Njësia 1: Dita 4
Hyrje te Dhiata e Re dhe Konteksti i Saj
Hyrje
Dhiata e Re është një anal i jetës në vdekshmëri, i mësimeve dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, i krijimit të Kishës së Tij dhe shërbesës së hershme e mësimeve të dishepujve të Tij. Në këtë mësim ju do të mësoni rreth kontekstit historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, duke përfshirë arsyen përse shumë judenj nuk e pranuan Jezusin si Mesia, ose si Shpëtimtar. Gjithashtu do të lexoni rreth atyre që e pranuan me përulësi Jezusin si Shpëtimtar dhe zgjodhën ta ndiqnin Atë.
Konteksti i Dhiatës së Re
Vendoseni dorën te figura në të djathtë. Duke u bazuar tek ajo që shihni te figura në të majtë, çfarë mendoni se po ndodh në figurë? Zbulojeni figurën në të djathtë.
Si ju ndihmon të parit e të gjithë figurës për të kuptuar se ç’po ndodh?
Burri me cohën blu në kokë është Stefani, një dishepull i Jezu Krishtit. Lexoni kreun e kapitullit për Veprat e Apostujve 7, për të mësuar se cila ngjarje është portretizuar në këtë figurë.
Mendoni për mënyrën se si mund ta përqasni zbulimin e gjithë figurës me të kuptuarin e shkrimeve të shenjta.
Kjo veprimtari ilustron rëndësinë e të kuptuarit të kontekstit të shkrimeve të shenjta. Fjala kontekst ka të bëjë me rrethanat që e shoqërojnë ose i japin sfond fragmentit, ngjarjes ose historisë në shkrimet e shenjta. Ndërsa njiheni me kontekstin historik dhe kulturor të Dhiatës së Re, ju mund t’i kuptoni dhe zbatoni më mirë mësimet në të.
Pjesët vijuese në këtë mësim përmbajnë informacione që do t’ju ndihmojnë të kuptoni më shumë rreth kontekstit të Dhiatës së Re.
Udhëheqësit Fetarë Judenj gjatë Shërbesës së Shpëtimtarit
Profeti i Librit të Mormonit, Jakobi, shënoi një profeci që na ndihmon të kuptojmë rrethanat që e shoqëruan shërbesën e Jezu Krishtit në vdekshmëri. Lexoni 2 Nefin 10:3–5, duke kërkuar fjalët ose frazat që përdori Jakobi për të përshkruar gjendjen shpirtërore midis judenjve gjatë shërbesës së Shpëtimtarit.
Fjalët intrigat e priftërinjve te 2 Nefi 10:5 duan të thonë predikim që kërkon “fitime dhe të kenë lëvdata nga bota” më tepër sesa mirëqenien e njerëzve të Perëndisë (2 Nefi 26:29). Ata të cilët ishin fajtorë për intrigat e priftërinjve, ishin së pari udhëheqës fetarë të ligj midis judenjve, që po i çonin njerëzit në rrugë të gabuar.
Informacione Shtesë për Ligjin e Moisiut dhe Filozofi të Tjera të Rreme
Për të kuptuar më tej se si udhëheqësit fetarë i çonin njerëzit në rrugë të gabuar, vizatoni një rreth përreth rrethit të mëposhtëm që përfaqëson ligjin e Moisiut dhe emërtojeni Ligji Gojor.
Ligji i Moisiut i referohet urdhërimeve dhe mësimeve që Perëndia i dha Izraelit të lashtë nëpërmjet profetit Moisi. Mësuesit judenj i shtuan ligjit rregullat dhe interpretimet e tyre vetjake. Të njohura si ligji gojor ose tradita gojore, këto rregulla dhe interpretime të shtuara synonin që të parandalonin shkeljen e ligjit të Perëndisë. Për shembull, sipas ligjit gojor, ishte e ndaluar të zgjidhje një nyje me të dyja duart në Shabat. Bërja e kësaj gjëje konsiderohej punë dhe, si rrjedhojë, shkelje e ditës së Shabatit. Megjithatë, lejohej zgjidhja e një nyjeje vetëm me një dorë.
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që mendoni se cili mund të jetë rreziku i shtimit të rregullave të krijuara nga njeriu tek urdhërimet e Perëndisë.
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se “për brezat që jetuan përpara dhe më pas në kohën e shërbesës së Zotit tonë”, disa nga udhëheqësit fetarë të judenjve “i morën gjërat e qarta dhe të thjeshta të fesë së pastër dhe iu shtuan atyre një mori interpretimesh vetjake; ata i zbukuruan ato me rite dhe shfaqje të tjera; dhe morën një mënyrë të lumtur e të gëzueshme adhurimi dhe e kthyen në një sistem kufizues, të mangët e të mërzitshëm ritesh dhe shfaqjesh. Shpirti i gjallë i ligjit të Zotit u bë në duart e tyre shkronja e vdekur e ritualizmit të judenjve” (The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary, 4 vëll. [1979–1981], 1:238).
Sipas Plakut Mek-Konki, çfarë i kishin bërë udhëheqësit fetarë judenj ligjit të Perëndisë me interpretimet e tyre të shtuara?
Judenjtë në kohën e Jezusit ishin në një gjendje braktisjeje. Ndonëse autoriteti dhe ordinancat e Priftërisë Aarone vazhduan midis tyre, shumë prej judenjve ishin larguar nga ushtrimi i vërtetë i fesë së tyre, ashtu siç iu zbulua Moisiut nga Perëndia (shih DeB 84:25–28). Tradita gojore e shtuar nga udhëheqësit judenj kishte marrë përparësi mbi fenë e pastër dhe fjalën e shkruar të Perëndisë.
Lexoni Mateun 12:14, duke kërkuar atë që farisenjtë dëshironin t’i bënin Jezusit, ngaqë Ai nuk pajtohej me ligjet ose traditat e tyre gojore.
Sundimi i Huaj dhe Pritja e një Mesie për ta Çliruar Izraelin
Përveçse t’i braktisnin traditat judease, pritshmëritë e rreme për Mesian që do të vinte, i shtynë gjithashtu shumë judenj të mos e pranonin Jezusin.
Lexoni paragrafin vijues dhe më pas përgjigjjuni pyetjeve shoqëruese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Me përjashtim të një periudhe të shkurtër pavarësie, deri në kohët e Dhiatës së Re judenjtë kishin jetuar si një popull i pushtuar për më shumë se 500 vjet. Një revoltë e drejtuar nga makabenjtë, një familje patriotësh judeas, çoi drejt pavarësisë 160 vjet përpara lindjes së Krishtit. Megjithatë, deri në kohën e lindjes së Krishtit, Izraeli ishte i pushtuar nga Roma. Mbreti Herod, i cili ishte martuar në një familje makabease, u caktua nga Roma për të sunduar mbi Izraelin. Judenjtë e kundërshtuan sundimin romak dhe e pritën me padurim Mesian e premtuar, për të cilin ata besonin se do t’i çlironte nga romakët. Për shkak se shumë judenj prisnin një Mesia që do t’i çlironte nga sundimi i huaj, ata nuk e pranuan Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e tyre.
Çfarë prisnin shumë judenj nga Mesia që do të vinte?
Përse kjo pritshmëri e rreme i shtyu shumë judenj të mos e pranonin Jezusin si Mesia?
Shumë Judenj Ishin të Përulur dhe e Pranuan Jezusin si Mesia ose Shpëtimtar
Ndërkohë që disa judenj nuk e pranuan Jezu Krishtin, të tjerë që ishin të përulur dhe të ndjeshëm ndaj Frymës së Shenjtë, e pranuan Jezusin si Mesia ose Shpëtimtar.
Lexoni Llukën 2:25–33, duke kërkuar atë që një burrë i drejtë i quajtur Simeon bëri dhe tha kur Jozefi dhe Maria e sollën në tempull foshnjën Jezus.
Sipas Llukës 2:30–32, përse u dërgua Jezusi në tokë?
Nga këto vargje ne mësojmë se Jezu Krishti u dërgua për t’u sjellë shpëtim të gjithë njerëzve.
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që bëri Jezu Krishti për t’i lejuar të gjithë njerëzit të shpëtohen.
Gjon Pagëzori u thirr nga Perëndia për t’i përgatitur njerëzit për ardhjen e Jezu Krishtit. Të nesërmen, pasi e kishte pagëzuar Jezusin, Gjoni dha dëshmi për Të, duke thënë: “Ja Qengji i Perëndisë”. (Gjoni 1:36). Lexoni Gjonin 1:37–42, duke kërkuar atë që bënë dy nga dishepujt e Gjonit pasi dëgjuan dëshminë e tij për Jezusin.
Çfarë bëri Andrea pasi dëgjoi dëshminë e Gjon Pagëzorit se Jezusi ishte Mesia? Si mendoni ju, përse ai ishte kaq i entuziazmuar për ta ndarë këtë lajm me të vëllanë, Simon Pjetrin?
Siç shënohet te Gjoni 1:43–44, Shpëtimtari e ftoi burrin e quajtur Filip të ishte dishepulli i Tij. Lexoni Gjonin 1:45–46, duke kërkuar atë që bëri Filipi pasi mësoi se Jezusi ishte Mesia.
Cila ishte ftesa e Filipit ndaj Natanaelit?
Duke u bazuar te këta shembuj nga Dhiata e Re, plotësoni parimin vijues: Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, ne do të kemi një dëshirë më të madhe për t’i .
Si mendoni ju, përse ne do të kemi një dëshirë më të madhe për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Krishti ndërsa shkojmë vetë tek Ai?
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha se ekziston një bekim i madh që ne e marrim kur i ftojmë të tjerët të vijnë te Jezu Krishti: “Kur jepni zemrën tuaj për t’i ftuar njerëzit të vijnë te Krishti, zemra juaj do të ketë ndryshuar. … Duke i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ai, ju do të zbuloni se keni ardhur vetë tek Ai” (“Come unto Christ”, Ensign, mars 2008, f. 52).
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Si mendoni ju, përse të ftuarit e të tjerëve për të ardhur te Krishti mund të na ndihmojë të vijmë gjithashtu më pranë Tij?
Kush ju ka ftuar juve të vini te Shpëtimtari dhe tek ungjilli i Tij? Si është bekuar jeta juaj si pasojë e kësaj?
Merrni parasysh se kë mund të ftoni për të ardhur te Jezu Krishti. Çfarë mund të bëni ju për t’i ftuar të tjerët të vijnë tek Ai?
Ndërsa studioni Dhiatën e Re këtë vit, ju do ta ndieni lutjen e vazhdueshme të Shpëtimtarit për të ardhur tek Ai. Ndërsa e pranoni këtë ftesë, ju do të mbusheni me dëshirën për t’i ndihmuar edhe të tjerët të vijnë tek Ai.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar mësimin “Hyrje te Dhiata e Re dhe Konteksti i Saj” dhe e përfundova më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:
Tabela në faqen vijuese mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë kontekstin e rrëfimeve të jetës së Jezu Krishtit që do të studioni tek Ungjilli i Mateut, i Markut, i Llukës dhe i Gjonit.