Biblioteka
Hyrje te 1 Pjetër


Hyrje te 1 Pjetër

Përse të Studiohet Ky Libër?

Një temë që gjendet kudo në Letrën e Parë të Përgjithshme të Pjetrit është që me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit, dishepujt e Shpëtimtarit mund t’i durojnë e t’i përgjigjen plot besim vuajtjes dhe përndjekjes. Çdo kapitull i 1 Pjetrit flet për prova ose vuajtje, dhe Pjetri dha mësim se durimi i provave është “më i çmuar nga ari” dhe do t’i ndihmonte besimtarët që të merrnin “shpëtimin e shpirtrave [të tyre]” (1 Pjetër 1:7, 9). Pjetri u kujtoi gjithashtu shenjtorëve identitetin e tyre si një “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar” (1 Pjetër 2:9). Duke i studiuar këshillat që dha Pjetri në këtë letër, ju mund të merrni shpresë, zemër dhe forcë, të cilat mund t’ju ndihmojnë në sfidat që hasni.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Autori i kësaj letre është “Pjetri, apostull i Jezu Krishtit” (1 Pjetër 1:1).

“Pjetri fillimisht njihej si Simeoni ose Simoni (2 Pjetër 1:1), një peshkatar i Betsaidës që jetonte me gruan e tij në Kapernaum. … Pjetri u thirr me vëllanë e tij, Andrean, të ishin dishepuj të Jezu Krishtit (Mateu 4:18–22; Marku 1:16–18; Lluka 5:1–11). …

… Zoti e zgjodhi [Pjetrin] të mbante çelësat e mbretërisë në tokë (Mateu 16:13–18). …

Pjetri ishte apostulli kryesues i kohës së tij” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pjetër”, scriptures.lds.org).

Shkrimet e Pjetrit tregojnë rritjen e tij nga një peshkatar i thjeshtë në një Apostull të fuqishëm.

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Pjetri ka gjasa ta ketë shkruar këtë letër të tij të parë midis viteve 62 dhe 64 ps.K. Ai e shkroi nga “Babiloni[a]” (1 Pjetër 5:13), ndoshta një emërtim simbolik për Romën.

Pranohet gjerësisht se Pjetri vdiq gjatë mbretërimit të perandorit romak, Neronit – me gjasa pas vitit 64 ps.K., kur Neroni filloi t’i përndiqte të krishterët (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pjetër”).

Për Kë u Shkrua Ky Libër dhe Përse?

Pjetri ia drejtoi këtë letër anëtarëve të Kishës që jetonin në pesë krahinat romake të Azisë së Vogël, të vendosura në Turqinë e ditëve të sotme (shih 1 Pjetër 1:1). Pjetri i konsideronte lexuesit e tij se ishin të “zgjedhur[it]” e Perëndisë (1 Pjetër 1:2). Ai shkroi që t’i forconte dhe t’u jepte kurajë shenjtorëve në “prov[ën] e besimit [të tyre]” (1 Pjetër 1:7) dhe t’i përgatiste ata për një “provë … zjarri” të ardhshme (1 Pjetër 4:12). Mesazhi i Pjetrit u mësoi gjithashtu atyre se si t’i përgjigjeshin përndjekjes (shih 1 Pjetër 2:19–23; 3:14–15; 4:13).

Këshillat e Pjetrit ishin në kohën e duhur sepse anëtarët e Kishës ishin pothuaj në fillimet e një periudhe përndjekjeje të nderë. Deri rreth vitit 64 ps.K., afërsisht koha kur Pjetri e shkroi këtë letër, qeveria romake përgjithësisht e toleronte krishterimin. Në korrik të atij viti, një zjarr shkatërroi një pjesë të madhe të Romës, dhe pati zëra se vetë Perandori Neroni e kishte urdhëruar vënien e zjarrit. Në përpjekje për ta shmangur fajësimin për shkatërrimin, disa romakë të njohur akuzuan të krishterët për vënien e zjarrit. Kjo çoi në një përndjekje të madhe ndaj të krishterëve kudo në perandorinë romake. Pjetri dëshmoi se kur shenjtorët “vua[jnë] si [të] krishterë” (1 Pjetër 4:16), ata mund të ndiejnë gëzim duke e ditur se po ndjekin gjurmët e Jezu Krishtit (shih 1 Pjetër 2:19–23; 3:15–18; 4:12–19).

Cilat Janë Disa Tipare Dalluese të Këtij Libri?

Në mes të pikëllimit dhe përndjekjes me të cilën u përballën shenjtorët e kohës së tij, Pjetri i porositi ata që të mbështeteshin te njëri-tjetri me dashuri e butësi (shih 1 Pjetër 1:22; 3:8–9). Veç kësaj, te 1 Pjetri 5 ne lexojmë se Pjetri shpjegoi mënyrën se si udhëheqësit e Kishës duhet t’i forcojnë bashkësitë e tyre.

Kjo letër përmban ndoshta referencat më të qarta biblike për botën e shpirtrave dhe punën e shpëtimit që ndodh atje. Pjetri përmendi shkurtimisht se Jezu Krishti e vizitoi botën e shpirtrave për t’u predikuar shpirtrave të pabindur që kishin jetuar në kohën e Noeut (shih 1 Pjetër 3:18–20). Ai shtoi se ungjilli iu predikua të vdekurve, për t’u dhënë individëve që kishin ndërruar jetë mundësinë që të gjykoheshin në kushte të barabarta me të gjallët (shih 1 Pjetër 4:5–6). Në periudhën tonë ungjillore, Presidenti Jozef F. Smith po përsiaste mbi domethënien e 1 Pjetrit 3:18–20 dhe të 1 Pjetrit 4:6, kur ai mori një zbulesë e cila qartëson doktrinat që lidhen me botën e shpirtrave (shih DeB 138).

Përmbledhje

1 Pjetër 1:1–2:10. Pjetri shkruan për nevojën që kanë shenjtorët të rriten shpirtërisht me qëllim që të marrin shpërblime të përjetshme. Premtimi i shpëtimit bëhet i mundur nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezu Krishtit. Shenjtorët janë një “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar” (1 Pjetër 2:9) që e kanë marrë mëshirën e Perëndisë.

1 Pjetër 2:11–3:12. Dishepujt e Jezu Krishtit përpiqen që t’i nderojnë të gjithë njerëzit dhe t’iu nënshtrohen autoriteteve dhe ligjeve civile. Pjetri u drejtohet grupeve të veçanta të shenjtorëve: qytetarëve të lirë, shërbëtorëve, bashkëshorteve dhe bashkëshortëve.

1 Pjetër 3:13–5:14. Kur përndjekja i bën shenjtorët të vuajnë, ata duhet të kujtojnë shembullin e Jezu Krishtit, i cili vuajti e më pas mori ekzaltimin. Jezu Krishti ua predikoi ungjillin të vdekurve që ata të mund të marrin një gjykim të drejtë. Udhëheqësit e Kishës ndjekin shembullin e Jezu Krishtit kur kujdesen për tufën e Perëndisë. Shenjtorët duhet ta përulin vetveten dhe ta hedhin merakun e tyre mbi Perëndinë.

Shtyp në Letër