Biblioteka
Njësia 24, Dita 2: 2 Korintasve 10–13


Njësia 24: Dita 2

2 Korintasve 10–13

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim rreth luftës shpirtërore ku janë përfshirë fëmijët e Perëndisë. Ai e mbrojti veten e tij ndaj atyre që e kundërshtonin atë. Ai rrëfeu mënyrën se si u rrëmbye në të tretin qiell, dhe përshkroi mënyrën se si dobësitë e tij dolën që ishin një bekim për të. Përpara se ta përfundonte letrën e tij, Pali i këshilloi shenjtorët në Korint që ta analizonin veten e tyre dhe ta provonin besnikërinë e tyre.

2 Korintasve 10–11

Pali shkruan rreth luftës shpirtërore, mashtrimeve të Satanit dhe vetë mundimeve të tij

LUFTË

Çfarë mendimesh ju vijnë në mendje kur shihni fjalën luftë?

Mendoni për mënyrat se si jemi të përfshirë në luftë kundër Satanit. Cilat janë disa nga betejat më të vështira me të cilat përballemi në këtë luftë shpirtërore?

Lexojeni 2 Korintasve 10:3–6, duke kërkuar atë që Apostulli Pal dha mësim se ne duhet të bëjmë për të qenë të suksesshëm në këtë luftë kundër Satanit.

Udhëzimi për t’ia “nënshtr[uar] çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5) do të thotë t’i kontrollojmë mendimet tona, duke përfshirë shmangien e mendimeve të papërshtatshme, dhe të përqendrohemi tek gjërat e mira e lartësuese. Një e vërtetë që mund të mësojmë nga vargu 5 është që kur ne i kontrollojmë mendimet tona për t’iu bindur Jezu Krishtit, ne do të jemi më të suksesshëm në luftën kundër Satanit.

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa nga gjërat që mund të bëjmë për të na ndihmuar të kontrollojmë mendimet tona? (Shih Alma 37:36; DeB 121:45; dhe Hyrja nga Presidenca e Parë, te Himnet [faqja ix], për ide të dobishme.)

    2. Çfarë bekimesh keni përjetuar kur i keni kontrolluar mendimet tuaja në bindje ndaj Shpëtimtarit?

Merreni në shqyrtim atë që do të bëni për t’i kontrolluar mendimet tuaja në bindje ndaj Shpëtimtarit. Disa njerëzve iu duken të dobishme lutja, leximi ose mësimi përmendsh i shkrimeve të shenjta, dhe këndimi i himneve.

Te 2 Korintasve 10:7–18, ne mësojmë se Pali u lëvdua në Zotin dhe dha mësim se vetë dobësitë e tij nuk duhej të përdoreshin si një shfajësim që ata të mos ia vinin veshin atij.

Te 2 Korintasve 11, ne lexojmë që Pali përmendi mënyra të tjera se si Satani kërkon t’i prishë mendimet tona dhe të na largojë nga Jezu Krishti, duke përfshirë përdorimin e Krishtërve të rremë dhe të Apostujve të rremë. Pali tregoi për vuajtjet që ai kishte kaluar si një Apostull i vërtetë i Shpëtimtarit.

2 Korintasve 12

Pali rrëfen se si u rrëmbye në qiell dhe jep mësim se si pranimi i dobësive tona mund të jetë i dobishëm për ne

degë me gjemba

Mendoni për një rast kur ju jeni shpuar nga gjemba. Në ç’mënyra mund ta bëjnë gjembat jetën të vështirë?

Apostulli Pal përdori konceptin e një gjembi për të simbolizuar një sprovë apo dobësi që ai kishte përjetuar.

Plaku Dallin H. Ouks

Ndërkohë që lexoni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, merrni parasysh llojet e sprovave dhe të dobësive që keni përjetuar: “Disa kanë humbur një njeri të dashur prej vdekjes, ose kujdesen për dikë që është i paaftë. Disa janë lënduar nga divorci. Të tjerë presin me padurim një martesë të përjetshme. Disa ndodhen nën skllavërinë e substancave apo praktikave që krijojnë varësi, si alkooli, duhani, drogat ose pornografia. Të tjerë kanë gjymtime fizike apo çrregullime mendore. Disa sfidohen prej tërheqjes nga e njëjta gjini. Disa kanë ndjenja të tmerrshme depresioni ose pamjaftueshmërie. Në një mënyrë ose tjetër, shumë njerëz janë të rënduar” (“Ai e Shëron të Rënduarin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 6, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 6).

Ndërsa studioni 2 Korintasve 12, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë kur përjetoni sprova dhe dobësi.

Lexojeni 2 Korintasve 12:1–4, duke kërkuar vegimin që mori Pali. (Në këto vargje Pali po i referohej vetes së tij në vetën e tretë kur ai tha “një njeri”. Në vargun 2, thënia “a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di” ilustron se Pali po shikonte një vegim.)

Lexojeni 2 Korintasve 12:5–6, duke kërkuar mënyrën se si reagoi Pali ndaj këtij vegimi të mbretërisë çelestiale.

Vini re që edhe pse Pali e pati këtë vegim, ai nuk “krenohe[j]” (ose mburrej) për të. Ndoshta ai shqetësohej se të tjerët mund të kishin një mendim shumë të mirë për të, kur ai ende kishte vështirësi tokësore për të mposhtur.

Lexojeni 2 Korintasve 12:7–9, duke kërkuar mënyrën se si e ndihmoi Zoti Palin që të qëndronte i përulur. (Të “[t]ë rritet mendja” [vargu 7] do të thotë të bëhesh krenar.)

Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi se “gjëmb[i] në mish” i Palit ishte “ndonjë sëmundje fizike e papërmendur, me sa duket një sëmundje e rëndë nga e cila Apostulli Pal vuante vazhdimisht ose sistematikisht” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:448).

Vini re se sa shumë herë u lut Pali që ky gjemb në mish t’i hiqej. (Fjalët tri herë [vargu 8] nënkuptojnë tri herë.)

Merreni parasysh që te 2 Korintasve 12:9 të shenjoni frazën që shpjegon se Zoti zgjodhi të mos e hiqte gjembin në mish të Palit.

Nga këto vargje ne mësojmë se Zoti mund të na lejojë që të përjetojmë dobësi dhe sprova, që ne të mund të mësojmë të jemi të përulur. Ju mund të doni ta shkruani ose shënoni këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë 2 Korintasve 12:7–9.

Lexojeni 2 Korintasve 12:9–10, duke kërkuar të vërtetat që mësoi Pali të cilat e ndihmuan t’i duronte dobësitë e tij. Ndërkohë që lexoni, mbani në mendje se hir është “një ndihmë ose forcë … hyjnore [që] jepet nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, scriptures.lds.org).

Ju mund të doni t’i shenjoni fjalët ose frazat te 2 Korintasve 12:9–10 që na mësojnë të vërtetën vijuese: Hiri i Jezu Krishtit është i mjaftueshëm për të na forcuar në dobësitë tona. Zoti nuk i largon gjithmonë sfidat tona, por Ai do të na forcojë teksa i durojmë ato plot besim.

Plaku Dallin H. Ouks

Plaku Dallin H. Ouks dëshmoi: “Fuqia shëruese e Zotit Jezu Krisht – qoftë kur i largon barrat tona, ose kur na forcon për t’i duruar ato dhe për të jetuar me to ashtu si Apostulli Pal – është në dispozicion për çdo mundim në vdekshmëri” (“Ai Shëron të Lënduarin”, f. 8; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 8).

  1. ikona e ditaritPërgjigjjuni dy ose më shumë pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë do të thotë për ju që hiri i Shpëtimtarit “mjafton” (2 Korintasve 12:9) për t’ju forcuar në dobësitë tuaja?

    2. Si mund t’ju ndihmojnë të vërtetat e dhëna mësim te 2 Korintasve 12:9–10 kur përjetoni dobësi dhe sprova?

    3. Në ç’rast ju apo dikush që ju njihni jeni forcuar nga Shpëtimtari për t’ju ndihmuar për një dobësi apo gjatë një sprove?

2 Korintasve 13

Pali i nxit shenjtorët që ta analizojnë veten e tyre dhe ta provojnë besnikërinë e tyre

Disa njerëz sot e sfidojnë mësimdhënien dhe autoritetin e atyre që janë thirrur të shërbejnë në pozicione udhëheqëse në Kishë. Në mënyrë të ngjashme, midis shenjtorëve korintas kishte mësues të rremë që e sfiduan Palin dhe autoritetin e tij si një Apostull.

Lexojeni 2 Korintasve 13:3, duke kërkuar se çfarë prove po kërkonin disa anëtarë të Kishës në Korint.

Lexojeni 2 Korintasve 13:5–6, duke kërkuar atë që Apostulli Pal i nxiti shenjtorët korintas të bënin në vend që të vinin në pikëpyetje nëse Zoti fliste nëpërmjet tij si një Apostull. (Një i përjashtuar është një person i degjeneruar ose i pamoralshëm.) Merreni parasysh që t’i shenjoni fjalët vepruese në vargun 5, të cilat tregojnë atë që duhet të bëjnë shenjtorët korintas.

Kur Pali u kërkoi shenjtorëve korintas që të analizonin nëse ata ishin “në besim” [vargu 5], ai po u kërkonte atyre që të merrnin në shqyrtim nëse ata ishin besnikë ndaj Zotit dhe Kishës së Tij. Prej 2 Korintasve 13:5–6 ne mësojmë se në vend që t’i kritikojnë udhëheqësit e Kishës, anëtarët e Kishës duhet të analizojnë vetë besnikërinë e tyre.

Profeti Jozef Smith

Lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith, duke kërkuar atë që ai dha mësim se do të ndodhë nëse ne zgjedhim t’i kritikojmë udhëheqësit tanë në vend që të analizojmë vetë besnikërinë tonë: “[Nëse një] njeri … ngrihet për të dënuar të tjerët, … gjen të meta tek Kisha, duke thënë se ata po ndjekin rrugë të gabuar, ndërsa ai vetë është i drejtë, atëherë ta dini me siguri, që ai njeri po ecën me shpejtësi në rrugën drejt braktisjes; dhe nëse nuk pendohet, do të bjerë në braktisje, ashtu si Perëndia jeton” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 339).

  1. ikona e ditaritKaloni disa çaste duke përsiatur pyetjet vijuese. Më pas nënshkruani emrin tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për të treguar se ju e keni përfunduar këtë detyrë.

    1. Në një shkallë nga 1 deri në 10 (ku 10-ta është shkëlqyeshëm), sa shumë e ndiqni këshillën e udhëheqësve të Kishës?

    2. Cili është një standard që është dhënë mësim nga profetët dhe apostujt, që ju mund ta ndiqni më besnikërisht?

    3. Në një shkallë nga 1 deri në 10 (ku 10-ta është çdo mundësi që keni) sa shpesh shprehni mirënjohje për udhëheqësit tuaj të Kishës, ose personalisht ose në lutje?

    4. Çfarë mund të bëni për të treguar më shumë vlerësim për sakrificën dhe përpjekjet që udhëheqësit tuaj bëjnë në emrin tuaj?

  2. ikona e ditaritPërgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë bekimesh mund të vijnë nga të bërit rregullisht një vetëanalizë shpirtërore të tillë si kjo?

Te 2 Korintasve 13:7–14, ne mësojmë se Pali i nxiti shenjtorët që ta shmangnin të keqen dhe të synonin drejt përsosjes.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 2 Korintasve 10–13 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: