Njësia 7: Dita 4
Marku 2–3
Hyrje
Jezusi fali dhe shëroi një burrë të paralizuar dhe pastaj i bëri thirrje Mateut që ta ndiqte Atë. Ai u dha mësim skribëve dhe farisenjve rreth ditës së Shabatit. Shpëtimtari vazhdoi të shëronte shumë njerëz, i dërgoi Apostujt e Tij për të predikuar dhe paralajmëroi kundër të thënit blasfemi ndaj Frymës së Shenjtë.
Marku 2:1–12
Jezusi fal dhe shëron një burrë të paralizuar
Përfytyroni sikur dikush që ju e doni po vuan nga një sfidë fizike kërcënuese për jetën që kërkon një trajtim të specializuar. Kë do të kërkonit për ta ndihmuar njeriun tuaj të dashur? Përse? Çfarë do të ishit i gatshëm të bënit nëse do të kishte vetëm një doktor që mund të ndihmonte, por do të ishte e vështirë të caktoje një takim me këtë doktor?
Siç shënohet te Marku 2:1–4, në fshatin e Kapernaumit, në Galile, ishte një burrë i “paralizuar” (Marku 2:3), që do të thotë se ai nuk mund të ecte. Katër burra të tjerë e mbartën atë për në shtëpinë ku ishte Jezusi, por shtëpia ishte e mbushur me kaq shumë njerëz sa nuk mund të hynin në të. Të katër burrat hoqën pjesë të çatisë së shtëpisë dhe e ulën të paralizuarin në praninë e Shpëtimtarit.
Lexoni Markun 2:5, për të parë atë që Jezusi i tha të paralizuarit.
Lexoni Markun 2:6–12, për të parë atë që ndodhi më pas.
Vini re se “disa skribë” (Marku 2:6) ishin dyshues në aftësinë e Shpëtimtarit për t’i falur mëkatet. Merrni parasysh pyetjen që Jezusi u bëri skribëve (shih Marku 2:9).
Sa vijon është një e vërtetë që ne mund ta përcaktojmë nga ky rrëfim: Jezu Krishti ka fuqinë që të na shërojë shpirtërisht dhe fizikisht.
Marku 2:13–22
Jezusi i bën thirrje Mateut që ta ndjekë Atë dhe Ai ha me tagrambledhësit dhe mëkatarët
Kur skribët e panë të paralizuarin të ngrihej nga vigu i tij dhe të ecte, atyre iu dha një provë e pamohueshme, se Jezu Krishti kishte fuqi të madhe për t’i shëruar të sëmurët dhe ata e dëgjuan Atë të dëshmonte se Ai mund t’i falte mëkatet. Megjithatë, në këtë rrëfim nuk dihet nëse këta burra më vonë iu afruan Jezusit dhe kërkuan falje për vetë mëkatet e tyre.
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një listë të arsyeve përse individët mund të mos e kërkojnë faljen e Zotit për mëkatet e tyre. Kërkojini një pjesëtari të familjes apo një miku që t’ju ndihmojë me listën.
Ndërsa ju vazhdoni të studioni Markun 2, kërkoni të vërteta që mund t’ju nxitin të kërkoni faljen e Zotit.
Lexoni Markun 2:13–15, duke kërkuar atë që bëri Shpëtimtari pasi e shëroi të paralizuarin.
Levi më vonë u bë i njohur si Mateu. Ai është i njëjti Mate që shkroi Ungjillin e Mateut. Fraza “qe ulur në vendin e tatimeve” (Marku 2:14) do të thotë se Mateu ishte një tagrambledhës, “një mbledhës taksash për romakët në Kapernaum [dhe] ishte ndoshta në shërbim të Herod Antipës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mateu”, scriptures.lds.org). Shumë judenj i urrenin tagrambledhësit sepse ata i shikonin tagrambledhësit si tradhtarë, të cilët mblidhnin para nga vetë populli i tyre për romakët.
Vini re se shumë tagrambledhës dhe mëkatarë morën gjithashtu pjesë në gostinë e Mateut me Jezusin dhe dishepujt e Tij. Gjatë kësaj kohe, të haje një vakt do të thoshte shumë më tepër se sa thjesht të haje bashkërisht. Kjo tregonte se ekzistonte një lidhje miqësie dhe paqeje midis të gjithë atyre që merrnin pjesë.
Lexoni Markun 2:16, duke kërkuar mënyrën se si reaguan skribët dhe farisenjtë kur e panë Shpëtimtarin të hante me këta njerëz.
Si mendoni ju, përse skribët dhe farisenjtë e kritikuan Jezusin që hante me tagrambledhësit dhe mëkatarët?
Lexoni Markun 2:17, duke kërkuar përgjigjen e Shpëtimtarit ndaj kritikës së skribëve dhe farisenjve. Merrni parasysh të qarkoni fjalën që përdori Shpëtimtari për të përshkruar Vetveten.
Duke përdorur fjalën mjek, Shpëtimtari ripohoi fuqinë e Tij për të shëruar si shpirtërisht edhe fizikisht. Nga vargu 17 ne mësojmë se, Shpëtimtari dëshiron të na ndihmojë që të pendohemi për mëkatet tona dhe të shërohemi.
Përsiatni se përse është e rëndësishme të besojmë se Jezusi dëshiron të na ndihmojë që të pendohemi dhe të shërohemi.
Plaku Kreig A. Kardon, i Të Shtatëdhjetëve tha:
“Zoti na do dhe dëshiron që ne ta kuptojmë gatishmërinë e Tij për të falur. …
… Në mëshirën e Tij, Ai lejon që të përmirësohemi me kalimin e kohës, në vend që të kërkojë përsosuri të menjëhershme. Edhe me numrin e madh të mëkateve që janë rezultat i dobësisë në vdekshmëri, aq herë sa ne pendohemi dhe e kërkojmë faljen e Tij, Ai na fal, vazhdimisht [shih Moroni 6:8].
Për shkak të kësaj, të gjithë ne, përfshirë ata që po përpiqen të mposhtin sjelljet e varësisë të tilla si abuzimin me substancat ose pornografinë, si dhe ata që janë pranë tyre, mund ta dinë se Zoti do t’i pranojë përpjekjet tona të drejta dhe do të na falë me dashuri kur pendimi është i plotë. … Por kjo nuk do të thotë që një njeri mund t’i kthehet me gatishmëri mëkatit duke mos u ndëshkuar [liri nga pasojat]” (“Shpëtimtari Dëshiron të Falë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 16).
Përsiatni nëse ju jeni si tagrambledhësit dhe mëkatarët (të cilët e pranuan nevojën e tyre për Shpëtimtarin dhe erdhën tek Ai) apo si skribët e farisenjtë (të cilët nuk erdhën tek Shpëtimtari për të kërkuar fuqinë e Tij falëse dhe shëruese). Vendosni sot që të vini te Shpëtimtari dhe ta lejoni Atë që t’ju ndihmojë për nevojat tuaja fizike dhe shpirtërore.
Siç shënohet te Marku 2:18–22, Jezusi dha mësim rreth arsyes përse dishepujt e Tij nuk agjëronin ndërsa Ai qe me ta. Ai gjithashtu dha mësim se përse ishte e vështirë për disa njerëz që ta pranonin ungjillin e Tij (shih edhe Mateu 9:14–17).
Marku 2:23–3:6
Jezusi jep mësim rreth Shabatit
A keni zgjedhur ndonjëherë të mos merrni pjesë në një veprimtari, me qëllim që ta mbani ditën e Shabatit të shenjtë? Ndërsa ju vazhdoni të studioni Markun 2–3, përsiatni pyetjen vijuese: Si e dini nëse një veprimtari është e përshtatshme për t’u bërë në Shabat?
Lexoni Markun 2:23–24 dhe Markun 3:1–2, për të parë atë që bënë Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij, që saducenjtë e besonin se ishte një shkelje e ligjit të Shabatit.
Kujtoni se mësuesit judenj i shtuan ligjit të Moisiut vetë rregullat dhe interpretimet e tyre, të quajtura ligji ose zakoni gojor. Këto rregulla të shtuara kishin për qëllim që të parandalonin shkeljen e ligjit të Perëndisë, por ato gjithashtu i pengonin disa njerëz nga të kuptuarit e qëllimit të vërtetë të disa urdhërimeve, përfshirë urdhrin për ta mbajtur ditën e Shabatit të shenjtë.
Lexoni Markun 2:27–28 dhe pastaj vini re mënyrën se si Përkthimi prej Joseph Smith-it sqaron arsyen përse Zoti na e dha Shabatin:
“Prandaj, Shabati iu dha njeriut si një ditë pushimi; dhe gjithashtu që njeriu ta përlëvdojë Perëndinë dhe jo që njeriu të mos hajë;
Sepse ishte Biri i njeriut që e bëri Shabatin, prandaj Biri i njeriut është Zot edhe i Shabatit” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith‑it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Marku 2:26–27).
Lexoni Markun 3:3–5, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth shërimit të dorës së tharë të burrit në Shabat.
Bazuar në atë që mësojmë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it dhe Markut 3:3–5, plotësoni të vërtetën vijuese: Ne mund ta mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë duke .
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Në çfarë mënyrash mund ta përlëvdojmë Perëndinë në ditën e Tij të shenjtë?
Cilët janë disa shembuj të të bërit punë të mira në Shabat?
Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 59:9–13. Pastaj lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, dhe merrni parasysh mënyrën se si ju mund të përcaktoni atë që është e duhur për t’u bërë në Shabat:
“Ku është kufiri për atë që është e pranueshme dhe jo e pranueshme në Shabat? Brenda udhëzimeve, secili prej nesh duhet t’i përgjigjet vetë kësaj pyetje. Ndërkohë që këto udhëzime përfshihen në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve bashkëkohorë, ato duhet të shkruhen edhe në zemrat tona dhe të qeverisen nga ndërgjegjja jonë. … Do të jetë pothuaj e pamundur që të ketë ndonjë shkelje të rëndë të adhurimit të Shabatit, nëse ne vijmë me përulësi përpara Zotit dhe i japim Atij gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë. (Shih Mateu 22:37.)
Se çfarë është e denjë ose e padenjë në ditën e Shabatit, do të duhet të gjykohet nga secili prej nesh, duke u përpjekur të jemi të ndershëm me Zotin. Në ditën e Shabatit ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe kemi për detyrë ta bëjmë me një qëndrim plot adhurim, dhe pastaj t’i kufizojmë veprimtaritë tona të tjera” (“The Lord’s Day”, Ensign, nëntor 1991, f. 35).
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Si jeni ndier të bekuar ndërsa jeni përpjekur ta adhuroni Perëndinë dhe të bëni vepra të mira në Shabat?
Cila është një mënyrë se si do ta mbani më të shenjtë ditën e Shabatit?
Marku 3:7–35
Jezusi shëron shumë njerëz, i dërgon Apostujt e Tij për të predikuar dhe i paralajmëron të tjerët rreth blasfemisë
Siç shënohet te Marku 3:7–35, Jezusi shkoi drejt detit të Galilesë dhe shëroi shumë njerëz që e ndoqën deri atje, përfshirë disa prej tyre që kishin frymëra të ndyra. Pasi i përzgjodhi të Dymbëdhjetë Apostujt, Jezusi i shuguroi dhe i dërgoi ata për të predikuar, shëruar dhe dëbuar demonët. Më pas, Ai i paralajmëroi skribët rreth të thënit blasfemi kundër Frymës së Shenjtë dhe dha mësim se familja e Tij janë njerëzit që e bëjnë vullnetin e Atit Qiellor. Ju mësuat rreth disa prej këtyre ngjarjeve kur studiuat Mateun 12:22–35.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Markun 2–3 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: