Njësia 6: Dita 1
Mateu 23
Hyrje
Gjatë javës së fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari e dënoi hipokrizinë e skribëve dhe të farisenjve dhe vajtoi që populli i Jerusalemit nuk donte ta pranonte dashurinë dhe mbrojtjen e Tij.
Mateu 23:1–12
Shpëtimtari dënon hipokrizinë e skribëve dhe farisenjve
Merrni parasysh mënyrën se si kompleti juaj i shkrimeve të shenjta krahasohet me kompletet e shkrimeve të shenjta që kanë pjesëtarët e familjes, anëtarët e lagjes dhe miqtë tuaj. Cili ka kompletin më të madh? Cili ka më shumë shenjime dhe shënime në shkrimet e shenjta? Cili ka kompletin më të bukur?
Si do të përgjigjeshit nëse dikush do të pretendonte se personi që ka kompletin më të madh të shkrimeve të shenjta, më shumë shenjime e shënime në shkrimet e shenjta ose kompletin më të bukur të shkrimeve të shenjta do të ishte më i drejti?
Përse kjo do të ishte një mënyrë e paefektshme për të përcaktuar drejtësinë?
Nëse drejtësia do të përcaktohej nga pamja e jashtme, ajo mund t’i bëjë disa njerëz të veprojnë në mënyrë hipokrite. “Fjala [hipokrit] përgjithësisht paraqet një person që shtiret sikur është besimtar kur nuk është” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hypocrite” [“Hipokrit”]). Ajo gjithashtu mund t’i referohet dikujt që shtiret sikur nuk është besimtar, kur ai ose ajo realisht është.
Si pjesë e mesazhit të fundit publik të Tij në tempullin në Jerusalem, gjatë javës së fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari e dënoi hipokrizinë e skribëve dhe të farisenjve.
Teksa studioni Mateun 23, kërkoni të vërtetat që do t’ju ndihmojnë të dini mënyrën se si të përgjigjeni kur i shikoni të tjerët të veprojnë në mënyrë hipokrite dhe atë që mund të bëni për ta mposhtur hipokrizinë në jetën tuaj vetjake.
Lexoni Mateun 23:1–7, duke kërkuar atë që tha Shpëtimtari për mënyrat në të cilat skribët dhe farisenjtë po silleshin me hipokrizi. Fraza “ulen mbi katedrën e Moisiut” (vargu 2) do të thotë që skribët dhe farisenjtë kishin një pozitë autoriteti për të dhënë mësim doktrinën dhe për të interpretuar e administruar ligjin. Skribët ishin njerëz të ligjit që e studionin ligjin e Moisiut; dhe farisenjtë ishin mësuesit fetar.
Sipas traditës së folur, judenjtë i vinin filateritë, të quajtura edhe tefilin, të cilat ishin kuti të vogla lëkure të lidhura me rrip në ballë dhe në krahun e majtë, për të treguar se mendjet dhe zemrat e tyre i përkushtoheshin vazhdimisht ligjit të Perëndisë. Brenda filaterive kishte rrotulla të vogla dorëshkrimesh që përmbanin pjesë të tekstit të Dhiatës së Vjetër. Judenjtë i vinin filateritë për t’i ndihmuar ata që të mbanin mend t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë (shih Eksodi 13:5–10, 14–16; Ligji i Përtërirë 6:4–9; 11:13–21). Zoti nuk dënoi ata që vinin filateri, por dënoi ata që i përdornin ato në mënyrë hipokrite, ose i zmadhonin që të tjerët ta vinin re se ata i kishin vënë ato.
Ju mund të doni ta shenjoni frazën te Mateu 23:5, që shpjegon arsyen përse skribët dhe farisenjtë i zmadhonin filateritë e tyre dhe “thekët e rrobave të tyre”.
Siç është shënuar te Mateu 23:3, çfarë këshille i dha Zoti Apostujve të Tij për hipokrizinë?
Bazuar te kjo këshillë, ne mësojmë të vërtetën vijuese: Ne mund të zgjedhim t’i bindemi ligjeve të Perëndisë edhe nëse i shikojmë të tjerët të veprojnë në mënyrë hipokrite.
Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse është e rëndësishme që ne të zgjedhim t’i bindemi ligjeve të Perëndisë edhe nëse i shikojmë të tjerët të veprojnë në mënyrë hipokrite?
Lexoni Mateun 23:8–10, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i këshilloi njerëzit të mos bënin.
Shpëtimtari përdori frazën “ju të gjithë jeni vëllezër” (vargu 8) për t’u mësuar njerëzve që të mos e quanin veten e tyre më të mirë se të tjerët, pasi të gjithë ata ishin fëmijë të Perëndisë, të barabartë në sytë e Tij.
Skribët dhe farisenjtë mendonin se pozita dhe rangu do t’i bënte ata të mëdhenj. Lexoni Mateun 23:11–12, duke kërkuar se kë tha Shpëtimtari do ta quante të madh në mbretërinë e Perëndisë. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni te vargu 11.
Siç është shënuar në këto vargje, Shpëtimtari u mësoi njerëzve parimin vijues: Nëse synojmë ta lartësojmë veten tonë mbi të tjerët, ne do të poshtërohemi. Të poshtërohesh do të thotë të biesh poshtë ose të turpërohesh ose të bëhesh më pak i respektuar.
Jezusi gjithashtu u mësoi njerëzve që nëse jemi të përulur dhe u shërbejmë të tjerëve, Zoti do të na lartësojë. Fraza “do të lartësohet” (Mateu 23:12) nënkupton që Zoti do të na ngrejë, do të na ndihmojë që të bëhemi më shumë si Ai dhe do të na japë ekzaltim në mbretërinë çelestiale.
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Përse kemi nevojë që t’u shërbejmë të tjerëve, në mënyrë që Zoti të na ngrejë e të na ndihmojë që të bëhemi më shumë si Ai?
Si mund të na ndihmojë të qenit i përulur për ta mposhtur hipokrizinë?
Përsiatni gjërat e mira që bëni në shkollë, shtëpi dhe kishë. Merrni parasysh se ku do ta vendosnit veten në gamën e njëpasnjëshme të mundësive në vijim bazuar te shtysat tuaja për të bërë vepra të mira dhe përpjekjet tuaja për të qenë të përulur:
Vini një qëllim për t’u shërbyer të tjerëve çdo ditë dhe kujtoni që të gjithë ne jemi fëmijë të Atit Qiellor.
Mateu 23:13–36
Jezu Krishti shpall mjerime mbi skribët dhe farisenjtë
Përfytyroni sikur ka tri gota nga të cilat mund të zgjidhni të pini. Gota e parë është e papastër nga jashtë, gota e dytë është e papastër nga brenda dhe gota e tretë është e pastër. Përse do të parapëlqenit të pinit nga gota që është plotësisht e pastër dhe jo thjesht pjesërisht e pastër? Teksa studioni Mateun 23:13–36, merrni parasysh se si mund t’i krahasoni këto tri gota me atë që tha Jezusi.
Te Mateu 23:13–36 ne mësojmë që Shpëtimtari i dënoi skribët dhe farisenjtë se ishin hipokritë. Hidhini një sy të shpejtë këtyre vargjeve, duke kërkuar se sa herë Shpëtimtari e përdori fjalën mjerë kur iu drejtua skribëve dhe farisenjve. Merrni parasysh të shenjoni secilën herë që fjala mjerë shfaqet në këto vargje. Mjerë i referohet mjerimit, shqetësimit dhe dhembjes.
Lexojini referencat vijuese të shkrimit të shenjtë dhe pastaj përgjigjjuni dy pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Mateu 23:23–24 (shih edhe Mateun 23:24, shënimin a në fund të faqes [në varianin SHDM të Biblës në anglisht])
Mateu 23:29–36 (shih edhe Mateun 23:36, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht])
Si po silleshin skribët dhe farisenjtë në mënyrë hipokrite?
Çfarë shembujsh të kësaj lloj hipokrizie shohim në kohën tonë?
Lexoni Mateun 23:26, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u tha farisenjve të bënin për të mposhtur hipokrizinë e tyre. Merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.
Nga ky varg ne mësojmë që ndërsa përpiqemi të bëhemi shpirtërisht të pastër nga ana e brendshme, ajo do të pasqyrohet në zgjedhjet tona të jashtme.
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Çfarë duhet të bëjmë ne që të jemi shpirtërisht të pastër nga ana e brendshme?
Si mund të na ndihmojnë përpjekjet tona për të qenë shpirtërisht të pastër nga ana e brendshme që ta mposhtim hipokrizinë?
Duke menduar për tri gotat në fillim të kësaj pjese të mësimit, merrni parasysh se cila gotë e përfaqëson më mirë gjendjen tuaj të tanishme shpirtërore. Vini një synim që do t’ju ndihmojë të jeni tërësisht të pastër shpirtërisht.
Përkthimi prej Joseph Smith-it e rrit të kuptuarit tonë për Mateun 23:23–35 duke shtuar shpjegimet vijuese:
Skribët dhe farisenjtë bënin të dukej sikur ata “nuk kryenin as mëkatin më të vogël”, prapëseprapë ata ishin në të vërtetë fajtorë për shkeljen e “tërë ligjit” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 23:21 [te Mateu 23:24 [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], shënimi a në fund të faqes]).
Skribët dhe farisenjtë “[jepnin] dëshmi kundër etërve [të tyre], kur [ata vetë ishin] pjesëmarrës në të njëjtën ligësi” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 23:34 [te Mateu 23:36 [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], shënimi a në fund të faqes]).
Ndërkohë që etërit e tyre mëkatonin në padije, skribët dhe farisenjtë mëkatonin me dashje dhe do t’u duhej të jepnin përgjigje për shkeljet e tyre (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 23:35 [te Mateu 23:36 [në variantin SHDM të Biblës në anglisht], shënimi a në fund të faqes]).
Te Mateu 23:29–33, ne mësojmë se Jezusi i dënoi udhëheqësit shpirtërorë të judenjve ngaqë i pranonin profetët e mëparshëm, por i hidhnin poshtë profetët e gjallë. Ashtu si në kohën e Jezusit, edhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i nderojmë profetët e mëparshëm ndërsa i hedhim poshtë profetët e gjallë të kohës sonë.
Mateu 23:37–39
Shpëtimtari vajton se populli i Jerusalemit nuk dëshiron të vijë tek Ai
Si i mbron një klloçkë zogjtë e saj?
Kur i kanoset rreziku, klloçkat i mbledhin zogjtë e tyre nën krahë e vet për t’i mbrojtur ata. Klloçka i do zogjtë e saj dhe do të sakrifikonte jetën e saj për t’i mbrojtur ata.
Lexoni Mateun 23:37–39, duke kërkuar mënyrën se si Shpëtimtari tha se Ai ishte si një klloçkë.
Si iu përgjigj populli i Jerusalemit përpjekjeve të Jezusit për t’i mbledhur ata?
Merrni parasysh të shenjoni frazën “shtëpia juaj po ju lihet e shkretë” (vargu 38). Në këtë kontekst, e shkretë do të thotë bosh ose e braktisur. Ngaqë njerëzit nuk ishin të gatshëm të mblidheshin nga Shpëtimtari, ata u lanë të pambrojtur. Ndër kuptimet e tjera, kjo frazë mund t’i referohet gjendjes shpirtërore të njerëzve gjatë kohës së Jezusit si edhe shkatërrimit të ardhshëm të Jerusalemit. Ajo gjithashtu mund t’i referohet tempullit dhe humbjes së bekimeve të tempullit.
Duke u bazuar tek ajo që Jezusi dha mësim për klloçkën dhe zogjtë e saj, çfarë mund të marrim ne nëse jemi të gatshëm të mblidhemi nga Shpëtimtari? Përgjigjjuni kësaj pyetjeje duke plotësuar thënien vijuese: Nëse jemi të gatshëm të mblidhemi nga Shpëtimtari, atëherë .
Në thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, shenjoni udhëzimin që përcakton një mënyrë se si ne mund t’i tregojmë Shpëtimtarit se jemi të gatshëm të mblidhemi prej Tij:
“Më shumë sesa një herë Ai ka thënë se do të na mblidhte si klloçka mbledh zogjtë e saj nën krahët e vet. Ai thotë se ne duhet të zgjedhim të vijmë tek Ai në përulësi dhe me besim të mjaftueshëm në Të, për t’u penduar ‘me qëllim të plotë të zemrës’ [3 Nefi 10:6].
Një mënyrë për ta bërë atë është të mblidhemi me shenjtorët në Kishën e Tij. Shkoni në mbledhjet tuaja, edhe kur ju duket e vështirë. Nëse jeni të vendosur, Ai do t’ju ndihmojë ta gjeni forcën për t’ia dalë mbanë” (“In the Strength of the Lord”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 18).
Vendosni se çfarë do të bëni për t’u mbledhur te Shpëtimtari, në mënyrë që të mund të vazhdoni të merrni përkujdesjen dhe mbrojtjen e Tij.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Mateun 23 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: