Biblioteka
Njësia 17, Dita 2: Veprat e Apostujve 1:9–26


Njësia 17: Dita 2

Veprat e Apostujve 1:9–26

Hyrje

Pasi i udhëzoi dishepujt e Tij për 40 ditë, Jezu Krishti u ngrit në qiell. Apostujt dhe njerëz të tjerë u bashkuan në lutje dhe përgjërim. Me anë të frymëzimit, Matia u thirr për të zënë vendin e lënë bosh në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve nga tradhtia dhe vdekja e Judë Iskariotit.

Veprat e Apostujve 1:9–12

Shpëtimtari ngrihet në qiell

Lexoni thëniet vijuese rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit dhe shkruani nëse çdo thënie është e vërtetë (V) ose e rremë (Rr) në hapësirën e dhënë. Përdorini shkrimet e shenjta shoqëruese për t’ju ndihmuar që të përgjigjeni me saktësi.

  • ____ 1. Jezu Krishti do të kthehet në tokë në ditët e mëvonshme. (Shih Moisiu 7:60.)

  • ____ 2. Në Ardhjen e Tij të Dytë, Jezu Krishti do t’iu shfaqet vetëm njerëzve të drejtë. (Shih DeB 101:23; Joseph Smith – Mateu 1:26)

  • ____ 3. Ngaqë Jezu Krishti do të jetë i maskuar kur të vijë përsëri, shumica e njerëzve nuk do ta kuptojnë se Ardhja e Dytë ka ndodhur. (Shih DeB 49:22–23.)

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti profetizoi se në ditët e fundit disa njerëz do të nxitnin mësime të rreme rreth Ardhjes së Tij të Dytë (shih Joseph Smith – Mateu 1:22–25). Ne mund ta dimë nëse një mësim i caktuar rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit është i vërtetë apo i rremë, në qoftë se i ndjekim fjalët e Shpëtimtarit dhe fjalët e profetëve të Tij. Duke e bërë këtë ne mund ta shmangim të qenit të mashtruar (shih Joseph Smith – Mateu 1:37).

Teksa studioni Doktrinën e Besëlidhjet 1:9–12, kërkoni të vërtetat lidhur me Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Shpëtimtari i udhëzoi Apostujt e Tij për 40 ditë pas Ringjalljes së Tij (shih Veprat e Apostujve 1:3). Lexoni Veprat e Apostujve 1:9–12, duke kërkuar se çfarë ndodhi pasi Shpëtimtari mbaroi së udhëzuari ata.

Përfytyroni sikur të kishit qenë atje për të dëshmuar Shpëtimtarin duke u ngritur në qiell. Çfarë mendimesh dhe ndjenjash mendoni se mund të kishit pasur?

Pamja
Ngritja në Qiell e Jezusit

Në Izraelin e lashtë, nganjëherë një re shërbente si një përfaqësim i dukshëm i pranisë dhe lavdisë së Perëndisë (shih Eksodi 40:34). Reja e përmendur te Veprat e Apostujve 1:9 ishte një re lavdie (shih Bible Dictionary, “Cloud”). Dy burrat e përmendur te Veprat e Apostujve 1:10 ishin engjëj.

Vini re te Veprat e Apostujve 1:11 se çfarë u thanë engjëjt Apostujve. Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga shpallja e engjëjve është që në Ardhjen e Tij të Dytë, Shpëtimtari do të zbresë nga qielli me lavdi.

Vini në dukje te Veprat e Apostujve 1:12 që Ngritja e Shpëtimtarit në Qiell ndodhi në Malin e Ullinjve. Kur Shpëtimtari të vijë përsëri, një prej shfaqjeve të Tij do të jetë kur Ai të zbresë dhe të qëndrojë në Malin e Ullinjve (shih Zakaria 14:4; DeB 45:47–53; 133:19–20). Kjo do të jetë përpara shfaqjes së Tij të madhe dhe të madhërishme për botën (shih Isaia 40:5).

Përsiatni pyetjen vijuese: Si mund të na ndihmojë njohja e mënyrës në të cilën Shpëtimtari do të kthehet, që ta shmangim qenien të mashtruar teksa presim Ardhjen e Tij të Dytë?

Veprat e Apostujve 1:13–26

Matia zgjidhet për të zënë vendin e lënë bosh në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve

Pasi Apostujt u kthyen në Jerusalem nga Mali i Ullinjve, ata u mblodhën me disa burra e gra besnike, përfshirë Marinë, nënën e Jezusit, për t’u lutur dhe për të adhuruar. Lexoni Veprat e Apostujve 1:13 dhe llogaritni numrin e Apostujve të renditur.

Përse kishte vetëm 11 Apostuj në atë kohë?

Te Veprat e Apostujve 1:15–20 ne mësojmë se Pjetri qëndroi përpara 120 dishepujve dhe foli rreth vdekjes së Judë Iskariotit. Ngaqë Juda kishte qenë njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve, dishepujt u mblodhën që të zgjidhnin një Apostull të ri.

Merrni parasysh mënyrat e ndryshme në të cilat zgjidhen disa prej udhëheqësve vijues: një kapiten skuadre, një udhëheqës vendor i qeverisë, një mbret apo mbretëreshë dhe një president i një kompanie. Cilat mund të jenë disa nga kualifikimet për këto pozita udhëheqëse?

Merrni parasysh mënyrën se si zgjidhet një Apostull i Jezu Krishtit dhe çfarë e kualifikon dikë që të shërbejë si Apostull.

Lexoni Veprat e Apostujve 1:21–26, duke kërkuar mënyrën se si një Apostull i ri u zgjodh pas vdekjes së Judë Iskariotit.

Te vargu 26, fraza “hodhën short” i drejtohet një metode të lashtë të marrjes së një vendimi. Mes besnikëve, dora e Perëndisë do ta drejtonte rezultatin (shih Fjalët e Urta 16:33).

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Nëse hidhnin short, ishte një rast në të cilin Zoti e zgjidhte rezultatin. Megjithatë, ka më shumë mundësi, që ‘ata i dhanë votat e tyre’, duke nënkuptuar ‘votat mbështetëse’ për ta mbrojtur atë të cilin Perëndia e kishte zgjedhur të shërbente në apostullimin e shenjtë” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 2:32).

Sipas Veprave të Apostujve 1:21–22, Pjetri tha që Apostulli i ri do të zgjidhej nga mesi i atyre që e kishin njohur Jezusin personalisht dhe ishin dëshmitarë të shërbesës së Tij që nga fillimi deri në Ringjalljen e Tij.

Çfarë ju bie në sy rreth lutjes së Apostujve të shënuar te Veprat e Apostujve 1:24–25?

Një e vërtetë që mund ta mësojmë nga ky rrëfim është që Apostujt e Jezu Krishtit thirren nga Perëndia nëpërmjet zbulesës. Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta pranë Veprave të Apostujve 1:24.

  1. Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që një Apostull të thirret nga Perëndia nëpërmjet zbulesës, në vend që të përzgjidhet në një mënyrë të ngjashme me udhëheqës të tjerë në botë?

Për një shembull se si një Apostull bashkëkohor u përzgjodh nëpërmjet zbulesës, lexoni tregimin vijues nga jeta e Presidentit Hiber J. Grant:

Pamja
Presidenti Hiber J. Grant

“Presidenti [Hiber J.] Grant mori zbulesa si Presidenti i Kishës për ta udhëhequr Kishën si një të tërë. Një zbulesë e tillë erdhi pikërisht pasi ai u veçua si President i Kishës, kur kërkoi vullnetin e Zotit në caktimin e një anëtari të ri të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Teksa e përsiati këtë përgjegjësi, mendimet e tij u kthyen në mënyrë të përsëritur drejt mikut të tij për të gjithë jetën, Riçard W. Jangut, një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme dhe një udhëheqësi të sprovuar. Presidenti Grant e diskutoi këtë mundësi me këshilltarët e tij, të cilët e përkrahën vendimin e tij. Kur më së fundi ai u ndie vetëbesues me këtë rrjedhë të veprimit, e shkroi emrin e mikut të tij në një fletë letre dhe e mori letrën me vete në mbledhjen javore në tempull me Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Megjithatë, kur ishte gati ta paraqiste emrin për miratimin e Vëllezërve të tij, ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë. Në vend që të paraqiste emrin e Riçard W. Jangut, ai paraqiti emrin e Melvin J. Ballardit, një burri të cilin e njihte fare pak. Presidenti Grant më pas tregoi ndikimin që pati kjo përvojë tek ai:

‘E kam ndier frymëzimin e Perëndisë së gjallë duke më drejtuar në punët e mia. Që nga dita kur zgjodha një burrë pothuajse të panjohur që të ishte njëri nga Apostujt, në vend të mikut tim të njohur gjatë gjithë jetës dhe mikut tim më të dashur që jetonte, unë e kam ditur, sikurse e di që jetoj, se më është dhënë drita, frymëzimi dhe udhërrëfimi i Perëndisë në drejtimin e veprës së Tij këtu në këtë tokë’” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 181–182).

Përsiatni se si e vërteta e dhënë mësim te Veprat e Apostujve 1:24 ilustrohet në këtë rrëfim duke përshkruar thirrjen e një Apostulli të ditëve bashkëkohore.

Si tregon thirrja e një Apostulli që Shpëtimtari vazhdon ta drejtojë Kishën e Tij? (Kujtoni të vërtetën e dhënë mësim te Veprat e Apostujve 1:2 – Jezu Krishti e drejton Kishën e Tij duke ua zbuluar vullnetin e Tij Apostujve të Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)

  1. Përgjigjiuni njërës ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur e keni dëshmuar një Apostull të ri të thirret në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe cilat ishin ndjenjat tuaja teksa e mbështetët atë në këtë thirrje?

    2. Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të dini se Apostujt e gjallë janë thirrur nga Perëndia?

    3. Përse është e rëndësishme për ju që të keni dëshmi se Apostujt e gjallë janë thirrur nga Perëndia?

    4. A i dini emrat e të gjithë Apostujve që po shërbejnë kohët e fundit në Kishë? Renditni emrat e sa më shumë Apostujve të tanishëm që mund të kujtoni. (Për të parë se sa mirë i thatë emrat e Apostujve të tanishëm, shihni faqen që përmban fotografitë dhe emrat e Autoriteteve të Përgjithshme në botimin më të fundit të konferencës së përgjithshme në revistën Ensign ose Liahona ose kërkojini te LDS.org.)

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Veprat e Apostujve 1:9–26 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër