Biblioteka
Njësia 8, Dita 4: Marku 9:30–50


Njësia 8: Dita 4

Marku 9:30–50

Hyrje

Jezusi u tregoi dishepujve të Tij për vdekjen dhe Ringjalljen e Tij të afërt dhe u mësoi atyre se kush do të jetë më i madhi në mbretërinë e Perëndisë. Ai i paralajmëroi për pasojat e çuarjes së të tjerëve në mëkat dhe i udhëzoi dishepujt e Tij që ta veçonin veten e tyre nga ndikimet që do t’i çonin ata në mëkat.

Marku 9:30–37

Jezusi parashikon vdekjen dhe Ringjalljen e Tij dhe jep mësim se kush do të jetë më i madhi në mbretërinë e Perëndisë

Pasi dëboi një frymë të ligë nga një i ri (shih Marku 9:17–29), Shpëtimtari udhëtoi përmes Galilesë me dishepujt e Tij. Lexoni Markun 9:31–32, duke kërkuar ngjarjet për të cilat Shpëtimtari profetizoi.

Në këto vargje vini re se pasi Jezusi u tha dishepujve të Tij se Ai do të vritej dhe do të ngrihej sërish ditën e tretë, ata përsëri nuk e kuptuan se për çfarë po fliste dhe kishin frikë ta pyesnin Atë.

Pamja
Jezusi me fëmijët

Te Marku 9:33–37, ne mësojmë se kur Jezusi erdhi në Kapernaum, Ai u mësoi dishepujve të Tij se ata që u shërbejnë të tjerëve me përulësi, do të konsiderohen më të mëdhenjtë ose do të kenë pozitën më të nderuar në mbretërinë e Perëndisë. Ai gjithashtu i udhëzoi ata që të pranonin në Kishë njerëz, të cilët e përulnin veten e tyre si fëmijë dhe e pranonin Atë (shih Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it; në variantin SHDM të Biblës në anglisht], Marku 9:34–35 [te Marku 9:37, shënimi a në fund të faqes]).

Marku 9:38–50

Jezusi i paralajmëron kundër ndikimit për t’i çuar të tjerët në mëkat dhe mosveçimin e vetes nga ndikimet e liga

Nëse do të takonit një grup njerëzish që po kërkonin dhe po tregonin me gisht lart, drejt diçkaje, si do të reagonit? A nuk do të shikonit edhe ju lart, për të parë atë që njerëzit po shikonin?

Sjelljet e njerëzve shpesh mund të ndikojnë tek të tjerët, duke i bërë ata që të përvetësojnë fjalë, veprime apo sjellje të ngjashme. Kur e keni parë dikë që t’i ndryshojë fjalët, veprimet apo sjelljen e tij apo të saj për shkak të ndikimit të të tjerëve?

Ndërsa studioni Markun 9:38–50, kërkoni të vërtetat që mund t’ju ndihmojnë të shqyrtoni ndikimin që keni në përpjekjet e të tjerëve për ta ndjekur Shpëtimtarin, si edhe ndikimin që të tjerët kanë te ju.

Lexoni Markun 9:38, duke kërkuar situatën për të cilën Apostulli Gjon i tregoi Shpëtimtarit.

Pamja
Plaku Brus R. Mek-Konki

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se Apostujt ia ndaluan këtij njeriu të dëbonte demonë, ngaqë ai nuk ishte një bashkudhëtar me Dymbëdhjetë Apostujt: “Ai nuk ishte nga rrethi i brendshëm i dishepujve që udhëtonin, hanin, flinin dhe bisedonin vazhdimisht me Mësuesin. … Por nga përgjigjja e Zotit, është e qartë se ai ishte një anëtar i mbretërisë, një administrator i ligjshëm, i cili po vepronte me autoritetin e priftërisë dhe fuqinë e besimit” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:417).

Shpëtimtari u tha Apostujve të mos e ndalonin burrin dhe dha mësim se njerëzit që i ndihmojnë përfaqësuesit e Tij, do të shpërblehen (shih Marku 9:39–41).

Lexoni Markun 9:42, duke kërkuar paralajmërimin e Shpëtimtarit. Në këtë kontekst, fjala skandalizoj do të thotë ta çosh dikë në udhë të gabuar apo të ndikosh tek dikush që të mëkatojë.

“Të vegj[lit] që besojnë në [Jezusin]” përfshijnë dishepujt e përulur, të besuar të Shpëtimtarit në çdo kohë. Kjo përfshin gjithashtu ata që janë të rinj në besim, të tillë si rininë dhe të sapokthyerit në besim.

Plaku Mek-Konki shpjegoi se, “është më mirë që të vdesim dhe të na mohohen bekimet e ekzistencës së vazhdueshme në vdekshmëri sesa të jetojmë dhe t’i largojmë shpirtrat nga e vërteta”, dhe të përjetojmë vuajtjen e madhe dhe ndarjen nga Perëndia që do të shkaktonin veprimet tona (Doctrinal New Testament Commentary, 1:420).

Një parim që ne mësojmë nga paralajmërimi i Shpëtimtarit te Marku 9:42, është që nëse ne ndikojmë te njerëzit të cilët besojnë në Jezu Krisht që të mëkatojnë, ne do të mbahemi përgjegjës përpara Perëndisë.

Përsiatni mbi mënyrat me anë të të cilave dikush mund të ndikojë te njerëzit që besojnë në Jezu Krisht që të mëkatojnë.

Merrni në shqyrtim ndikimin që keni te njerëzit që besojnë në Jezu Krisht. A po ndikoni tek ata që ta drejtojnë jetën e tyre drejt Atij apo që të largohen prej Tij?

  1. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, renditni mënyrat me anë të të cilave ju mund të ndikoni tek të tjerët që të besojnë te Jezu Krishti dhe të shmangin bërjen e mëkatit. Qarkoni një nga idetë tuaja dhe vendosni një synim për ta zbatuar atë.

Përpiquni të zgjidhni dhe të rilidhni një këpucë, një kollare apo një nyje duke përdorur vetëm njërën dorë.

Çfarë sfidash do të përjetonit nëse do ta humbisnit njërën dorë? Kur do të ishte më mirë që ta humbisnit njërën dorë se sa t’i mbanit të dyja?

Gjymtimi është heqja e qëllimshme e një pjese të trupit, të tillë si një dorë apo një këmbë, që është dëmtuar, sëmurur apo infektuar rëndë. Megjithëse gjymtimi dhe shërimi që pasojnë mund të jenë shumë të dhimbshme dhe tronditëse, kjo e pengon sëmundjen apo infeksionin që të përhapet dhe të shkaktojë një dëmtim të mëtejshëm apo vdekjen.

Lexoni Markun 9:43, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari rreth asaj se kur do të ishte më mirë ta humbisnim njërën dorë se sa t’i mbanim të dyja.

Shpëtimtari në mënyrë figurative dha mësim se do të ishte më mirë që ta humbisnim njërën dorë se sa t’i mbanim të dyja, kur njëra prej duarve tona ka ndikuar te ne që të mëkatojmë dhe do të vazhdonte të ndikonte te ne që të mëkatojmë. Ai nuk po thoshte se ne duhet ta presim me të vërtetë njërën dorë; Ai përdori një figurë letrare për të theksuar rëndësinë e asaj që Ai po jepte mësim. Jezusi përdori figurën e prerjes së një dore për të na treguar se sa e rëndësishme dhe e vështirë mund të jetë ta veçojmë veten tonë nga disa ndikime të padrejta.

Përkthimi prej Joseph Smith-it e rrit kuptueshmërinë tonë për mësimet e Shpëtimtarit te Marku 9:43–48. Në këto vargje, ne mësojmë se Shpëtimtari përdori dorën, këmbën dhe syrin për të simbolizuar ndikimet në jetën tonë që mund të na çojnë në mëkat.

Pamja
figura për t’u ngjitur
  1. Vizatoni figurën e një njeriu në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Qarkoni një dorë, një këmbë dhe një sy në figurën që vizatuat. Lexoni Përkthimin prej Joseph Smith-it, Marku 9:40–48 (në shtojcën e Kombiminit Tresh), duke kërkuar atë që Shpëtimtari krahasoi me një dorë, një këmbë dhe një sy që e ka “skandaliz[uar]” dikë ose që ka ndikuar te dikush për të mëkatuar. Emërtojeni dorën, këmbën dhe syrin që ju qarkuat në vizatimin tuaj me atë që përfaqëson secila prej tyre. Fjala jetë në këto vargje i referohet jetës së përjetshme.

Ashtu siç dha mësim Shpëtimtari, dora përfaqëson pjesëtarë të familjes sonë dhe miq, këmba përfaqëson njerëzit që ne i shohim si shembuj të mënyrës se si të mendojmë e veprojmë dhe syri përfaqëson udhëheqësit tanë. Përsiatni për mënyrat se si veçimi i vetes sonë nga ndikimet e padrejta apo ndikimet që na bëjnë të mëkatojmë ose ta humbasim besimin, mund të jenë të ngjashme me heqjen e një dore apo të një këmbe. Sipas vargjeve që ju lexuat, çfarë mund të ndodhë nëse nuk e veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta?

Merrni parasysh që të shkruani të vërtetën vijuese në shkrimet tuaja të shenjta pranë Markut 9:43–48: Është më mirë që ta veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta se sa të përfundojmë të veçuar nga Perëndia.

Pamja
Plaku Uolter F. Gonzales

Plaku Uolter F. Gonzales, i të Shtatëdhjetëve, dha mësim rreth ndikimeve të tjera nga të cilat ne duhet ta veçojmë veten tonë: “Pra, si rrjedhojë, një shkëputje e tillë ka të bëjë jo vetëm me miqtë, por me çdo ndikim të keq, të tilla si shfaqje televizive, faqe interneti, filma, literaturë, lojëra apo muzikë e papërshtatshme. Skalitja në shpirtin tonë e këtij parimi do të na ndihmojë që t’i bëjmë ballë tundimit për t’iu dorëzuar çdo ndikimi të keq” (“Sot Është Koha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 55).

Veçimi i vetes sonë nga ndikimet e padrejta nuk do të thotë që t’i trajtojmë të tjerët me vrazhdësi, t’i ndëshkojmë të tjerët apo të mos pranojmë të shoqërohemi me njerëz që nuk janë anëtarë të Kishës. Përkundrazi, ne duhet të veçohemi ose ta shmangim ndërveprimin e afërt me njerëzit që do të na çonin në mëkat. Megjithëse ne mund të mos jemi në gjendje ta largojmë apo ta shmangim çdo ndikim që mund të na çojë në mëkat, Zoti do të na bekojë kur përpiqemi ta veçojmë veten tonë nga çdo ndikim i keq që mundemi dhe kur përpiqemi të zhvillojmë vetëdisiplinën për t’i shmangur ndikimet që nuk mund t’i largojmë plotësisht.

Merrni parasysh sfidat që ne mund të përjetojmë kur e veçojmë veten tonë nga ndikimet e padrejta. Si mund ta dimë mënyrën e duhur për ta veçuar veten tonë nga ndikimet e padrejta?

  1. Lexoni skenarët vijues. Përgjigjjuni pyetjeve shoqëruese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

    1. Unë kam miq që shpesh më nxitin të marr pjesë në veprimtari që i shkelin urdhërimet e Perëndisë. Megjithatë, unë mendoj se mund të ndikoj për mirë tek ata, nëse vazhdoj të kaloj kohë me ta. Çfarë lloj marrëdhënieje duhet të kem me ta? Çfarë duhet të them dhe të bëj që ta veçoj veten time ashtu siç duhet nga këta miq?

    2. Unë kam qenë admirues i një grupi të njohur për disa vite. Në disa prej këngëve dhe intervistave të tyre më të fundit, ata kanë nxitur sjellje dhe ide që bien në kundërshtim me standardet dhe mësimet e Zotit. Janë thjesht muzikë dhe fjalë, apo jo? Pra, çfarë rreziku ka që po vazhdoj ta dëgjoj muzikën e tyre dhe t’i ndjek ata në mediat shoqërore?

    3. Vazhdoj të dëgjoj për një shfaqje të njohur dhe jam i interesuar për ta parë. Më kanë thënë se ka një fjalor të pisët dhe përmbajtje të pamoralshme dhe të dhunshme, por nuk është se unë do të shkoj e do të imitoj gjërat e këqija që unë do të dëgjoj ose shoh. Pra, çfarë problemi ka që ta shoh?

Edhe pse veçimi i vetes sonë nga ndikimet që na çojnë në mëkat ndonjëherë mund të jetë i vështirë, përse për shpërblimet, të cilat përfshijnë jetën e përjetshme, ia vlen ta bësh këtë sakrificë?

  1. Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur keni zgjedhur juve apo dikush që ju njihni të veçoheni nga ndikimet e padrejta? (Shmangni shkrimin e çdo gjëje që është tepër personale apo vetjake).

    2. Çfarë bekimesh erdhën ngaqë e bëtë këtë?

Përsiatni nëse ka ndonjë ndikim në jetën tuaj që mund t’ju çojë në mëkat. Në një fletë të veçantë letre, shkruani mënyrën se si do ta veçoni veten tuaj nga këto ndikime. Vendoseni letrën atje ku mund ta shihni shpesh.

  1. Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Markun 9:30–50 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Shtyp në Letër