Biblioteka
Hyrje te Kolosianëve


Hyrje te Kolosianëve

Përse të Studiohet Ky Libër?

Apostulli Pal e shkroi Letrën e tij drejtuar Kolosianëve si rezultat i një njoftimi se ata po binin në gabim serioz (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100). Mësimet dhe praktikat e rreme në Kolos po ndikonin te shenjtorët atje dhe po e kërcënonin besimin e tyre. Trysni të ngjashme kulturore paraqesin sfida për anëtarët e Kishës sot. Një pjesë e vlerës së kësaj letre qëndron në mënyrën se si ajo i përcakton dhe i vë në dukje idetë e gabuara, ndërkohë që thekson hyjninë dhe punën shpëtuese të Jezu Krishtit. Nëpërmjet studimit të librit të Kolosianëve, ju mund ta thelloni kthimin tuaj në besim ndaj Shpëtimtarit dhe të merrni mbrojtje nga mashtrimi dhe mëkati.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Letra drejtuar Kolosianëve u dërgua nga Pali dhe Timoteu (shih Kolosianëve 1:1, 23; 4:18). Ka të ngjarë që Pali ta ketë shkruar me dorën e vet përshëndetjen në mbyllje të letrës (shih Kolosianëve 4:18), gjë që tregon se një shkrues, ndoshta Timoteu, e kishte ndihmuar atë për të shkruar pjesën hyrëse të letrës.

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Pali e shkroi Letrën drejtuar Kolosianëve gjatë burgimit të tij të parë në Romë, rreth viteve 60–62 ps.K. (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, f. 100, scriptures.lds.org). Me gjasë ai e shkroi letrën gjatë së njëjtës kohë që shkroi Filipianëve, Efesianëve dhe Filemonit.

Për Kë u Shkrua Ai dhe Përse?

Kjo letër u shkrua për shenjtorët besnikë në Kolos, një vend në Turqinë e kohëve moderne. Pali i udhëzoi shenjtorët kolosianë që t’ua tregonin letrën anëtarëve të Kishës aty pranë Laodikës (shih Kolosianëve 4:16).

Pali e shkroi këtë letër “pasi u vizitua nga Epafrai, ungjilltari i Kishës në [Kolos] [shih Kolosianëve 1:7–8]. Epafrai i tha Palit se kolosianët po binin në një gabim serioz – ata mendonin se ishin më të mirë se popujt e tjerë, ngaqë i kishin zbatuar me kujdes disa ordinanca të jashtme [shih Kolosianëve 2:16], i mohonin vetvetes disa dëshira fizike dhe adhuronin engjëjt [shih Kolosianëve 2:18]. Këto praktika bënin që kolosianët të ndienin se po shenjtëroheshin. Ata gjithashtu mendonin se i kuptonin misteret e gjithësisë më mirë se anëtarët e tjerë të Kishës. Në letrën e tij, Pali i korrigjoi ata duke u mësuar se shëlbimi vjen vetëm nëpërmjet Krishtit dhe se ne duhet të bëhemi të urtë e t’i shërbejmë atij” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kolosianë(ve), Letër drejtuar”, f. 87, scriptures.lds.org).

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

Te Letra drejtuar Kolosianëve, Pali i kundërshtoi mësimet e rreme në Kolos duke theksuar hyjninë, misionin shpëtues dhe parësinë e Jezu Krishtit (shih Kolosianëve 1:15–23). Ai dha mësim se Krishti është vetë shëmbëllesa e Perëndisë Atit, Krijuesi, Kreu i Kishës, i pari që do të ringjallej dhe Shëlbuesi. Ai është “kr[eu i] çdo principate e pushteti” (Kolosianëve 2:10), dhe Ai e përmbush misionin e Tij hyjnor nën drejtimin e Atit (shih Kolosianëve 1:19; 3:1).

Pali paralajmëroi për ata që dhanë mësim se shpirtshmëria e vërtetë fitohej nëpërmjet riteve të veçanta, festave dhe dietave (shih Kolosianëve 2:16–18, 20, 23). Përkundrazi, ai dha mësim se pjekuria shpirtërore dhe njohuria për Perëndinë tregohet kur “k[emi] në mend gjërat që janë atje lart” (Kolosianëve 3:2), duke i zhdukur veprat e gabuara (shih Kolosianëve 3:5–9) dhe duke zhvilluar cilësi si të Krishtit (shih Kolosianëve 3:12–17). Pali i këshilloi lexuesit e tij që të bëheshin “me themel dhe të patundur” në ungjill (Kolosianëve 1:23), si edhe me “rrënjë dhe duke u ndërtuar në [Jezu Krisht], dhe duke u forcuar në besim” (Kolosianëve 2:7).

Përmbledhje

Kolosianëve 1:1–23. Pali i përshëndet shenjtorët në Kolos dhe shpall se Jezu Krishti është Shëlbuesi, i Parëlinduri mes gjithë krijesave, Krijuesi dhe Zoti i gjithë përsosurisë hyjnore, nëpërmjet të Cilit bashkërendohet gjithësia. Pali i porosit shenjtorët që ta themelojnë besimin e tyre në Jezu Krisht.

Kolosianëve 1:24–2:23. Pali paralajmëron kundër besimit të çdo filozofie të rreme apo tradite të njerëzve, përfshirë adhurimin e engjëjve dhe shkuarjes në ekstreme duke i mohuar vetes nevojat fizike bazë si një formë disipline shpirtërore.

Kolosianëve 3:1–4:18. Pali i porosit shenjtorët që ta vendosin zemrën e tyre te gjërat që janë atje lart, t’i braktisin mëkatet e jetës së tyre të mëparshme dhe të jenë të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Ai jep udhëzime për mënyrën se si shenjtorët duhet të adhurojnë dhe më pas ai u jep këshillë bashkëshorteve, bashkëshortëve, fëmijëve, prindërve, shërbëtorëve dhe zotërinjve. Ai e mbyll Letrën drejtuar Kolosianëve me përgëzime, përshëndetje dhe udhëzime të fundit e bekime.

Shtyp në Letër