Biblioteka
Hyrje te Veprat e Apostujve


Hyrje te Veprat e Apostujve

Përse të Studiohet Ky Libër?

Libri i Veprave të Apostujve formon një urë midis analit të jetës dhe mësimeve të Jezu Krishtit në katër Ungjijtë dhe shkrimeve e veprave të Apostujve të Tij. Libri i Veprave të Apostujve ilustron se si Shpëtimtari e vazhdoi drejtimin e Kishës së Tij nëpërmjet frymëzimit të Frymës së Shenjtë dhënë atyre që mbanin çelësat e priftërisë. Fryma e Shenjtë u zbuloi të vërtetën Apostujve, të cilët më pas e udhëhoqën Kishën dhe i dhanë mësim asaj. Apostujt gjithashtu kryen mrekulli në emrin e Jezu Krishtit. Nëpërmjet studimit tuaj të këtij libri, ju do të mësoni se si Kisha e Jezu Krishtit filloi të përhapej nga Jerusalemi “deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8). Studimi i këtij libri gjithashtu mund t’ju ndihmojë të kuptoni urtësinë e ndjekjes së profetëve dhe apostujve bashkëkohorë dhe mund t’ju frymëzojë që të qëndroni me guxim si një dëshmitar i Jezu Krishtit.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Lluka e shkroi librin e Veprave të Apostujve si librin “[e] dyt[ë] [të] një vepre me dy pjesë. … Pjesa e parë njihet si Ungjilli sipas Llukës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vepra të Apostujve”, f. 206, scriptures.lds.org; shih edhe Lluka 1:1–4; Veprat e Apostujve 1:1).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Libri i Veprave të Apostujve u shkrua pas Ungjillit të Llukës (shih Veprat e Apostujve 1:1), i cili ka të ngjarë të ishte shkruar në gjysmën e dytë të shekullit të parë Ps.K. Ne nuk e dimë se ku u shkrua ai.

Për Kë u Shkrua Ky Libër dhe Përse?

Lluka ia drejtoi librin e Veprave të Apostujve një burri të quajtur Teofil (shih Veprat e Apostujve 1:1).

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

Libri i Veprave të Apostujve tregon ngritjen dhe përhapjen e krishterimit, duke filluar në kryeqytetin e krahinës judease të Jerusalemit dhe duke përfunduar në Romë, në kryeqytetin e madhërishëm të perandorisë. Ngjarjet e përshkruara te Veprat e Apostujve ndodhën përgjatë një periudhe gati 30-vjeçare (rreth viteve 30–62 Ps.K.) dhe përqendrohen kryesisht te shërbesat e Pjetrit (shih Veprat e Apostujve 1–12) dhe të Palit (shih Veprat e Apostujve 13–28). Pa librin e Veprave të Apostujve, njohuria jonë për historinë e hershme të Kishës do të ishte e kufizuar te sasia e vogël e dhënë nga letrat e Dhiatës së Re. Përveç kësaj, libri i Veprave të Apostujve siguron kontekst të vlefshëm historik për letrat e Palit.

Vendimtare në rritjen e Kishës së hershme ishin kthimi i Palit në besim (shih Veprat e Apostujve 9) dhe misionet e tij pasuese, vegimi që mori Pjetri lidhur me pranimin në Kishë të johebrenjve, të cilët nuk ishin kthyer më parë në besimin te judaizmi (shih Veprat e Apostujve 10:9–16, 34–35) dhe doktrinat e dhëna mësim në kuvendin e Jerusalemit (shih Veprat e Apostujve 15).

Siç shënohet te Lluka 24:49, Shpëtimtari i udhëzoi Apostujt që t’i fillonin shërbesat e tyre vetëm pasi të “vishe[shin] me pushtet nga lart”. Libri i Veprave të Apostujve shënon dhurimin e kësaj fuqie nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe përshkruan rezultatet e saj dramatike, duke filluar me kthimin e mijëra njerëzve në besim në ditën e Rrëshajëve (shih Veprat e Apostujve 2). Gjatë gjithë librit të Veprave të Apostujve, Lluka theksoi veprimet e Frymës së Shenjtë mbi individë dhe bashkësi. Fraza “të visheni me pushtet nga lart” gjithashtu ka të ngjarë të nënkuptonte që Apostujt “morën dituri, fuqi të posaçme dhe bekime të veçanta, të dhëna normalisht vetëm në Tempullin e Zotit” (Bruce R. McConkie, Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:859).

Përmbledhje

Veprat e Apostujve 1–2. Jezu Krishti u kryen shërbesë dishepujve të Tij për 40 ditë pas Ringjalljes së Tij dhe më pas ngrihet në qiell. Me anë të frymëzimit, Apostujt thërrasin Matian për të zënë vendin e lënë bosh në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Fryma e Shenjtë derdhet në ditën e Rrëshajëve. Pjetri dëshmon me guxim për Shpëtimtarin e ringjallur dhe rreth 3.000 njerëz kthehen në besim.

Veprat e Apostujve 3–8. Pjetri dhe Gjoni shërojnë një burrë që ka qenë i çalë që nga lindja. Pjetri dhe Gjoni arrestohen për predikimin dhe shërimin në emrin e Jezu Krishtit dhe çlirohen nga burgu. Apostujt thërrasin shtatë burra që t’i ndihmojnë në shërbesën e tyre; një prej këtyre burrave, Stefani, dëshmon përpara këshillit judeas dhe anëtarët e këshillit e vrasin atë. Filipi predikon anembanë Samarisë.

Veprat e Apostujve 9–12. Sauli kthehet në besim dhe fillon shërbesën e tij. Nëpërmjet një vegimi, Pjetri mëson se ungjilli duhet t’u predikohet johebrenjve. Herod Agripa I vret Apostullin Jakob (vëllanë e Gjonit) dhe fut në burg Pjetrin.

Veprat e Apostujve 13–15. Sauli dhe Barnaba thirren që të jenë misionarë. Ata hasin kundërshtim nga judenjtë dhe pranohen nga disa johebrenj. Udhëheqësit e Kishës takohen në Jerusalem dhe vendosin që të kthyerit në besim johebrenj nuk kanë nevojë të rrethpriten ose ta zbatojnë ligjin e Moisiut kur bashkohen me Kishën. Pali (sikurse quhet tani Sauli) niset në udhëtimin e tij të dytë misionar, së bashku me Silën.

Veprat e Apostujve 16–20. Pali dhe Sila forcojnë kisha (bashkësi) të ndryshme që ishin krijuar më parë. Në Areopag [Kodra e Marsit] në Athinë, Pali predikon që “ne jemi pasardhës të Perëndisë” (Veprat e Apostujve 17:29). Pali e përfundon misionin e tij të dytë dhe niset në një mision të tretë anembanë Azisë së Vogël. Pali vendos të kthehet në Jerusalem.

Veprat e Apostujve 21–28. Në Jerusalem, Pali arrestohet dhe vazhdon të dëshmojë për Jezu Krishtin. Zoti i shfaqet sërish Palit. Shumë judenj komplotojnë për ta vrarë Palin. Në Cezarea, ai dëshmon përpara Feliksit, Festit dhe Agripës. Anija ku ishte Pali mbytet në udhën për në Romë. Pali predikon ungjillin ndërkohë që ishte nën arrest shtëpie në Romë.

Shtyp në Letër