Njësia 21: Dita 2
Romakëve 12–16
Hyrje
Apostulli Pal u mësoi anëtarëve të Kishës në Romë që ta paraqitnin trupin e tyre si fli të gjallë te Perëndia dhe t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë. Ai u mësoi gjithashtu shenjtorëve se si t’i shmangnin mosmarrëveshjet dhe të kërkonin paqe kur krijoheshin mospajtime për shkak të parapëlqimeve vetjake. Kur e përfundoi këtë letër, Pali i paralajmëroi ata që kërkonin të mashtronin.
Romakëve 12–13
Pali i këshillon shenjtorët që ta paraqesin trupin e tyre si fli të gjallë te Perëndia dhe t’u binden urdhërimeve të Perëndisë
Vini re formën e lëngut në gotën e parë të ujit. Si do të ndryshonte forma e lëngut nëse do ta hidhnit atë nga gota e parë në gotën e dytë? Si do të ndryshonte forma e tij nëse do ta hidhnit atë në gotën e tretë?
Përfytyroni sikur lëngu përfaqëson një njeri dhe mbajtëset përfaqësojnë bindje dhe praktika të ndryshme të botës. Çfarë rreziqesh mund të vijnë nga përshtatja në mënyrë të vazhdueshme me bindjet dhe praktikat e botës?
Lexojeni Romakëve 12:1–2, duke kërkuar atë që Pali i nxiti anëtarët e Kishës në Romë të bënin.
Kur i këshilloi anëtarët e Kishës që ta “paraqisni[n] trupin [e tyre] si fli të gjallë … te Perëndia” (Romakëve 12:1), Pali bëri një krahasim me praktikën në Dhiatën e Vjetër të sjelljes së kafshëve në altarin e tempullit për t’u flijuar. Këto kafshë ishin oferta të përkushtuara për Perëndinë. Prandaj, Pali dha mësim se anëtarët e Kishës duhet t’ia përkushtojnë jetën e tyre – trupin e tyre fizik, dëshirat, zgjedhjet, veprimet, pasuritë dhe kohën – Perëndisë. Kjo bëhet duke hequr dorë nga dëshirat mëkatare dhe duke iu bindur urdhërimeve të Perëndisë.
Nga këshillat e Palit te Romakëve 12:1–2, ne mësojmë se Perëndia pret që ne t’ia përkushtojmë jetën tonë Atij dhe t’i ruhemi përshtatjes me botën. Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta.
Gjatë gjithë Romakëve 12–13, Pali u mësoi anëtarëve të Kishës shumë parime që do t’i ndihmonin ata t’ia përkushtonin jetën e tyre Perëndisë dhe t’i ruheshin përshtatjes me botën. Për t’i zbuluar disa nga këto parime, bëni një tabelë me tre kolona në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Shkruani një nga referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në krye të secilës kolonë: Romakëve 12:9–16; Romakëve 12:17–21; Romakëve 13:8–13. Më pas plotësoni detyrat vijuese:
Lexojeni secilin fragment të shkrimit të shenjtë dhe më pas shkruani një ose më shumë mësime nga secili fragment në kolonën përkatëse.
Përshkruani se si të jetuarit e një prej mësimeve që ju përcaktuat mund t’ju ndihmojë që t’ia përkushtoni jetën tuaj Perëndisë dhe t’i ruheni përshtatjes me botën.
Lexojeni Romakëve 13:14, duke kërkuar atë që Pali i këshilloi shenjtorët të bënin.
Fraza “vishuni me Zotin Jezu Krisht” do të thotë të bëhemi si Shpëtimtari në cilësitë dhe veprimet tona. Mendoni për mënyrën se si mund t’ju ndihmojnë mësimet që keni studiuar deri tani te Romakëve 12–13 për t’u bërë si Jezu Krishti.
Romakëve 13:14 na ndihmon të kuptojmë se nëse ia përkushtojmë jetën tonë Perëndisë dhe i ruhemi përshtatjes me botën, ne mund të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.
Shpëtimtari është një shembull i përkushtimit të jetës së dikujt ndaj Perëndisë dhe i ruajtjes nga përshtatja me botën. Mendoni për dikë tjetër që ju e njihni, i cili përpiqet ta bëjë këtë. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth personit për të cilin menduat dhe atë që ai ose ajo bën, që mishëron përkushtimin ndaj Perëndisë dhe ruajtjen nga përshtatja me botën. Shpjegoni se si ky person është bërë si rrjedhojë më shumë si Shpëtimtari.
Në një fletë letre veçan, shkruani një mënyrë se si ju mund t’ia përkushtoni jetën tuaj më plotësisht Perëndisë dhe t’i ruheni përshtatjes me botën. Vendoseni këtë letër në një vend që do t’ju ndihmojë ta kujtoni synimin tuaj.
Romakëve 14:1–15:3
Pali u mëson anëtarëve të Kishës që t’i shmangin mosmarrëveshjet mbi çështjet e parapëlqimeve vetjake
A është e pranueshme që një shenjtor i ditëve të mëvonshme 1) të ndjekë një regjim ushqimor vegjetarian? 2) të hajë çokollatë? 3) të veshë pantallona të shkurtra në publik? 4) ta përdorë teknologjinë në ditën e Shabatit? 5) të marrë pjesë në kremtimin e festimeve që janë të rrënjosura në zakone të tjera fetare apo kulturore?
Përgjigjja për të gjitha këto pyetje është “po”. Ndërkohë që disa sjellje kërkohen ose ndalohen qartësisht nga urdhërimet e Zotit, [sjellje] të tjera lihen në varësi të parapëlqimeve apo gjykimit të vetë anëtarëve. Këto çështje mund të përfshijnë disa zgjedhje në aspektet si zbavitjen, veshjen, regjimin ushqimor, respektimin e ditës së Shabatit dhe rregullat prindërore për fëmijët. Zoti ka dhënë standarde dhe urdhërime që t’i drejtojnë zgjedhjet tona në disa nga këto çështje, të tilla si veshjen e pantallonave të shkurtra që janë modeste, por disa vendime i lihen gjykimit vetjak. Anëtarët ndonjëherë mund t’i bazojnë te frymëzimi vendimet e tyre lidhur me aspekte të tilla, në varësi nga situatat apo nevojat e tyre të veçanta.
Ndërsa studioni Romakëve 14:1–15:3, kërkoni të vërtetat që jep mësim Pali për mënyrën se si duhet t’i trajtojmë çështjet mbi parapëlqimet vetjake në Kishë.
Te Romakëve 14:1–5 ne mësojmë se një çështje e parapëlqimit vetjak që hasën anëtarët e Kishës në kohën e Palit, lidhej me regjimin ushqimor të një personi. Disa njerëz nuk i zbatonin kufizimet për regjimin ushqimor. Të tjerë përmbaheshin nga mishi dhe hanin vetëm perime (shih Romakëve 14:2, poshtëshënimin a, [në variantin shdm të Biblës në anglisht]). Veç kësaj, disa anëtarë të Kishës zgjodhën që t’i respektonin zakonet, praktikat dhe festat judease.
Çfarë problemesh mendoni se mund të jenë shfaqur brenda Kishës ndërsa anëtarët merrnin vendime të ndryshme vetjake për këto çështje?
Lexojeni Romakëve 14:3, duke kërkuar këshillën që u dha Pali anëtarëve të Kishës të cilët kishin parapëlqime të ndryshme.
Si mendoni ju, përse disa anëtarë të Kishës mund t’i përçmojnë, përbuzin dhe gjykojnë anëtarët e tjerë, zgjedhjet e të cilëve ndryshojnë nga të tyret?
Lexojeni Romakëve 14:10–13, 15, 21, duke kërkuar atë që Pali u mësoi anëtarëve të Kishës të mos bënin në këtë çështje të parapëlqimit vetjak.
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga udhëzimet e Palit te Romakëve 14:13, është që për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta, ne duhet të ruhemi nga gjykimi për zgjedhjet e të tjerëve.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse është problem kur anëtarët e Kishës i përçmojnë ose i dënojnë anëtarët e tjerë të Kishës, të cilët bëjnë zgjedhje të ndryshme për çështje kur asnjë urdhërim nuk e kërkon apo nuk e ndalon një sjellje të caktuar?
Vini re frazën “mos i vini gur pengese ose skandal” te Romakëve 14:13. Kjo i referohet ndikimit [që mund të kemi] tek dikush tjetër për ta penguar shpirtërisht ose për ta bërë të dështojë në përpjekjet e tij apo të saj që të besojë në Jezu Krisht dhe ta jetojë ungjillin e Tij. Vini re gjithashtu se Përkthimi prej Joseph Smith-it i Romakëve 14:15 thotë: “Por nëse vëllai yt trishtohet për shkak të ushqimit tënd, ti nuk ecën më sipas dashurisë nëse ha; prandaj mos e shkatërro me ushqimin tënd, atë për të cilin Krishti vdiq”.
Pali i këshilloi anëtarët e Kishës të ishin të kujdesshëm ndaj ndikimit që kishin praktikat e tyre vetjake tek të tjerët, dhe të ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga veprime që mund të ndikonin tek të tjerët për t’u penguar shpirtërisht. Nga udhëzimet e Palit ne gjithashtu mësojmë se për çështje që nuk trajtohen nga urdhërime të veçanta, ne duhet të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si zgjedhjet tona ndikojnë tek të tjerët.
Kujtoni çështjet mbi parapëlqimet vetjake të përmendura në fillim të kësaj pjese të mësimit. Përsiatni mbi atë që mund të bëjnë anëtarët e Kishës në kohën tonë për t’i ndjekur këshillat e Palit në çështje të tilla si këto. Si mund të “ndihmojnë për paqe” zgjedhje të tilla midis anëtarëve të Kishës (shih Romakëve 14:19)?
Romakëve 15:4–16:27
Pali e përfundon Letrën e tij drejtuar Romakëve
Pranë përfundimit të Letrës së Palit drejtuar Romakëve, ai dha mësim një të vërtetë rreth shkrimeve të shenjta. Lexojeni Romakëve 15:4, duke kërkuar atë që dha mësim Pali rreth arsyes përse u shkruan shkrimet e shenjta.
Në bazë të asaj që lexuat, plotësoni të vërtetën vijuese: Shkrimet e shenjta u shkruan që të .
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një rasti kur studimi i shkrimeve të shenjta ju dha njohuri, ngushëllim ose shpresë.
Pali tregoi se si shkrimet e shenjta mund të na mësojnë dhe japin shpresë, duke cituar disa shkrime të shenjta të Dhiatës së Vjetër, për t’i siguruar shenjtorët se puna misionare midis johebrenjve ishte në përputhje me planin e Perëndisë (shih Romakëve 15:9–12).
Pjesa e mbetur e Romakëve 15–16 përmban nxitje dhe këshilla shtesë për anëtarët e Kishës në Romë. Kjo përfshinte një paralajmërim ndaj atyre që shkaktojnë përçarje, japin mësim doktrina të rreme dhe kërkojnë t’i mashtrojnë të tjerët (shih Romakëve 16:17–18).
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Romakëve 12–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: