Mendoni për një gjë që mund të bëni për t’u bërë më të mbështetur te vetja tani dhe në të ardhmen. Vendosni një synim dhe kërkoni ndihmën e Zotit në arritjen e këtij synimi.

Siç shënohet te 2 Thesalonikasve 3:14–18, Pali e mbylli letrën e tij duke i nxitur shenjtorët që t’i ndihmonin ata që ishin përtacë të bëheshin më të mbështetur te vetja duke “mos u shoqër[uar] me” ta, ose duke u larguar prej tyre (vargu 14). Sidoqoftë, ai i nxiti shenjtorët që të mos i trajtonin përtacët si armiq por si vëllezër dhe motra në ungjill.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 2 Thesalonikasve dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër