Biblioteka
Njësia 26, Dita 1: Kolosianëve


Njësia 26: Dita 1

Kolosianëve

Hyrje

Apostulli Pal dha mësim për parësinë e Jezu Krishtit (superioritetin, madhështinë ose lavdinë) dhe paralajmëroi për doktrinën e rreme. Ai i nxiti shenjtorët kolosianë të kishin në mendje gjërat qiellore dhe të zhvillonin karakteristikat e Krishtit. Pali i udhëzoi ata gjithashtu që të ishin mirëdashës dhe të urtë në ndërveprimet e tyre me të tjerët.

Kolosianëve 1–2

Pali jep mësim për parësinë e Jezu Krishtit dhe paralajmëron për doktrinën e rreme

Pamja
vizatim, pemë dhe rrënjë

Përfytyroni dy pemë me madhësi të njëjta – një me rrënjë të cekëta dhe një me rrënjë të thella. Nëse do të vinte një tufan, cila nga ato pemë do të kishte më shumë gjasa të rrëzohej? Përse?

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar llojin e vorbullave të erërave nga të cilat duhet të ruhemi: “Më shqetësuese se tërmetet dhe luftërat e profetizuara [të ditëve të fundit], janë vorbullat e erërave shpirtërore, të cilat mund t’ua shkulin nga rrënjët themelet tuaja shpirtërore dhe mund ta vendosin shpirtin tuaj në vende që asnjëherë nuk i përfytyruat të mundura, nganjëherë duke mos e vënë re fare se jeni lëvizur” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 18).

Cilët janë disa shembuj të vorbullave të erërave shpirtërore që mund të na çrrënjosin ose të na largojnë nga besimi ynë në Jezu Krisht?

Përse mund të jenë më shqetësuese sesa sfidat fizike këto vorbulla të erërave shpirtërore, të tilla si tërmetet ose luftërat?

Përsiatni një çast se çfarë vorbullash të erërave shpirtërore mund t’ju prekin.

Apostulli Pal i shkroi një letër anëtarëve të Kishës në Kolos pasi kishte mësuar rreth ndikimeve dhe mësimeve të rreme atje, që kërcënonin t’i çrrënjosnin ata nga besimi i tyre në Jezu Krisht. Teksa e studioni Kolosianëve, kërkoni mënyrën se si Pali u përpoq ta forconte besimin e anëtarëve të Kishës në Krisht dhe për bekimet [që vijnë] kur kemi besim të rrënjosur thellë në Krisht.

Kolosi është një vend në Turqinë e kohëve moderne. Shikoni te Hartat e Biblës, nr. 13, “Udhëtimet Misionare të Apostullit Pal”, [te shtojca e kombinimit tresh] dhe gjejeni vendndodhjen e qytetit Laodika në hartë. Kolosi ishte përafërsisht 17.7 kilometra në juglindje të Laodikës.

Siç shënohet te Kolosianëve 1:1–11, Pali i përshëndeti shenjtorët në Kolos dhe i përgëzoi për besnikërinë e tyre. Ai shpjegoi se ungjilli jep fryte, ose bekime, në jetën e atyre që e pranojnë dhe e jetojnë atë. Pali më pas u mësoi shenjtorëve për Jezu Krishtin.

Lexojeni Kolosianëve 1:12–19, duke kërkuar të vërtetat që Pali dha mësim për Jezu Krishtin. Ju mund të doni ta shenjoni ose shënoni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta. Fraza “na çoi” në vargun 13 do të thotë “na ndryshoi”; fjala i padukshëm,vargun 15 do të thotë “i padallueshëm”.

Kolosianëve 1:12–19 na mëson të vërtetën vijuese rreth Jezu Krishtit: Jezu Krishti është Shëlbuesi, i parëlinduri nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor, Krijuesi i të gjitha gjërave, kreu i Kishës dhe i pari që do të ringjallej.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për ne që t’i njohim dhe besojmë këto të vërteta rreth Jezu Krishtit?

    2. Në ç’mënyrë njohja dhe të besuarit e këtyre të vërtetave e forcojnë besimin tonë në Të?

Pali dha mësim se Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë (shih Kolosianëve 1:14). Lexojeni Kolosianëve 1:20–22, duke kërkuar atë që Pali u mësoi shenjtorëve kolosianë rreth nevojës së tyre për një Shëlbues.

Sipas vargut 21, si mundet dikush të jetë i huaj për Perëndinë, ose i veçuar prej Tij?

Fjala paqe (shih Kolosianëve 1:20–21) do të thotë të biesh në ujdi ose në pajtim. Sipas Kolosianëve 1:20–22, si na pajton Jezu Krishti ne me Perëndinë? (Fraza “duke bërë paqen me anë të gjakut të kryqit të tij” [vargu 20], i referohet Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

Bekimi i të qenët i pajtuar me Perëndinë është i kushtëzuar. Lexojeni Kolosianëve 1:23, duke vërejtur atë që kërkohet për t’u pajtuar me Perëndinë.

Të “qëndro[jmë] në besim me themel dhe të patundur” (Kolosianëve 1:23) do të thotë të qëndrojmë të palëkundur në besimin tonë në Jezu Krisht duke i zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke u penduar për mëkatet tona. Nga Kolosianëve 1:20–23 ne mësojmë të vërtetën vijuese: Ne mund të pajtohemi me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit nëse qëndrojmë me themel dhe të patundur në besimin tonë.

  1. Sillni ndërmend gjendjen e dy pemëve në fillim të këtij mësimi. Më pas, përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilin njihni që është si pema me rrënjë të thella – me themel dhe i/e patundur në besimin e tij apo të saj në Krisht?

    2. Si është shembulli i tij ose i saj një bekim për ju?

Sillni ndërmend vorbullat e erërave që po goditnin ato dy pemë. Lexojeni Kolosianëve 2:4, 8, duke kërkuar vorbullat e erërave shpirtërore që po kërcënonin t’i çrrënjosnin shenjtorët kolosianë.

Në atë kohë, kishte disa filozofi dhe tradita që po jepeshin mësim nga disa njerëz, të cilët po përpiqeshin ta zbehnin rëndësinë e Jezu Krishtit. Filozofi të tjera fetare të rreme që po fitonin popullaritet, ishin se engjëjt qenë ndërmjetës me Perëndinë, se duhej të adhuroheshin dhe ideja se trupi është ligësi (shih Kolosianëve 2:16–23).

Përse të besuarit e mësimeve të rreme, përfshirë mësimet që e zbehin rëndësinë e Jezu Krishtit, e bën më të lehtë për dikë që të çrrënjoset shpirtërisht?

Lexojeni Kolosianëve 2:6–7, duke kërkuar këshillën që dha Pali për t’i ndihmuar shenjtorët të shmangnin shkuarjen në udhë të gabuar prej filozofive dhe traditave të botës.

Nga këto vargje ne mësojmë të vërtetën vijuese: Duke pasur rrënjë në Jezu Krisht dhe duke u ndërtuar në Të, ne mund ta shmangim shkuarjen në udhë të gabuar prej filozofive dhe traditave të botës.

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cila besoni se është një nga gjërat më të rëndësishme që ne mund të bëjmë për të pasur rrënjë në Jezu Krisht dhe për t’u ndërtuar në Të?

    2. Përse besoni se pikërisht ajo gjë, është kaq e rëndësishme?

Merrni parasysh thënien vijuese nga Plaku Andersen teksa e vazhdoi bisedën e tij mbi vorbullat e erërave shpirtërore:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Vorbullat më të këqija janë tundimet e kundërshtarit. Mëkati gjithmonë ka qenë pjesë e botës, por kurrë nuk ka qenë kaq i arritshëm, i pangopshëm dhe i pranueshëm. Gjendet, sigurisht, një forcë e fuqishme që do t’i mposhtë vorbullat e mëkatit. Ajo quhet pendim.

Jo të gjitha vorbullat në jetë shkaktohen nga veprimet tuaja. Disa vijnë për shkak të zgjedhjeve të gabuara të të tjerëve dhe disa vijnë thjesht ngaqë jetojmë në vdekshmëri. …

Si do të përgatiteni për vorbullat tuaja të erës? ‘Mbani mend … është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, … shigjetat e tij në shtjellë të erës, … kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi … t’ju tërheqë … për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar’ [Helamani 5:12]. Kjo është siguria juaj në vorbullën e erës” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, f. 18–19).

  1. Sillini ndërmend ato vorbulla vetjake të erërave shpirtërore për të cilat menduat në fillim të këtij mësimi. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që do të bëni për të qëndruar të rrënjosur në Jezu Krisht dhe të ndërtuar në Të dhe për të shmangur çrrënjosjen nga vorbullat e erërave shpirtërore.

Kolosianëve 3–4

Pali i nxit kolosianët për t’i vendosur dëshirat e tyre në gjërat qiellore dhe të jenë të urtë

Siç shënohet te Kolosianëve 3–4, Apostulli Pal i shtyu shenjtorët kolosianë ta ndalnin paudhësinë dhe të zhvillonin karakteristikat e Jezu Krishtit. Ai i nxiti ata gjithashtu që të ishin plot lutje dhe të urtë, veçanërisht në ndërveprimet e tyre me ata që nuk ishin të krishterë. Më pas, ai ia kaloi përshëndetjet disa prej bashkëshërbestarëve të tij, përfshirë Llukën.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Kolosianëve dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër