Biblioteka
Njësia 11, Dita 2: Lluka 13–15


Njësia 11: Dita 2

Lluka 13–15

Hyrje

Jezusi dha mësim për pendimin dhe mbretërinë e Perëndisë, dhe shëroi në Shabat. Ai përdori edhe shëmbëlltyra për të dhënë mësim mbi përulësinë dhe çmimin e dishepullimit. Farisenjtë dhe skribët u ankuan për shoqërimin e Shpëtimtarit me tagrambledhësit dhe mëkatarët. Shpëtimtari iu përgjigj duke dhënë shëmbëlltyrën e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës.

Lluka 13:1–14:14

Jezusi shëron në Shabat dhe jep mësim rreth përulësisë dhe përkujdesjes për ata që janë me më pak fat

Përfytyroni sikur jeni ulur për drekë me disa miq dhe shikoni një student të veshur keq që është ulur vetëm. Një person në grup bën një koment të pahijshëm rreth paraqitjes së studentit dhe shumë prej miqve tuaj qeshin.

Cilat janë disa nga mënyrat se si mund të reagoni ju në këtë situatë?

Ndërsa studioni Llukën 13–14, kërkoni atë çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth ndërveprimit me njerëzit që janë me më pak fat se ne.

Pamja
pemë fiku

Pemë fiku

© Jose Ramiro Laguna/Shutterstock.com

Te Lluka 13 ne lexojmë se Shpëtimtari tregoi një shëmbëlltyrë rreth një peme fiku që do të pritej nëse nuk jepte fryt. Kjo shëmbëlltyrë iu drejtua judenjve që duhej të kishin dhënë fryt të mirë dhe na mëson se ne do të vdesim nëse nuk pendohemi. Jezusi shëroi një grua në Shabat. Ai e krahasoi mbretërinë e Perëndisë me një farë mustarde që u bë një pemë e madhe dhe dha mësim rreth atyre që do të hyjnë në mbretërinë e Tij. Ai vajtoi edhe për shkatërrimin e pashmangshëm të Jerusalemit.

Te Lluka 14:1–6 ne lexojmë se në ditën e Shabatit, Shpëtimtari u ftua që të darkonte në shtëpinë e njërit prej krerëve të farisenjve. Përpara vaktit, Shpëtimtari shëroi një burrë që vuante nga hidropizia – një sëmundje që e bënte trupin e burrit të fryhej nga lëngjet.

Lexoni Llukën 13:15–16 dhe Llukën 14:5–6, duke kërkuar përgjigjet e Shpëtimtarit ndaj farisenjve, të cilët e akuzuan se po shkelte Shabatin duke shëruar gruan dhe burrin.

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit për nderimin e ditës së Shabatit dhe mbajtjen e tij të shenjtë? Një mësim është që Jezusi dha shembullin për sjelljen e drejtë në ditën e Shabatit, duke u shërbyer nevojave të njerëzve. Kjo ishte në kundërshtim me disa farisenj që e justifikonin ndihmën ndaj kafshëve, por jo ndaj njerëzve në ditën e Shabatit. Merrni në shqyrtim veprimet tuaja në ditën e Shabatit. Çfarë mund të bëni në ditën e Shabatit për të qenë më shumë si Jezusi?

Lluka 14:7–10 përmban një shëmbëlltyrë të cilën Shpëtimtari e përdori për të dhënë mësim mbi një të vërtetë të ungjillit, për marrëdhënien midis përulësisë dhe ekzaltimit. “Vendet e para” (Lluka 14:7) ishin vende nderi. Jezusi vuri re se disa nga ata që ishin ftuar në gosti, do të kërkonin vendet e nderit për veten e tyre, duke u ulur pranë të zotit të shtëpisë.

Lexoni Llukën 14:11, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth përulësisë. Fjala poshtërohet nënkupton që të ulesh në pozitë.

Lexoni Llukën 14:12–14, duke kërkuar atë që Shpëtimtari i mësoi fariseut, i cili e kishte ftuar Atë për darkë. Përse njerëzit, ashtu si edhe fariseu, mund t’i ftojnë miqtë e tyre dhe fqinjët e pasur apo të rëndësishëm për darkë?

Në kohën e Shpëtimtarit, ata që ishin të çalë (të gjymtuar), sakatë ose të verbër, shpesh hasnin vështirësi që të siguronin të ardhura për veten e tyre dhe ishin të varfër si rrjedhojë e paaftësive të tyre. Disa nga farisenjtë i përçmonin këta njerëz. Cilat janë disa arsye përse njerëzit sot mund t’i përçmojnë të tjerët?

Sa vijon është një parim që ne mund ta mësojmë nga këto vargje: Nëse përpiqemi që t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne, Zoti do të na e shpërblejë.

Përveçse do të na shpërblejë në Ringjallje, Zoti do të na bekojë edhe në këtë jetë, kur ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit që janë me më pak fat se ne (shih Mateu 6:4).

  1. Kryeni njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani për një rast kur ju ose dikush që ju njihni u bekuat ngaqë u përpoqët të ndihmonit dikë që ishte me më pak fat. (“Me më pak fat” mund t’i referohet edhe situatave përveç asaj të mungesës së gjërave materiale; për shembull, ajo mund t’i referohet dikujt që është i vetmuar ose mund të mos ketë miq.)

    2. Përsiatni mbi mënyrat se si ju mund t’i ndihmoni ata që janë me më pak fat se ju dhe shkruani një synim për t’u shërbyer atyre.

Lluka 14:15–35

Jezusi jep shëmbëlltyrën e gostisë së madhe dhe jep mësim rreth çmimit të dishepullimit

Cilat janë disa nga gjërat që mund të na kërkohet të sakrifikojmë apo të heqim dorë si dishepuj të Jezu Krishtit?

Cilat janë disa nga shfajësimet që dikush mund të tundohet të përdorë për të shmangur bërjen e këtyre sakrificave?

Pasi Shpëtimtari e këshilloi fariseun t’i ftonte për vakte ata që ishin me më pak fat, dikush në dhomë i tha Atij: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë” (Lluka 14:15). Në përgjigje të kësaj deklarate, Shpëtimtari tregoi shëmbëlltyrën e darkës së madhe.

Lexoni Llukën 14:16–24, duke kërkuar ftesën që morën njerëzit në shëmbëlltyrë, si edhe shfajësimet e bëra prej atyre që nuk e pranuan ftesën.

Jezusi po u fliste judenjve që po silleshin si ata njerëz në shëmbëlltyrë, të cilët u ftuan të parët në gosti. Në ç’mënyrë ungjilli i Jezu Krishtit është si një gosti e madhe? Çfarë shfajësimesh u dhanë nga njerëzit që nuk e pranuan ftesën për në darkën e madhe? Çfarë na tregojnë këto shfajësime rreth përparësive të këtyre njerëzve?

Një parim që ne mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë është që, nëse vendosim përparësi të tjera mbi Zotin dhe ungjillin e Tij, ne do t’i humbasim bekimet e ungjillit që mund t’i kishim marrë.

Hidhini një sy listës që shkruat rreth gjërave që mund t’ju kërkohet të sakrifikoni apo nga të cilat mund të duhet të hiqni dorë si dishepuj të Jezu Krishtit. Çfarë bekimesh mund të humbisni nëse nuk jeni të gatshëm t’i bëni këto sakrifica? A keni menduar ndonjëherë se po sakrifikonit diçka, por më vonë kuptuat se bekimet që morët ishin më të mëdha nga ato që ju menduat se sakrifikuat?

Pasi dha mësim këtë shëmbëlltyrë, Shpëtimtari i foli turmës për atë që Ai kërkon nga dishepujt e Tij. Lexoni Llukën 14:25–27, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se dishepujt e Tij duhet të jenë të gatshëm të bëjnë.

“Në kontekstin e Llukës 14:26, fjala greke e përkthyer si ‘urre[tje]’ do të thotë të ‘duash më pak’ ose ‘të vlerësosh më pak’. Shpëtimtari nuk po e hiqte urdhërimin që ta ‘nderosh atin tënd dhe nënën tënde’ (Eksodi 20:12); Ai po jepte mësim rreth përparësive. Për një dishepull, përkushtimi ndaj familjes duhet të vijë pas përkushtimit ndaj Jezu Krishtit” (New Testament Student Manual [manual i Sistemit Arsimor të Kishës, 2014], f. 165; shih edhe Mateu 10:37; Llukën 14:26, shënimin b në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]).

Fjala kryq te Lluka 14:27 i referohet Kryqëzimit dhe përfaqëson gatishmërinë për të sakrifikuar. Përkthimi prej Joseph Smith-it na ndihmon të kuptojmë se të “mbart[ësh] kryqin e [dikujt]” (Lluka 14:27) do të thotë “t’i moho[sh] vetes gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe të zbato[sh] urdhërimet e [Zotit]” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 16:26 [në shtojcën e Kombinimit Tresh]).

Këto vargje na mësojnë se dishepujt e Jezu Krishtit duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për ta ndjekur Atë. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në anë të faqes te shkrimet tuaja të shenjta pranë Llukës 14:25–27.

Pasi dha mësim rreth asaj që dishepujt e Tij duhet të jenë të gatshëm të bëjnë, Jezusi tha: “Prandaj, vëreni këtë në zemrën tuaj, që ju do t’i bëni gjërat që do t’ju mësoj dhe urdhëroj” (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 14:28 [te Lluka 14:27, shënimi b në fund të faqes]). Fjala të vësh këtu do të thotë të marrësh një vendim ose të vendosësh në mënyrë të qëndrueshme. Një parim që mund të mësojmë nga ky varg është se, kur ne e vëmë në zemrën tonë të bëjmë atë që Jezu Krishti na mëson dhe urdhëron, ne bëhemi dishepujt e Tij.

Përsiatni se si mund të arrijmë në një pikë të dishepullimit tonë, ku ne me të vërtetë e vëmë në zemrën tonë të bëjmë atë që Jezu Krishti na mëson dhe na urdhëron të bëjmë.

Shpjegoni se pasi i dha mësim këto parime rreth dishepullimit, Shpëtimtari dha dy analogji. Lexoni Llukën 14:28–30 dhe Llukën 14:31–33, duke marrë në shqyrtim atë që ilustrojnë këto dy analogji.

Pamja
kulla e rojës

Një kullë në fshatin e Nazaretit në Izrael, ashtu si kulla e përshkruar te Lluka 14:28–30

Shpëtimtari donte që ndjekësit e Tij të merrnin parasysh me maturi nëse ata ishin të gatshëm të sakrifikonin çdo gjë që mund të kërkohej prej tyre, që të mund të vazhdonin deri në fund si dishepuj të Tij (shih edhe Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Lluka 14:31 [te Lluka 14:30, shënimi a në fund të faqes]). Merrni në shqyrtim të shenjoni Llukën 14:33, e cila jep një përmbledhje të thjeshtë të mësimeve të Shpëtimtarit në këtë kapitull.

  1. Mendoni për atë që do t’ju kushtojë apo kërkojë, që të jeni një dishepull i vërtetë i Zotit Jezu Krisht. Merrni në shqyrtim bekimet e të jetuarit të ungjillit dhe të shpërblimit të jetës së përjetshme. Çfarë vendimesh mund të merrni tani, që do t’ju ndihmonin ta vendosnit Zotin mbi të gjitha përparësitë e tjera në jetën tuaj? Përgjigjjuni kësaj pyetjeje në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe përfshini disa synime që mund t’ju ndihmojnë të bëheni një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit.

Lluka 15

Jezusi jep shëmbëlltyrat e deles së humbur, të dhrahmisë së humbur dhe të djalit plangprishës

Pamja
bari me dele

Delja e humbur

Pamja
gruaja që gjen dhrahminë

Dhrahmia e humbur

Pamja
një burrë duke përqafuar të birin

Djali plangprishës

Mendoni për një rast kur ju gjetët diçka të rëndësishme që e kishit humbur. Si u ndiet?

Mendoni për dikë që ju e njihni, i cili mund të jetë i “humb[ur]” shpirtërisht. Ky mund të jetë dikush që nuk e ka marrë ende ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit ose nuk është duke jetuar aktualisht sipas mësimeve të ungjillit.

Ndërsa studioni Llukën 15, kërkoni të vërteta lidhur me mënyrën se si ndihet Ati Qiellor rreth atyre që kanë humbur shpirtërisht dhe përgjegjësinë që ne kemi ndaj tyre.

Lexoni Llukën 15:1–2, duke kërkuar atë për të cilët po ankoheshin farisenjtë.

Në përgjigje ndaj ankesës së farisenjve dhe skribëve, Shpëtimtari dha tre shëmbëlltyra: një për delen, një për dhrahminë dhe një për një djalë. Këto shëmbëlltyra kishin për qëllim që të jepnin shpresë për mëkatarët, si edhe të qortonin e dënonin hipokrizinë dhe vetëkënaqësinë e skribëve dhe të farisenjve. Ndërsa i studioni këto shëmbëlltyra, kushtojini vëmendje arsyes përse humbi subjekti i çdo shëmbëlltyre dhe se si u gjet ai/ajo.

Lexoni çdo shëmbëlltyrë, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet në kolonën e majtë të tabelës vijuese. Shkruajini përgjigjet tuaja në hapësirat e duhura.

Shëmbëlltyra e Deles, e Dhrahmisë dhe e Djalit të Humbur

Pyetjet

Lluka 15:3–7 (shih edhe Llukën 15:4, shënimin a në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht])

Lluka 15:8–10

Lluka 15:11–32 (në vargun 16 fjala dëshiroj do të thotë “me gëzim”)

Çfarë kishte humbur?

Përse humbi?

Si u gjet?

Cilat fjalë ose fraza përshkruajnë reagimin për gjetjen e tij/saj?

Pamja
Djali Plangprishës

“I ati e pa, … u lëshua vrap, … dhe e puthi” (Lluka 15:20).

Vini re se delja humbi ndërsa ndiqte rrjedhën normale të jetës, dhrahmia humbi për shkak të pakujdesisë ose shpërfilljes së zotëruesit të saj dhe djali plangprishës (dorëlëshuar apo i shkujdesur) humbi për shkak të vetë rebelimit të tij.

Cila është përgjegjësia jonë përkundrejt atyre që kanë humbur, pavarësisht nga mënyra se si humbën?

Vini re frazat që përshkruajnë reagimet kur gjenden kafsha, objekti dhe individi. Mbani mend se një qëllim i këtyre shëmbëlltyrave ishte që të qortonte vetëkënaqësinë e farisenjve dhe të skribëve, që po mërmëritnin rreth tagrambledhësve dhe mëkatarëve me të cilët Jezusi po fliste. Kur Jezusi tha se do të kishte më shumë gëzim në qiell për “një mëkatar të vetëm që pendohet … sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Lluka 15:7), Ai po jepte mësim se ka më shumë gëzim në qiell për një mëkatar të penduar sesa për nëntëdhjetë e nëntë farisenj dhe skribë të vetëkënaqur, të cilët, në krenarinë e tyre mendojnë se nuk kanë nevojë për pendim.

Bazuar në përgjigjet e atyre që e gjetën atë që kishte humbur, si do ta plotësonit thënien vijuese: Kur i ndihmojmë të tjerët që të ndiejnë dëshirën për t’u penduar, ne ndihemi .

  1. Përgjigjjuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë lloj gjërash mund të bëni për ta ndihmuar një person i cili ka humbur shpirtërisht, që të ndiejë dëshirën për t’u penduar apo afruar më pranë Atit Qiellor?

  2. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Llukën 13–15 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër