Biblioteka
Njësia 1, Dita 2: Roli i Nxënësit


Njësia 1: Dita 2

Roli i Nxënësit

Hyrje

Fryma e Shenjtë, mësuesi dhe nxënësi kanë secili një rol të rëndësishëm në të mësuarin e ungjillit. Ky mësim mund t’ju ndihmojë të kuptoni secilin prej këtyre roleve, në mënyrë që ju të mund të jeni të suksesshëm në përpjekjet tuaja për të mësuar. Juve mund t’ju duhet t’i shqyrtoni në mënyrë të rregullt parimet e dhëna në këtë mësim për t’i kujtuar vetes përgjegjësinë tuaj për të mësuar ungjillin.

Rolet e Frymës së Shenjtë, të Mësuesit dhe të Nxënësit në të Mësuarin e Ungjillit

Merrni në shqyrtim situatën vijuese:

Një e re ndihet e frymëzuar dhe e ngritur moralisht ndërsa i studion mësimet e seminarit që studiohen në shtëpi. Ajo e ndien ndikimin e Frymës së Shenjtë. Ajo është mirënjohëse për gjërat që mëson dhe përsiat mbi mënyrat se si t’i zbatojë ato në jetën e saj. Një tjetër e re plotëson të njëjtat mësime, por ajo shpesh mërzitet dhe ndien se nuk merr shumë prej tyre.

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa nga arsyet e mundshme përse këto dy të reja kanë përvoja kaq të ndryshme ndërkohë që bëjnë të njëjtat mësime në seminar?

Ndërsa studioni mësimin e sotëm, kërkoni doktrinat dhe parimet që mund t’ju ndihmojnë ta përmbushni rolin tuaj si nxënës në seminar dhe ta forconi dëshminë tuaj për ungjillin e Jezu Krishtit.

Tre individë kanë role thelbësore në një mjedis ku mësohet ungjilli, të tillë si seminari: Fryma e Shenjtë, mësuesi dhe studenti.

Lexoni Gjonin 14:26 dhe Gjonin 16:13, duke kërkuar disa nga rolet e Frymës së Shenjtë.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje rreth roleve të Frymës së Shenjtë, është se Fryma e Shenjtë të mëson të vërtetën.

Duke u bazuar në atë që keni përjetuar në jetën tuaj, si mund ta dimë kur Fryma e Shenjtë është duke na mësuar të vërtetën? (Juve mund t’ju duken të dobishme [vargjet te] Doktrina e Besëlidhjet 8:2–3.)

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 50:13–14, duke kërkuar rolin e mësuesit të ungjillit. Vini re se këto vargje iu dhanë anëtarëve të hershëm të Kishës, të cilët ishin shuguruar për të dhënë mësim ungjillin.

Cili është roli i një mësuesi të ungjillit?

Lexoni 2 Nefin 33:1, duke kërkuar atë që bën Fryma e Shenjtë kur e vërteta jepet mësim nëpërmjet fuqisë së Tij.

Sipas 2 Nefit 33:1, çfarë bën Fryma e Shenjtë për ne?

Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 88:118, për të parë mënyrën se si ne duhet të kërkojmë të mësojmë.

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

Një mënyrë se si ne duhet të kërkojmë të mësojmë, është me anë të besimit. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë ndodh kur kërkojmë të mësojmë me anë të besimit. Pasi citoi 2 Nefin 33:1, Plaku Bednar tha: “Ju lutem, vini re se si fuqia e Shpirtit e çon mesazhin te, por jo domosdoshmërisht brenda zemër. Një mësues mund të shpjegojë, të tregojë konkretisht, të bindë e të dëshmojë dhe të veprojë kështu me fuqi shpirtërore dhe efektshmëri të madhe. Megjithatë, përfundimisht, përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërton brenda në zemër vetëm nëse marrësi i lejon ato të hyjnë. Të mësuarit me anë të besimit hap shtegun për zemër” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 61).

Nga kjo thënie ne mësojmë që, nëse kërkojmë të mësojmë me anë të besimit, atëherë ne e ftojmë Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të na mësuar dhe dëshmuar për të vërtetën.

  1. Besimi është më shumë sesa bindje pësore. Ne e shprehim besimin tonë nëpërmjet veprimit. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mendoni se mund të bëjmë për të mësuar me anë të besimit?

Përfytyroni sikur nuk keni luajtur asnjëherë futboll, por një mësues ju premton se ai mund t’ju mësojë të luani futboll mjaft mirë sa për të luajtur në një skuadër futbolli. Ju besoni në aftësinë e mësuesit për të dhënë mësim dhe në aftësinë tuaj për të mësuar. Mësuesi ju çon në një fushë futbolli. Ai ju shpjegon dhe tregon konkretisht se si të ecni me top, por nuk ju lejon të përpiqeni ta bëni vetë. Më pas ju shpjegon se si ta pasoni topin e futbollit dhe jua tregon konkretisht duke jua pasuar topin. Megjithatë, përpara se ju të keni mundësinë të provoni ta pasoni atë, mësuesi vjen dhe jua merr topin. Ai bën të njëjtën gjë me hedhjen e topit brenda fushës pasi ka dalë jashtë fushës. Ai ju falënderon për kohën tuaj dhe largohet.

Pas këtij lloj mësimi, sa të përgatitur do të ndiheshit ju për të luajtur në një skuadër futbolli? Përse?

Edhe pse të mësuarit rreth lojës dhe vështrimi i të tjerëve tek luajnë futboll ndihmon, nëse ju dëshironi t’i zhvilloni aftësitë që nevojiten për t’ia dalë mbanë në futboll, çfarë duhet të bëni ju?

Si mund të lidhet ky shembull me të mësuarin me anë të besimit?

Vetëm pasja e besimit dhe e mirëbesimit se Shpirti mund të na japë mësim nuk mjafton. Për të marrë njohuri për të vërtetat e Perëndisë, ne gjithashtu duhet të bëjmë përpjekje për ta mësuar dhe vënë në zbatim atë që mësojmë. Plaku Bednar dha mësim rreth veprimit të frymëzuar nga besimi që përfshihet në të mësuarin me anë të besimit:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Një nxënës/e që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar sipas parimeve të drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe e fton fuqinë e Tij mësimdhënëse, dëshmuese dhe dëshmimin e Tij pohues. Mësimi me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pësor. Është në sinqeritetin dhe rrjedhën logjike të veprimit tonë të frymëzuar nga besimi, që ne i tregojmë Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, gatishmërinë tonë për të mësuar e për të marrë udhëzim nga Fryma e Shenjtë. …

… Të mësuarit me anë të besimit kërkon si ‘zemrën [ashtu] dhe një mendje të gatshme’ (DeB 64:34). Të mësuarit me anë të besimit është rezultati i mbartjes së fuqisë së fjalës së Perëndisë si te zemra edhe brenda saj nga Fryma e Shenjtë. Të mësuarit me anë të besimit nuk mund të përçohet nga një mësues te një student/e nëpërmjet një leksioni, një paraqitjeje me fakte ose një ushtrimi eksperimental; përkundrazi, një student/e duhet të ushtrojë besim dhe të veprojë me qëllim që të sigurojë njohuri për veten e tij ose të saj” (“Seek Learning by Faith”, f. 64).

Sillni ndër mend të renë e përshkruar në fillim të këtij mësimi, e cila shpesh mërzitet dhe ndien se nuk përfiton shumë prej mësimeve të seminarit që studiohen në shtëpi. Përfytyroni sikur ajo t’jua shprehë juve këto mërzi. Nga ajo që ka thënë në të shkuarën rreth mënyrës se si i plotëson mësimet, ju keni zbuluar se ajo shpesh shkruan përgjigje të përcipta për detyrat në ditarin e saj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe vazhdimisht hutohet nga ndikime të tjera ndërsa bën mësimet. Ajo nuk merr pjesë as në veprimtaritë as në diskutimet e klasës gjatë sesioneve javore të orës mësimore.

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani tre ose katër shembuj të përpjekjeve shpirtërore, mendore dhe fizike që do ta nxitnin këtë të re për të ecur përpara, në mënyrë që ajo të mund të përfitojë nga të mësuarit me anë të besimit.

Shembujt nga jeta e Apostullit Pjetër ilustrojnë mënyrën se si synimi për të mësuar me anë të besimit e fton Frymën e Shenjtë në zemrat tona për të na dhënë mësim dhe për të dëshmuar për të vërtetën. Lexoni Mateun 4:18–20, duke kërkuar ftesën e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit dhe vëllait të tij, Andreas.

Çfarë i ftoi Shpëtimtari Pjetrin dhe Andrean të bënin?

Pamja
Jezusi duke thirrur Apostuj

Jezusi thirri Pjetrin dhe Andrean që ta ndiqnin Atë.

Në ç’mënyrë ishte përgjigjja e tyre një shembull i synimit për të mësuar me anë të besimit?

Veprimi i Pjetrit për të ndjekur Jezu Krishtin, e lejoi atë që të ishte me Shpëtimtarin gjatë gjithë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Ai ishte i privilegjuar që ta dëgjonte rregullisht Shpëtimtarin të jepte mësim dhe të dëshmonte kryerjen e shumë mrekullive prej Tij. Pas ftesës së Shpëtimtarit, Pjetri madje eci mbi ujë (shih Mateu 14:28–29).

Në një rast, Jezusi u bëri dishepujve të Tij dy pyetje. Lexoni Mateun 16:13–17, duke kërkuar pyetjen vetjake që Shpëtimtari u bëri dishepujve të Tij dhe se si u përgjigj Pjetri.

Vëreni te vargu 17 atë që Shpëtimtari shpjegoi rreth mënyrës se si Pjetri e kishte marrë njohurinë e tij. Pjetri e mori njohurinë e tij nëpërmjet zbulesës nga Ati Qiellor, e cila erdhi nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Përsiatni se si përvoja e Pjetrit është një ilustrim i të vërtetave të dhëna në këtë mësim.

  1. Plotësoni detyrat e mëposhtme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përshkruani një rast kur juve ju kërkua të mësonit me anë të besimit. Si e përmbushi Fryma e Shenjtë rolin e Tij në të mësuarin e ungjillit kur ju e bëtë këtë?

    2. Çfarë do të bëni ju për të mësuar me anë të besimit dhe për ta ftuar Frymën e Shenjtë në zemrën tuaj që t’ju japë mësim dhe t’ju dëshmojë për të vërtetën? Nëse ju duhen disa ide të posaçme rreth asaj që mund të bëni, ju mund të zgjidhni një ose dy prej veprimeve në vijim për t’u përqendruar:

      • Studiojini shkrimet e shenjta çdo ditë.

      • Zhvilloni teknika për studimin e shkrimeve të shenjta, të tilla si shenjimin, bërjen e referencave kryq dhe përdorimin e mjeteve ndihmëse për studimin e shkrimeve të shenjta.

      • Angazhohuni me nderim dhe vëmendje në veprimtaritë e të mësuarit dhe shmangini shpërqendrimet.

      • Plotësojini në mënyrë kuptimplote veprimtaritë e të nxënit në secilin mësim.

      • Hidhini mbresat shtesë, mendimet dhe shënimet në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

      • Shpjegojuni të tjerëve doktrinat dhe parimet e ungjillit, shënoni dhe tregoni pikëpamje dhe përvoja që lidhen me doktrinat dhe parimet e ungjillit, dhe dëshmoni për vërtetësinë e doktrinave dhe parimeve të ungjillit.

      • Zbatojini në jetën tuaj doktrinat dhe parimet e ungjillit (shih Gjoni 7:17).

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

Ndërsa kërkoni të mësoni me anë të besimit gjatë përvojës suaj në seminar, ju do të ndiqni këshillën e Presidentit Tomas S. Monson: “Të rinj e të reja, unë ju kërkoj juve të merrni pjesë në seminar. Studiojini përditë shkrimet tuaja të shenjta. Dëgjojini me kujdes mësuesit tuaj. Zbatojeni me lutje atë që mësoni” (“Participate in Seminary”, 12 gusht 2011, seminary.lds.org).

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar mësimin “Roli i Nxënësit” dhe e përfundova më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër