Njësia 12: Dita 3
Lluka 23–24
Hyrje
Shpëtimtari u gjykua si përpara Ponc Pilatit edhe përpara Herod Antipës. Asnjë nga këta burra nuk e gjeti Shpëtimtarin fajtor për krimet që judenjtë e akuzonin atë, por sidoqoftë, Pilati e dorëzoi Atë për t’u kryqëzuar. Jezusi i fali ushtarët romakë që e kryqëzuan Atë dhe i dha siguri për jetën pas vdekjes një vjedhësi që po kryqëzohej gjithashtu. Pasi Jezusi vdiq, trupi i Tij u vendos në varrin e Jozefit të Arimateas. Ditën e tretë pas vdekjes së Jezu Krishtit, engjëjt në varr ia lajmëruan Ringjalljen e Tij një grupi grash. Jezusi më vonë iu shfaq Apostujve të Tij dhe të tjerëve, u tregoi atyre trupin e Tij të ringjallur dhe i porositi që të predikonin pendim dhe të ishin dëshmitarë të Tij.
Lluka 23
Shpëtimtari gjykohet përpara Pilatit dhe Herodit dhe kryqëzohet midis dy vjedhësve
Mendoni për një rast kur dikush ju keqtrajtoi. Si reaguat në atë situatë?
Ndërsa studioni Llukën 23, kërkoni një të vërtetë që do t’ju ndihmojë të kuptoni mënyrën se si duhet të reagojmë kur ndihemi të keqtrajtuar nga të tjerët.
Kujtoni se pasi Jezusi kishte vuajtur në Gjetseman, krerët e priftërinjve e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Më pas ata e çuan te Ponc Pilati, një sundues romak në territorin e Judeas dhe kërkuan që ai ta dënonte Jezusin me vdekje. Pilati nuk mundi të gjente asnjë faj te Jezusi. Ai e dërgoi Jezusin që të gjykohej nga Herod Antipa, i cili kishte vrarë Gjon Pagëzorin dhe që sundonte në territoret e Galilesë dhe të Peresë nën autoritetin romak. As Herodi nuk mundi të gjente faj te Jezusi, kështu që Pilati i tha popullit se do ta ndëshkonte Jezusin dhe do ta lironte Atë. Njerëzit i bënë thirrje Pilatit që të lironte Barabën, një vrasës, dhe në vend të tij kërkuan që të kryqëzohej Jezusi. Pilati e liroi Barabën dhe e la Jezusin që të kryqëzohej (shih Lluka 23:1–25).
Lexoni Llukën 23:32–34 dhe Joseph Smith Translation [Përkthimin prej Joseph Smith-it], Lluka 23:35 (te Lluka 23:34, shënimin c në fund të faqes [në variantin SHDM të Biblës në anglisht]), duke kërkuar se për çfarë u lut Shpëtimtari ndërkohë që po kryqëzohej. Ju mund të doni ta shenjoni lutjen e Tij në shkrimet tuaja të shenjta.
Përgjigjjuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Përse lutja e Shpëtimtarit në këtë çast është kaq e mrekullueshme?
Çfarë parimi mund të mësojmë nga shembulli i Shpëtimtarit rreth mënyrës se si ne duhet të përgjigjemi kur të tjerët na keqtrajtojnë? (Përgjigjjuni kësaj pyetje duke plotësuar thënien vijuese të parimit: Ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke zgjedhur t’i .)
Të falësh të tjerët nuk do të thotë që ne e shfajësojmë dikë nga të qenit përgjegjës/se për atë që ai ose ajo ka bërë. As nuk do të thotë që ne duhet ta vendosim veten tonë në situata, në të cilat njerëzit mund të vazhdojnë të na keqtrajtojnë. Përkundrazi, falje do të thotë t’i trajtojmë me dashuri ata që na kanë keqtrajtuar dhe të mos ushqejmë zemërim apo mëri ndaj tyre (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Fal”, scriptures.lds.org).
Merrni në shqyrtim nëse ka ndonjë njeri të cilin ju duhet ta falni. Ka raste kur mund të jetë e vështirë t’i falësh të tjerët. Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli, duke kërkuar atë që mund të bëni nëse hasni vështirësi për ta falur dikë:
“Unë ju përgjërohem që t’i kërkoni Zotit forcë për të falur. … Mund të mos jetë e lehtë dhe mund të mos vijë shpejt. Por nëse do të kërkoni me sinqeritet dhe do ta kultivoni atë, ajo do të vijë. … Në zemrën tuaj do të vijë një paqe që nuk mund të merret në mënyrë tjetër. Ajo paqe do të jetë paqja e Atij, i cili tha:
‘Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;
por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja’ (Mateu 6:14–15)” (“Of You It Is Required to Forgive”, Ensign, qershor 1991, f. 5).
Plotësoni detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Përgjigjjuni pyetjes vijuese: Si mendoni ju, në ç’mënyrë të luturit për forcë mund t’ju ndihmojë ta falni dikë që ju ka keqtrajtuar?
Shkruani rreth një rasti kur ju (ose dikush që ju njihni) e falët një person tjetër. Mbani mend të mos tregoni ndonjë gjë që është tepër vetjake.
Kërkoni të ndiqni shembullin e Jezu Krishtit dhe t’i falni ata që ju kanë keqtrajtuar. Lutuni për forcën dhe aftësinë që ta bëni këtë. (Mbani mend se Zoti e dënon sjelljen abuzive të çfarëdo forme – fizike, seksuale, verbale ose emocionale. Abuzimi ose keqtrajtimi i gjithfarë lloji, përfshirë ngacmimin, është kundër mësimeve të Jezu Krishit. Viktimat e abuzimit duhet të sigurohen se ata nuk duhen fajësuar për sjelljen lënduese të të tjerëve. Ata nuk duhet të ndihen fajtorë. Viktimat e abuzimit duhet të kërkojnë ndihmë menjëherë, normalisht nga peshkopi ose presidenti i tyre i degës.)
Te Lluka 23:35–38, ne mësojmë se sunduesit judenj dhe ushtarët romakë u tallën me Shpëtimtarin kur Ai u var në kryq. Lexoni Llukën 23:39–43, për të parë mënyrën se si e trajtuan Shpëtimtarin të dy vjedhësit, që ishin varur në secilën anë të Tij. Ju mund të doni t’i shenjoni frazat që ju bëjnë përshtypje.
Lexoni thënien vijuese, për të parë se çfarë nënkuptoi Shpëtimtari kur i tha njërit prej vjedhësve se ai do të ishte me Të në parajsë:
“Në shkrimet e shenjta, fjala parajsë përdoret në mënyra të ndryshme. Së pari, ajo tregon një vend paqeje dhe lumturie në botën e shpirtrave pas vdekjes, e ruajtur për ata që janë pagëzuar dhe kanë qëndruar besnikë (shih Alma 40:12; Moroni 10:34). …
Një përdorim i dytë i fjalës parajsë gjendet në rrëfimin e Llukës për kryqëzimin e Shpëtimtarit. … Profeti Jozef Smith shpjegoi që … Zoti në të vërtetë tha se vjedhësi do të ishte me Të në botën e shpirtrave” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2005], f. 113; shih edhe History of the Church, 5:424–425).
Nga fjalët e Shpëtimtarit për vjedhësin, të shënuara te Lluka 23:43, ne mësojmë se shpirtrat e të gjithë njerëzve hyjnë në botën e shpirtrave në kohën e vdekjes së tyre.
Te Doktrina e Besëlidhje 138, ne mësojmë se kur Shpëtimtari vdiq, shpirti i Tij hyri në botën e shpirtrave. Sidoqoftë, Ai nuk i vizitoi të ligjtë, të cilët ishin në një pjesë të botës së shpirtrave, të quajtur burgu i shpirtrave. Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 138:29–32, për të parë atë që bëri Jezu Krishti në botën e shpirtrave dhe atë që ka gjasa t’i ketë ndodhur vjedhësit pasi ai vdiq dhe shkoi në botën e shpirtrave. Ju mund të doni ta shkruani referencën kryq DeB 138:29–32 pranë Llukës 23:43 në shkrimet tuaja të shenjta.
Edhe pse këtij vjedhësi do t’i predikohej ungjilli, ai nuk do të merrte ekzaltim vetvetiu në mbretërinë e Perëndisë. Vjedhësi (dhe të tjerët që vdesin pa një njohuri të ungjillit) do të duhet të pendohen dhe t’i pranojnë ordinancat e tempullit të kryera në emër të tyre (shih Doktrina e Besëlidhje 138:58–59).
Lluka 23:44–56 tregon se Shpëtimtari vdiq në kryq. Trupi i Tij u mbështoll me një çarçaf dhe u vendos në një varr. Materiali lidhur me vdekjen e Shpëtimtarit në kryq u trajtua në mësimin për Mateun 27.
Lluka 24
Engjëjt lajmërojnë se Jezu Krishti është ringjallur dhe Jezusi u shfaqet dishepujve të Tij
Përfytyroni sikur jeni një misionar dhe takoni dikë që thotë: “Njoh shumë njerëz që nuk besojnë te jeta pas vdekjes. Disa prej tyre thonë se besojnë te Jezu Krishti, por nuk besojnë se Ai u ringjall me një trup fizik. Ata thonë se Ai vazhdon të jetojë vetëm si shpirt. Çfarë besoni ju rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit?”
Si do t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje?
Lexoni Llukën 24:1–4, duke kërkuar atë që gjetën gratë kur arritën te varri ku ishte vendosur trupi i Jezusit.
Lexoni Llukën 24:5–8, duke kërkuar atë që engjëjt u thanë grave. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni.
Te Lluka 24:9–10, ne mësojmë se gratë u larguan nga varri dhe u treguan dishepujve atë që kishin parë e dëgjuar.
Lexoni Llukën 24:11, për të parë reagimin e Apostujve ndaj fjalëve të grave.
Përmblidhni mënyrën se si reaguan Apostujt ndaj fjalëve të grave:
Pasi e dëgjoi raportin e grave, Pjetri vrapoi për te varri dhe gjeti çarçafin, por trupi i Jezusit nuk ishte atje (shih Lluka 24:12).
Te Lluka 24:13–32 ne mësojmë se Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq dy dishepujve rrugës për në Emaus. Dy dishepujt nuk e njohën Jezusin ndërsa Ai ecte me ta dhe i mësonte duke përdorur shkrimet e shenjta, ngaqë “sytë e tyre ishin të penguar” (Lluka 24:16). Shpëtimtari nuk donte që ata ta njihnin Atë menjëherë.
Lexoni Llukën 24:32, për të parë mënyrën se si ndikuan te dy dishepujt mësimet e Shpëtimtarit nga shkrimet e shenjta. Merrni parasysh ta shenjoni atë që gjeni.
Të dy dishepujt u kthyen menjëherë në Jerusalem dhe ua treguan përvojën e tyre Apostujve dhe dishepujve të tjerë (shih Lluka 24:33–35). Ndërsa ata po flisnin, u shfaq Shpëtimtari.
Lexoni Llukën 24:36–39, duke kërkuar provën që Jezusi u ringjall me të vërtetë dhe se ka një trup prej mishi dhe kockash. (Lluka 24:36–39 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme, që të mund ta gjeni me lehtësi.)
Si mendoni se do të ndiheshit nëse do të kishit qenë i pranishëm kur Krishti i ringjallur iu shfaq dishepujve të Tij?
Lexoni Llukën 24:40–43, duke kërkuar se çfarë tjetër bëri Jezusi për të treguar se Ai kishte një trup të prekshëm (ose fizik), të ringjallur.
Nga këto vargje ne mësojmë se Jezu Krishti është një qenie e ringjallur me një trup prej mishi dhe kockash. Të gjithë trupat e ringjallur kanë mish dhe kocka të përlëvduara.
Ndërsa ju lexoni thënien vijuese, nënvizoni përse kjo doktrinë është e rëndësishme për t’u kuptuar dhe besuar:
“Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen – do të shpëtohen nga vdekja fizike (shih 1 Korintasve 15:22). Ringjallja është ribashkimi i shpirtit me trupin, në një gjendje të përkryer të pavdekshme, jo më i nënshtruar ndaj sëmundjes apo vdekjes (shih Alma 11:42–45). …
Një kuptueshmëri dhe dëshmi për ringjalljen mund t’ju japë shpresë dhe këndvështrim kur ju përjetoni sfidat, sprovat dhe fitoret e jetës. Ju mund të gjeni ngushëllim në sigurinë se Shpëtimtari jeton dhe se nëpërmjet Shlyerjes së Tij ‘ai këput rripat e vdekjes, që varri të mos ketë fitore dhe thumbi i vdekjes të gëlltitet në shpresat e lavdisë’ (Alma 22:14)” (Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 146)
Plani i shpëtimit na mëson se rënia e Adamit dhe Evës solli vdekjen fizike dhe shpirtërore. Ne nuk do të ishim në gjendje të ktheheshim dhe të jetonim me Atin Qiellor, nëse nuk do të na ishte dhënë një Shëlbues, që do të mposhte mëkatin dhe vdekjen. Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit bënë të mundur që ne t’i mposhtnim pasojat e Rënies.
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni përse është e rëndësishme të kuptohet dhe besohet doktrina e Ringjalljes së Jezusit dhe përse është e rëndësishme për ju.
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Lluka 24:36–39
Rilexoni skenarin në të cilin ju jeni një misionar dhe takoni dikë që ju pyet për Ringjalljen e Krishtit. Duke përdorur atë që mësuam te Lluka 24:36–39, shkruani një përgjigje për pyetjen e këtij personi në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Llukën 23–24 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: